KULTURË

“YJET E SE ARDHMES” / Filmi me kolosët e ekranit mbërrin në kinema

08:46 - 10.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dhjetëra artistë dikur të suksesshëm, jetojnë diku të harruar dhe jo rrallë në luftë për ekzistencë. Tranzicioni stërzgjatur, lufta midis brezave dhe superioriteti i brezit të ri, bazuar kryesisht në shfrytëzimin e mungesës së rregullave dhe mungesës së sistemit të vlerave ka bërë që artistë cilësorë të mbeten jashtë tregut dhe vëmendjes së shoqërisë. Filmi “Yjet e së ardhmes” ka një kast të jashtëzakonshëm aktorësh, një ansambël harmonik në energji, talent dhe përkushtim, përbërë nga: Gazmend Paja, Elia Zaharia, Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Ema Andrea, Karafil Shenaj, Sadush Ylli, etj. Ata kanë ndërtuar një ansambël harmonik në energji, talent dhe përkushtim, duke na transmetuar me forcë dramat, pasionin, brengat dhe ngadhënjimet e një jete të jetuar në dehje – në çdo çast dhe deri në fund… Tri breza artistësh – performojnë së bashku në një sfidë suksesi dhe mundësish, në një himn dashurie për jetën dhe besnikërie ndaj ëndrrave të pajetuara…





NË KINEMA
Pas premierës, më 13 dhjetor, në të gjitha kinematë e kryeqytetit do të fillojë të shfaqet filmi “Yjet e së ardhmes” – një komedi romantike muzikore me metrazh të plotë, i prodhuar nga Multi Media Studio NOSITI – Film & TV Production, me regjisor dhe producent Edmond Topin. Skenari i Uli Bree, përshtatur për publikun dhe komunitetin tonë nga vetë regjisori, vë në fokus moshën e tretë dhe marrëdhëniet e shoqërisë me të, konkretizuar figurativisht dhe në mënyrë përfaqësuese në marrëdhëniet e komunitetit me brezin e tretë të atyre artistëve, që si pasojë e tranzicionit dhe mungesës së kujdesit të shoqërisë për ta pothuajse janë harruar. Shoqëria shqiptare, si një shoqëri e pazhvilluar, ka vuajtur dhe vuan nga sindroma e pamundësisë së realizimit të ëndrrave. Prapambetja shekullore, kodi zakonor, varfëria e më pas sistemi i çmendur autokratik bëri që miliona njerëz të mos kishin mundësinë të realizoheshin në jetë. Ky film u kushtohet edhe të gjithë atyre, që mosha e tretë i gjeti me “ëndrra në sirtar” për shkak të mungesës së mundësive, pavarësisht aftësive. Duke rrahur të transmetojë mesazhin se çdo moshë ka ëndrrat, mundësitë, sukseset dhe zhgënjimet e veta, filmi i vë brezat t’i ndajnë ato me njëri-tjetrin, duke i afruar ata në komunikim intensiv për përjetime, vlera, plane, dështime dhe suksese të përbashkëta. Filmi tenton të sjellë kështu krejt natyrshëm dhe në mënyrë organike argumentin se brezat mund të bashkëjetojnë shumë mirë, nëse komunikojnë dhe njihen midis tyre. Dialogu i munguar në shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet, që vijnë kryesisht nga mosnjohja do të tentohet që në film të vijnë përmes situatës herë absurde, herë të papërballueshme, herë tragjikomike, por jo rrallë edhe optimiste. Përmes modelit të një grupi të moshuarish fillimisht në krizë vetmie dhe harrese, të cilët vullneti, këmbëngulja dhe dashuria për jetën i shtyn drejt një suksesi të paëndërruar duke i shndërruar në heronj edhe për të rinjtë, filmi e sfidon komunitetin lidhur me qasjen shoqërore ndaj moshës së tretë: suksesi, lumturia e madje edhe dashuria as kanë dhe as njohin moshë – nëse tenton drejt tyre, ato mund t’i bësh tuat deri ditën e fundit të jetës… Mjafton të duash, të kesh vullnet dhe të tentosh drejt tyre… I konceptuar si një komedi muzikore romantike, filmi kombinon karakterin sensibilizues me atë argëtues. Ai është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Bashkisë Tiranë.
FILMI
Një “artist”, që ka një jetë që bën muzikë pa u bërë dot i njohur, ka më në fund shansin që bashkë me formacionin e tij muzikor, të marrë pjesë në një konkurs kombëtar talentesh. Pas një sherri, i cilit e çon në gjykatë, ai negocion për ta kthyer dënimin në 90 ditë punë në dobi të komunitetit. Shtëpia e të Moshuarve, ku do të kryejë dënimin është një vend i qetë dhe me rregulla të forta, ku të moshuarit shtyjnë ditët në rutinë dhe amulli. Nën drejtimin pedant të një drejtoreshe simpatike sa edhe të akullt, aty nuk ndodh asgjë, përveç vdekjes… Me natyrën e drejtpërdrejtë, humorin dhe dëshirën për të jetuar, ai u ringjall atyre instinktet e harruara dhe dëshirat e tradhtuara. Simpatia që lind mes tyre prodhon idenë e një kori me të moshuarit. Por, kur të gjithë zënë të këndojnë të entuziazmuar, shfaqet drejtoresha dhe gjithçka mbaron. Artisti detyrohet të lërë punën dhe të kryejë dënimin me heqje lirie. Pa grup dhe rrugës për në burg mendon se ëndrra e tij për karrierë artistike mori fund përfundimisht. Por të moshuarit nuk tërhiqen.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.