AKTUALITET

Zbardhet takimi Xhafaj në Bruksel: Ja premtimi i ministrit për Komisionerin Hahn

11:11 - 07.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kuadër të vizitës së tij në Bruksel, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka zhvilluar një takim me Komisionarin për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.




Ministria e Brendshme bën me dije se ministri Fatmir Xhafaj prezantoi prioritetet dhe dokumentin politik të punës së Ministrisë së Brendshme, në këtë mandat qeverisës.

Ai u ndal te lufta antikanabis duke e vënë theksin tek qëndrueshmëria e rezultateve. Ministri nënvizoi se janë marrë që tani masat për 2018, dhe Shqipëria nuk do të jetë më në listën e vendeve ku kultivohet drogë.

Një vend të rëndësishëm në bisedën mes palëve, zuri njohja me Planin e Veprimit, Operacioni “Forca e Ligjit”, duke u ndaluar në elementë të tij, çfarë përfaqëson dhe si do të zbatohet. Ministri pohoi se janë skanuar grupet kriminale dhe asetet e tyre. Ai veçoi ndihmën e ekspertëve të huaj të atashuar në Task Forcën Speciale. Xhafaj informoi Komisionerin për procesin e Vettingut që do të kryhet në Policinë e Shtetit.

Duke u ndaluar tek masat për frenimin e azilkërkimit të paligjshëm dhe migracionin e parregullt, ministri i Brendshëm shqiptar veçoi bashkëpunimin me Francën, si një shembull pozitiv për minimizimin e fenomenit.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit tha se shembulli i bashkëpunimit të palës shqiptare me Francën, duhet avancuar edhe me vendet e tjera europiane.

“Periudha në vijim është shumë deçizive për Shqipërinë”, u shpreh Komisioneri Hahn. Ai sugjeroi njohjen më të thellë të arritjeve të palës shqiptare, përmes medias së huaj, për të reduktuar efektet negative të stigmatizimit të padrejtë të vendit.

Ministri Xhafaj nënvizoi se rezultatet e prekshme të arritura në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, janë fryt i vendosmërisë për të forcuar shtetin ligjor. Bashkëpunimi me vendet fqinje për ngritjen e Qendra Rajonale e Bashkëpunimit Policor, sipas tij, ka nevojë për mbështetje nga vendet e BE-së.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.