MILOSAO

Poema/ LUFTA DHE UNIVERSI

12:00 - 10.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Vladimir Majakovski*




4.
Eh!
Ju!
Topitni sytë entuziastë!
Hiqni nga xhepi barkat e duarve!
Ky
është shpërblimi i denjë
që u shtrydh nga letra dhe nga boja.

Por përse të më duartrokitni?
Unë asgjë s’kam kompozuar.

Mendoni:
gënjen!
Në asnjë vend s’është shpuar.
Nuk ka pse të rregullohet rrahja e tëmthave,
nëse rrahin duart
për trillin e tij të timpaneve,
për trillin e rimuar të mallkimeve të tij.

Zotërinj të shtrenjtë!
E kuptoni ?
Ti merr dhimbjen
Dhe e kultivon, e kultivon:
një gjoks i shpuar nga të gjitha shtizat,
një fytyrë e kthyer sa andej-këtej nga të gjitha vështrimet,
kështjella e kokës e rrahur nga të gjitha artileritë:
është kjo çdo strofë imja.

Nuk u ngrit
mbi barriera trupash,
që i pikëlluar të pikoja
një poshtërsi e përlotur;
nga pesha e tmerrshme e gjithçkaje të asaj që u bë,
pa të gjitha ato
«bukur»
shtypur, një poshtërsi.

U vranë:
po pak më intereson
që unë ose ai
t’i kemi vrarë,
Në varrezën vëllazërore,
brenda gropës së zemrës
miliona u shtrinë aty:
kalben,
lëvizin, ngrihen nga krimbat.

Jo !
Jo me vargje!
Më mirë
Po e bëj nyje gjuhën
sesa të flas.

Kjo
nuk mund te thuhet në vargje.
A mundet vallë
me gjuhën e matur të poetit
të lëpish thëngjij inkandeshentë?

Kjo
që kam ndër duar!
Shikoni!
Kjo nuk është lira për ju!
Shqyer nga pendimi,
e shkula zemrën:
shkul damarët!

Mos tundni duart në përsheshin e duartrokitjeve!
Jo!
Mos i tundni!
Shembu, qetësi e dhomave!
Shikoni,
nën këmbët një gur.
Jam drejt mbi trekëmbësh
Me gllënjkat e fundit
ajrin…
Do të derdhem, i shembur,
por me gjak do të brej
emrin «vrasës»
damkosur mbi njeriun.
Dëgjoni!
Për mua,
i verbri Vij,
epoka bërtet:
«Ngrini,
Ngrimëni
qepallat e shekujve!»

Universi ende do të lulëzojë
i hareshëm,
i ri.
Që prapa të mos ketë gjer dhe një gënjeshtër absurde,
rrëfej:
unë
vetëm jam fajtor
i çdo kërcëllime në rritje të atij që u thye nga jeta!

Dëgjoni:
dielli shpërndau rrezet e para,
pa e ditur ende,
ku,
me të mbaruar puna, do të ndiqet;
jam unë,
Majakovski,
që piedestalit të idolit
i solla
fëmijën kokëprerë.

Falmëni!

Duke futur
te kristianët daltat e dhëmbëve,
luanët lëshuan një hungërimë.
Mendoni se Neroni?
Isha unë,
Vladimir
Majakovski
që cirkun mbështillja me një sy të dehur.

Falmëni!

Krishti u ngjall.
Gërshetuat
në një dashuri të vetme
buzë më buzë, ju;
Majakovski
heretikëve
në nëntokën e Sevilias
me kavalet u përdridhte kockat.

Më falni,
falmëni!

Ditë!
Zvarrituni jashtë
nga kasollet e viteve!
Si një bisht tymues për shekuj tërheq
kërdinë puplake prej zjarresh!

Erdhi.

Sot
jo gjermani,
jo rusI,
jo turku:
unë
vetë,
duke rrjepur të gjallin,
gëlltis mishin e botës.
Si skelete mbi bajoneta kontinentet.
Qytetet janë sisa prej argjili.

Gjak!
Cirko nga lumi yt
qoftë edhe një pikë,
për të cilën të mos jem fajtor unë!

Por asgjë!
Ky
i burgosur,
me sytë e nxjerrë,
mban vulën time.
Unë,
që gjunjtë kam dërrmuar në kultet,
kam brejtur me uri tokat e Gjermanisë.

Hedh krelat kuqërreme të zjarreve.
Drejtoj qimen si një ujk nga errësira e gropave.
Njerëz!
Të dashurit e mi
për Krisht,
për dashurinë e Krishtit
falmëni!

Jo,
nuk do ta ngre
fytyrën e deformuar nga ankthi!
Midis të gjithëve më i mallkuari,
ballin do të godas në pendim
deri sa s’do të çahet!

Çohuni,
ju që u mundët nga gënjeshtra,
zhelanë të gjymtuar
nga luftërat e viteve!
Gëzohuni!
Ndëshkohet vetë
i vetmi kanibal.

Jo,
nuk është trillimi i shkathët i një të dënuari!
Nëse nga trekëmbëshi nuk do të mbledh pjesët e shqyera,
aq më bën,
unë kam derdhur krejt veten time,
i vetmi i denjë
për të marrë pjesë në ditët e reja.
Do të shtrihem i mundur,
dhe s’do të jetë kush aty,
asnjë që mund të mundojë njeriun.
Njerëzit do të lindin,
si njerëz të vërtetë,
më të mirë e më të mëshirshëm se vetë Zoti.

 

5.

Por mbase
nuk mbeten më
ngjyra
në kohën kamaleonase?
Do të përdridhet ende
e do të bjerë pastaj,
pa frymë, e ngathët.
Mbase,
trullosur prej tymit dhe betejave,
toka s’do ta ngrejë më kokën kurrë?

Mbase…

Jo, s’mund të jetë kështu!
Një ditë mbase, shtjella e mendimeve do të bëhet kristal,
Një ditë mbase do të shohë purpurin të shpërthejë nga trupat.
Mbi flokët e kreshpëruar do të vërë duart
Do të ofshajë:
«Çfarë bëra kështu,
Zot!».
Jo,
s’mund të jetë!
Gjoks,
shembe ortekun e dëshpërimit.
Rrëmo në lumturinë e ardhme.
Ja,
nëse doni
nga syri i majtë
do të nxjerr
një korije me lule!
Shumoni zogjtë e çuditshëm të mendimeve.
Kokë,
shtyhu prapa krenare dhe entuziaste.
Truri im,
plot gjallëri dhe inteligjencë konstruktive,
ndërto qytete!

Tek të gjithë ato
që dhëmbët ende
nuk kanë shtrënguar me urrejtje,
shkoj
në agim të syve të mi vetues!
Tokë,
çohu
në mija Llazarë të zbukuruar
me veladonë xixëllues
Dhe gëzim,
lumturi!
Nëpërmjet vatrave
unë shoh
fytyra të ndriçuara.
Ja,
me t’u hapur syri i topitur,
më parë
do të çohet Galicia.
Rrotulloi në bar ijën e shqyer.

Hidhi tej dengjet e topave,
thinjat e përgjakura duke larë në qiell,
u drejtuan gungaçet
Alpe,
Ballkani,
Kaukazi,
Karpatet.

Por akoma më të lartë
dy gjigantë
u ngritën.
Njëri ngre trupin e artë
dhe lutet:
«Eja më afër!
Tek ty do të vij nga krevati im i shkallmuar nga bombat».
Është Rini
që lëpin me buzët e njomura
kokën e Danubit lëruar nga torpedinierët.

Gjer në kolonitë, vraponi prapa murit kinez,
gjer në rërat, brenda të cilave Persia
ka humbur çdo qytet
me ulurimë
duke thithur si ajër vdekjen,
tani shkëlqente.

Mërmëritje.
Tërë toka
hapi buzët e zeza.
Më fort.
Me hungurimën e uraganit
zien:
«Betohuni,
që s’do të do të kositni më asnjë!»
Ja u ngritën nga pirgjet e gurëve të varrit
eshtrat e varrosura që rivishen me mish.

Ndodhi
që këmbët e prera
të kërkonin
të zotët,
që kokat e shqitura, me emër t’i thërrisnin?
Ja
kërceu mbi kafkën
skalpi i rrjepur,
këmbët rendën të gjalla,
nën të.

Nga fundi i oqeaneve dhe deteve,
mbi shtizën e flamurit,
u dukën pirgje të mbyturish të rikthyer në jetë.
Diell !
Ngrohi mbi pëllëmbët e tua,
lëpiji sytë e tyre me gjuhën e rrezeve!
Mbi fytyrën tënde të plakur
kohë
qeshim!
Shëndoshë e të pa cënuar do të kthehemi në familje!
Atëherë,
mbi rusët,
bullgarët,
gjermanët,
hebrenjtë,
mbi të gjithë,
në kupën e qiejve,
përskuqur nga zjarret,
rresht pas rreshti,
shtatë mijë ngjyra do të shkëlqejnë
nga mijëra ylberë të ndryshëm.
Mbi zhelet e popujve,
mbi turmën e shpërndarë
u përhap nga jehona
një «ah!…
i zhdukur».
Dita, tashmë, ishte e tillë
që përrallat e Andersenit
iu zvarritën këmbëve si këlysha.

Tani nuk besohet
që unë të kem shkuar
në muzg të rrugicave të zymta duke rrëmuar.
Sot,
në thoin e gishtit të vogël
të një vajze të imcake,
ka më shumë diell
se më në gjithë globin tokësor.

Njeriu
me sy të mëdhenj përqafon tokën.
Rritet,
ka prekur malet me kokë.
Djali
në kostumin e ri,
– në lirinë e tij-
është i rëndë,
madje qesharak, prej krenarisë.

Si priftërinjtë
që për të kujtuar dramën e shpengimit,
shkojnë përpara me naforën,
çdo vend
i vjen njeriut me dhuratat e tij:

«Merr!».

«Nga Amerika e paanë të çoj forcën
forcën e makinave!»

« Unë, Italia,
netët e mia të Napolit të dhuroj.
Dhe ti, e ridjegur,
Lëviz erashkat e pëllëmbëve.

« Për ty,
i ngrirë në ftohtin e veriut, dielli i Afrikës!»

«Për ty, o i përvëluari nga dielli i Afrikës,
për ty,
me dëborërat e veta,
zbret nga malet Tibeti!».

«Franca,
e para ndër të gjitha gratë,
sjell të kuqin e buzëve».

«Dhe Greqia të rinjtë e saj,
përsosjen e tupave të tyre lakuriq».

«Të kujt janë zërat e fuqishëm
që më kumbues ndërthuren në një këngë?
Rusia
zemrën e saj
ka çelur në një himn zjarri!»

«Njerëz,
mendimin ju sjell
Gjermania,
skalitur nga shekujt».

«E gjithçka
gjer në thellësi zhytur në ar,
Hindia
dhuratat e saj ju sjell!».

«Lavdi njeriut,
në shekuj të shekujve jetë dhe lavdi!
cilitdo
që jeton mbi tokë
lavdi,
lavdi,
lavdi!»

Do të mbytesh!
Por këtu jam ende unë
Arrij i matur,
gjigant,
i ngathët.
Oh, sa madhështor jam unë
në më të ndritshmin
e shpirtrave të mi të panumërt!.

Nuk do të kujdesem për atë që uron
dhe as për atë që sot feston.
I mallkuar,
mìos qëllo kaq!
Ja,
ajo është këtu.

«Mirëdita, dashuri!».

Çdo fije floku do ta dend me përkëdheli,
kaçurrelin
e artë.
Oh, ç’erëra,
të cilit jug të vendit,
kryen mrekullinë e zemrës së varrosur?
Lulëzojnë sytë e tu,
dy livadhe!
Bie brenda këtu
fëmija i hareshëm.

Dhe gjithçka përreth
qesh.
Flamuj.
Njëqind ngjyra.
Përpara.
Iu dolën puplat.
Turmë.
Eci.
Me vrap.
Në çdo të ri pluhuri i Marinetit,
mençuria e Hugoit në çdo plak.

Kryeqyteti nuk ka buzë për të qeshur.
Gjithçka,
Jashtë shtëpive
në shesh,
jashtë !
Si topa argjendi
nga kryeqyteti në kryeqytet
do të flakim argëtimin të tërin,
të qeshurën,
zërin !

Nuk kuptohet
nëse është ajri,
një lule,
një zog!
Dhe këndon,
dhe parfumon,
dhe është me mijëra ngjyra në një kohë:
por për këtë
ndizet flakadani i fytyrave,
dhe nga vera shumë e ëmbël dehet arsyeja.
Por jo vetëm njerëzit
nga gëzimi
kanë lulëzuar në fytyrë,
kafshët kanë dredhur
me elegancë flokët,
dhe detet
pasi janë tërbuar,
duke gërhitur,
u shtrinë te këmbët tona.

Nuk do të besohej
që lundronin,
duke vjellur vdekjen:
në stiva
të harruara përgjithmonë nga pluhuri,
tanket
transportojnë në portet e qeta
grumbuj rrëshqitës gjërash të kota.

Kujt i kallin frikën bandat e topave?
Po si, këta,
kaq fisnikë
do mund t’ju bënin copë e çikë?
Ata,
para shtëpisë,
mbi livadh,
paqësisht kullosin bar.

Shikoni,
nuk është një farsë,
nuk është e qeshura e satirës:
në kulm të mesditës,
të qetë,
në çift,
carët grindavecë
shëtisin të përgjuar nga dadot.

Tokë,
nga vjen gjithë kjo dashuri?
Përfytyro
që atje
nën një pemë
kanë parë Krishtin
të luajë damë
me Kainin.
Nuk e sheh, e dashur?
hap paksa sytë, kërkon?
Sytë e tu janë dy plasa.
Hapi!
Shiko,
Sytë e mi:
Janë portale të një katedraleje, të hapura së katrash.
Njerëz!
Të dashur,
jo të dashur,
të njohur,
të panjohur,
në procesion të gjëre hyni nëpër atë portë.
Dhe ai,
njeriu,
i lirë,
që unë e thërras,
do të vijë,
besomëni,
besomëni!

*Përktheu: Faslli Haliti


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.