Kryesore

Udhëtimi i ferrit në Dukagjin, 150 persona humbën jetën në aksidente. Radohina: Ja çfarë na thoshte ministri para tre viteve kur tentuam të hapnim vetë rrugën…  

11:15 - 08.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Senad NIKSHIQI




Të shkosh gjatë dimrit në zonën malore të Dukagjinit në Shkodër është guxim i madh, pasi rruga është e amortizuar dhe deri tani ka marrë 150 jetë njerëzish. Engjëll Radohina, njohës i zonës, por edhe pronar i një firme që ka mjete për mirëmbajtjen e akseve rrugore dje tregoi vështirësitë gjatë një rrugëtimi në makinën e tij. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare“, ai tha se rruga që të çon në Dukagjin është e tmerrshme dhe pa frikë mund të quhet rruga e vdekjes. “Nuk mendoj se ka një rrugë tjetër në Europë, që në aq pak kilometra të ketë një numër kaq të lartë viktimash”, u shpreh Radohina. Ai i bëri apel shtetit që të ndërhyjë me investime në këtë zonë. Ndërkaq, mësohet se që prej 7 ditësh, banorët e Thethit janë të bllokuar nga bora.

Sa e vështirë është të udhëtosh në rrugën që të çon drejt Dukagjinit?

Është shumë e vështirë, sepse njëra anë e rrugës është e amortizuar dhe ana tjetër ka një trashësi bore, që në Qafë-Thore shkon deri në 1 metër.

Është e rrezikshme të udhëtosh në këtë mënyrë?

Shumë e rrezikshme është. Ka afro 50 cm borë këtu ku jemi, mbi Bogë, ndërsa në Qafë-Thore momentalisht ka 1 m bore, ndaj edhe nuk mund të shkohet pa u hapur rruga. Mjafton vetëm 1 sekondë që të shpërqendrohesh dhe rrezikon jetën. Duhet të jesh një supershofer, por edhe një ngasës shumë i mirë i makinës në borë.

Sa persona kanë humbur jetën nga aksidentet në rrugën e Dukagjinit?

Deri më tani, në aksin e Breg Lumit janë 150 persona që kanë humbur jetën nga aksidentet. Nuk mendoj se ka një rrugë tjetër në Europë, që në aq pak kilometra të ketë një numër kaq të lartë viktimash. Është një rrugë e tmerrshme dhe pa frikë mund të quhet rruga e vdekjes. Ama banorët atje ashtu udhëtojnë, aq sa munden, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër, janë të detyruar.

Momentalisht Thethi dhe fshatrat e tjerë janë të izoluar?

Momentalisht mund të themi se po. Janë afro 150 familje që mund të jenë të izoluara, sepse rruga nga Qafë-Thore është e bllokuar, ndërsa nga ana tjetër është shumë e rrezikshme për të kaluar, për shkak të ngricave dhe trashësisë së borës, që shkon deri në 40 cm.

Deri kur qëndron rruga e bllokuar?

Para 3 viteve unë dhe banorët e Thethit tentuam që me paratë tona të hapim rrugën. Morën në celular ministrin e asaj kohe. Ishte maj dhe kishte 2 metër e gjysmë borë në Qafë-Thore. Ministri nuk e besoi dhe më tha: “Po tallesh?! Si është e bllokuar rruga, jemi në maj”. U detyrova që përmes fotografive që i kam ende ta bind se rruga ishte e bllokuar. Pra, qëndron për disa muaj e bllokuar, nëse nuk ndërhyhet.

Sa i dëmton banorët e Thethit dhe fshatrave të tjerë kjo situatë?

Natyrisht që i dëmton shumë. Para dy vitesh, disa familje u rikthyen në Theth me idenë se menduan se do zhvillohet turizmi malor. Janë afro 40 bujtina, në të cilat banorët janë rikthyer dhe kanë investuar gjithë pasurinë e tyre. Tani ata nuk kanë si largohen, sepse janë të detyruar që të mbrojnë bizneset e tyre. I dhanë një zhvillim tjetër zonës dhe u shtuan turistët e huaj. Para dy viteve në Theth nuk kishte as 10 familje, sepse të gjithë ishin larguar. Edhe pse janë kthyer, prapë janë shumë pak në krahasim me sa duhet të jenë aty. Ata shpresojnë se turizmi malor, duke dëgjuar propagandën e qeverisë, do të zhvillohet. S’kanë si largohen sepse humbin gjithçka që ndërtuan në gjithë këto vite me shumë mund e djersë.

A mund të arrihet që rruga të mbahet e hapur të paktën nga Qafë-Thorja?

Patjetër që po. Janë vetëm 10 km rrugë që duhen shtruar nga Qafë-Thorja ku mbaron asfalti. U investua para disa vitesh duke shtruar rrugën Bogë-Qafë Thore me 4.2 milionë euro dhe tani rruga nuk mirëmbahet dhe qëndron e bllokuar. Kjo nuk është normale. Mjafton që të ketë një angazhim total të institucioneve dhe rruga qëndron e hapur. Unë kam mjetet e mia dhe me vetëm 80 milionë lekë të vjetër, nga Boga në Malësinë e Madhe ku nis bora dhe deri në Qafë-Thore rruga qëndron 24 orë e hapur. Nuk ka asgjë të paarritshme.

Cili është apeli juaj?

Shteti të hedhë sytë në këtë zonë. Është hera e parë në fakt që po mendohet seriozisht për ta hapur rrugën dhe ka ndërhyrë ARRSH për ta bërë një gjë të tillë. Shpresojmë që t’ia arrijë qëllimit, sepse banorët e zonës nuk kërkojnë asgjë tjetër. Kur qeveria thotë turizmi malor, ky është turizmi malor, të mbahen rrugët hapur, tjerat i ofrojnë vetë ata që kanë bujtina.

 

GSH.al

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.