Intervista

Sokol Hoxha: Si u afrua Isuf Kalo tek Enveri, e fejuara e vëllait tim akuzoi mjekun Hektor Peçi për ngacmim (e plotë)

10:24 - 11.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Liliana Hoxha akuzon Nexhmije Hoxhën, Ramiz Alinë dhe mjekun personal të udhëheqësit komunist, Isuf Kalon, se kanë vrarë përmes mjekimit Enver Hoxhën. Përmes një interviste të gjatë për gazetën “Panorama”, zonja Hoxha tregon se si Enver Hoxha që në vitin 1974 u izolua nga Isuf Kalo nën diagnozën e një sëmundjeje të rëndë.




Sipas saj, në bashkëpunim me Kalon, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha synonin ta eliminonin Enver Hoxhën nga aktiviteti politik dhe shtetëror duke përgatitur ardhjen në pushtet të Ramiz Alisë. Zonja Hoxha akuzon Nexhmije Hoxhën dhe Ramiz Alinë se ishin agjentë të hershëm të UDB-së jugosllave, ndërsa eliminimi i Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës dëmtonin çështjen kombëtare shqiptare, në interes të ish-Jugosllavisë. Për të arritur këtë qëllim, sipas zonjës Hoxha, Kalo udhëtonte vetëm jashtë shtetit, në kundërshtim me protokollin për daljet jashtë shtetit, ndërsa ilaçet që ai blinte kryesisht në Francë për Enver Hoxhën, kanë shkaktuar vdekjen e ngadaltë të udhëheqësit komunist. Por akuzave të zonjës Hoxha iu përgjigj një ditë më parë mjeku i njohur, Isuf Kalo, i cili i cilësoi akuzat ndaj tij dhe deklaratat në përgjithësi të Liliana Hoxhës jo normale.

“Zonja në fjalë njërin e bën agjent të UDBsë, tjetrin agjent të KGB-së, thua se këtu ka qenë qendra botërore e agjenturave. A është për t’u besuar?! Kjo është qesharake. Ajo ka qenë një ndër pacientet e mia dhe unë i uroj shëndet të mirë mendor dhe fizik”, tha për gazetën “Panorama”, profesor Kalo, i cili hodhi dyshime se bashkëshorti i zonjës Hoxha, Sokol Hoxha, nuk ndan të njëjtat qëndrime me të dhe se mendon ndryshe nga ajo për nënën e tij dhe vdekjen e babait të tij, Enver Hoxha.

Por në reagimin e tij për “Panorama”, Sokol Hoxha mbështet bashkëshorten e tij dh i kujton Isuf Kalos se të njëjtin reagim me të njëjtat epitete ka mbajtur për të dhe Lilianën edhe para disa vitesh, kur ai ka treguar të vërtetat që di për vdekjen e Enver Hoxhës dhe rolin e Ramiz Alisë në të.

Zoti Hoxha, profesor Isuf Kalo në një reagim ndaj intervistës së bashkëshortes suaj, Liliana Hoxha, hedh dyshimin se ju nuk ndani të njëjtat mendime për vdekjen e babait tuaj dhe rolin e Ramiz Alisë e nënës suaj në këtë histori. A ndani edhe ju të njëjtin qëndrim me zonjën Liliana Hoxha për ccfarë ka ndodhur në familjen tuaj?

Shumë shkurt do të them se si paska “harruar” Kalo prononcimin tim edhe më gjerë në një emision televiziv, pak vite më parë, kur menjëherë reagoi edhe ndaj meje, ashtu si sot ndaj Lilianës?! Gjithsesi, meqë i intereson mendimi im personal, z. Kalo mund ta gjejë te libri “Pushtimi i brendshëm” i bashkëshortes sime.

Isuf Kalo ka qenë mjeku personal i Enver Hoxhës deri sa ky i fundit vdiq, ndërkohë që ju dhe bashkëshortja juaj e akuzoni atë si pjesë të komplotit kundër jetës së Enver Hoxhës. Ku i bazoni këto?

Unë them se likuidimi i Enver Hoxhës nëpërmjet shëndetit të tij deri më sot është konsideruar si paranojë e tij. Edhe vetë zhvillimet postkomuniste vërtetojnë synimet anti-Enver. Blairi me ngjarjet në Irak u shpreh se Britania ka dështuar vetëm me Shqipërinë për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Pra pranojnë vetë që rrëzimi i regjimit të Enver Hoxhës ishte i pamundur, ndaj likuidimi i tij nëpërmjet pistave të tjera, kryesisht të brendshme, e pse jo nëpërmjet shëndetit (si pika më e dobët e tij), s’ka se si të jetë fantazi. Aq më tepër po të marrim dhe raste analoge historike si Stalini etj.

Kush ka qenë mjeku personal i Enverit para Isufit?

Deri në vitin ’72 ka qenë Hektor Peçi. Formulohet një intrigë e ulët nga mbesa e Ramiz Alisë, e fejuara e vëllait tim, që pretendoi të ishte ngacmuar si femër prej doktorit. Synimi ishte të largohej Hektori dhe te sillej Isuf Kalo nga Hysni Kapo. Retrospektivisht, siç e njohim për ambicie patologjike karriere, intrigant dhe i paaftë, ai largohet në ’76 për një gabim banal ndaj meje, duke ngatërruar apendicitin me gripin. Por, ndërkohë, ai kthehet sërish në shtëpi. Atë e riktheu fillimisht mamaja me alibinë që unë e Liliana e vlerë- sonim, për t’iu servirur sërish babait, mbetur pa endokrinolog, prezantuar ky nga ajo si më i afti në këtë fushë.

Pra, këto mendime që ju i keni tani nuk i keni pasur dhe atëherë?

Jo, jo, këto janë rënduar dhe u vërtetuan me kalimin e kohës për vetë sjelljen e Isuf Kalos në fund të regjimit, kur edhe më kërcënoi mua dhe Lilianën të mos flasim, se do ta kemi shumë keq punën.

Por për çfarë duhet të mos flisnit ju?

Kjo ishte e çuditshme. Si duket, atij i digjnin shumë gjëra. Një nga këto ishte ajo që ai na ishte mburrur vazhdimisht se “perëndimi do të helmojë Enver Hoxhën nëpërmjet ilaçeve, gjë për të cilën ai personalisht po e ruan”. Sot, jo vetëm ai, por edhe kush e kishte urdhëruar, evitojnë së foluri për këtë pistë duke e quajtur sa paranojë të Enverit, aq edhe tonën, ndërkohë që ne duke ditur shumë gjëra, tashmë nën maskën “perëndimi”, realisht kuptojmë synimin e interesave, kryesisht sllavo-serbe. Për rrethana të shumta të tilla kemi ngritur pyetjen edhe në familje se pse i besuam garancinë e shëndetit të babait këtij individi kaq të keq. Pikërisht ky bënte “heroin” në kohën përkatëse dhe me vendim të Ramiz Alisë, Nexhmije Hoxhës e Sulo Gradecit duhet të shkonte në Paris, i vetëm, pa asnjë dëshmitar për të siguruar mjekimin e pastër për Enver Hoxhën, sipas tij në mënyrë të befasishme dhe në vende të ndryshme. Kjo, në një kohë kur kishte norma shumë strikte prej sistemit diktatorial. Jo vetëm në rastin e shëndetit të kryetarit të shtetit, por se asnjë shqiptar nuk mund të lëvizte vetëm, pa qenë së paku dy apo tre veta, ku njëri prej tyre ishte i Sigurimit apo bashkëpunëtor i tij. Kjo masë e çuditshme mbrojtjeje të jetës së babait tim bëhej pa dijeninë e tij, aq më tepër kur im atë personalisht nuk ka pasur kurrë konsideratë për Kalon, pasi e quante një mjek mburravec. Me ngritjen e kësaj çështjeje në familje, nëna ime na kërcënon që ne të heshtim: Ju doni të më akuzoni mua? Jua tregoj unë vendin miqve tuaj dhe fisit të Lilianës!

Si arrinte Isuf Kalo të ikte jashtë shtetit në atë kohë që kontrollohej gjithçka?

Pikërisht, fshehur pas një arsyeje madhore, siç ishte shëndeti i Enver Hoxhës. Kishte shumë gjëra të çuditshme, por unë do të ndalem në një fakt tepër të rëndësishëm, që ka të bëjë me zhdukje provash nga ai menjëherë pas vdekjes së babait. Në shtëpi kishim një farmaci ku rrinin me turne 3 infermiere të përzgjedhura nga Isuf Kalo që shërbenin për ilaçet që kishte nevojë babai ose familja. Kthehemi te rasti konkret. Pas vdekjes së babait, drejtori i klinikës së udhëheqjes, Pavllo Milo, kërkon që të gjitha ato ilaçe që disponon familja (të cilat ishin financuar nga Klinika e udhëheqjes, pra nga shteti për Enver Hoxhën) t’i ktheheshin klinikës për pacientë të tjerë diabetikë. Një dëshmitar infermier, shumë serioz, informon që në farmacinë familjare nuk ka më asgjë nga medikamentet e Enver Hoxhës, se pas vdekjes së tij i mori Isuf Kalo, gjoja për t’i çuar në spital. Kjo gjetje ishte një alibi perfekte. Së pari: për asgjësimin e medikamenteve si provë fakti. Së dyti, e sigurt është që Kalo përvetëson mallin e klinikës speciale, gjoja për t’iu shërbyer të sëmurëve, destinacionin e vërtetë të këtij kontingjenti mjekimi nuk mund ta vërtetojë askush.

Si ishin marrëdhëniet e Isuf Kalos me Ramiz Alinë?

Ramiz Alia e përdori Isuf Kalon, por nuk ia përmbushi ambicien për ta bërë ministër të Shëndetësisë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Por ndërkaq e ndihmoi të rehabilitohej në Europë menjëherë pas rënies së regjimit komunist. Siç e ndihmon të mbrojë veten për pasojë dhe Ramiz Alinë ndaj akuzave tona në kanalet më prestigjioze. Është kaq e qartë kjo gjë, sa të vjen të qeshësh. Sipas tij, fitoi konkursin ndërkombëtar, një në njëqind pjesëmarrës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, dhe vazhdon të jetojë andej. Domethënë, “Perëndimi” e priti krahëhapur. Mund të bëj një paralelizëm të supozuar me mjekun e Sadam Huseinit. Çfarë do t’i kishte punuar Amerika mjekut të tij, në qoftë se ai, pas rënies së Sadamit, do të kishte mbledhur popullin si nostalgjik dhe do ta bënte për të qarë, do të bënte dhe poezi për të? Le pastaj të guxonte të hynte në një konkurs në Perëndim dhe ta fitonte atë.

Pas viteve ’90 janë bërë publike disa sekuenca filmike të vitit të fundit të jetës së babait tuaj, ku vihet re dobësia e përgjithshme fizike dhe një lloj përçartjeje logjike. Ka ditur Enveri që po filmohej në atë gjendje?

Izolimi i Enver Hoxhës është bërë në sekretim absolut nga populli. Siç nuk është kuptuar asnjëherë as nga poshtë e as nga babai deri në vitet e fundit të jetës së tij, ky qëllim izolimi e bojkotimi konstant deri në muajt e fundit të jetës, madje në keqbërje të shëndetit edhe ndaj meje, Lilianës e fëmijëve të mi, si bijtë e tij jashtë të gjitha klaneve. Por ne flasim vetëm për argumente të interesit të përgjithshëm. Pra, populli përveç nomenklaturës përgjithësisht së implikuar, nuk kuptoi asnjëherë izolimin e Enver Hoxhës, sepse bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishin bashkëshortja dhe suksesori i përzgjedhur nga ai vetë. Në dukje ruajtja e etikës për anën shëndetësore të liderit ishte e domosdoshme, çka ishte e përkryer edhe brenda në familje. Fakt është që kur kemi parë filmimet në vitet ’90, jemi traumatizuar, se vetë ne nuk e njihnim babanë në atë gjendje, prej protokollit të etikës e jo më të filmuar e shpërndarë në të gjithë botën. Përveç këtyre momenteve faktike, dua të theksoj faktin që unë e njoh babanë të kthjellët deri në fund të jetës duke e takuar çdo ditë, natyrisht në momente të posaçme kur na kërkonte ai, sepse dy muajt e fundit të jetës si i paralizuar dhe me kujdesin për të mos folur edhe para nesh prej vështirësisë, komunikonte vetëm me mamanë, e cila na i transmetonte ne. Pas ’90 e shoh të filmuar nga Sulo Gradeci duke u transportuar në karrige me rrota nga bashkëshortja dhe Ramiz Alia për në mbledhje të Komitetit Qendror, e për më tepër në momente jo të rregullta mendore, siç unë nuk e kisha parë ndonjëherë. Shfrytë- zuar këto çaste sigurisht të izoluara, kjo përbën një qëllim të poshtër, jo vetëm ndaj imazhit të tij, por ndaj Shqipërisë për t’u maskuar pas alibisë që është ky njeri kaq monstruoz “për pushtet vetjak” që na ka qeverisur.

Përse Enveri ju ka zgjedhur ju si konfident kundrejt Ilirit dhe Pranverës?

Nuk di ta them me saktësi. Ndoshta për zgjedhjet e drejta që kisha bërë në jetë, gjë që ma ka thënë disa herë. Më vjen keq që nuk i jam hapur, madje kur ai më është hapur, unë i jam mbyllur.

Si shpjegohet që Enveri ka pasur pikë të dobët Lilianën?

Vërtet e ka pasur pikë të dobët. Këtë e them jo se është gruaja ime, por ai ma ka theksuar disa herë. Ndoshta se Liliana ishte vajzë populli me cilësitë e veta që ai ia vlerë- sonte aq shumë, si ndjeshmëria, idealizmi dhe mospajtimi me padrejtësitë.

Ndikonte kjo dobësi e babait tuaj ndaj Lilianës tek anëtarët e tjerë të familjes Hoxha?

Jo, vetëm e kishte vënë re, por mund të them që ishte shumë e shqetësuar.

Është e vërtetë që babai ju ka lënë një amanet?

Tetë apo 9 ditë para se të vdiste, amaneti i tij ishte të ruheshim dhe sidomos të ruaja Lilianën. Ma ka thënë troç: “Ruajuni dhe sidomos ruaj Lilianën”.

Ç’do të thotë ruajuni?

Siç kishte kuptuar qëllimin kundër atij vetë muajt e fundit të jetës, kishte kuptuar sidomos qëllimin kundër nesh. Me këtë donte të na bënte vigjilentë doemos pa u futur ai vetë në detaje, kur ishte evidente se pjesa tjetër e familjes, filluar nga mamaja, ishte totalisht e lidhur me Ramiz Alinë.

Burimi: http://www.panorama.com.al/ekskluzive-sokol-hoxha-si-u-afrua-isuf-kalo-tek-enveri-e-fejuara-e-vellait-tim-akuzoi-mjekun-hektor-peci-per-ngacmim-e-plote/

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.