EKONOMI

Sabri Laçi, dekani i ri i Histori- Filologjisë: Procesi u manipulua. “KZF urdhëroi largimin e vëzhguesve”

09:04 - 09.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Voltiza DURO

 

Me miratim të Komisionit Zgjedhor të Fakultetit, prof. Dr. Sabri Laçi është shpallur dekani i ri i Fakultetit të Histori-Filologjisë, pasi fitoi me 50.14% të votave kundrejt rivales Aljula Jubani. Ky proces zgjedhor është shoqëruar me polemika e kontestime të shumta nga të dy kandidatët, që akuzojnë njëri-tjetrin për manipulim e presion ndaj stafit akademik dhe studentëve. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, dekani i ri i FHF, Sabri Laçi tregon se ka pasur shumë shkelje të rregullores e se vëzhguesit janë lënë jashtë procesit qëllimisht për të manipuluar votimin. Madje, ai ka raportuar edhe një rast, ku fleta e votimit të një studenti i është dhënë një pedagogu për të deformuar rezultatin përfundimtar.
Me vendim të Komisionit Zgjedhor të Fakultetit jeni shpallur dekani i ri i Histori-Filologjisë. Me sa vota u shpallët fitues?
Rezultati që miratoi KZF më shpalli fitues me 50.14% të votave. Duket një diferencë e ngushtë, por për mua është shumë i rëndësishëm, pasi jam fitues falë votave të studentëve, por edhe të stafit akademik normalisht, por diferencën e kanë bërë studentët, që më besuan 308 vota më shumë sesa rivalja. Kjo për mua është një mrekulli, sepse pavarësisht trysnisë e presioneve që iu bënë me qëllim manipulimin, studentët rezistuan e ndenjën në radhë me përkushtim për të votuar profesorin që dëshironin.
Si shkoi procesi i votimit?
Mund të them se procesi i votimit për dekanin e Fakultetit të Histori-Filologjisë ishte një proces i vështirë e me probleme të panevojshme. U bënë përpjekje për manipulim, për trysni ndaj stafit dhe vetë studentëve. Gjatë këtij procesi pati shkelje të herëpashershme të rregullores.
Në cilat pika u konstatuan këto shkelje të rregullores?
Janë konstatuar disa shkelje të rregullores si moslejimi për të votuar i një anëtari të trupës akademike, në kundërshtim flagrant me nenin 11, pika 1/a. Vlen të theksoj një tjetër shkelje të rëndë, që ishte mosdhënia në mënyrë të qëllimshme e fletës së saktë të votimit njërit prej zgjedhësve, me synim deformimin e rezultatit përfundimtar të votimeve. Dhe u insistua fort që kjo fletë votimi të konsiderohej e pavlefshme.
Prej kujt janë kryer këto shkelje?
Shkeljet janë bërë kryesisht nga KZF dhe në mënyrë të veçantë nga kryetarja e këtij komisioni, Rozana Rushiti, e cila në procesverbalin e “Mbylljes së Votimit” nuk ka argumentuar mospërputhjen mes numrit të fletëve të përdorura nga votuesit dhe shumës së mbetur të fletëve të shpërndara dhe të dëmtuara. Gjithashtu, komisioni nxori jashtë vëzhguesit dhe kandidatin nga salla ku administrohej procesi zgjedhor. Këto janë çudi që ndodhin këtu.
Cilat janë disa nga problemet që keni konstatuar në këtë fakultet?
Ka pasur mungesë transparence, efikasiteti, shpejtësie dhe ne këto do përpiqemi t’i ndryshojmë. Sot, studentët tanë edhe për mungesë të informimit e mbështetjes, nuk kanë gjetur hapësirat që meritojnë. Edhe në pjesën e praktikave mësimore ka shumë për të përmirësuar, pasi teoria pa praktikë mbetet e vdekur.
Si mendoni ta përmirësoni procesin e praktikës mësimore, pasi shumë studentë ankohen për mungesën e saj?
Pjesës së praktikës mësimore do i kushtohet një vëmendje e veçantë nga ana jonë. Ne do të përpiqemi të negociojmë fort me subjekte ku mund të realizohen praktikat për studentët tanë. Jam i sigurt që edhe partnerët tanë të ardhshëm do të jenë të kënaqur nga shërbimet që do iu ofrojnë studentët që do shkojnë për të mësuar e për të parë punën nga afër.
A do të përmirësohen kushtet e studimit?
Studentët tanë do të kenë kushte më të mira studimi dhe informimi, madje pretendojmë të krijojmë një strukturë të veçantë, ku studentët të informohen sistematikisht dhe të mos humbasin kohë për çfarëdolloj informacioni që atyre iu intereson. Jemi të gatshëm të investojmë për promovimin e vlerave të çdo studenti, pedagogu e institucioni. Potencialin e kemi të jashtëzakonshëm e duhet ta prezantojmë më mirë.
A do u ofrohet studentëve lehtësim në tarifat e studimit?
Ne nuk kemi bërë rritje të tarifave për të mos i rënduar shumë buxhetet e familjeve të tyre. Por do të luftojmë fort të mundësojmë pagesën e tarifës në dy këste, që është një lehtësim për secilin prej studentëve në të gjitha nivelet.
Cilat janë disa nga ndryshimet e tjera që do bëni tashmë që jeni dekani i Fakultetit të Histori- Filologjisë?
Së pari, do ndërtojmë një marrëdhënie tjetër me studentët dhe me stafin, do t’u dedikohemi me të gjitha energjitë studentëve tanë, që meritojnë shumë më shumë, do jemi krah tyre në të gjithë procesin e edukimit në këtë fakultet. Do luftojmë që të realizojmë hapjen e shkollës doktorale, një ngërç që e ka universiteti prej 4 vitesh. Gjithashtu, do të fillojmë punën për përmirësimin e kurrikulave dhe modernizimin e tyre dhe përshtatjen e tyre në raport me kërkesat e tregut të punës. Më tej do të përpiqemi fort të forcojmë fondin për kërkim shkencor për stafin e studentët.

Kandidatja Aljula Jubani:
Presion ndaj studentëve e pedagogëve,
0.14% e diferencës nuk përbën votë
Rivalja për postin e dekanit në FHF, Aljula Jubani, e pyetur nga “Gazeta Shqiptare” shprehet se fituesi shpallet me një votë më shumë dhe nuk e konsideron 0.14% e diferencës si një votë. Ajo më tej shton se ka pasur një presion ndaj pedagogëve e studentëve, çka ka ndikuar në votën e tyre. “Komisioni Zgjedhor i Fakultetit nuk shpall fitues, por shpall rezultate. Sipas rregullores, fituesi shpallet me një votë më shumë, por 0.14% nuk përbën një votë. Procesin e numërimit unë nuk kam mundur ta ndjek gjatë gjithë kohës, por janë vëzhguesit e mi atje të akredituar nga KIZ, të cilët mbledhin të gjitha informacionet e m’i sjellin aty ku ka parregullsi. Këto parregullsi kanë filluar që në fushatën zgjedhore e janë pasuar edhe në ditën e votimit. Ka pasur një imponim ndaj studentëve dhe presion nga pedagogët. Këto shkelje unë i kam përcjellë në Komisionin Zgjedhor Institucional dhe të presim që gjërat do të sqarohen. Unë mendoj që duhet të respektojmë procesin, të përfundojë dhe pastaj të mund të themi se si janë të gjitha detajet”, – tha Jubani.

Pedagogu: Ne kapëm shkelje e raportuam situatën

Mark Marku: Tentuan qëllimisht të
manipulonin votimin në favor të Jubanit

Ndërkaq prof. asoc. dr. Mark Marku, pedagog në departamentin e “Gazetarisë dhe Komunikimit në këtë fakultet tregon për “Gazeta Shqiptare” se gjatë procesit të votimit, është bërë një tentativë për manipulim në favor të Aljula Jubanit. Marku thekson se fleta e votimit të një studenti i është dhënë një pedagogu, me qëllim që të dilte një votë mangët për Sabri Laçin. “Fleta e votimit të një studenti i ishte dhënë një pedagogu. Ky ishte një gabim i komisionit, jo një gabim njerëzor, ashtu siç nënshkruan në procesverbal. Ishte i qëllimshëm, për të nxjerrë një votë pedagogu mangët në favor të Sabri Laçit. Nuk ka mundësi të ndodhë një ngatërresë e tillë, pasi studentët votonin një kat më poshtë, ndërsa pedagogët lart. E gjithë kjo ishte bërë me vetëdije të plotë. Ishte një moment që ne e kapëm dhe e raportuam. Ky manipulim po bëhej në favor të Aljula Jubanit, pasi një tek votë e një pedagogu ka shumë peshë në rezultatin përfundimtar”, – tha pedagogu. Gjithashtu, ai bën me dije se pas raportimit, komisioni nënshkroi fillimisht një procesverbal ku vota ndaj Sabri Laçit u konsiderua e vlefshme. “Ndërkaq pak orë më vonë, ky procesverbal u hodh poshtë dhe u nënshkrua një tjetër nga po i njëjti komision, që e nxirrte të pavlefshëm. Preteksti i kryetares së KZF, Rozana Rushiti, në lidhje me këtë ishte se procesverbalin e parë e nënshkroi në një gjendje të rënduar emocionale”, – theksoi Marku për “GSH”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.