

Para pak javësh policia ka vënë në pranga Samuel Ndokën, djalin e Aleksandër Ndokës të vrarë mëngjesin e sotëm dhe nipin e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.
Ka qenë drejtori i Krimeve, Josif Shtëmbari i cili në datën 28 tetor ka deklaruar se në arrestimet e 12 orëve të fundit në të gjithë vendin, ka spikatur arrestimi i nipit të ish-deputetit Arben Ndoka, që dhunoi zgjedhjet në Lezhë.
Samuel Ndoka po transportohej fshehur me makinë nga shoku i tij bashkë me një të akuzuar për tentativë vrasjeje. Të tre u arrestuan.
Shtëmbari njoftoi se “përgjatë 12 orëve të fundit, Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona me armë, njëri prej tyre në kërkim për disa vepra penale, si dhe një tjetër për “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”. Konkretisht u ndaluan shtetasit:
– Samuel Ndoka, pasi iu kap me vete një pistoletë me 7 fishekë
– Paolo Marinaj pasi iu kap me vetë një armë pistoletë, me 7 fishekë si dhe një krehër që e mbante në çantën e krahut me 8 copë fishekë.
Të dy këta persona u arrestuan për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
– Altin Mikaj, pasi me automjetin tip ‘Audi’, ka transportuar dhe fshehur të dy personat e sipërcituar, duke i ndihmuar për t’ju shmangur forcave të Policisë. Ndaj tij u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale “Përkrahje e autorit te krimit”.
Shtetasi Samuel Ndoka, 18 vjeç, banues në Lezhë, ishte në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
18 vjeçari në bashkëpunim me shtetas të tjerë, njëri prej tyre i arrestuar në datë 25 Tetor 2017, nën kërcënimin e armës kanë kanosur dhe dhunuar ditën e zgjedhjeve të 25 Qershorit, shtetasin F.D.
Shtetasi Paolo Marinaj, është i dënuar nga Gjykata e Rrethit Shkodër me 6 vite e 8 muaj burg për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Më datë 20.02.2017, u referuan materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe punohet për kapjen e shtetasve: K.N. 21 vjeç dhe S.N. 18 vjeç, të dy banues në Lezhë.
Këta 2 shtetas dyshohet se rreth orës 13:30, në lagjen “Skënderbeg” të qytetit Lezhë, para një lokali, për motive të dobëta kanë goditur me mjete të forta, shtetasin A.M. 54 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë N/Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë.
Pas ndihmës së nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal Lezhë, shtetasi A.M. ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale për dy vëllezërit u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprat penale “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.