Kryesore

LETËRKËMBIMI I PANJOHUR I DASHURISË/ Dritëro Agolli: E dashur Sadije! Mjaft të jem në vetmi e jepem i tëri pas teje

12:00 - 11.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

 

Tani që nuk të kam ty pranë nuk i vë rëndësi asgjëje: rri i parruar, i pahekurosur dhe me duar në xhepa. Kostumi s’ka ç’më duhet, e kam inat dhe nuk do ta qep- Dritëroi”.
“Kam jetue një javë të tanë me gëzimin se do të vinja në Tiranë, se do të flenja nji dhomë ku do t’na ndante vetëm nji mur- Sadija”.
Historia e letërsisë, njeh disa botime që kanë përmbledhur letrat më të bukura të dashurisë të shkruara nga njerëz të penës për njerëzit e zemrës. Kujtojmë letërkëmbimin 15-vjeçar mes Albert Kamysë me të dashurën Maria Casares, letrat e Vita Sackville-West për Virginia Woolf, Oscar Ëilde për Alred Douglas, Jean-Paul Sartre për Simone de Beauvoir, a Leo Tolstoy për Valeria Arsenev.
Frazat në hyrje të këtij shkrimi janë shkëputur nga libri ende në proces “Dashuri në moshën e Krishtit”- që përmbledh letrat që Dritëro e Sadije Agolli i kanë dërguar njëri-tjetrit në kohët që gjendeshin larg, shkruan “Gazeta Shqiptare”. Për ditët me shi, për trishtimin e mbrëmjeve, për vetminë e muajve të gjatë, për mallin që shtohej nga largësia, për palltot që nuk i blinin, për tonet e ftohta, për xhelozinë që dilte në pah, për jetën e pakuptimtë larg njëri-tjetrit, për netët që nuk shtyheshin, për këshillat e dimrit, për premtimet e së ardhmes, për dashurinë për një grua; letrat janë jeta e dy viteve kur shkrimtari asokohe në moshën e Krishtit, 33 vjeç, i shkruante të dashurës së zemrës. Sot, pesë dekada më vonë, kanë një peshë tjetër. Ai nuk është më, ajo jeton me kujtimet e tij.
Shkrimtari u nda nga jeta në shkurt të këtij viti dhe ndërsa afron 1–vjetori i kësaj ikjeje, libri po merr formën përfundimtare. Letrat rrëfejnë mallin dhe ngjarjet e përditshme. Ai, i shkruante në toskërisht, ajo, i përgjigjej në gegërisht. “Unë kam ndjerë se ti më do me tërë mënt”, i thotë diku Dritëroi, duke vënë në dukje diku se një prej letrave iu duk e ftohtë e se megjithëkëtë, ai nuk do që letrat të jenë të shtirura, edhe me kushtin që mund të duken të ftohta.
Ka qenë Elona Agolli, që e ka nxitur këtë botim. Duket se ka ende kërshërinë e fëmijës për të mësuar më tepër për të fshehtat e pashprehura të atit të saj. “Unike si korrespondencë, në vite e kohë që të surprizon”, duke e krahasuar me letrat mes Kamysë e Maria Casares, të botuara prej vajzës së tyre.
Libri, është nën kujdesin e Prof. Shaban Sinanit, i cili po punon me parathënien dhe një studim pasionant për atë që quhet “letërsi pasioni”, zhanër i munguar në historinë e gjatë të letrave shqipe.


“Nuk m’u ndejt pa lexuar pak dhe u kënaqa shumë. Në këtë vend ku jemi, nuk është zakon letërkëmbimi i dashurisë. Prandaj them se do të jetë një model edhe për të ndryshuar këtë perceptim që ekziston (edhe tek unë) për njeriun shqiptar. Unë pashë shumë gjëra të rëndësishme me aq sa shfletova, ka informacion për jetën krijuese të Dritëroit, ka situata etnokulturore, ka gjendje mendimi, ka emocione, ka art fjale, ka finesë ndjenje”, i shkruan ai Elona Agollit, të bijës së Dritëroit.
“Nga ky letërkëmbim, m’u zgjua kujtesa për një kohë që e kisha harruar, kishte mbetur në sirtaret e trurit, të fjetura vite dhe vite me radhë”,-ka shënuar në pasthënie Sadija, bashkëshortja e shkrimtarit, duke shtuar “m’u zgjuan vitet e para të njohjes, të dashurisë mes të rinjve në botën e madhe në kohë krejt të ndryshme nga kjo e sotjma”.
“Gazeta Shqiptare” ka mundur të marrë disa prej këtyre letrave, ndërsa Elona premton surpriza të tjera.

E dashur Sadije,
Nuk e dij se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit unë të bëhem kaq i papërmbajtur në çfaqjen e ndjenjave të mija? Mjafton të qëndroj pakëz në vetmi e të jepem i tëri pas teje. Kurse kur jam me shokët nuk e kam mëndjen në muhabetin e përgjithshëm. Më thonë se paskam ndryshuar kaq shumë sa s’njihem. Unë nuk kam qejf të ndryshoj natyrën time, prandaj ngushëlloj vehten, duke menduar se shokët, me që dijnë historinë time me ty, gabojnë në gjykimet e tyre. Po ç’është e vërteta unë ju jap të drejtë atyre se diçka ka ndodhur. Në mesditë të jetës dashuria qënka e çuditshme.
Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh. E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare, fare.
E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e në vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty dhe e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh.


Letra është një shprehje e çastit. Sikur ne t’i shkruanim letrat e t’i mbanim pa i dërguar qoftë edhe një ditë, natyrisht po të ishim në gjëndje shpirtërore normale, të tretën ditë do t’i grisnim e do të thoshim me vehte: ç’marrëzi kemi shkruar! Të tri letrat që të kam nisur para kësaj kanë plot marrëzira, se shpirtërisht nuk kam qënë mirë. Po mos u mërzit, njeriu duhet të ketë edhe çaste marrëzie, se do të na mbyste atëherë monotonia. Duhet të zbavitemi me ndonjë letër me nuanca anormale. Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirëzi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët! Me këtë, pa ditur edhe vetë, bëhen të mërzitëshëm.


Unë sot gjithënjë kam jetuar me ty. Shkonja në rrugë – isha me ty, shkonja në kafe – isha me ty, shkonja në bibliotekë të kërkonja ndonjë libër – isha me ty. Po ç’u bë kjo, thosha me vehte, ëngjëll mbrojtës? Dreq o punë. Është mirë kur të duan, apo jo? Po jo kur të duan “se na bashkojnë zakonet dhe afërsitë krahinore”!
Kur të duan krejt ndryshe, krejt pa përcaktuar, pa rregulla, atëherë mund të jesh e lumtur. Unë nuk kam qef të më duan me rregulla, nuk dua të hyj nëpër unazë si akrobat. Bile unë kam qejf kështu: nuk e ndjen vehten mirë me mua një ditë, thua: më mërzite, Dritëro, sot nuk të dua, nesër mund të të dua, m’u çduk tani nga sytë! Çaste të tilla ka, apo jo? Po njeriu është edhe rrufjan-hipokrit, që ka frikë të hapet e të shprehë gjithënjë të vërtetën. Megjithëse ti kështu nuk më ke thënë asnjëherë, po unë ka patur raste, që çaste të tilla, të shkurtra fatmirësisht, i kam nuhatur. E dij që këto janë në natyrën e njeriut, prandaj as jam mërzitur fare. Po mos nuhatnja të tilla çaste, unë nuk do të të desha dhe nuk do martohesha me ty. I marrë, do thuash, po është e vërtetë.
Tani të të them pse nuk të kam marrë në telefon. E di ti se unë nuk kam qef të flas në telefon se më mbarohen fjalët? S’di ç’të them. Që të flas, unë dua ta shoh njerinë, ose ta përfytyroj. Në telefon as e shoh, as e përfytyroj. Nuk e kuptoj se si më ka lindur kjo mani e pse më mbyllet goja në telefon. Duhet të jetë ndonjë sëmundje! Prandaj mos ma merr për të keq që nuk të kam telefonuar.
Në Durrës nuk kam shkuar për të pyetur atë shokun tim, se ç’bëri me syzet që kam porositur për ty. E kam marrë ca herë në telefon, po ka qënë me leje dhe nuk më ka dalë.
Kam filluar të bëj një jetë më normale, më realiste. Për librin tim me tregime kam pyetur në ndërmarrje të botimeve e më kanë thënë se së shpejti duhet të dalë në qarkullim. Më nxori mjaft telashe ky libër. Sipas numrit ky është libri i katërt që botoj, po më i vështiri dhe më i ngatërruari. Ky i pesti me vjersha që po pregatit s’besoj të ketë fatin e tregimeve. Në vjersha jam në terrenin tim dhe di të orientohem, megjithëse një zvaranik më tha se shumë vjersha duhet t’i heq.
Lexova një libër nga Dostojevski dhe më ka lënë pa gjumë me tipat dhe figurat e tij të tmerrshme. Një burrë tërë natën mendon para qivurit të gruas së tij, që ka vrarë vehten. Cilat kanë qënë arësyet që gruaja e tij vrau vehten? Rreth kësaj shkruhet tregimi. Ka një moment të hatashëm. Burrin e ka ftuar një njeri në duel (përpara se ky të martohej). Ai refuzon, nuk pranon të bëjë duel. Të gjithë e quajnë frikacak. Pas shumë situatash gruaja e çdashuron atë. Ai është shtrirë e fle. Ajo merr revolen dhe ia vë në tëmbth tytën e hekurt. Ai hap sytë, e shikon me gjakftohtësi tytën dhe i mbyll prapë. Gruaja tronditet. Përherë të parë kupton se ky nuk është frikacak. Po si është e mundur që refuzoi duelin? “Të refuzosh duelin – tha ai – kërkon më shumë burrëri!”
Me të vërtetë është tregim i fortë. Gjynah që ti nuk e lexon dot.
E kështu, moj e dashur, mjaft griva, po e mbyll letrën.
Të puth,
Dritëro
19.8.1964

* * *

E dashur Sadije,
Më ka marrë malli të të shoh. Po të shkruaj ca fjalë.
Sot mbarova një punë të mirë: e dhashë librin me vjersha në ndërmarrje të botimeve. U mendova të gjenja një titull tërheqës, po e pata vështirë ta gjenja, megjithëse unë nuk prirem shumë pas titujve. Pra, titullin ia vura “Trotuare dhe shtigje malesh”. S’dihet, gjer të hyjë në shtyp, mund edhe t’ia ndroj. Kjo lagështia në Tiranë nuk më pëlqen fare. Më mirë të bjerë shi i fortë e të fryjë erë, se sa tërë ditën të jetë lagështirë e rëndë, e keqe.
Tani jam bërë si ata fillozofët e antikitetit, fatalist e skeptik. Udhëtoj me makinë e them: s’dihet, mund të rrëzohet makina. Shkoj rrëzë strehëve të shtëpive të larta e them: s’dihet, mund të më bjerë ndonjë vazo e të ma bëjë përshesh kafkën, që prodhon vargje e artikuj! Hë hë, për të qeshur!
Ç’kemi ndonjë gjë andej nga ti? Mërzitesh? Lodhesh? Mos je e sëmurë? Tani bijen shira e është ftohtë. Ruaju nga ndonjë grip i pabesë. Unë vazhdimisht e kam mendjen tek ti; sidomos sot, që është ftohtë, them: mos më sëmuret zoçka!
E bleve pardesynë? Mua më mbetën edhe 500 lekë pa t’i dërguar. Njëqind i kam në xhep, 400 më ka premtuar njëri nesër. Është shumë vështirë për t’i gjetur. Vetëm mos kij merak, moj zoçkë, se do të rregullohet çdo gjë. Ti do thuash: sa optimist është ky!
S’kam ç’bëj, do të të puth fort e do ta mbyll letrën.
Dritëro
20.10.1964

* * *

I dashtun,
Sa e trishtueme jam sot. Tashti duhet të kesh arritë në Tiranë, do të jesh tue hangër dhe ndofta të shkon mendja edhe tek unë. Jam e mërzitun, në këtë çast doja të ishe me ty. Janë shumë 4 muej. Nji vesh i ketrit më kishte mbetë në xhep të pardesysë. Asht nji ketër i mirë, besnik që nuk të gënjen. Ai më ka pa gjithmonë mue kur jam kthye prej shkolle, veçse asht i heshtun dhe nuk ka gojë që t’u përgjigjet pyetjeve tueja. Duket nji çikë si serioz se ka nji palë mustaqe të ashpra si burrat xhelozë, po nuk asht i tillë. Ai të don ty dhe mbramë ma tha. Unë e kuptoj atë. Kur të bahesh xheloz shikoje atë se të ikë xhelozija. Tashti sa erdhi Veri, shkoj me përcjellë Muhametin. E pata zili për disa çaste. I kishte ble nji palë këpucë dhe çorape. Kot t’i shkrueva por i kishe në mend se m’i tha njitash. Këto gjana s’kanë randësi i dashtun, nuk kanë të bajnë me dashuninë, bile e ndjej vehten diçka ma të pamvarun.
Tashti më duhet që të pregaditem për shkollë.
Të puth fort e fort,
Sadija, 8 Mars 1965

* * *

I dashtuni miku im,
Sot jam pak e sëmurë dhe s’kam shkue as paradreke në shkollë, as mbasdreke. I lajmënova me Mehdinë. Mirë që kam nanën kaq të kujdesshme dhe sikur ma largon pak me shërbimet që me ban vazhdimisht. Sot kishe pak ethe, se me mbloi me dy jorgana dhe shikë uji dhe kisha të ftohtë. Piva konjak dhe ai sikur më ngrohu e më ka hedhë në gjumë 3 – 4 orë. Tashti jam ma mirë mos u ban merak, gjana që kalojnë janë këto. Nana ma ka merakun kur të vi në Tiranë dhe kur të lindi. Ti kaq e s’duron, po ma vonë ishalla bahesh ma e fortë.
Dritëro gjithë këto kohë kam qenë kaq e mërzitun, nuk di as unë. Po e shuej radion se asht nji muzikë që të shton trishtimin.
Ti do të çuditesh se ke kaq kohë që s’ke marrë letër. Të kam shkrue por nuk t’i kam postue nga që nuk donja të të mërzitnja ty. Kam jetue një javë të tanë me gëzimin se do të vinja në Tiranë, se do të flenja nji dhomë ku do t’na ndante vetëm nji mur. Sa andrra thurrshe nji javë dhe këto u fikën për nji orë kur mora vesht se nuk ka biljeta. Unë kam nji dreq koke që nuk i lutem askujt të më plotësojnë dëshiren, as ty i dashtun nuk do të lutesha shumë për një gja, por do t’u zëmrojshe. Kështu jam zëmrue me Didin dhe nuk i flas, megjithëse ai vjen çdo natë të më marrë në shkollë. Tashti më vjen zor prej tij, ai dy – tre herë më ka folë, bile e kisha këshillue që të mos takonte ty në Tiranë.
I dashtun, kur do të vijsh në Shkodër. Më ka marrë malli shumë. Gjej ndonji rast tjetën. Libri të ka dalë shumë simpatik, po ato dy të fundit më mirë të mos i kishe shtue se janë ma tepër reportazhe me numra e shifra.
Të shohim tashma kritikat, i presim me gota konjaku. Piva me Verin nji gotë konjaku, ishte tek une. Mirë që kam shoqëninë dhe ma largon mërzinë, herë vjen Veri herë Luigjina me Lilin. Luigjina më thotë që vajzën ta quej me emnin e saj dhe se ka me qenë e bukur. Ç’budallallëqe bisedojmë.
Ishe nji ditë paradreke nga ajo për vizitë. Gjeta dy pleq, po bisedonin për histori, periudhën e Skënderbeut. Nuk u korita si vajzë e re me diplomë. Më shpëtoj historia që spjegoj dhe fillova të baj muhabet me ato, se Luigjina nuk ishte.
Veç të më shihnje tue ba muhabet me to do të qeshnje. Ato dinin gjuhë të hueja dhe i kisha zili. Njeni prej tyne mësonte Luigjinën italisht. Të kishe kohë të lirë kisha shkue edhe unë me mësue, po sa të mbaroj këto orët paradreke do të filloj edhe unë me sulm, të ta kaloj ty në frengjisht.
Viton a e ke takue? A keni ba muhabet. Ajo Lili asht shumë e bukur, e shoh çdo herë dhe më duket kaq e mirë. Do ta ndihmoj në letërsi se ka me dhanë provim. I kanë mbetë vetëm provimet e maturës pa dhanë.
Dritëro po blej kostumin e banjos në valutë, kështu që nëse i thue mikut tand thueji kostum të ndame të bukur amá.
Më duket se të paska dalë libri në Shkodër. Po më thotë kjo motra e vogël po nuk i besoj kësaj se e ka pa në shtëpi dhe më gënjen. Elenës i kam shkrue letër. Çfarë dhurate i ke çue mor fishek?
Në Shkodër bie shi i mërzitshëm. Ti kur do të vijsh?
Të puth fort Sadija

15.IV.1965
P.S. Harrova të pyes për Xhelalin a ke folë? Mos e len në harresë, ma mbaro këtë lutje se nuk do të mërzis ma.
Të puth Sadija

* * *

E dashur Sadije,
Donja të të shkruanja që mbrëmë, po e lashë për sot në mëngjez. Mëngjezi është kohë optimizmi. Pak njerëz ka që janë pesimistë mëngjezeve. Le të besojmë se kjo është edhe koha më e bukur për të shkruar letra dashurie. Letrën nuk ia shkruajmë njeriut për ta mërzitur, po për t’ia ngritur humorin e për ta bërë atë me jetëdashës. Ti mua, edhe kur ke qenë e zemëruar, më ke shkruar letra të mira, të ngrohta e plot dashuri. E duke bredhur me sy nëpër radhët e shkrimit tënd të afërt për mua, unë kam ndjerë se ti më do me tërë mënt. Unë i dua njerëzit që e thonë fjalën më të lartë e me plot gojën. Për herë të parë kam rilexuar kaq shumë një letrën tënde. E kam fjalën për letrën e fundit. Ajo më ka bërë të mendohem. Megjithëse në dukje ishte letër normale, atë e përshkonte një notë pak e ftohtë. Nuk dua të them që letrat artificialisht të dalin të ngrohta; ato duhet të shkruhen siç ndjehen. As kam kërkuar dhe as kërkoj që me zor nëpër dhëmbë të më betohen për dashurinë në çdo letër e frazë. Kurrë nuk kam qenë i përkëdhelur nga dashuriçkat dhe nuk kam dashur kurrë të përkëdhelem. Unë nuk jam si ca që fejohen e martohen vetëm për të fjetur me gruan, pasi ajo të ketë bërë punët e guzhinës. Për të patur një grua në krevat e për të ngrënë nga duart e saj një tas fasule apo çorbë, unë s’kam patur dhe s’kam kurrë nevojë.
Nejse, për ftohtësinë e letrës nuk të qortoj dhe s’dua me qortime t’u shëmbëllej meskinëve. Ti shkruaj si të duash dhe mendo si të duash për mua. Nuk dua vetëm që letrat të shkruhen sa për të kaluar radhën me sy gjysmë të mbyllur nga gjumi e me kokë të rënduar, as kur ke uri dhe e ke mendjen atje. Natyrisht në këtë gjëndje nuk mund të dish si të përgjigjesh në ndonjë pyetje, e jo pyetje të dorës së dytë, po pyetjes kryesore të jetës.
Jeta ime këtej është e zakonshme. Është po ajo zyrë, po ai klub, po ajo shtëpi. Në dhomën time të mërzitshme janë po ato lule dhe peshq që ma kanë sjellë në majë të hundës. Do t’i nxjerr të gjitha jashtë – edhe lulet, edhe peshqit, edhe qilimin; do të mbaj vetëm librat dhe krevatin tim. Tani për tani nuk merrem me ndonjë punë të lodhshme. Lexoj shumë dhe shkruaj pak. Megjithëse kam mjaft shokë dhe nga natyra jam optimist, e ndjej vehten çuditërisht të vetëmuar dhe me humor të keq. Dje kam pirë shumë konjak që në mëngjez dhe jam bërë tapë. U zura me njerëzit e shtëpisë dhe më thumboi një grerë në qafë. Aq më dhëmbi sa për pak më dolli pija. Tani që nuk të kam ty pranë nuk i vë rëndësi asgjëje: rri i parruar, i pahekurosur dhe me duar në xhepa. Kostumi s’ka ç’më duhet, e kam inat dhe nuk do ta qep.
Siç duket po fillon vjeshta. Në Tiranë është mirë nëpër kopshte. Të djelën mendoj të nisem vetëm në këmbë në mal të Dajtit, do fle në ndonjë fshat e do kthehem në mëngjez në Tiranë. Shtëpia më është mërzitur. Po të isha me lejë do të shkonja në ndonjë pyll në ndonjë kasolle rojtari. Sa keq që nuk mora sivjet lejë krijonjëse! Jam bërë pak qesharak apo jo? Ti patjetër duhet të jesh e zëmëruar me mua për ndonjë arësye. Edhe pse po i shkruaj këto radhë në mëngjez, kur njeriu është plot humor, letra ime më duket se ka dalë e rëndë. E kam grisur disa herë, po këtë radhë do të ta dërgoj. E prapë së prapi kjo nuk ka të bëjë me kryesoren: ty unë vazhdoj të të dua më shumë e më thellë. Bile nga që të dua shumë kam filluar të bëhem xheloz.
Të uroj ditëlindjen dhe të puth fort si më parë, bile akoma më fort.
Të shtunën më datën 19 shtator më prit. Nuk më durohet pa të parë.
Yti i mërzitëshmi, plangprishësi Dritëro
11.9.1964

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.