Kryesore

Japin dorëheqjen edhe 4 mjekë të urgjencës së QSUT: Në asnjë spital në botë nuk punohet në këto kushte ku punojmë ne

12:28 - 07.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza DURO
Edhe 4 mjekë të tjerë të Urgjencës Qendrore në QSUT kanë firmosur ditën e djeshme letrën e dorëheqjes kolektive si pasojë e kushteve të rënda të punës. Burime konfidenciale nga urgjenca, bëjnë me dije për “Gazeta Shqiptare” se mjekët me iniciale L.Ç, P.P, B.H dhe R.P i janë bashkuar 8 kolegëve të tyre dhe janë solidarizuar në lidhje me këtë situatë. “I vetmi që nuk ka firmosur këtë peticion, është shefi i urgjencës, Edmond Zaimi, ndërkohë që jemi plot 12 mjekë që kemi firmosur dorëheqjen si pasojë e mbingarkesës dhe mosrespektimit të kontratës së punës. Në asnjë spital në botë nuk punohet në këto kushte ku punojmë ne”,-tregon një prej mjekëve të urgjencës për “GSH”.




Mjekët, nëpërmjet kësaj letre drejtuar drejtorisë së QSUT, presidentit, kryeministrit e ministres së Shëndetësisë listojnë të gjitha arsyet që i kanë shtyrë të marrin një vendim të tillë. “Kushtet e punës së stafit mjekësor nuk plotësohen bazuar në kontratën punëdhënës-punëmarrës. Mbingarkesa me të sëmurë të shtruar që qëndrojnë mbi 48 orë në urgjencë për mungesë vendesh në pavijonet e tjera e moszbatimi i urdhrave të nxjerrë nga drejtoria, kemi marrë vendim që të tërhiqemi nga pozicioni ynë i punës, duke lajmëruar 30 ditë përpara”, – theksohet në letrën e dorëheqjes. Pavarësisht kësaj, të 12 mjekët e urgjencës, vazhdojnë të jenë në krye të detyrës e t’u shërbejnë radhës së gjatë të pacientëve. Gjithashtu, burimet konfidenciale bëjnë me dije për “Gazeta Shqiptare”, se 7 specializantë që kanë qenë pjesë e QSUT-së janë larguar në Gjermani për të ushtruar profesionin e tyre.

RADHËT E GJATA

Në shërbimin e Urgjencës, dy ditë më parë, ishin hapur më shumë se 60 kartela për shtrim në Kardiologji, ndërkohë që në këtë pavijon numërohen vetëm 60 shtretër. Por pavarësisht kësaj, në një prononcim për “GSH” mjeku i urgjencës, Petrit Vargu tregon se situata paraqitet pak më e normalizuar. “Iu është caktuar shefave të pavijoneve të tjerë që të marrin rreth 7-8 pacientë në ditë, nga 2 që merrnin më parë me qëllim që të ulet fluksi në urgjencë. Pas peticionit, situata pak a shumë është normalizuar, pavarësisht se ngelet ende shumë për të bërë. Kjo është një neglizhencë totale dhe vetëm denoncimi në media i bën të reflektojnë sadopak”, – thotë Vargu. Aktualisht, në Urgjencën Qendrore të QSUT-së punojnë vetëm 12 mjekë, e kjo e bën të papërballueshëm fluksin e pacientëve që dynden nga i gjithë vendi.

“Ne kemi në dorë jetën e njerëzve, dhe mjekët nuk duhet të lodhen e të mbingarkohen së tepërmi pasi e gjithë kjo reflektohet te puna. Mund të gabojnë në diagnozë e në mjekimet që iu japin pacientëve”,-thonë më tej burimet për “GSH”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.