OPINION

A ka evoluar konflikti midis brezave në Shqipëri?

07:36 - 08.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Nga Rovena HOXHA




 

Brezat disponojnë vlera të ndryshme në kohëra të ndryshme, dhe askush nuk i njeh dhe vlerëson ato realisht më mirë se vetë koha. Por, kjo nuk do të thotë, që disa vlera, “risi” të momentit trend, të mbysin e hedhin baltë mbi dhjetëra të tjera, që mbajnë gjallë për një dekadë qindra e mijëra njerëz më të vjetër(sot pensionistë), ndonëse ata jetonin nën një sistem diktatorial. Pavarësisht nga mungesa e lirisë dhe të drejtave të plota të individit, në ato vite trashëgoheshin virtyte të çmuara njerëzore, si sinqeriteti, altruizmi, morali i lartë i familjes, humanizmi, mirënjohja (pa u konvertuar ajo në shpërblim material apo monetar), korrektësia dhe dashuria për punën, edukata në familje e shoqëri, shoqëria me emocionet dhe ngjyrat e moshës multiaktive etj. Fatkeqësisht, sot gjen rrallë e më e rrallë ndonjërën prej tyre, sepse tashmë janë demodé dhe të pavlera për t’i rezistuar kohës “moderne që po gëzojnë rinia sot.

Rinia, – e ardhmja apo “viktima” e tranzicionit absurd shqiptar ??! Motoja e tyre: të duken ekstremisht bukur, dhe qëllimi i tyre: të gjejnë paranë me çdo mjet e mënyrë të mundshme. Sipas vajzave sot, vlere e madhe është aparenca dhe performanca fizike.

Dëshira e madhe e tyre për t’u dukur të ashtuquajtura femra moderne, i kthen ato në skllave të një shëmtimi si shpirtëror ashtu edhe fizik. Plastike nga jashtë dhe plastike brenda, ato nuk preferojnë më djalin inteligjent dhe punëtor, por mashkullin që duket i fortë e i pushtetshëm me paret dhe makinën e babit. Por, sigurisht që ato harrojnë, se njeriu ka një staturë të vetën dhe e krijon atë në mënyrë individuale origjinale, me qëllim që me ose pa dashje, veshjen dhe sjelljen e vet të mos e kthejnë në diçka kolektive.

Dhe, me këtë stil jetese apo mbijetese më mirë të themi, ato kthejnë në kolektive dhe ndjenjat e tyre. Thjesht jetojnë për të tjerët! Sepse, sot nuk konsiderohesh më vajzë apo djalë ‘trendy’, nëse nuk nxjerr në rrjetet sociale foto me tufën e luleve, mundësisht më të madhe se shoqja, ushqimet luksoze nëpër restorante, pushimet e shtirura nëpër resorte. Le të mos flasim pastaj edhe për meshkujt e rritur “me pekule”, që nuk janë të aftë të marrin përgjegjësitë minimale në jetë dhe ndërtojnë familjet e tyre të reja, ngaqë janë bosh, dembelë abuzivë, të paqartë për jetën, të padenjë për bashkëshortët, e ndoshta dhe fëmijët e tyre të lindur rastësisht diku…Nga abuzimi nuk lind asgjë e mirë në jetë!

Ironia qëndron në faktin, se këta të fundit nuk kanë fatin as të bëjnë dot diferencën reale midis tyre dhe brezave paraardhës, sepse nuk kanë ndjesi për asgjë “hipotetike”, janë pafund materialistë dhe këtë e vetëquajnë “pragmatizëm” të kohës.

Kjo është për të ardhur keq! Brezi i kohës po humb shumë nga vlerat njerëzore pa e kuptuar fare sesi..

Të mos harrojmë se, çdo person në një rol të caktuar është objekt sanksionesh, që vjen prej influencave sociale, apo dhe presion për t’u sjellë sipas normave dhe standardeve të një shoqërie të caktuar. Prandaj, për çdo individ ka një praktikë tradiocinale apo kulturore që nga moment i ngjizjes së tij e gjatë gjithë jetës në vazhdim, ka të drejta dhe shumë detyra e përgjegjësi. Njeriu ka lindur për të jetuar si i përgjegjshëm në jetë.

Dhe, në këtë këndvështrim asgjë nuk është e parëndësishme në ardhjen në jetë të një individi, e në vazhdim gjatë gjithë kurbës kohore e gjeografike që ai përshkruan me gjithë brezin e vet. Kjo nuk është e rastësishme, por një bashkëveprim faktorësh dhe elementësh social-kulturorë e psiko-emocionalë që e “trupëzojnë”, e konfigurojnë atë qysh nga minuta parë e ngjizjes së tij. Dhe, si rregull vjen në jetë duke qarë “për ta fituar” atë, luftën e jetës si një filiz i ri, të cilit i përkushtohemi kaq shumë.

Megjithatë është i mirënjohur fakti, se faktorët kulturorë dhe ekologjikë prekin aftësinë konjitive të qenies njerëzore. Ndërsa aftësitë intelektuale zhvillohen me rregulla të njëjta shoqërore, dhe ato mund të ndryshojnë nga njëra kulturë tek tjetra, vetëm në varësi të kontekstit ekologjik dhe vetë normave social-kulturore.

Personaliteti i njeriut, si një rezultante e bashkëveprimit të organizmit me ambientin, ka gjasa të shfaqet me karakteristika të ndryshme në kultura të ndryshme për shkak të ndryshueshmërisë së përvojave jetësore, e sidomos familjare. Sepse studimi i personalitetit të njeriut lidhet me modelet e sjelljes që janë tipike për një person dhe e dallojnë atë nga të tjerët.

Referuar studimeve mbi karakteristikat e rritjes së individit nëpër vende e kultura të ndryshme gjenden kudo prej më shumë se një shekulli, ato përmbledhin si dallimet, ashtu edhe ngjashmëritë e brezave.

Dimensione të tilla tregojnë, se kulturat janë shpesh të ndryshme nga njëra-tjetra, po ashtu edhe brezat, dhe rolet që u vishen djemve e vajzave janë, gjithashtu, të ndryshme dhe konkurruese ndërmjet kulturave apo dhe brenda vetë një kulture.

Pozicionimi metodologjik ka të bëjë me kuptimin e influencave që i vijnë vetë individit prej ndikimeve që lidhen me familjen dhe popullatën në përgjithësi, prandaj bashkëveprimi i faktorëve të ndryshëm, qoftë në nivel individi, ashtu edhe kombëtare është mjaft i rëndësishëm. Këto faktorë objektivë dhe subjektivë duke u rritur, e bëjnë individin viktimë të futjes instiktive në garë për të fituar me çdo kusht. Kështu, njeriu jeton, rritet dhe përsoset! Dhe nis natyrisht edhe “konflikti” i brezave, por çdo brez ka “sharmin” e vet. Çfarë “sharmi” ka brezi i ri i sotëm ? – Militantizmin!

Tek ne sot rritet një brez i ri shumë më ndryshe se dikur, ndërkohë që teoria e militantit të bindur qëndron si tendencë mbijetese më e shëmtuar se kurrë. Behu militant i devotshëm, dhe si me magji jeta t’i dhuron të gjitha begatitë e saj. Ky është brezi i së ardhmes për rininë shqiptare sot? Vajtuese vërtet!

Mos vallë realiteti ynë mund të jetë kthyer në një kurth? Ç’ mund të presësh nga një brezi i ri, i cili është thjesht një diplomadashës dhe asgjë më shumë? Brez, të cilit i intereson historia e kombit të vet, vetëm sa për kuriozitet. Përkundrazi, marrëdhënia e qytetarit shqiptar me shtetin duhet të jetë jeta e përditshme. Dhe, jo se nuk ka individë të tillë brenda brezit që reagojnë dhe integrohen me seriozitet, vëzhgojnë ngjarjet e ndryshme sociale, por masa dërrmuese thjesht mediton të mirat e siguruara lehtësisht nga familja ose vegjeton brenda privilegjeve të abuzuara.

Përfundimisht, sfida permanente e mbijetesës ka sjellë zhvlerësimin të thuajse gjithçkaje, edhe atë të jetës. Rinia ecën drejt një tuneli të errët e të pafund, të vjetrit ankohen për ta e për jetën e vështirë, e ngjajnë si dy shina treni që nuk takohen dot kurrë.

Kështu, brezat po sfidojnë njeri-tjetrin me arrogancë, madje mospërfillje fyese dhe asgjë të sigurt nuk japin dhe marrin dot në këtë vend. E ardhmja është e zymtë për ta!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.