OPINION

Roli i ndërkombëtarëve në tranzicionin e Shqipërisë

07:05 - 07.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Bernd Borchardt

 

Para pak muajsh, disa qytetarë shqiptarë bënë një demonstratë për të shprehur indinjatën në lidhje me vendimin për prishjen e shtëpive të tyre që të ndërtohej një rrugë e re. Një demonstratë e tillë është e drejtë civile, që ushtrohet nga qytetarët anembanë botës. Por, kjo demonstratë nuk u zhvillua përpara zyrës së bashkisë apo Kryeministrisë; ajo u organizua përballë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara. Kjo është e pazakontë. Madje, hedh dritë mbi temën e konferencës së sotme “Roli i ndërkombëtarëve gjatë tranzicionit në Shqipëri”, një rol që duket të jetë i veçantë këtu në Shqipëri, një rol i cili është hulumtuar pak prej akademikëve vendas dhe të huaj.

Në të njëjtën kohë, kjo konferencë na kujton 20 vitet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si pjesë e kontributit ndërkombëtar në tranzicionin shqiptar: 20 vite gjatë të cilave ka ndodhur një zhvillim rrënjësor. Vetëm 20 vjet më parë, Franz Vranitzky dhe Prezenca e OSBE-së erdhën këtu për të mbështetur rindërtimin e Shqipërisë. Sot jemi shumë larg nivelit të atyre ditëve. Shqipëria ka ecur shumë përpara, por mbeten ende sfida të mëdha.

Njëkohësisht, ky vend na kujton ditë me rëndësi të jashtëzakonshme në historinë e vonë të Shqipërisë. Pikërisht këtu u organizua dhe filloi greva e urisë e studentëve. Ishte këtu ku nisi revolta kundër regjimit komunist. Për këtë arsye, ky vend quhet salla “Liria”.

Në vitin 2012, një studiues gjermano-bullgar publikoi një punim me titullin e konferencës sonë. Nëntitulli ishte: “Urë mbi ujërat e trazuara?”, besoj një aluzion për ujërat e trazuara të politikës shqiptare. Punimi përqendrohej tek efektiviteti dhe efikasiteti i “faktorit ndërkombëtar” në Shqipëri, por edhe e përshkruante rolin e këtij faktori si jopërpjesëtimor. Aty rekomandohej që aktorët ndërkombëtarë të mos shërbejnë si arbitra të rivaliteteve të politikës shqiptare. Ata duhet të dërgojnë mesazhe të qarta se demokracia e qëndrueshme bazohet te besimi në arbritrat shqiptarë dhe jo në arbitrazhin ndërkombëtar. Edhe 6 vite pas publikimit të këtij punimi, këto rekomandime duket se janë ende të vlefshme dhe të pabëra realitet. Nga ana tjetër, shumë anketime – dhe besoj se edhe rezultatet zgjedhore të populistëve në shumë pjesë të Evropës – tregojnë se, në shumë pjesë të Evropës, “besimi” tek arbitrat kombëtarë ka pësuar rënie. Elektorati i dëgjon gjithnjë e më pak politikanët, ndërsa media është bërë “Luegenpresse”, sikurse quhet në Gjermani, shtypi i gënjeshtrës.

Bjerrjen e besimit tek institucionet, anketimet ua faturojnë mangësive në komunikimin ndërmjet institucioneve dhe zgjedhësve, si edhe perceptimit se elitat janë të pandershme. Elitat pretendojnë se ka përmirësim, se ka përparim në horizont, por njerëzve ndryshe u duket situata. Ata ndiejnë se frikërat dhe ankthet e tyre nuk merren parasysh. Në sytë e shumë njerëzve, elitave u mungon vullneti dhe/ose aftësia për një dialog real dhe të qenësishëm me popullin që përfaqësojnë.

Mos është Shqipëria një rast paska ekstrem i kësaj situate?

Cilat janë specifikat e Shqipërisë? Sikurse thashë, studimet kanë qenë të pakta. A kishte të drejtë gazetari i mirënjohur, Mustafa Nano kur shkruante vetëm disa ditë më parë se shqiptarët ose po e lënë vendin, ose presin që këtu ta bëjnë ndryshimin të huajt, ambasadorët? Apo, a është veprimtaria intensive diplomatike thjesht rezultat i viteve ‘90 dhe fazave të tjera të shekullit të kaluar, ku Ballkani prodhoi mungesë stabiliteti? Këto janë pyetje të hapura.

Për të filluar shqyrtimin e këtij fenomeni, ne kemi ftuar sot dëshmitarë të kohës, vendës dhe ndërkombëtarë, me profil të lartë, të cilët kanë luajtur rol gjatë fazave specifike të tranzicionit në Shqipëri. Me shumë kureshtje pres të mësoj se si e gjykojnë ata tani “rolin e ndërkombëtarëve”: që nga mësymja e ambasadave në vitin 1990, në ditë e para të demokracisë, duke vazhduar me trazirat e ‘97-ës, apo te deklarata e Selanikut e BE-së në vitin 2003, e më tej.

Gjithashtu, kemi ftuar akademikë shqiptarë e të huaj që të paraqesin analizën e tyre në lidhje me këtë rol në fusha specifike të tranzicionit në Shqipëri.

Me këtë konferencë synojmë tri qëllime:

– Së pari, shpresojmë të nxisim studiuesit shqiptarë dhe të tjerë që të analizojnë më thellësisht rolin e ndërkombëtarëve këtu. Diplomatët në Shqipëri e krijojnë këtë rol kaq të dukshëm rastësisht, apo thjesht sepse munden? Apo shtyhen prej aktorëve vendës që të marrin këtë rol? A ekziston një ndërlidhje mes besimit tek elitat shqiptare dhe qasjes së aktorëve ndërkombëtarë? Mund të ngrihen edhe supozime të tjera.

– Së dyti, duam që në këtë debat të sjellim jo vetëm kontributin e akademikëve, por edhe të dëshmitarëve të kohës.

– Së treti, bazuar në këto kontribute, duam të frymëzojmë edhe një debat politik: a duhet shqiptarët të demonstrojnë para Ambasadës së SHBA-ve që zëri i tyre të dëgjohet? Apo, a është mungesa e besimit tek institucionet kombëtare kaq e thellë, saqë ndryshimet për mirë priten vetëm nga jashtë Shqipërisë? Ku i ka rrënjët roli i fortë i “ndërkombëtarëve” në Shqipëri, a ka një historik të gjatë ky rol, apo u zhvillua thjesht si “urë mbi ujërat e trazuara” dhe mbi përçarjet e theksuara ndërmjet partive politike në Shqipëri? Kjo konferencë nuk do të gjejë të gjitha përgjigjet, por pres të japë një kontribut domethënës në këtë debat.

 

Autori është kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri

Kjo fjalë u mbajt në konferencën “Roli i ndërkombëtarëve në tranzicionin e Shqipërisë”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.