OPINION

Instalimi standardit të urrejtjes dhe dhunës në politikën e Kosovës

07:33 - 09.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Adri Nurellari

 

Problemet e përditshme dhe sfidat e të ardhmes së afërt me të cilat ballafaqohet populli i Kosovës shpesh e bëjnë të vështirë që të reflektohet mbi zhvillimet që ndodhin, të cilat shpesh rrokullisen pa u shqyrtuar me vëmendje. Një prej tyre këtyre zhvillimeve ka qenë radikalizimi i gjuhës në debatet politike dhe vala e theksuar e dhunës që e shoqëroi. Edhe pse askush nuk e ka analizuar me vëmendje retorikën e ngarkuar me agresivitet të këtyre tri viteve të fundit si dhe ngjarjet e rënda të dhunës, në Kosovë sot mund të perceptohet se ekziston një lloj shoku post-traumatik dhe se kohezioni social i shoqërisë është vënë në pikëpyetje.

Manifestimi i dhunës në Kosovë varioi nga gazi lotsjellës, sprejet lotsjellës, përdorimi i kunjave metalike për shpimi i gomave, goditja me sende të forta dhe me molotov e deri tek goditja e parlamentit me raketë antitank M80. Sulmet fizike personale me vezë  të figurave të larta politike gjatë jetës së tyre private u bënë përditshmëri. Dy ndër zërat më të zëshëm të mazhorancës së kaluar, Memli Krasniqi e Bajram Gecaj, për shkak të kurajës për të mbrojtur haptazi qëndrimet e tyre politike u ballafaquan me një hakmarrje primitive, siç ishte djegia e makinës së bashkëshortes. Por, edhe gazetari Adriatik Kelmendi i gjeti gomat makinës të shpuara një ditë pasi u tregua veçanërisht kurajoz me pyetje ndaj liderit të opozitës. Mandej, kjo dhunë u përshkallëzua akoma më tutje me sulmin mizor ndaj Arbana Xharrës dhe bashkëshortes së Blerand Stavilecit. Viktima të dhunës u bënë gjithashtu edhe gazetarët Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri. Mirëpo këto akte dhune nuk ndodhën krejt papritur, por janë rezultat i kultivimit dhe nxitjes që ka ardhur prej vitesh gjuhe urrejtjeje, që ka dominuar debatin politik në Kosovë.

Fatkeqësisht këto akte dhune dhe gjuha e urrejtjes që iu ka paraprirë nuk ka marrë vëmendjen e duhur dhe shoqëria jonë ende nuk ka reflektuar siç duhet për to.  Madje, mund të thuhet se shpeshtia e akteve të shumta të dhunës dhe mungesa e një dënimi masiv kolektiv të sinqertë ndaj tyre, në një farë mënyre e ka shndërruar gjuhën e dhunës dhe dhunën politike në një lloj normaliteti në Kosovë. Jo vetëm që gjuha e urrejtjes dhe dhuna e nisur nga urrejtja është relativizuar dhe inkuadruar tashmë si diçka e pranueshme në jetën politike të Kosovës, por rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë treguan çuditërisht se dhuna është shpërblyer në këto zgjedhje me personat më të dhunshëm që kanë marrë më së shumti vota. Kjo situatë ngre alarmin për deformimin e kulturës politike të qytetarëve të Kosovës, duke e pranuar gjuhën e urrejtjes dhe dhunën e motivuar nga urrejtja si një standard të pranuar të sferës politike.

Lidhja mes dhunës dhe politikës është një lidhje e vjetër primitive, që është larguar nga shoqëritë e zhvilluara. Një ndër përkufizimet më të famshme për luftën është bërë nga Carl von Clausewitz, i cili e ka konsideruar luftën si një vazhdim i politikës me mjete të tjera. Pra, kur flitet për politikë, lufta është një akt dhune që përdoret si mjet që synon të detyrojë kundërshtarin tonë që të përmbushë vullnetin politik të dikujt. Po ashtu, njihet ekzistenca e një lidhjeje të ngushtë mes gjuhës së urrejtjes dhe dhunës së motivuar nga urrejtja. Është e vështirë që të jepet një përkufizim i saktë dhe i prerë për gjuhën e urrejtjes, por pak a shumë ajo nënkupton atë gjuhë që përdoret për të poshtëruar, fyer, turpëruar, diskriminuar, dehumanizuar, etiketuar një individ apo një grup për shkak të përkatësisë apo opinioneve të tyre. Një proverb i vjetër shqiptar thotë “Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen” që nënkupton se edhe populli ynë e njeh prej kohësh një lidhje të ngushtë mes gjuhës së folur dhe dhunës së ushtruar.

Kohëve të fundit studiuesit e lidhjes me gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes se dhunës kanë dalë me një tjetër koncept të avancuar të quajtur gjuhë të rrezikshme, me të cilën kanë parasysh atë retorikë urrejtjeje, që synon që ta denigrojë kundërshtarin si më pak njerëzor dhe si një kërcënim të madh të menjëhershëm, në mënyrë që të nxisë sulmin duke e justifikuar dhunën ndaj tyre si një formë të mbrojtjes kolektive legjitime. Politologia Susan Benesch, që është marrë me gjuhën e rrezikshme, ka formuluar një model me pesë faktorë, që mundësojnë shndërrimin e të folurës në nxitje dhune konkrete. Ajo radhit si faktorë nivelin e ndikimit të folësit, karizmën dhe popullaritetin e tij; mllefet, frikat, ankesat e audiencës; konteksti social dhe historik i shoqërisë; përmbajtja në fjalime i thirrjes për dhunë si dhe së pesti, mjetet e transmetimit dhe përhapjes së gjuhës së urrejtjes. Të gjitha këto elemente kanë qenë dukshëm të pranishme në vitet e fundit të Kosovës, pra pa asnjë dyshim që retorika agresive e këtyre viteve të fundit dhe rrethanat që e kanë shoqëruar përputhen plotësisht me modelin e Benesch për t’u quajtur gjuhë e rrezikshme.

Kuptohet që kur flitet për gjuhën e urrejtjes, menjëherë të vjen në mendje liria e shprehjes. Kjo liri është kusht i domosdoshëm për funksionimin e një demokracie dhe është një ndër të drejtat më themelore të garantuara nga instrumentet ligjore ndërkombëtare dhe vendëse. Mirëpo njëherazi e drejta ndërkombëtare, por edhe ajo vendore e njeh rrezikun që sjell në një shoqëri shpërdorimi i lirisë së fjalës duke përdorur një gjuhë urrejtjeje, që nxit urrejtje e dhunë. Duke e njohur rrezikun që sjellë gjuha e urrejtjes, shumë vende përfshi shtetet ku banojnë shqiptarët, kanë krijuar ligje që ndëshkojnë gjuhën diskriminuese e raciste, duke pasur kujdes që mos të cenojnë parimin e lirisë për t’u shprehur.

Kushtetuta e Kosovës e garanton lirinë e fjalës, por njëherazi nxjerr në pah rrethanat kur kjo e drejtë duhet kufizuar. Konkretisht, Neni 40 pika 2 për Lirinë e Shprehjes thotë se “Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare. Po ashtu, Neni 42 pika 2 për Lirinë e Mediave thotë se, “Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet mediave, me përjashtim të rasteve, kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare”.

Rreziku që sjell prania e gjuhës së urrejtjes e mandej dhuna që rezulton prej saj është i jashtëzakonshëm, e do të ishte më mirë që qytetarët e Kosovës të lexonin më shumë për ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri se si urrejtja e dhuna iu afrua përmasave të një lufte civile.  Për  hir të rrezikut që vjen nga përshkallëzimi i dhunës dhe futjes në një spirale konflikti është e nevojshme që të bëhet thirrje për të gjithë aktorët vendimmarrës dhe opinionbërësit që të vetëpërmbahen nga gjuha e urrejtës. Po ashtu, është e nevojshme që për hir të interesit publik, edhe mediat të filtrojnë me rreptësi e mos të përhapin qëndrimet dhe deklaratat e ngarkuara me urrejtje. Nga ana tjetër kërkohet edhe një fushatë vetëdijësuese për publikun, në mënyrë që ta identifikojë, evitojë dhe dënojë këtë gjuhë sa herë që shfaqet. Mirëpo, qëllimi i këtij artikulli nuk është të merret me të gjitha kurat apo terapitë kundër gjuhës së urrejtjes dhe dhunës, por të ndalet në mënyrë të veçantë tek një element ideologjik, që e ka inkurajuar përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës së motivuar nga urrejtja.

Për mendimi tim, prania dhe promovimi i dhunës si mjet politik në Kosovë lidhet ngushtë gjithashtu edhe me mentalitetin e theksuar antikapitalist, që mbizotëron në shoqëri si dhe me retorikën antineoliberale që ka mbizotëruar debatin publik. Fatkeqësisht, mendimi liberal apo kapitalist në Kosovë nuk ka zërin që meriton dhe shoqëria nuk e kupton se ky sistem jo vetëm që mundëson efikasitet ekonomik, duke mundësuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, por edhe përmbush disa parime thelbësore morale të shoqërisë. Pra, sistemi politiko-ekonomik liberal është jo vetëm efikas, por edhe moralisht i drejtë, pasi respekton dinjitetin dhe individualitetin e çdo personi, nuk përpiqet që t’i manipulojnë njerëzit si objekte, por i njeh të drejtat dhe vlerat e një person si të shenjta.

Historia na dëshmon se në vendet perëndimore, që përqafuan liberalizmin politik dhe kapitalizmin si sistem ekonomik, roli i dhunës, frikës, kërcënimit e shtrëngimit gradualisht u zbeh derisa pothuaj u zhduk nga jeta shoqërore. Kjo, pasi liberalizmi shpërblen ata që konkurrojnë, jo ata që zhvatin, shpërblen aftësinë jo brutalitetin, favorizon ata që bindin konsumatorët e jo ata që i dhunojnë. Përkrah ata që fitojnë pëlqimin e qytetarëve e jo ata që i frikësojnë.

Ky sistem mbështetet tek parimi i mosagresivitet dhe respektimit të integritetit të qytetarit dhe funksionon nëpërmjet shkëmbimeve vullnetare dhe bindjeve me mirëkuptim e jo mbi forcën, dhunën apo kërcënimin. Fakti që transaksionet private janë vullnetare garanton që integriteti moral dhe fizik i personave të mos cenohet nga dhuna apo sulmet e të tjerëve, pasi forca është e papranueshme për marrëdhëniet njerëzore nën regjimin e liberalizmit. Kjo, pasi liberalizmi e konsideron lirinë personale të domosdoshme dhe konsideron dhunën apo përdorimin e forcës kundër të tjerëve si një cenim moral, që mohon karakterin më themelor të lirisë njerëzore, sigurinë e personave dhe pronën e tyre. Liberalizimi kundërshton përdorimin e dhunës në marrëdhëniet njerëzore dhe e konsideron si parakusht të domosdoshëm, që individët të veprojnë dhe të bëjnë zgjedhje të lira, pa kërcënime apo detyrime nga dikush.

Ndryshe nga socializmi apo sisteme të tjera ekonomike, në sistemin e tregut të lirë promovohet supremacia e lirisë për të zgjedhur dhe lejohet vetëm shkëmbimi i vullnetshëm me dobi e përfitim reciprok, pra ofron kushtet më të mira për të respektuar pacenueshmërinë e individit. Konkurrenca e tregut të lirë vepron në bazë të një procesi që inkurajon ndërvarësinë dhe respektin e ndërsjellë për personat me të cilët shkëmbejmë e ndërveprojmë në mënyrë vullnetare duke nxitur paqen e mirëkuptimin në shoqëri. Kur vjen fjala tek konkurrenca, këtu padyshim është një tjetër element i rëndësishëm ndikues i mentalitetit antikapitalist, që ka tendenca moniste dhe nuk e pranon pluralizmin. Sistemi liberal mbështetet jo vetëm tek liria për të zgjedhur dhe inkurajimi i shkëmbimeve vullnetare, por edhe tek konkurrenca e lirë, tek fakti që shoqëria është e mbushur me ide, opinione, mallra e shërbime që konkurrojnë me njëra-tjetrën. Ata që janë kundër liberalizmit, kanë alergji nga konkurrenca dhe nuk pranojnë ekzistencën apo debatimin me ata që kanë bindje, opinione apo përkatësi të tjera.

Kjo do të thotë që për të ndërtuar një shoqëri pa gjuhë urrejtje e dhunë, ne kemi nevojë, mes masave të tjera, edhe që të kultivojmë vlerat liberale dhe konsolidojmë praktikat e kapitalizmit në shoqërinë e Kosovës. Ne kemi nevojë që si shoqëri ta refuzojmë retorikën e urrejtjes dhe përdorimin e dhunës si mjet politik dhe t’i zëvendësojmë me debate konstruktive, konkurrencën institucionale si dhe dialogun e mirëkuptimin. Po ashtu përtej agresivitetit, dhunës apo evokimit të rolit aktiv të qeverisë në shoqëri, ne na duhet të favorizojmë më shumë shkëmbimet njerëzore të kryera në mënyrë vullnetare, duke respektuar lirinë për të zgjedhur të çdo individi. Me pak fjalë, paralel me tranzicionin post-kolonial, Kosova duhet të ndërmarrë një tranzicion të thellë post-komunist për t’i dhënë njëherë e mirë fund nostalgjisë jugo-nostalgjie apo enveriste, që ende vazhdon të jetë e pranishme në mentalitetin e shoqërisë.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.