MILOSAO

Luljeta Lleshanaku / “Më tërheqin historitë e mbijetesës, sepse ato e vënë njeriun para sfidave”

12:00 - 10.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Intervista për “Milosaon” është bërë në fillimjavë. Luljeta Lleshanaku është një nga penat më të njohura shqiptare të dekadave të fundit e ndoshta me përcjelljen më prestigjioze ndërkombëtare të këtyre viteve. Ajo rrëfen aspekte teknike të krijimtarisë së saj. Do të kishim dëshirë në të ardhmen, që të kishim një intervistë të stërgjatë me autoren, që i ka dhënë aq shumë letërsisë shqiptare…




 

Intervistoi Ben ANDONI

 

Ndjenja më e mirë, kur largohesh nga takimi me një shkrimtar, është që të bëjë të mendosh. Dhe, më e adhurueshmja, që të kesh dëshirë ta ritakosh. Luljeta Lleshanaku t’i jep të dyja këto mundësi. Kuptohet, nëse do të dish të bësh një bisedë pa kurthet e zakonshme për të kapur gjëra sipërfaqësore, që sot bëjnë lajmin; nëse do të dish të kapësh telat dhe mbi të gjitha duke ditur të futesh në thelbësitë e jetës.
Luljeta Lleshanaku ka një formim të mirë, fryt i studimeve në institucione arsimore me reputacion anglo-sakson dhe mbi të gjitha sensin për të bërë sinteza të drejta dhe të qarta të mendimeve. Kjo duket në letërsinë e saj por edhe në artikulimet jo të shpeshta në median shqiptare, tashmë mbushur me lloj-lloj kinsesh.
Autorja jonë asnjëherë nuk i jep të drejtë vetes për të shkuar atje ku nuk di. Ka një postulat krijimtarie, që duket se i përcakton disa vije krijimtarie: “Letërsia është një meditim për jetën, por bazuar mbi përvojën personale; thjesht trego atë që di. Tani, fjala vjen, do të doja shumë të kisha qenë në njërën prej atyre anijeve të eksodit të vitit 1991 në të cilën ndodhej një pjesë e familjes sime, për ta rrëfyer në një roman, por nuk kam qenë, dhe e kam të vështirë të improvizoj me imagjinatë atë që ndodhi aty”. Për fat, në këtë intervistë, ajo ka zbardhur edhe disa nga identitetet me të cilat përballet. Një nga këto tema, që zbulohet rrallë në autorët tanë, të cilët u duhet të punojnë duke e modifikuar stilin dhe natyrën, thjesht për t’u bërë të kënaqshëm dhe të asimilueshëm për publikun. Krejt ndryshe, ajo tregon hapur identitete me të cilat përballet në krijimtarinë e saj. Nga ana tjetër, ajo na rrëfen edhe një ekuilibër shumë delikat, që ka lidhje me përpjekjen për të mos rënë në moralizëm dhe në filozofinë boshe. “Nëse ia kam dalë, besoj se ka të bëjë me zgjedhjen e imazhit si mjet shprehës. Mjeshtëria është të dish të zgjedhësh subjektin, detajet, gjestet, të cilat flasin vetë; përndryshe rrezikon të përfundosh në koment ose deklamim. Them se më ka ndihmuar shumë filmi, piktura, fotografia, për abstragimin përmes imazhit”, shprehet ajo.

Procesi i mendimit ka të ngërthyer formimin, natyrën individuale, subkoshiencën dhe trashëgiminë mentale-psikologjike. Si harmonizohen këto te ju në procesin e krijimit?
“Të gjitha këto që ju përmendët më sipër përcaktojnë ndjeshmërinë artistike: për çfarë ia vlen të shkruhet dhe për çfarë jo, nga cili këndvështrim, si do të shkruhet dhe sidomos çfarë kërkon të thuash me të. Unë jam shumë e tërhequr nga historia, sepse historia flet vetë. Më tërheq edhe mikrokozmosi, botët e vogla, njerëzit e zakonshëm, provinca me grimasat e saj të qarta sepse jam rritur në një të tillë. Jam e tërhequr nga tema ekzistenciale, sepse kjo është mënyra më e mirë apo ndoshta e vetmja për të mos ngecur në histori dhe për të dhënë patjetër një kuptim gjithë atij absurditeti që ndodhi në komunizëm, i cili është pjesë e historisë sime po aq sa edhe shumë të tjerëve. Fjala vjen, në librin për të cilin po flasim, ka një poemë të gjatë që quhet “Ujë dhe karbon”, e cila është e vetmja në të gjithë krijimtarinë time ku unë flas drejtpërdrejtë për dramën e komunizmit, por si një përplasje midis shpjegimit materialist të botës dhe atij idealist. Çfarë është njeriu: një grup qelizash prej uji dhe karboni apo një qenie morale? Uria, torturat, presioni psikologjik, denigrimi, si mjete të përdorura në masë në komunizëm për të nënshtruar njeriun, janë eksperimente që vërtetuan njërën apo tjetrën? Pra, kam synuar të shkoj përtej dëshmisë, për t’i dhënë vetes doemos një shpjegim. Nga ana tjetër, edhe politika më tërheq sepse atje ku jam rritur unë, flitej vetëm për politikë; më pëlqen ta vëzhgoj nga larg si një lojë shahu, por kur bëhet fjalë tamam për politikë.
Letërsia është një meditim për jetën, por bazuar mbi përvojën personale; thjesht trego atë që di. Tani, fjala vjen, do të doja shumë të kisha qenë në njërën prej atyre anijeve të eksodit të vitit 1991 në të cilën ndodhej një pjesë e familjes sime, për ta rrëfyer në një roman, por nuk kam qenë, dhe e kam të vështirë të improvizoj me imagjinatë atë që ndodhi aty”.

Cilat janë identitetet që përball Luljeta Lleshanaku, kur krijon?
“I pari është identiteti im si shqiptare, që është edhe dominuesi. Besoj se në poezinë time projektohet qartë gjithë ai peizazh natyror dhe politiko- social tipik shqiptar. Përvoja personale dhe ajo kolektive bëhen një.
Identiteti i dytë është ai gjinor. Nuk jam e vetëdijshme se sa perceptohet kjo nga jashtë, por besoj se ka poezi si ato të ciklit “Vesperat sicilianë” apo poezia “Kusht për t’u mbajtur mend”, të cilat nuk mund të shkruheshin nga një këndvështrim mashkullor. Dhe identiteti femëror jo doemos ka të bëjë me feminizmin. Gratë që unë përfshij në librat e mi janë modeli i grave në mes të cilave jam rritur: kokëulëta, të mençura, të forta dhe të sakrificës, gra që dinin të përdornin edhe armën po të dilte nevoja, gra që mbanin familjen dhe burrat në burg pa u ankuar asnjëherë, gra të cilat megjithëse fati u kishte hyrë në hak aq sa nuk bëhej, i edukonin fëmijët: “Jeto me nder dhe mos i hyj kujt në hak!”.
Identiteti tjetër është ai i njeriut që ka qenë viktimë e një sistemi. Është e pamundur të provosh padrejtësinë njerëzore që i vogël, dhe të mos kesh një ndjeshmëri krejt tjetër për botën. Unë nuk po e quaj identitet politik, sepse diktaturat nuk janë punë bindjesh politike, as komunizmi nuk qe i tillë; ai qe një regjim banditesk, abuzimi më i madh i njeriut mbi njeriun, që asnjë bindje politike nuk e justifikon. Ky lloj identiteti, shfaqet më tepër në formën e një qëndrimi emocional ndaj të mirës dhe të keqes, por edhe më nxit pafundësisht drejt kërkimit të thelbit të natyrës njerëzore.
Identiteti tjetër, është ai i krijuar nga njohja dhe përballja me kultura të tjera. Ky nuk është asnjëherë i dukshëm; ai përbën një lloj vetëdije mbi atë që je, mbi vendin nga vjen, dhe të ndihmon në qartësimin dhe një këndvështrim më objektiv për gjërat. E thënë ndryshe, ky lloj “uni”, të jep një pikë në hapësirë nga mund të shohësh veten dhe gjithçka tjetër që lidhet me ty në një distance më racionale dhe analitike”.

A u krijua “Homo Antarcticus” edhe si një thirrje për ta nxjerrë njeriun e kohës së sotme nga ngrirja e madhe që e rrethon?
“Unë jam shumë e tërhequr nga historitë e mbijetesës, sepse flasin për rrethana ekstreme të cilat e vënë njeriun para një prove të jashtëzakonshme morale. Janë pikërisht këto situata që prodhojnë heronj, dhe të nxisin respektin për njeriun. Dhe ne, sidomos në këtë krizë morale që jemi në ditët e sotme, e kemi më të nevojshëm se oksigjenin frymëzimin nga njeriu, besimin tek njeriu, përndryshe çfarë kuptimi ka?
Një histori e tillë mbijetese, është edhe ajo e ekspeditës së Shakëlltonit në Polin e Jugut, të cilës i referohem në poemën “Homo Antarcticus”. Por nuk merrem me historinë në vetvete, por me atë që ndodhi më pas, duke shtruar çështjen: si është e mundur që pikërisht ata njerëz të cilët ia dolën me sukses t’i mbijetojnë akullit, urisë, dhe depresionit të Antarktidës për dy vjet, kur u kthyen në qytetërim, dështuan? Pra, vetë po ma vë një pikëpyetje të madhe mbi vetë natyrën e civilizimit. “E çfarë di një i mbijetuar/ për artin e të jetuarit,/ku nevojiten të tjera instikte..?”, janë dy nga vargjet e poemës. Sfida e njeriut modern duket shumë herë më e vështirë se sfida e njeriut primitiv. Dhe jo më kot gjedh zgjedh Frenk Uajldin si protagonist të poemës, një burrë i prerë, i zgjuar, enigmatik, fjalëpakë, heroin në hije, krahun e djathtë të Shakëlltonit dhe jo vetë Shakëlltonin. Në shoqëri ka edhe njerëz të tillë, që dinë ta luajnë mrekullisht rolin e tyre pa marrë protagonizëm, duke kapërcyer mbi egon e tyre, në emër të asaj që quhet detyrë ose besnikëri. Meqë ra fjala, sa herë na ka ndodhur dekadat e fundit të dëgjojmë të thuhet “burrë i mirë”, ose “njeri besnik”? Me sa duket besnikëria, miqësia, nuk janë më një virtyt”.

Si e përball në vetvete ekuilibrin që të mos biesh në moralizëm apo në filozofi, por të krijosh poezi?
“Pyetje e drejtë; është një ekuilibër shumë delikat. Nëse ia kam dalë, besoj se ka të bëjë me zgjedhjen e imazhit si mjet shprehës. Mjeshtëria është të dish të zgjedhësh subjektin, detajet, gjestet, të cilat flasin vetë; përndryshe rrezikon të përfundosh në koment ose deklamim. Them se më ka ndihmuar shumë filmi, piktura, fotografia, për abstragimin përmes imazhit. Prej tyre, mësova të luaj me pjesën e dukshme të gjërave, me atë që shihet, se siç thotë Oskar Uajld, misteri qëndron tek gjërat që shihen, dhe jo tek ato që nuk shihen. Ti mund të krijosh një informacion shumë të saktë mbi një person vetëm duke i nisur vetëm nga gjestet e vogla, ato më të parëndësishmet, ose detajet. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që të kërkojnë të paraqitesh fizikisht për një intervistë pune.
Futja e dialogut si element, përdorimi i stilit bisedimor, është një mënyrë tjetër për të eliminuar këto që thoni ju por edhe për ta bërë sa më vital e të besueshëm tekstin.
Përveç të tjerash, organizimi i argumentit përmes imazhit krijon më shumë se një mënyrë interpretimi, duke i dhënë shumë më tepër hapësirë lexuesit, ose duke e bërë bashkëkrijues”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.