EKONOMI

Studimi, Rajmonda Kosiqi: 60% e punësimeve bëhen me “mik”. “15% e të diplomuarve janë të papunë”

11:40 - 11.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza DURO




 

Gjetja e një vendi pune në ditët e sotme, është shndërruar në një sfidë më vete, veçanërisht për të rinjtë e diplomuar që dëshirojnë të punojnë në profesionin për të cilin kanë studiuar. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Rajmonda Kosiqi, doktore e shkencave në fushën e menaxhimit të tregut të punës, me një eksperiencë të gjatë në Zyrën e Punës, tregon të dhëna tronditëse në bazë të një studimi të realizuar në 1690 ndërmarrje private në vend. Kosiqi shprehet se sipas hulumtimeve, plot 60% e punësimeve në Shqipëri bëhen në sajë të njohjeve apo “mikut”. Ajo më tej shton se 15% e të rinjve që zotërojnë një diplomë, enden të papunë dhe shpjegon të gjithë faktorët ndikues në këtë situatë duke theksuar se shifrat e papunësisë të publikuara nga INSTAT nuk janë reale, pasi ka shumë të papunë të tjerë të padeklaruar.
Cili është fokusi i studimit që ju keni realizuar?
Studimin e kam filluar në vitin 2013 dhe ka zgjatur plot 4 vjet e konsiston në analizimin e situatës së tregut të punës në 1690 ndërmarrje në vend, sjellë kjo nëpërmjet pyetësorëve të realizuar në subjekte private të profileve të ndryshme si nga lloji i biznesit, ashtu dhe nga numri i të punësuarve. Të dhënat nxjerrin në pah një problem të madh që ka tregu shqiptar i punës, ka një numër të lartë të papunësh, por, nga ana tjetër, ka dhe shumë vende të lira pune të deklaruar nga subjekte dhe që janë quajtur “të vështira për t’u plotësuar”.
Si paraqiten shifrat e papunësisë në vendin tonë?
Një ndër problemet më shqetësuese në ekonominë shqiptare është mosfunsionimi si duhet i tregut të punës. Pavarësisht se sipas raportimit të INSTAT për tremujorin e dytë 2017, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 13,9 %, ku papunësia për meshkujt rezulton 14,9 % dhe për femrat është 12,5 %, mund të themi se këto janë shifra zyrtare që kanë dalë nga anketimet e bëra në target grupe të veçanta, ose shifra nga zyrat e punësimit mbi punëkërkuesit e regjistruar pranë këtyre zyrave.


Pra, shifrat e INSTAT nuk pasqyrojnë realisht shkallën e papunësisë në vend?
Shifrat e publikuara nga INSTAT nuk paraqesin shkallën e papunësisë që ekziston vërtet në tregun e punës, pasi nuk bëhet evidentimi i të papunëve në të gjithë popullsinë. Ka shumë të tjerë të papunë që nuk dinë ku të orientohen e kështu shifrat e papunësisë janë më të larta sesa ato që jep INSTAT e ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë. Vetë qeveria mundohet ta mbajë në kontroll këtë pjesë, sepse dëshiron të dalë sa më mirë.
Sa prej të papunëve janë të rinj?
Një problem shumë shqetësues në tregun shqiptar të punës është shkalla e lartë e papunësisë në grupmoshat e reja. Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32.8 %. Në radhët e këtyre të rinjve të papunë, kemi të bëjmë edhe me studentë të diplomuar dhe të përgatitur për tregun e punës, të cilët nuk gjejnë mbështetje punësimi në profesionet përkatëse.
Sa prej tyre disponojnë një diplomë universitare?
Duke iu referuar të dhënave, vërehet se Shqipëria është i vetmi vend në rajon, ku papunësia tek të rinjtë me arsim të lartë është më e madhe sesa tek ata me arsim të mesëm. 15% e atyre që kanë mbaruar arsimin e lartë në Shqipëri janë të papunë, në paradoks me ata që kanë mbaruar arsimin e mesëm, ndër të cilët papunësia është 12%, duke treguar një lidhje të zhdrejtë mes të diplomuarve me arsim të lartë dhe kërkesave të tregut të punës. Këto zhvillime në Shqipëri, janë të kundërta me zhvillimet në BE, ku papunësia e atyre që kanë mbaruar arsimin e lartë është vetëm 5%, ndërsa me arsimin e mesëm është 15%.
Cilat janë disa prej shkaqeve që vështirësojnë gjetjen e një pune për të diplomuarit?
Arsyet janë të shumta duke përmendur këtu nivelin ekonomik gjithnjë e në rënie, mënyrat se si bëhen emërimet, nga politika që ndiqet konkretisht për menaxhimin e burimeve njerëzore e jo vetëm kaq.
Një tjetër shkak është edhe planifikimi jo si duhet i karrierës së të rinjve, që fillon që nga zgjedhja e profilit të studimit, pasi prindërit dhe ata vetë nuk kanë informacion se çfarë kërkesash ka tregu i punës për profesione apo zanate. Një arsye tjetër janë dhe kushtet e papërshtatshme të punës dhe pagesat shumë të ulta të pagave mujore që ofrojnë një pjesë e mire e subjekteve kryesisht fasoneritë.
Një problem shumë i madh për gjetjen e një pune është edhe mungesa e mekanizmave në tregun e punës që bëjnë përshtatjen e kërkesës me ofertën, kjo gjë i është lënë spontanitetit, dhe tregu i punës në Shqipëri rregullon vetveten.


Ku drejtohen më tej këta të rinj që nuk arrijnë të sigurojnë një punë në profesionin e tyre?
Ajo që ndodh me rininë shqiptare tashmë është shndërruar në një “ritual” më se normal: ndjekja e një cikli studimesh, diplomimi i tyre me gjithë vështirësitë që hasin në rrugën për t’u diplomuar, e më pas periudha e papunësisë. Për shkak të shumë dyerve të mbyllura në pozicione pune brenda profilit të tyre, të rinjtë e diplomuar pranojnë të kryejnë punë të cilat përveçse jashtë profilit të tyre, janë edhe jashtë standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë që duhet të ofrojë një vend pune i denjë. Informaliteti në kushtet e punës kthehet në një procedurë të zakonshme e normale në radhët e tyre.
Çfarë sjell papunësia në jetën e një të riu?
Ka të rinj që bien dakord me realitetin i cili duhet të jetë i përkohshëm por në dukje nuk është i tillë, ndërsa të tjerë, të cilët përbëjnë edhe shumicën i drejtohen rrugëve të tjera. Rritja e kriminalitetit në radhët e të rinjve ka si shtysë me efekt të madh papunësinë. Nga të qenët të punësuar në një vend jashtë kualifikimit të tyre profesional e me pagesa të ulëta, një pjesë e mirë e të rinjve zgjedhin emigrimin. Janë të shumta statistikat dhe anketat e kryera në lidhje me aplikimet e 3 viteve të fundit për azil në Gjermani e Francë. Shifrat zyrtare tregojnë se në 3 vjet janë mbi 100 mijë azilkërkues. Në vitin e fundit kemi mbi 200 mijë aplikime për Green Card. Shpresa tek të rinjtë shqiptare, fatkeqësisht sa vjen e merr drejtimin jashtë kufirit shqiptar.
A orientohen siç duhet të rinjtë shqiptarë në kërkesat që ka tregu punës?
Sipas të dhënave, në Shqipëri vijon të jetë akoma një problem madhor mungesa e statistikave dhe raporteve, të cilat do të orientonin të rinjtë drejt zgjedhjeve të duhura akademike. Kërkesat e kompanive për punonjës, nuk përputhen me ofertën e individëve në tregun e punës. Dhe kjo disbilancë, vërehet masivisht në degën e juridikut dhe ekonomikut, të cilat vijojnë të jenë, zgjedhjet e preferuara të të rinjve shqiptarë por, kur mbarojnë studimet ndeshen me një terren krejt tjetër të kërkesave për punë që ka tregu. Ndaj të kesh mbaruar arsimin e lartë në Shqipëri nuk do të thotë të jesh i privilegjuar për të gjetur punë, në krahasim me ata që kanë mbaruar të mesmen.
Sa rol kanë njohjet apo “miku” në gjetjen e një vendi pune në Shqipëri?
Bazuar në gjetjet e studimit, në mbi 60% të rasteve, mënyra kryesore e gjetjes së një vendi pune është nëpërmjet të afërmve dhe miqve. Pra, kanalet e rekrutimit si institucionet zyrtare ose njoftimet online janë shumë të kufizuara.
Cilat janë profesionet që ofrojnë më tepër vende të lira pune?
Nga studimi i realizuar në 1690 ndërmarrje, nëpërmjet pyetësorëve, profesionet që ofrohen më së shumti janë në industrinë përpunuese kryesisht fasoneritë, që janë konsideruar nga subjektet dhe si pozicione të vështira pune për t’u plotësuar.
Në bazë të studimit tuaj, si mund të përkufizohet tregu i punës në vendin tonë?
Të rinjtë ndryshojnë shpesh statusin nga të punësuar në të papunësuar dhe anasjelltas; ata fillojnë karrierën kryesisht në punë me kualifikim të ulët që shumë shpesh nuk kanë të bëjnë me diplomat e tyre. Kjo praktikë shpesh përfshin kthim pas dhe përzierje të statuseve i punësuar-student, veçanërisht në kohët aktuale të reformës së arsimit, të krizës ekonomike dhe të turbullirave teknologjike. Këto faktorë e bëjnë analizën e trajektoreve nga shkolla në punë edhe më të vështirë. Tregu i punës rinore në Shqipëri mund të përkufizohet si “fleksibël” dhe “sekuencial”.
A ofrohen trajnime kualifikuese për punonjësit e rinj nga kompanitë që operojnë në vendin tonë?
Në 78% të rasteve, ndërmarrjet e financonin vetë trajnim, ndërsa 10% merrnin financim nga qeveria. Për pjesën tjetër, punonjësit paguanin vetë për trajnimin. Sipas grafikut të studimit nga totali i kostove të trajnimit, 94% mbulohej nga ndërmarrjet.
Çfarë mund të bëhet ndryshe për përmirësimin e situatës në tregun e punës?
Një ndër rekomandimet e studimit është, kërkesa për të monitoruar vazhdimisht nevojat në ndryshim për aftësi, që kërkon tregu i punës.
Duhet t’i kushtohet rëndësi ngritjes së observatorëve të tregut të punës, për të kryer monitorime të vazhdueshme në tregun e punës duke studiuar në mënyrë periodike nevojat e tregut për aftësi dhe pastaj koordinimi me qendrat e formimit dhe institucione të tjera të këshillimit të forcës së punës, siç janë zyrat e punësimit.
A duhet të forcohen më tej kapacitetet e institucioneve që lidhen me punësimin?
Është e nevojshme ndërmarrja e veprimeve për të identifikuar dobësitë e institucioneve të tregut të punës; duhen ngritur programe për të shmangur vështirësitë dhe forcuar kapacitetet. Siç duket dhe nga intervistimet e bëra në kompanitë e studiuara, nuk ka pothuajse asnjë ndihmë nga institucione të veçanta të formimit apo hallka të tjera shtetërore të menaxhimit të tregut të punës, ata çdo iniciativë në drejtim të menaxhimit të stafit e kanë financuar dhe ndërmarrë në mënyrë individuale dhe kjo është një gjetje e rëndësishme e punimit. Institucionet shtetërore të menaxhimit të tregut të punës duhet të hidhen në aksione konkrete e të lidhin fijet e komunikimit mes subjekteve dhe sistemit të AFP për mirëfunksionimin e dy hallkave kryesore të tregut të punës që janë punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Kosiqi: Po provoj “në kokën time” gjetjet e studimit

“Kam aplikuar për punë, s’më kanë kontaktuar”

Rajmonda Kosiqi, doktore e shkencave në menaxhimin e tregut të punës, tregon edhe vështirësitë me të cilat po përballet vetë për të gjetur një vend pune, pas njoftimit mbi largimin nga puna brenda 31 dhjetorit të këtij viti. “Unë kam një eksperiencë 15-vjeçare në fushën e funksionimit të tregut të punës, pasi kam punuar pranë Zyrës Rajonale të Punësimit në Tiranë, pas kësaj përvoje pune kam punuar për 6 vite si Drejtore Drejtorie pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe aktualisht jam në afatet e njoftimit për zgjidhje të marrëdhënieve të punës për shkak të të ashtuquajturës “reforme” që po bën qeveria në administratë, me pretekstin e “ristrukturimit”. Me pak fjalë, tashmë jam në pozicionin e një punëkërkuesi”,-tregon ajo. Më tej, Kosiqi thotë se I është dashur që të aplikojë në disa subjekte private për të gjetur një vend pune, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Kam aplikuar në shumë vende, por nuk kam marrë asnjë konfirmim, qoftë edhe për një intervistim, edhe pse mendoj që kam një cv të plotësuar me kualifikimet e nevojshme”,-shton më tej doktorja e shkencave në menaxhimin e tregut të punës. Ajo thotë se po vërteton personalisht konkluzionet e hulumtimit që konsistojnë në gjetjen e një vendi pune vetëm nëpërmjet njohjeve, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

60% e rasteve puna me “mik”
Bazuar në gjetjet e studimit, në mbi 60% të rasteve, mënyra kryesore e gjetjes së një vendi pune është nëpërmjet të afërmve dhe miqve. Pra, kanalet e rekrutimit si institucionet zyrtare ose njoftimet online janë shumë të kufizuara.

32.8 % të rinj të papunë grupmosha 15-29 vjeç
Për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32.8 %. Në radhët e këtyre të rinjve të papunë, kemi të bëjmë me studentë të diplomuar dhe të përgatitur për tregun e punës, të cilët nuk gjejnë mbështetje punësimi në profesionet përkatëse.

15% të diplomuar të papunë Paradoski
15% e atyre që kanë mbaruar arsimin e lartë në Shqipëri janë të papunë, në paradoks me ata që kanë mbaruar arsimin e mesëm, ndër të cilët papunësia është 12%, duke treguar një lidhje të zhdrejtë mes të diplomuarve me arsim të lartë dhe kërkesave të tregut të punës.

1690 ndërmarrje, profesionet e kërkuara
Në 1690 ndërmarrje, nëpërmjet pyetësorëve, profesionet që ofrohen më së shumti janë në industrinë përpunuese kryesisht fasoneritë, që janë konsideruar nga subjektet dhe si pozicione të vështira pune për t’u plotësuar.

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.