SPORT

Vlen 325 mijë euro, Tirana tenton “blindimin” e mbrojtësit të linjës

13:51 - 08.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tirana i ofron rinovimin Erion Hoxhallarit. Pak ditë më parë drejtuesit kanë nisur zyrtarisht negociatat me lojtarin për zgjatjen e marrëveshjes. Ende nuk mund të flitet për një akord, por burime për gazetën “Panorama Sport” konfirmojnë se oferta financiare është rritur ndjeshëm krahasuar me atë që përfiton momentalisht.




Megjithatë, mbrojtësi i linjës së majtë ka kërkuar pak kohë. Ai ka lënë gjithçka të hapur, por vetë bardheblutë duan që deri në janar të marrin një përgjigje prej tij. Kujtojmë që 22-vjeçarit i skadon kontrata në mbyllje të këtij kampionati, ndaj e vetmja mënyrë që klubi kryeqytetas të mos mbetet pa gjë është “blindimi” ose shitja e tij që në dimër.

Ata duan që të mos rrezikojnë që vera ta gjejë futbollistin të lirë në treg, pasi i gjithë investimi që kanë bërë karshi Hoxhallarit ndër vite do të shkonte i gjithi dëm. Kujtojmë që mbrojtësi është vënë në “lupën” e disa ekipeve, jo vetëm të huaja, por edhe shqiptare. Sigurisht që kundërshtarët e bardhebluve shpresojnë në një “okazion” në majin e 2018- ës, periudhë kur mbrojtësit i mbaron edhe marrëveshja që e lidh me 24 herë kampionët e vendit.

Ish-lojtari i Kombëtares Shpresa pati një “lumë” ofertash pa nisur sezoni aktual, por asnjëra nuk ishte aq bindëse financiarisht për Tiranën. Dhe, për pasojë, ai mbeti pjesë e bardhebluve edhe në Kategorinë e Parë. Kur kanë kaluar 9 javë kampionat, mbrojtësi vijon të jetë një nga pikat më të rëndësishme të skuadrës që drejtohet nga Ze Maria, shkruan PanoramaSport.

Gjithsesi, në rast se vjen një ofertë joshëse për merkaton e janarit, atëherë te Tirana nuk do të mendohen dy herë, por do ta shesin dhe rrjedhimisht nuk ka as nevojë për zgjatje kontrate. Në të kundërt, do bëjnë çmos që ta bindin që ai të hedhë firmën. Ai është lojtari më i kushtueshëm që klubi disponon momentalisht, të paktën sipas “transfermarkt”, ia vlen 325 mijë euro.

Edhe pse vetëm 22 vjeç, ai numëron 89 ndeshje zyrtare me fanellën bardheblu. Ai ka debutuar kundër Apolonisë, më 23 nëntor 2011, kur fitonin me shifrat 3-0. Dhe, që prej atij momenti, është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.