Kryesore

27-vjetori i PD-së/ Flet Astrit Patozi: Ju rrëfej disa të vërteta të hidhura, ndjesë anëtarëve

16:06 - 11.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në 27 vjetorin e Partisë Demokratike, edhe ish-deputeti i kësaj force Astrit Patozi ka bërë një shkrim të gjatë dhe sipas tij janë thënë disa të vërteta.




Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” Patozi shkruan se: “Partia Demokratike po vuan sot pasojat dramatike të drejtimit të gabuar, që e ka larguar atë shumë prej misionit dhe traditës së vet, duke e shndërruar me shpejtësi në një forcë politike të pafuqishme, të vjetëruar dhe që nuk frymëzon më askënd”.

Shkrimi i Patozit

QË PARTIA DEMOKRATIKE TË MOS VLEJË VETËM PËR HISTORINË

(Në vend të një urimi klasik për 27-vjetorin e themelimit)

Përvjetorët nuk do të kishin shumë vlerë, nëse do të shërbenin vetëm për ushqimin e nostalgjisë së veteranëve, sado dekorata të mbanin ata në gjoks. Nga kjo ligjësi nuk mund të bëjë përjashtim, as ditëlindja e Partisë Demokratike, me gjithë peshën e saj të rëndë në historinë moderne të Shqipërisë.

Ato, mbi të gjitha, janë ftesë për të bërë një bilanc, për atë që ka ndodhur nga dita e themelimit, por edhe nga njëri përvjetor në tjetrin. I kërkoj ndjesë çdo anëtari të Partisë Demokratike, që mund të ndjehet i lënduar nga të vërtetat që do të them më poshtë, por nuk është aspak qëllimi im të trazoj emocionet e tyre, e aq më pak të prish festën time.

Por jam i detyruar ta bëj nga përgjegjësia që ndjej, për të bërë aq sa mundem, për shpëtimin e saj. Unë nuk e pranoj dot që ne sot duhet të mburremi vetëm me lavdinë tonë të dikurshme, ndërkohë që kemi shumë pak ose aspak për të thënë për të sotmen, le më pastaj për të ardhmen.

Kam bindjen e thellë se hipokrizia dhe sidomos patetizmi nuk na shërbejnë për ta nxjerrë Partinë Demokratike nga boshllëku dhe rrënimi. E vetmja gjë për të cilën kemi nevojë sot është një sens realizmi, i cili do të shërbente për të parë në sy defektet dhe për të ndërtuar me urgjencë një projekt rindërtimi dhe ringritjeje, për ta kthyer atë, jo thjesht në pushtet, por në vendin që i takon, si gjenerator i shoqërisë shqiptare.

Të nderuar demokrate dhe demokratë

27 vjet pas themelimit të saj Partia Demokratike e sheh veten në kuotën më të ulët të peshës së saj politike dhe të ndikimit të vet në zhvillimin e Shqipërisë. Është një rënie në pikiadë, e rëndë dhe e pamerituar për dhjetëra e mijëra demokratë të përkushtuar, të cilët iu bashkuan asaj në kohë të ndryshme, që nga dhjetori i 90-ës e deri më sot.

Arsyeja nuk ka të bëjë aspak me fundin e një cikli të natyrshëm për një parti dhe aq më pak është konspirative apo gjeopolitike.

Partia Demokratike po vuan sot pasojat dramatike të drejtimit të gabuar, që e ka larguar atë shumë prej misionit dhe traditës së vet, duke e shndërruar me shpejtësi në një forcë politike të pafuqishme, të vjetëruar dhe që nuk frymëzon më askënd.

Për shkak të keqmenaxhimit të saj, sidomos në 4 vitet e fundit, demokratët në mbarë vendin gjenden sot në një pozitë të vështirë, që nuk ka të bëjë thjesht me shifrat dëshpëruese të humbjeve në zgjedhjet e fundit. Përtej tyre, lidershipi i Lulzim Bashës i ka shkatërruar gati plotësisht të gjitha kolonat kryesore, që mbajnë në këmbë dhe të karikuar një parti politike moderne.

Ndaj më shumë se çështje numrash në parlament apo këshilla bashkiake, kriza e Partisë Demokratike ka të bëjë me deformimet e rënda në përfaqësimin e saj, personalizimin total të vendimmarrjes, shtërpësinë e ideve dhe sidomos me hedhjen në erë të çdo instrumenti garantues për karrierën politike brenda saj.

Praktikisht, në vend të një partie politike, ku çdo anëtar dhe votues ka aksionet e tij, kemi mbërritur tek një kompani jorentabël biznesi me një pronar të vetëm. Forca politike që përmbysi diktaturën përmes zgjedhjeve, është katandisur gradualisht në një organizatë kaotike, ku nuk ka më asnjë vlerë vota e anëtarëve, e cila as nuk numurohet dhe as nuk respektohet.

Farsa e rizgjedhjes së kryetarit humbës më 22 korrik është shembulli më i shëmtuar i deformimit dhe i manipulimit të votës dhe një karshillëk i hapur, jo vetëm për anëtarësinë e partisë, por për gjithë publikun shqiptar. Pas konsumimit të saj, kauza e drejtë për zgjedhjet e lira në Shqipëri është kompromentuar në mënyrë të pariparueshme, sepse opozita sot, për shkak të hallit personal të Lulzim Bashës, ka humbur kartën morale që t’i kërkojë kundërshtarit një gjë që nuk e bën vetë.

Partia Demokratike është duke korrur sot frutet e hidhura të një koncepti anakronik dhe tribal për politikën dhe shtetndërtimin, që kulmoi në marrëveshjen e 18 majit, efektet e së cilës sollën, jo vetëm humbjen shkatërruese në zgjedhjet e 25 qershorit, por edhe gjendjen e pashpresë të opozitës me nisjen e sezonit të ri politik. Është hera e parë në historinë e Shqipërisë pas rënies së komunizmit, që opozita humbet dhe mbështetja e saj bie dhe kur mazhoranca qeveris keq.

Dhe vijmë sot në këtë përvjetor në një situatë depresioni politik, kur ndonëse reputacioni dhe legjitimiteti i mazhorancës së Edi Ramës kanë pësuar një goditje të fortë, nuk ndjehet fare që kjo të ketë ndikuar për rritjen e optimizmit dhe të besimit tek Partia Demokratike.

Për herë të parë në historinë e vet forca politike, që solli demokracinë në Shqipëri, gjendet në një inferioritet të madh, jo thjesht numerik, në raportin me rivalin e vet kryesor. Që prej fushatës elektorale në zgjedhjet e fundit, ku kryetari i Partisë Demokratike u trajtua me humor si një djalë i mirë dhe i pafajshëm, e deri më sot, opozita humbet rregullisht çdo ballafaqim me kundërshtarin, dhe kjo ndjehet sidomos në parlament, që është edhe tribuna më e rëndësishme e politikës.

Dhe pyetja e parë që i vjen ndërmend çdo shqiptari është se përse ndodh kështu. Si ka mundësi që pak vite më parë, me rënien e besimit tek Partia Demokratike, përfitonte qartazi dhe dukshëm Edi Rama, dhe kur ku i fundit gjendet në vështirësi ekstreme, askush nuk i kthen sytë tek Lulzim Basha?

Çfarë “revolucioni”, që nuk e kemi parë, ka ndodhur tek e djathta, apo tek PD-ja në veçanti, në këto 27 vjet, që i lejojnë një politikani mediokër të ketë pushtet të ngjashëm me atë sistem që përmbysëm në vitet 90?

Si ka mundësi që edhe pas më shumë se 6 muajsh askush nuk e di se si u arrit, çfarë u vendos dhe a vijon ose jo marrëveshja politike me Noriegën e narkotrafikut, kryehajdutin dhe trafikantin e votave apo shefin e mafias dhe të krimit në Shqipëri? Edhe shoku Enver, kur prishej ose kur lidhej me Bashkimin Sovjetik apo me Kinën, harxhonte shumë kohë dhe energji për ta bindur popullin se po bënte gjënë e duhur.

Dikush duhet t’u shpjegojë demokratëve, jo vetëm në Skrapar, se çfarë mrekullie ndodh që një parti shqiptare, si LSI-ja, në mars ishte paterica e Edi Ramës, në prill u shndërrua në shpresën e vetme të popullit për të përmbysur qeverinë e drogës, në qershor ishte e keqja më e madhe e kombit, por në shtator u bë aleatja kryesore e Partisë Demokratike.

Si ka mundësi që ëndrra e bukur e Republikës së Re nuk përmendet më nga askush, ndërkohë që mbajti gati 5 muaj ndezur motorin e popullit opozitar, a thua se ishte prezervativ dhe jo një projekt politik?

Cili është kufiri që ndan qeverinë dhe opozitën, të majtën dhe të djathtën, të mirën dhe të keqen, përtej faktit që e kemi për detyrë te denoncojmë Edi Ramën dhe çdo socialist tjetër si problemin e vetëm që ka ky vend? A ka ndonjë arsye apo diferencë thelbësore se përse shqiptarët, kur mërziten me të drejtë nga qeveria, të kthejnë sytë e shpresës nga opozita, apo duhet ta zgjedhin atë thjesht se i vjen radha apo si të keqen më të vogël?

Këto janë vetëm disa nga pyetjet e natyrshme që mund të shtrohen përballë çdo anëtari dhe votuesi të Partisë Demokratike në këto ditë të vështira për të djathtën dhe përfaqësimin e saj politik në Shqipëri.

Por mbi të gjitha, a ka ndonjë dëshmitar në PD, që të mbajë mend ndonjë fitore që kemi arritur, kur i kemi pasur duart e zëna me “armikun e brendshëm”? Ndoshta është sot rasti të kujtojmë se në vitin 2005, megjithëse Partia Demokratike hapi dyert katërkanatash për të gjithë të larguarit e vet, arriti të fitojë me shumë vështirësi falë aplikimit më të mirë të sistemit, sepse në votë popullore humbi me gati 60 mijë vota, në përballjen kokë për kokë me Partinë Socialiste.

Sigurisht ky shembull mund të mos ketë shumë rëndësi për Lulzim Bashën dhe për këdo tjetër që mendon si ai se është më mirë një kasolle, që ta kesh të gjithën tënden, sesa një ndërtesë madhështore, ku të kenë pjesë edhe të tjerët. Por besoj, se kjo vlen shumë për çdo anëtar dhe kontributor real të Partisë Demokratike në vite.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk e kuptoj pse edhe kur pretendojme se flasim te “Verteta” vazhdojme te themi Jo te verteta.E verteta eshte se Shqiperia nuk eshte ngritur dhe nuk ka si te kete permbysur Komunizmin.Ne shumice, edhe per disa dekada,pushtetin (Voten) do e kene “Komunistet”.Ky popull qe eshte SOT ne shumice eshte Enveriste dhe e ka qare me te vertete Enverin.Eshte shume me keq te rresh veten se sa te rrejne te tjeret.Emrat, Sala, Nano, Rama, Ruci e Basha nuk eshte se meritojne te ishin apo te jene ne pushtet ato pa dyshim direkt apo indirekt jane zgjedhur nga kjo shumice.Patjeter kete detyre kish edhe “Marreveshja”.vetem te jesh Budalle te mos e kuptosh.Lerini analizat.Lloqe kavaje.

    Përgjigju ↓