BLUETOOTH

Nevina Shtylla: Ju rrëfej prapaskenat e “Kënga Magjike” 2017

11:30 - 09.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela ALIAJ




Ditën e sotme është finalja e “Kënga Magjike”, edicioni i 19-të. Të shumta janë surprizat që na presin dhe prapaskenat që pëshpëriten lart e poshtë për atë që do të jetë fituesi i këtij edicioni. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, ka qenë pikërisht një nga moderatoret bukuroshe të këtij edicioni, Nevina Shtylla, njëkohësisht moderatore në KlanTv të “Jo vetëm modë”. Ajo na ka rrëfyer marrëdhënien e saj me moderatorët e tjerë, prapaskenat e përfolura këto ditë të jurisë si dhe nuk ka harruar të përmendë edhe të japë mendimin e saj për këngën që mund të fitojë këtë edicion.

Është hera e dytë që merrni pjesë te “Kënga Magjike”. Si ndiheni të jeni sërish pjesë e një formati të tillë?

Padyshim e lumtur për këtë pjesëmarrje. Është hera ime e dytë dhe duke u bazuar tek eksperienca e mëparshme, më duhet ta pranoj se e paragjykova pak. Por ndihem shumë e kënaqur për këtë mundësi të dytë, sepse këtë herë po e shijoj në maksimum çdo minutë. Si prezantues, jemi të gjithë në harmoni dhe ka një frymë vërtetë pozitive mes nesh.

Si ndodhi përzgjedhja nga Arditi për të qenë prezantuese e “Këngës Magjike”?

Besoj se ishte diçka e natyrshme. Një ide që mund t’i ketë ardhur me lajmin se do t’i bashkoheshim familjes së TV Klan. Nuk na e ka zbuluar ende së çfarë e nxiti saktësisht, por cilado qoftë arsyeja, i jam mirënjohëse. Çdo eksperiencë krah Ardit Gjebreas është e vyer.
Këtë vit janë prezantuar shumë balada të bukura dhe prekëse. Ju nga gjithë këngët kë do të preferonit më tepër?
Këtë vit ka një konkurrencë të fortë mes artisteve big dhe new. Dua të jem asnjëanëse pasi edhe posti i prezantueses ma jep këtë kufizim. E vetmja gjë që nuk mund të mos e them është se këtë vit ka artistë të rinj të shkëlqyer.

Ka pasur ndonjë prapaskenë të papritur (zënkë) mes këngëtareve apo edhe mes prezantuesve?

Jo, as që bëhet fjalë. Mes prezantueseve e thashë dhe me parë, nuk e prisja, por përputhemi shumë mirë me njeri-tjetrin. Sa i takon këngëtarëve, as në backstage nuk kam vënë re tension mes ndonjërit.

Si i keni marrëdhëniet me Arjolën? Keni pasur bashkëpunime të tjera më parë?

Sikurse e kemi pranuar disa herë dhe në intervista të tjera, marrëdhënia jonë është shumë e mirë. Është hera e parë që prezantojmë bashkë, por e kemi parë njëra-tjetrën të rritemi në tv, ndonjëherë në të njëjtën rrugë, ndonjëherë jo, por kjo s’na ka penguar aspak në marrëdhënien shoqërore që kemi.
“Insta Girl-sat” janë një gjetje shumë interesante këtë vit dhe shumë argëtuese. Si është të prezantosh me Besin dhe Erionin? Kush të bën më tepër për të qeshur?
Janë dy djem fantastikë. Dhe e them këtë me plotë gojën. I kam njohur nga ekrani, por janë edhe më të këndshëm kur i njeh personalisht, ma besoni. Shpresoj të kemi të tjera bashkëpunime edhe në të ardhmen pse jo?! Janë shumë të talentuar dhe në vijim jam e besimit se do të shfaqin të gjithë potencialin e tyre.

Natën e parë Venera Lumani kishte postuar në faqen e saj në “Instastory” se juria ishte “udhëzuar” se si të sillej, deri tek e qeshura e dj Sardit. Si qëndron e vërteta?

Nuk jam në dijeni të një postimi të tillë. Sidoqoftë di me siguri se juria ka qenë dhe është e lirë të bëj ç’të dojë në gjykimet që japin dhe askush nuk i kufizon apo edhe udhëzon. Sa i takon batutave mes “Insta Magic-girls” dhe jurisë, mund të them se ka qenë një nga momentet kulmore të mbrëmjes dhe të gjithë kanë qeshur me lot. Gjë që nuk mund të shtiret apo jo?!

Cila këngë mendon se do të fitojë?

Nuk di të them nëse është një këngë e vetme që meriton të fitojë, sepse realisht këtë vit ka pasur një prurje të jashtëzakonshme këngësh të bukura nga baladat e deri tek ato më ritmiket. Do të mbetet për t’u parë.

Çfarë surprizash na rezervon nata finale?

Nëse do t’i zbuloja nuk do të ishin më surprizë. Por do të ketë të papritura, bëhuni gati!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.