Analiza

Shkolla njëqindvjeçare, drejt mbylljes

07.12.17 gsh.al

 

Nga Andon Andoni

 

U ndodha këto ditë në fshatin tim të lindjes, në Ziçisht, teksa disa nga banoret gra, në moshë, së bashku me fëmijët e shkollës, kishin dalë derë më derë, për të firmosur një peticion të tyren me të cilën i kërkonin Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë që të mos ia u mbyllte shkollën e fshatit.

Kanë firmosur 145 vetë,-thoshin fëmijët.

Njëqindedyzet e katër, se ai i fundit që firmosi nuk është nga fshati ynë,- thoshte një djalosh rreth të dymbëdhjetave,-është nga Suli.

-Po, por ai këtu në fshat te ne punon çdo ditë?

Njëra nga gratë, si tha se ç’pritej të ndodhte pas lajmërimit të parë, që iu kishin bërë autoritetet e arsimit në Bilisht, se; “shkolla nuk i plotësonte numrin e nxënësve dhe do të mbyllej”,-tha;

-Vitin tjetër, na shtohen dy fëmijë të klasës së parë. Pa edhe Olimbia po bën çmos që t’i mbushë mendjen të bijës t’ia lërë nipin të vazhdojë shkollën këtu në fshat. Bëhen 19 gjer mot…po edhe ndonjë tjetër, kushedi!?

Ta mbajmë shkollën e Vasil Xhaçkës dhe Kostë Çekrezit, të çelur më 1920. Kushedi. Vjen një ditë dhe kthehen djemtë në fshat. Ja kanë filluar disa. Ku i dihet…

Ikën njerëzia! Ç’të bëjmë? Kaq kemi mbetur…u qa me dhimbje gruaja tjetër dhe vështronin me dyshim sikur unë të isha njeriu që do vendoste nëse mbahej apo mbyllej shkolla e fshatit tim!?

Në këto njëzet e shtatë vite të demokracisë shqiptare, në të gjithë vendin janë mbyllur thuajse gjysma e shkollave që regjistroheshin në fund të viteve 80!? E ndërsa në rrethe të veçanta si Kolonja dhe Gjirokastra ka shifra shumë më tronditëse. Në Kolonjë ka pasur 75 shkolla të tria të niveleve të arsimit bazë, fillore, tetëvjeçare dhe të mesme(sipas terminologjisë së asaj kohe) dhe sot ka vetëm 22!? Ndërsa në Gjirokastër vetëm për një dhjetëvjeçar,-nga viti 2005 dhe deri sot,- nga 66 shkolla kanë mbetur vetëm 35. Dihet që arsyeja kryesore është emigrimi dhe lëvizja e popullsisë brenda dhe jashtë vendit, mungesa e infrastrukturës dhe mjediseve shkollore, dhe përqendrimit në qytetet e mëdha të komunitetit të tyre. Për hir të së vërtetës, shumica e shkollave të mbyllura, kanë pasur një histori të lavdishme që në nisje. Shumë syresh me njëqind e ca vite histori. Të lidhur me emrat e patriotëve dhe rilindësve si Naimi në Frashër, Jani Vreto në Postenat, Petro Nini Luarasi në Luaras, Sotir Peci në Dardhë etj. Kanë shkelur në pragun e tyre breza të tërë shqiptarësh. Patriotë dhe luftëtarë të lirisë dhe të prosperitetit të këtij populli.

Njëqind vite më parë, gazetari dhe themeluesi i letërsisë për fëmije, Vasil Xhaçka e çeli me vetëm 6 nxënës, shkollën e fshatit tim, Ziçishtit që tashmë, edhe pse numëron 16 të tillë është piketuar të mbyllet. U çelen me dëshirën e zjarrtë për të mësuar shqip kundër greqishtes dhe turqishtes të deri asaj kohe. Në shkollën e Dardhës, e çelur plot 100 vite më parë, më 1917-të,përpos të tjerave edhe me përkujdesjen Sotir Pecit, ministrit të Arsimit të qeverisë së Lushnjës(30 janar-14 nëntor 1920), Dhespoti nën ndikimin e kishës greke, kishte shkuar dhe mbledhur fshatin për t’iu thënë që po bënin një herezi që kishin hapur shkollën ku të këndohej shqip, “se ja, ju flisnin të gjithë greqisht, punët dhe kurbetin me sëpatën e rëndë e keni me Greqinë?! Pa edhe meshat në kishë i këndoni greqisht?!”

Por kryeplaku i fshatit i ishte kthyer;

-Të drejtë ke hirësi, flasim greqisht, por ëndrrat i shikojmë shqip ama, në gjuhën e mëmës!

Dhe për fat të keq, sot ëndrra e tyre është shuar. Prej 17 vitesh, shkolla e parë e Dardhës, është mbyllur dhe dy nxënësit e saj të këtij viti shkollor, i detyrojnë familjet të shpërngulen për nëntë muajt e shkollës, në Drenovë dhe Korçë!!

Më 1902- mësuesi patriot  Nuçi Naçi do shkruante,-“Si vajta në Lavdar, miqtë më pritnë fort bukur si një vëlla…e unë si shqiptar pata marë dhe libra shqip me vehte dhe zura që më të nesëmen e ua mësova çunave të mësonjtores së Lavdarit “abecenë” shqip; u habita kur pashë se në tre ditë mësuanë që të gjithë të shkruanin dhe të këndojnë gjuhën e tyre; për mësonjës kanë një prift, edhe ay i djegur shqiptar….mësonjtore nuku kanë dhe nja 3 a 4 që janë në tërë 9 katundarinë, janë në gjuhë greqisht.”[1], Sot në të gjithë fshatrat e zonës, e vetmja shkollë ajo e Lavdarit, më klasa kolektive, dhe që varet nga Voskopoja, është në plan të mbyllet për të njëjti shkak; mungesën e nxënësve.

Sigurisht, nëse kjo situatë vështrohet kaq bardhë e zi dhe sipas rregullave të ftohta të ministrisë, do të mbyllen sa e sa shkolla të tilla; ajo e Ziçishtit ku dhanë mësim Vasil Xhaçka, dhe Rok Jakova, të cilin Kostë Çekrezi e solli nga Kosova më 1921-shin pasi Roku kishte mbaruar studimet e Larta në Isburg të Austrisë; ajo e Lavdarit ku iu mësonte abece-në Nuçi Naçi dhe Ilo Mitkë Qafëzezi; ajo e Vrakës ku dha mësim Migjeni…Dhe lexuesi i këtij shkrimi i “Gazetës Shqiptare” mund të shtojë emra mësuesish të shqipes dhe shkolla të mbyllura pambarim. Të ndjejnë dhimbje dhe peng për shkollën e vendlindjes, që për hir të kushteve dhe rrethanave, ju janë mbyllur ndër vite, apo janë në prag të mbylljes. Tek i shoh bashkëfshatarët e mi, që hyjnë derë më derë dhe firmosin peticion, për t’ia dërguar ministres së Arsimit, që shkolla e fshatit, me ata 16 nxënës të mbetet e çelur, pasi me të kanë lidhur fatet e tyre të dikurshme dhe të sotme, do kisha dëshirën e zjarrtë, që edhe ata të kishin një shkollë më të madhe me nxënës, me laboratorë dhe internet, me palestër dhe kushte moderne për mësim, zë për të cilën do ta ngrija edhe vetë unë i pari, por ja që nuk është e mundur. Nuk është e mundur edhe për pamundësi e shtetit për t’i grumbulluar në një shkollë cilësore të qytetit a bashkisë, me konvikte e mjedise studimi të standardeve evropiane.

Sigurisht që mund të ketë njëqind arsye për t’i mbyllur, nisur nga argumente të ftohta ligjore, si numri i nxënësve për shkollë, dhe mësues brenda profilit apo jo, por nisur nga e drejta kushtetuese për t’u shkolluar, nga propaganda se kjo qeveri e re është zëri i popullit, dhe qeveri shërbimi, ka plot argumente për t’i mbajtur dhe përpjekur që mos shkojnë drejt rrudhjes dhe rrëgjimit, qoftë edhe përkohësisht, deri sa të krijohen kushte të përshtatshme për shkollim.

Dhe bashkëfshatarët e mi, të gjithë në një zë, kërkojnë mbajtjen e shkollës hapur. Pasi ajo është e lidhur me ta. Me pleqtë e plakat që kanë marrë përsipër të mbajnë e të shkollojnë nipërit e mbesat aty, në vendlindje dhe jo kund gjetkë Evropës. Politikat arsimore dhe qeverisëse duhet të jenë të tilla që të shkojë shërbimi te nxënësi dhe jo nxënësi te shërbimi. Të shkojë Muhameti te mali! Pak janë vërtet fëmijët e një fshati,(katër nxënës në fillore dhe 12 në nëntëvjeçare te ne), por përballë përpjekjeve të zjarrta dhe sakrificave që bëjnë të mëdhenj e të vegjël anë e kënd Shqipërisë, ku rrezikohen të mbyllen shkollat, deri dhe se; ”po i mbush mendjen nuses së djalit që t’ia dërgojë nipin vitin tjetër për të bërë shkollën në fshat,?!”, nuk mund të ketë arsye për revansh mbyllës. Sigurisht që cilësia në arsimim është një nga gurët e themelit që ka dhe kërkon çdo prind. Kushte të tilla cilësie mund të gjenden nëpër shkollat e qyteteve dhe metropol, dhe një shkollë fshati nuk mund të ngrihet kurrsesi në këto nivele. Kjo është një gjë e njohur. Por gjersa vetë banorët, të ndërgjegjësohen dhe shteti të gjejnë rrugë alternative për shkollimin e fëmijëve të tyre, përkrahja dhe mbështetja ndaj shkollave me rrezik mbyllje, duhet të jetë e pakursyer.

Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

  1. Bashke me mbylljen e shkollave te vjetra, mbyllen, me sakte digjen, faqet e Historise kombetare. Nje shkrim i duhur, edhe pse me vonese. Por qe kerkon qe… “Nusja te mos t`i kete veshët e randë”…

    Përgjigju ↓