MILOSAO

Poezi / HITHRAT E ZEZA TË JERUZALEMIT

12:10 - 10.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga MOIKOM ZEQO




 

Sa zogj!
Në duart e ajrit!
Por unë bëj vijat e Fatit
Në pëllëmbën e Hënës!

Si me lëkurë tigri
Është flutura e brishtë!
Kush i thith këto fllade
Me bronket e zambakëve?

***

Pasvdekja,
Është si një lojë me letra,
Të vdekurit s’do të punojnë
Kurrë më!

Nuk e di sekretin
Për t’u bërë statujë mermeri,
Po pse do të më duhet
Një identitet i rremë?
***
Si t’i gdhend këto çaste
Në filigrame kujtese?
Dita ime e fundit,
Qoftë Post Scriptum për të gjithë ju!

Rrethuar jam në bjeshkë
Me fabula të frikshme guri,
Ca studentë antiglobalistë
Më thonë: “- Ke humbur adresën!”
***
Dhe jam njeri i dyzuar
Me ca metafora në ajër
Si fotografi delikate
Me celuloidin e filmit!

Ç’është ky Mollok, me sytë
Si mijra dritare qorre?
Pse Amëshimi është kaq i habitur
Nga kjo milingonë e vockël?
***

Te lulekuqet e porsambira
Rri i motshëm malli i Serembes.
Pse mua më grish një subjekt
Si Ziona Mistike?

A ka drurë dhe shkëmbenj
Udhëtarë të Qiellit?
Në çastin e Apokalipsit të Dytë
Ilirët tani vetëvarrosen!
***
Fushat e Parajsës,
Mbjellë me driza dhe ferra!
Të tërë hyjnitë mblidhen si rreze
Në syrin e kaut Apis!

Tërë sekondat e Kohës
Dalin nga pulsi i duarve të mia.
Sa gomarë të evoluar
Nga raca hyjnore e kaktuesve!
***
A ka një rrufe vemje
Në fshikëzën e shtrëngatës?
Dhe a mundet në metamorfozë
Të jetë Flutura Univers?

Një grua indiane Shri Matakrishnaja
I tha poetit të çmendur, –
Allain Ginsbergut, – të kishte
Poetin e vdekur, Blake, për Guru!
***
Ah, Ginsberg, Ginsberg,
Më kot në bibliotekën e Muzeut Britanik
E kërkon një të dytë si Marksi
Për të studiuar një Sistem të Ri!

Si të ec në kozmos,
Me këtë oqean si mbi një biçikletë?
Pse tek ky zogth
E kam ndryrë tërë vetëdijen?
***
Këngëzojnë molekulat!
Degët qëndisen nga retë!
Mbase si një Magna Mater
Unë lind kryeengjëj nga sqetulla!

Ca erëra më shfaqen të avullta
Si arti zarathustrian i gatimit.
Vithet e kuajve shkëlqejnë
Si mobilie ari në një dhomë Perandori.
***

Propaganda na fut
Një Çernobil nën kafkë!
Po na epshëron hapësira
Si një seks koncentrik!

Lëkundja e drurëve
Është shprehi estetike!
Ç’janë këto vegime të shprishura
Si të një Ezekieli Ateist?
***
Në bebëza kam
Tipografinë e erërave!
Pse vjen drejt meje këmbëthyer poeti Ricos,
Mbështetur tek paterica e Hënës?

Ja, ky det i shtërzon
Dhjetë delfinë jeshilë të Luçiferrit!
Ora antike pa akrepa në mur
Është si anija pa vela!
***
O, Faunë mëngjesore!
Dallgët shndrohen në luanë kripe!
Si thahen kështu dhe kalben
Kopshtet e gjumit?

Këto dele dhe këto dhi
Mbase janë vetë zotat
Për barinjtë, që s’dinë asgjë,
Ja, pse Krishti shfaqet si Qingj!
***
Sa herë vetë Hënën
E kam transkriptuar!
Se idetë e mia të epërme
Janë si ëndërra për krejt popujt!

Të vdekurit diku larg
Janë të internuarit hyjnorë.
Dhe befas shoh vëllezërit Grim
Në majën e një peme!
***
Nga poret e fytyrës
Më vërshojnë lumenj malli dhe drite.
Hapësirë e thërrmuar,
Si të të ribëj sërish?

Fshehja dhe maskimi
Janë zeja e shkrimtarit
Dhe mbase fytyrën e Maces Qeshire
Kam orën time të dorës!
***
Ndoshta i fus rrezet e kësaj dite
Në një shishe, për t’i ruajtur,
Për një dolli përvjetori
Mbas pesëmijë vjetësh!

Tek honi i Kohës
Përplasem me përbindëshat
Ndërsa në TV shfaqen
Princërit e citateve të rreme!
***
Nëse këto mëllenja nuk psaltin,
Pse duhen kishat?
Ç’na duhet një përjetësi e ngujuar
Mes akullnajash?
Gjethe të thata!
Si të çveshura nga çdo energji!
Dhe këmbët e mia i përcëllojnë
Hithrat e zeza të Jeruzalemit!
***
Nëse Zoti, Zoti
Dhe nga sendet e bën një engjëll,
Unë i bëj të tërë engjëjt
Nga një trumbë trumcakësh!

Një qytet do ta gjesh,
Dhe atje, ku asnjëherë s’do të jetë!
Trupat tanë bredhin, sfiliten,
Me këpucë mendimi!
***
Nëse librat janë fantazmë
Lexuesi për to është Hamleti
Historia përplaset tek muret
E opinoneve si Njeriu i Verbër!

E Fshehta e qëndis të Dukshmen
Lumi i Drinit është tatuazhi im
Dhe rruga e braktisur në rërë
Është kerubin i shkrumbosur në Hiroshimë.

Kaltërsi e trefishtë
Formulë alkimike e qiejve paganë
Delfinët s’dinë se ç‘janë gardërobat
Dhe frakët me papijonë!

Apostuj bronxi në një interior,
Plot afreska pornografike,
Me falloset me krahë si pegasët
Dhe vaginat e pyllëzuara si Arkadia!
***
Përjetësia pikëzohet
Tek kokrrat vezulluese të qershive.
Ujëra gjumashe tek këmbët e mia prej princi
Do të vijë Nata e Netëve… por pa Përjetësi!

Gazrat e varreve dalin
Si nga prapanica e Djallit kokëposhtë,
Dhe shiu vjen nga sipër qiejve
Si pelegrinazh alienësh!
***
Pse Pikasso i vdekur
Më flet nga një breg i tretë?
Në azilet e braktisura
Strehohen bletë të egra!

Ah, unë jam Kapiteni,
Që kurrë s’e gjeti Limanin e Ëndërrave,
Ngatërruar nga një komplot yjesh
Organizuar pabesisht nga një Hy i çakërdisur!
***
Tek gjërat e largëta
Sa afërsi që ka!
Kjo statujë e thyer ka humbur
Copërat prej ëndërre!

Si t’ju vjedh kuajve të Sëiftit
Ide marramendëse?
Ç‘janë këto lopë të fjetura
Në purgatorë erërash?
***
Pse shpesh kujtimet
Janë mëkate të rikthyera?
Pse kur ulem për të ngrënë
Shekujt më shërbejnë si kamerierë?

Vjen ky meteor
Simbol i të Papriturës.
Sfinksi sundon në klanin transgjenetik
Plot sirena, kimera dhe centaurë.
***
Dhe shfaqet Arkitekti Shpirtëror
I universeve të sendëzuara!
Koha dhe kur rri mbi shkretëtirë
E ka nën vete një oqean të padukshëm!

Nga brofin këto kometa,
Si truprojë perandorake,
Në kurorëzimin tim,
Në Konstandinopojën e Pranverës?
***
Dhe erërat stërviten mbi dete
Në artet e lashta marciale.
Po ata, që s’besojnë tek pleqëria,
Do ta shohin Krishtin 133 vjeç!

Kush ndalet tek Porta e Heshtjes –
Vendlindja e humbur e fjalëve?
Tani heronjtë e tjetërsuar tradhtojnë
Vetë qytetërimin e shekujve!
***
O, botë e paraekzistencës!
Ironia, dimensioni im i katërt!
Sa fosforeshente është kisha e prillit
Për meshat e mia heretike!

Kështjella e magjepsur,
Ku njerëzit janë shndruar në mace, gota,
Madje dhe si zjarr në oxhakun grotesk
Është Fjala, që e ngjiz Fantazia!
***
Kur qajnë dinozaurët ajrorë të stuhisë
Poeti i frikësuar u largohet metaforave.
Dhe gjembi i trëndafilit e helmon kopshtarin
Si dhëmbi i nepërkës!

Munxa e tokës më mallkoi përjetë.
Be-be – bën qengji i Naimit,
T’u mësojë abecenë dhe Abetaren
Analfabetëve të rinj të Shqipërisë!
***
Ka kaq shumë duar,
Për ta shndruar këtë botë
Dhe ka kaq pak sy
Për ta soditur në heshtje!

Budistët tjetërsohen dhe çmenden
U besojnë Nirvanës së Makinave!
Statujave u kalbet trupi prej mermeri,
Dhe kombi pa identitet është hije nomade.
***
Odiseu në Had
Pa hijen e Herkulit,
Që gjuante hije luanësh, –
Ja, shpikja më e madhe se Hollivudi.

Vjeshta, mburojë bronxi,
Ku është vizatuar një kokë tigri!
Dhe kozmosi me të qeshurën
E një Guinpleni!
***
Ornamentika e zigzageve
Na mbështjell me rrëmbim,
Dhe zogjtë veç të qëndisur janë
Motive misteri prej Zodiaku!

Dhe shpesh i sfilitur qaj në gjumë,
(Qan shpirti im, jo trupi!)
Dhe vërtitet një hutim jeshil
I dehur në orgjitë e erës!
***
Do të bëj skandale të mëdha,
Duke ndezur fishekzjarrë të pafund,
Mbi varrezat e terrta
Dhe Mbretërinë e Hadit!

Ajri është Bisha Blu,
Që më ndjek tek shpella më e thellë!
Po unë lëkundem i dehur me raki
Si një Khajam i elektronikës!
***
Breshëri më rrëfen në mjegull,
Për dete të epërme dhe të ngrirë,
Pra për Zotat arktikë, pa pamje,
Por brenda lotëve serafinët digjen!

Dhe pemët rënkojnë
Si kryqtarë të plagosur,
Çajniku fërfëllin në kuzhinë
Si avullorja e parë ne oqean!
***
Deti skulptor në Currila,
Bën performanca me retë!
Unë krahët e prerë të Ikarit
I palos si kapakët e librit më të ri.

Më mbulon rëra e dunave
Si hiri nga urna e Zotit, Zotit!
Dhe britmat përhapen
Si leshi i shkulur nga Ariu i Yjeve!
***
Dhe vijnë zebrat me pentagrame në trup
Si të kompozuara nga muzikanti Scriabin,
Për hir të kujt o Jehova
Kanë çelur këto qershi?

Në sa bregdete pa njerëz
Kam lënë dorëshkrime apokrife
Po dallgët m’i kanë redaktuar
Me sensin eliptik, të pazakontë!
***
Shtrihen rrënoja tempulli, –
Copëra të trupit të Budës,
Që s’është më,
Në një unitet forme!

Vetmi e pazë! Ja dy drurë,
Po ecin, po ecin, po ecin buzë pllajës.
Dhe shkëmbejtë pa linguistikë,
Lexojnë fytyrat tona!
***
Mijra Erosë kapin fundin
E fustanit të mëndafshtë të Vjeshtës
Dhe tek zymbylët hënëzon
Kuptimi i mistifikimit!

Ç‘është fati teatror i shesheve plot trafik?
Disa imazhe mitesh mobilojnë vdekjen time,
Trandafilat vikatin sa mundin
Por shtrëngata hesht si kristal!
***
Melankolia lind ferrat
Me erën e athët të Çmendurisë!
Pse vallë Njeriu i Padukshëm
Fëmijë të Dukshëm ka lindur?

Brenda aisbergut
Princërit e Luleve mbijetojnë!
Veç mbiemrat i krijuan
Estetikat e Kota!
***
Përherë gjej në tokë bronx
Të shkrirë nga fonderia e Hënës
Dhe Mozarti e kërkon më kot një yllësi
Si partiturën, që e pati grisur!

Nga këto pyje ende të virgjër
Pse na mësyn Utopia?
Dhe Hëna është kaq e papeshë,
Megjithatë e shfaqshme si Arti!
***
Dhe ritmi primitiv i orës
Është si i thundrakëve prehistorikë.
Orfeu e prekte lulen gentiana
Dhe dridhej nga voltazhi elektrik!

Dhe muzgu bëhej kristal
Tek balli i pjerrët i kuajve.
Dhe poetët muroseshin
Brenda përfytyrimeve të tyre!
***
Dhe delfinët ëndërrojnë
Të bëhen kafshë qiellore
Dhe drita bjen
Si shkatërrimi i një kështjelle!

Dhe emocionet i përplas
Mbi zenitet e kopshteve
Dhe Ylli Polar thinjet
Si një patriark!
***
Çdo metaforë është trup i gjallë,
Por me gjak ireal!
Dhe djajtë janë gardianë të Parajsës,
Dhe lulekuqet fshehin falle të nëntokës!

Se Krishti s’e njohu,
Asnjëherë martesën
Dhe mbeti veç Bir
Dhe jo At!

Tjegullat e shtëpisë së vjetër
Thyhen si amfora antike.
Dhe ngrihen të vdekurit me tëmthat plot myshk
Mbi detet tullacë!

Ka veç Këngë të Fillimit
Pa asnjë Epilog!
Dhe trandafilat e egër në brigje
Si kalorësit e Hajavathës janë!
***
Duart i ve tek Paskajshmëria
Vërtitet Akili me parzmore të rremë,
Dhe purpurojnë frutat e pemëve
Si figurat e poetëve të lashtë kinezë!

Pse zëmrat e të dashuruarve
Janë anije të mbytura në kozmos?
Dhe serafinët vjeshtakë ëndërrojnë
Reshje të amshuara dëborë!
***
E mbush studion me violina antike
Si me ca mobilie mozartiane.
Këmbanat e katedraleve shndrohen
Në vile gjigande qershish!

Dhe deti, ah deti epikurian,
Pi dollitë e lumenjve me eks!
Ekranet e TV-e zëvendësojnë
Sytë apokaliptikë të Tetramorfit!
***
Zjarri halucinant kërkon shndrimin e vet
Në një univers abstrakt!
Po dhe ca shtojzovalle të kreshtave
Kthehen në pasqyra në studio!

Zotat fytyrëmbuluar,
S’duan të na shohin më!
Dhe ninullat i lënë pas –
Gjinkalla të ngordhura!
***
Vetë grifonët tërheqin plugjet,
Në fushat e Shkrimeve të Shenjta!
Një i vdekur mori formë zogu
Dhe më qëndroi mbi sup!

Vdekja purifikohet në zjarr,
Njeriu dhe Poezia përplasen si hark elektrik,
Në Pyllin e të varurve të Fransua Vijonit
Njëqind silueta të mia tund era!
***
E Përdhosura ka veshur rrobën e të Shenjtës,
Stilet vërtisin kaledoiskopet e tyre,
Aroma e Kryeengjëllit përhapet si tërmet,
Dhe pikat e shiut janë fara lulëkuqesh!

Kohë lebetish!
Ku i ke mëllenjat e pafajshme?
Unë jam Atleti i Çmendur,
Që konkurron në Vdekjen, në të njëjtin vrapim?
***
Këto mjellma,
Pantonima të vjeshtave hënore!
Dhe shekujt mbas njëri tjetrit ikin
Si mbretër në ekzil!

Pse lindim në ide,
Për të vdekur jashtë tyre?
Era i servis Vdekjes time
Dhurata zogjsh si thesarë të Solomonit!

Plazhi i Durrësit, 28 qershor 2005


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.