AKTUALITET

Ekzekutimi i Aleksandër Ndokës, shoqërohen 20 persona në polici, ja pistat e hetimit

09:50 - 11.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mijëra njerëz u bashkuan dje për t’i dhënë lamtumirën këshilltarit bashkiak Aleksandër Ndoka, i cili u ekzekutua dy ditë më parë pranë banesës së tij, në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës. Pjesë e ceremonialit mortor të vëllait të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka ishin dhe emra të njohur të politikës. Në familjen Ndoka gjatë ceremonialit mortor kanë mbërritur dhe dy furgon të Policisë së Burgjeve, të cilët dërguan Samuel Ndokën, për t’i dhënë lamtumirën e fundit të atit. Samueli ka rënë në prangat e policisë dy muaj më parë. Familja Ndoka ka zgjedhur të heshtë përball asaj çfarë ndodhi ditën e shtunë, ndërsa Arben Ndoka falënderoi të gjithë ata që ju bashkuan dhimbjes së familjes së tij. Ndërkohë policia vazhdon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Mësohet se numri i personave të shoqëruar në policinë e Lezhës dy ditët e fundit, në lidhje më ekzekutimin e Aleksandër Ndokës, ka shkuar në 20. Ndërsa 8 personat e shoqëruar dy ditë më parë u lanë të lirë, 12 të tjerë janë shoqëruar këtë të diel.





Pista e hetimit
Ekspertët e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit po verifikojnë çdo konflikt që Ndoka dhe familjarët e tij mund të ketë pasur në Lezhë apo jashtë vendit. Dy pistat kryesore të hetimit janë detyrat që ka pasur në administratë Aleksandër Ndoka si dhe konfliktet që kanë pasur dy djemtë e tij në Lezhë. Një ndër pistat e hetimit lidhet me detyrat që Aleksandër Ndoka ka pasur në administratë. Vëllai i ish-deputetit të PS-së, që u gjet i pajetë në automjetin e tij, ishte këshilltar në Këshillin Bashkiak të Lezhës, përfaqësues i “Partia Rruga e Lirisë”. Ai e mbante këtë detyrë që prej vitit 2015, madje në mbledhjen e fundit të zhvilluar ai ishte i pranishëm dhe ngriti zërin për pagesat që nuk u janë dhënë kryepleqve. Sipas të dhënave, në vitin 2016 Aleksandër Ndoka ka punuar si jurist në Këshillin e Qarkut. Ndërsa nga viti 2013 deri në vitin 2015 ka punuar si jurist në Hipotekën e Lezhës. Së fundmi, rreth dy muaj më parë mësohet se Aleksandër Ndoka ishte emëruar si kryeinspektor i IKMT-së për Veriun. Grupi i hetimit nuk përjashton dyshimin se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrat e Ndokës. Por më e mundshmja vlerësohet ndonjë konflikt i akumuluar që në periudhën kur ai ka punuar në Hipotekë. Blutë nuk përjashtojnë as pista të tjera, që kanë të bëjnë me konflikte së fundmi të tij, por deri më tani nuk ka asnjë të dhënë konkrete për indicie hetimi në këtë drejtim. Kjo, pasi 48-vjeçari rezulton se nuk ka probleme me ligjin. Ai nuk ka precedentë dhe në formularin e dekriminalizimit rezulton i pastër. Pista e dytë e hetimit lidhet me konfliktet që mund të kenë pasur djemtë e të ndjerit. Precedentët kriminalë të dy djemve Klajdi e Samuel Ndoka mund të jenë shkak i atentatit ndaj tij. Dy djemtë njiheshin në Lezhë si mjaft problematikë dhe lëviznin të armatosur. Njëri prej tyre, Samueli, aktualisht është i arrestuar për ngjarjen e ndodhur në ditën e zgjedhjeve ku ai plagosi një aktivist të LSI-së. Në momentin e arrestimit, atij iu sekuestrua edhe armë. Ndërsa djali tjetër, Klajdi Ndoka, është shpallur në kërkim nga policia për të njëjtën ngjarje. I. A


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.