Show-Bizz

Egla Harxhi: Lidhja jonë treshe s’ka qenë ‘show’, por një ‘provokim’ për shoqërinë shqiptare

09:56 - 06.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Pamela ALIAJ

 

“Në jetën tonë do të vijë një fëmijë. S’do e çoj në shkollë, larg mendimeve mediokre të shqiptarëve”.  Ajo është vendosur në qendër të vëmendjes si femra e parë në Shqipëri e cila u njoh për lidhjen e saj treshe. Pas këtij lajmi ish-misi nga Vlora, Egla Harxhi, së bashku me dy partnerët e saj ka qenë e ftuar kudo për t’i dhënë një zë këtij lajmi kaq të bujshëm. Në një intervistë ekskluzive për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, modelja 26-vjeçare ka folur për jetën e saj, punën me të cilën ajo merret dhe për më tepër pritshmëritë që ajo ka për djalin që do të lindë duke qenë se do të jetë fëmija i 3 prindërve. Ndërkohë që tashmë modelja është shtatzënë me Aleksin dhe jeta e të treve është ndërtuar këtu në Shqipëri duke “braktisur” qytetin e dashurisë, Parisin. Ajo ka zbuluar, gjithashtu, edhe marrëdhënien që të tre kanë me njëri-tjetrin, xhelozitë mes tyre dhe planet për të ardhmen.

 Jeni një nga ish-miset bukuroshe të Shqipërisë. Pse nuk vazhduat modelingun si miset e tjera në vendlindje?
Nuk mund të them se modelingu ka qenë apo është një profesion për mua. Është e vërtetë që jam angazhuar në disa sete fotografish, por gjithmonë ka qenë në një kuadër të eksplorimit artistik dhe shprehjes së emocioneve nëpërmjet fotove. Nuk ka pasur në fokus një drejtim komercial apo në kuadër të një profesioni të mirëfilltë edhe pse ka pasur raste kur kam bërë sete për disa firma. Arsyeja pse u largova nga Shqipëria për një moment nuk kishte të bënte me karrierën në modeling, ishte më tepër nevoja që kisha për të zbuluar diçka ndryshe që fatkeqësisht Shqipëria nuk ta ofron ende. Doja të përjetoja eksperienca të lidhura me artin, qoftë kjo në fushën e fotografisë, kinemasë apo teatrit. Parisi ishte vendi ideal edhe pse sot nuk është në epokën e vetë më të artë. Kjo zgjedhje erdhi për shkak të natyrës time që kërkon të dijë gjithmonë e më shumë e të hapë horizonte në fusha të ndryshme.
Jetoni mes Parisit dhe Libofshës. Cila ishte arsyeja që latë qytetin e dashurisë për t’u rikthyer këtu?
Përmes partnerit tim dhe punës time, kam krijuar një rrjet kontaktesh të rëndësishme, të cilat nuk janë domosdoshmërisht të lidhura vetëm me Parisin, por shumë më gjerë. Këto kontakte janë internacionale dhe përfshijnë njerëz në fusha të ndryshme, arti, biznesi apo politika. Kjo do të thotë se për mua nuk është e rëndësishme të jem në një vend të caktuar gjithë kohën, por mjafton të ngre telefonin kudo që jam për t’i kontaktuar. Aq më tepër sot mund të marrësh avionin dhe të gjendesh kudo nëse është e nevojshme. Jetesa në Paris është një bazë ku kthehem herë pas herë, por sot qëllimi im është të angazhohem në vendin tim. Kur u largova nga Shqipëria ika me një zhgënjim të madh dhe me një dëshirë ndoshta për të mos u kthyer kurrë. E kisha gabim pasi me gjithë problemet që ky vend ka, ngelet vendi im.


Jeni një nga shqiptaret e para në vend që njiheni për lidhjen tuaj treshe. Çfarë ndryshimi ka nga lidhjet e tjera sipas jush?
Lidhja ime private me partnerët e mi nuk ka qenë asnjëherë qëllim në vetvete për të bërë show dhe nuk dua të shprehem për detajet e marrëdhënies tonë. Ato na takojnë vetëm ne. Për mua ka qenë një mësim mbi sesi funksionon shoqëria jonë dhe këtë e kam parë përmes ”provokimeve të mia”. Fatkeqësisht jemi një shoqëri që ende nuk e ka kapërcyer pragun e të gjykuarit dhe të mos pranuarit të jetës së tjetrit. Sikur këtë energji dhe zjarr që njerëzit kanë për t’u marrë me jetën e tjetrit ta fokusonin në punë dhe përmirësimin e vendit ndoshta do kishim ecur shumë më përpara. Për mua ngelet një handikap zhvillimi social. Mesazhi i asaj që kam dashur të jap ka qenë shumë i thjeshtë: Secili ka të drejtë ta jetojë jetën e tij si të dojë, për sa kohë nuk cenon jetën e askujt tjetër. Për sa kohë mendimi i të tjerëve nuk është i bazuar në argumente logjike, por i bazuar mbi ligësinë dhe të mos pranuarit të asgjëje për mua nuk ka më vend për diskutim. Megjithatë për të qenë të qartë kjo është një marrëdhënie si gjithë të tjerat e me një sens të fortë përkushtimi ndaj njëri-tjetrit, e mbushur me angazhime dhe përgjegjësi.


A bëheni xheloze për partnerin tuaj apo edhe për Alesian?
Jemi të lirë dhe askush nuk na ka detyruar që ta jetojmë jetën në këtë formë. Ne kemi një vizion shumë të fortë të komunitetit dhe një besim të padiskutueshëm ndaj njëri-tjetrit, nuk ka vend për xhelozira, apo për vogëlsira pasi qëllimi ynë është shumë më shpirtëror dhe gjithmonë në të mirën e bashkësisë. Mendoj që një lidhje e tillë funksionon vetëm nëse jemi të lirë nga xhelozia, dhe e vetmja mënyrë për ta pasur këtë është të lëmë egon mënjanë.
Keni mbaruar arkitekturën në Paris dhe jeni muza e partnerit tuaj. Me çfarë pune merret Egla tani? Po Alex dhe Alesia çfarë pune bëjnë për të jetuar?
Secili nga ne ka detyrat e tij dhe ndihmojmë njëri-tjetrin çdo ditë për t’u përmirësuar dhe avancuar përpara. Sigurisht kjo vlen më shumë për ne te dyja pasi Aleksandri ndoshta për publikun njihet si artist, por më duhet të sqaroj që profili i tij është shumë më kompleks. Është dikush që është rritur përmes familjes së tij në botën e financës, bankave, biznesit të naftës dhe edukimi i tij ka qenë tejet i ashpër nga ç’mund ta imagjinojmë. Personalisht kam mësuar shumë për sa i përket këtyre fushave të panjohura për mua më parë dhe më ka hapur mendjen në shumë drejtime.


Ku e sheh veten Egla pas 10 vitesh? A e sheh sërish në këtë lidhje treshe?
Nuk mund të them se ku do të jem këtu e 10 vjet më vonë pasi jeta më ka provuar që asnjëherë planet nuk dalin siç i mendojmë dhe, nëse e forcojmë veten të ndjekim plane të paracaktuara nuk dallojmë mundësi të reja që na dalin përpara. Gjithsesi për diçka jam e sigurt. Që do jetë gjithmonë njëlloj tek unë dhe ky është shpirti i lirë dhe nevoja për të mësuar.
Ju jeni në muajin e tetë të shtatzënisë. Si mendoni se do të ndihet fëmija juaj nga paragjykimet që kanë njerëzit ndaj një fëmije me tre prindër?
Aktualisht jam duke ju afruar muajit të fundit të shtatzënisë dhe jam çdo ditë e më shumë e ndërgjegjshme mbi përgatitjen që duhet të kem mbas lindjes. Fëmija jonë do të rritet në një formë të tillë, e cila do ngjasojë me mënyrën se si i ati është rritur. Jam e bindur që djali jonë nuk do të preket aspak nga mendimet e të tjerëve pasi do të edukohet që në fillim me konceptin e të vërtetës, me konceptin e lirisë dhe shprehjes së lirë. Edukimi i tij është prioriteti më i madh që kemi dhe do bëj të pamundurën që ai të marrë një edukim të pa ndikuar nga mendimet mediokre të shoqërisë, por të jetë i aftë të dallojë çfarë është e mirë për të. Të jetë i zoti që i vogël të krijojë opinionet e veta të bazuara në argumente logjike dhe jo mendime të varfra subjektive. Djali jonë do të rrethohet gjithmonë nga njerëz që e kuptojnë dhe do të ndajnë me të debate dhe biseda konstruktive. Personalisht nuk besoj te shkolla tradicionale që i formon fëmijët në formë standarde për të gjithë. Besoj tek një tjetër formë edukimi alternative e cila i lejon fëmijës të formojë pyetje dhe argumente sesa të mësojë gjëra përmendësh.
Kur ka qenë momenti që kuptove që ishe e tërhequr edhe nga femrat? Në çfarë moshe?
Kam pasur gjithmonë dashuri për njeriun në thelb dhe seksi për mua nuk ka pasur rëndësi asnjëherë. Ajo që dikush mban në brendësi shkakton tek unë emocion dhe më bën të interesohem më tej për të. Kam qenë kështu që në adoleshencë dhe mendoj me kalimin e kohës është forcuar duke pasur bindjen se jemi të barabartë. Për femrat kam një lloj dobësie, ndoshta sepse ndjej më nga afër vuajtjet që kanë në shoqëri. Fakti që shumë prej tyre nuk arrijnë dot të jenë të lira: të mendojnë vete, të zgjedhin jetën që duan, më ka lënduar gjithmonë dhe më ka afruar gjithmonë e më shumë me femrat.
Cila ka qenë femra e parë me të cilën ke pasur lidhje intime?
Nuk jam nisur asnjëherë me idenë për të pasur një marrëdhënie të tillë, jam nisur nga fakti që doja që të zgjidhja partnerët e duhur në jetë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.