EKONOMI

REPORTAZH/ Urgjenca e QSUT, mes dyndjes së pacientëve e mjekëve të palodhur. Radhë të gjata për vizita e mungesë shtretërish

09:23 - 09.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza DURO




 

Një sirenë rrënqethëse ambulance dëgjohet mbyturazi, ndërkohë që mjekët vrapojnë për të marrë në barelë të sëmurin. “Ju lutem shpëtojeni!”, – thërret me lot ndër sy një grua e imët rreth të 40-ve. Një grumbull i madh njerëzish janë ulur në stolat përballë derës së “shpresës”, ndërkohë që shumë prej tyre, me ushqime në duar kërkojnë me ngulm të futen brenda për të parë të dashurit e tyre. Roja thinjosh, me një vështrim të vëngërt, shtyn derën me shpejtësi e në mes turmës që pret, arrijmë të kalojmë brenda ambienteve të Urgjencës së QSUT-së. Që në hyrje ndeshesh me karriget e mbushura plot me të sëmurë që presin ndihmë, disa të tjerë po rënkojnë në shtrat e madje ka edhe nga ata që vërtiten të çoroditur nëpër korridoret moderne. E gjithë kjo pamje të sjell ndërmend kampet e luftës apo pritjet në radhët e gjata në pikat kufitare. Por jo… Kjo është beteja e fundit, beteja për jetën në ambientet e Urgjencës Qendrore. Një grua e moshuar, me flokë të bardhë e një fytyrë të zbehtë është ulur në stolin ngjitur, ndërkohë që infermierja me shpejtësi afrohet me një aparat tensioni në duar. Ndërkohë, një mjek thërret: “Zotëria ka nevojë për një gjak komplet”, por pacienti vazhdon të vërtitet dhe pyet: “Ku të ulem?!”. Mjeku ngre supet e përgjigjet: “Ah… këtu është problemi”. Pikërisht, mungesa e shtretërve kundrejt këtij fluksi e ka shndërruar Urgjencën në një “arenë”, ku të sëmurët rendin kush e kush të zërë krevatin më parë.


Urgjenca
Prej kohësh, Urgjenca Qendrore e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjendet në kaos, për shkak të numrit të ulët të mjekëve përballë fluksit të të sëmurëve, që e shohin këtë godinë si shpresën e tyre të vetme. Dyndja e pacientëve nga i gjithë vendi drejt dyerve të QSUT-së e ka bërë të papërballueshme punën për “bluzat e bardha”, të cilët përpiqen me sa fuqi kanë për t’u ardhur në ndihmë, por kushtet ku punojnë nuk janë të mjaftueshme. Të 13-të mjekët “heronj” vrapojnë për të shpëtuar jetë, e duhet të luftojnë edhe me trysninë që mbart në vetvete profesioni i tyre sa fisnik, edhe i vështirë. Kjo mbingarkesë ku pacientët rrinë të shtruar mbi 48 orë në këtë pavion, është edhe arsyeja kryesore, që i detyroi 12 prej tyre, të lajmërojnë 30 ditë para tërheqjen nga pozicioni i punës nëpërmjet firmosjes së një dorëheqjeje kolektive. Organika e QSUT-së parashikon që në shërbim të Urgjencës të jenë 16 mjekë, por mesa duket në krye të detyrës janë vetëm 13. E janë pikërisht këto kushte pune, që i kanë detyruar edhe 7 specializantë të QSUT-së që të marrin rrugën për Gjermani, me shpresë për një jetë më të mirë, ku profesionit të tyre i jepet vlera e dinjiteti që meriton.


Pacientët
Duke rënkuar, pacientët përpiqen të arrijnë sa më parë mjekun, shpresën e tyre të vetme të shpëtimit. Ata të gjithë kërkojnë ndihmë, por mundësitë për ta marrë në kohë janë të pakta. Mungesa e besimit në spitalet rajonale dhe mungesa e medikamenteve në shumë prej tyre i ka bërë që të turren drejt QSUT-së. “Kam 3 orë që po pres në radhë, më erdhi një infermiere më mati tensionin, por s’ka krevate. Ka që janë edhe më keq se unë e do i liroj radhën se kanë emergjencë”, – tregon një e moshuar me fytyrë të zbehtë e shtrirë në karrige. Ka plot raste kur të sëmurëve u duhet të qëndrojnë edhe mbi 2 ditë në Urgjencë, pasi edhe në pavionet e tjera, vendet janë të zëna. Me shpresën që “garës” për krevatet e lira t’i jepet fund, pacientët e Urgjencës përballojnë këtë situatë tejet të vështirë, që mund të rezultojë fatale për jetët e tyre.


Familjarët
Përballë dyerve të Urgjencës, familjarët kërkojnë me padurim të dinë mbi fatin e të afërmve të tyre. Me fytyra të zbehura nga lodhja e me trastat me ushqime, janë në pritje të hapjes së derës me xham çka për ta është ora e vizitave me të sëmurët. Afrohemi pranë një plaku rreth të 60-ve, i cili me duart që po i dridhen nga ankthi po dredh një cigare. “Po pres të di për vajzën, e kam aty brenda e kam frikë. Ndoshta e shpëtojnë. Por mjekët janë sjellë shumë mirë me ne, e aty ka shumë njerëz, nuk e di si ia bëjnë, ju e shikoni vetë të sëmurët rrinë nëpër karrige, s’ka krevate mesa duket”, – tregon ai me sy të përlotur. Ndërkaq, një tjetër familjare thotë se kanë ardhur nga Kamza për të sjellë motrën e sëmurë në urgjencën e QSUT-së. “Nuk kemi dhe aq besim te spitalet e tjera, e dimë që këtu mund të kurohen më mirë. Vetëm një natë e mbajtëm në spital në Kazmës e me vrap e sollëm këtu, nuk mund të rrinte më gjatë në një vend që dhe serumet i blinim ne. Nuk kishte ilaçe e s’kemi lekë t’i mbulojmë shpenzimet vetë, është e papërballueshme. Këtu po gjen derman”, – shprehet motra e pacientes së shtruar në Urgjencë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.