BOTA

Avokati rumun: Ja si u arrestua kryeministri i Rumanisë, pas reformës në drejtësi  

12:00 - 12.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Cudru Vrabie, është një ekspert i refomës në drejtësi në Rumani. Ai është intervistuar në #DritaremeRudinën, në Vizion Plus, për të mësuar më shumë rreth funksionimit të reformës në drejtësi në Rumani, pengesave, mungesave, ndikimit politik, ndërhyrjes së huaj dhe sidomos produktit të reformës në drejtësi.




Çfarë arriti Rumania, veç arrestimit për korrupsion të ish kryeministrit të saj dhe dhjetra politikanëve të rëndëishëm? Çfarë ndikimi pati reforma në jetën e përditshme të qytetarëve rumunë? Sa kohë zgjati dhe çfarë po ndodh tani, në Rumani.

Këto shpjegon në #DritaremeRudinen, Vrabie, i cili tashmë punon me  shoqatën “Funky Citizens” posaçërisht për çështjet që lidhen me mirëqeverisjen, reformën në sistemin gjyqësor dhe në administratën publike si edhe luftën kundër korrupsionit.

Ai është avokat, ka studjuar për shkenca politike dhe ka një eksperiencë 15 vjeçare në çështje të tilla. Mos e humb intervistën e një njeriu që jo vetëm shpjegon reformën rumune, por edhe të qartëson për çfarë na pret neve Shqipëri, ndërsa pakkush shpjegon dhe të gjithë bërtasin.

Dorina Rizvanolli- Tashmë, në Shqipëri ndodhemi në fazën e zgjedhjes së Prokurorit të Pergjithshem. Qëllimi i kësaj interviste është krahasimi me vende të tjera me të kaluar pak a shumë të ngjashme me atë të Shqipërisë, si edhe të shfrytëzojmë këtë mundësi për të mësuar prej përvojës së tyre. Për shembull, si emërohet prokurori i përgjithshëm në Rumani?

Cudru Vrabie- Dispozitat e kushtetutës në Rumani përcaktojnë që Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga presidenti i Republikës bazuar në propozimin e paraqitur nga Ministri i Drejtësisë, pas rishikimit të tij nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Pra, në këtë procedurë përfshihen tre përfaqësues institucionalë. Ministri i Drejtësisë paraqet kandidaturën, Këshilli i Lartë Gjyqësor shqyrton aftësitë profesionale të kandidatit dhe më pas Presidenti mund të zgjedhë ta emërojë atë kandidat ose ta refuzojë atë dhe t’i kërkojë Ministrit të Drejtësisë të depozitojë emrin e një kandidati tjetër.

D.R -Përherë e tillë ka qenë procedura e emërimit apo ka pësuar ndryshime pas reformës?

C.V-Kjo procedurë është rrjedhojë e një ndryshimi tepër ambicioz të kushtetutës në vitin 2003, e vijuar nga ndryshime legjislative të kryera në vitin 2004. Këto ndryshime janë përmirësuar akoma më tej në vitin 2005, 2006. Por pa amendimet e kryera në kushtetutë në vitin 2003 kjo procedurë e re përzgjedhje nuk do të ekzistonte.

D.R -Sa e varur nga politika, është drejtësia në Rumani?

Sistemi gjyqësor është pa dyshim i ndarë nga organet ekzekutive dhe ato ligjvënëse. Gjykatat janë krejtësisht të pavarura. Ndërsa prokurorët kanë një status disi të ndryshëm. Sidoqoftë, sipas kushtetutës rumune prokurorët janë pjesë e sistemit gjyqësor si edhe janë gjykatës njësoj si gjyqtarët. Megjithatë ata nuk gëzojnë pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e gjyqtarëve. Sidoqoftë ata gëzojnë njëfarë autonomie nën autoritetin e Ministrit të Drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor përbëhet në një numër thuajse i barabartë gjyqtarësh dhe prokurorësh pasi janë dhjetë gjyqtarë dhe nëntë prokurorë.

D.R -Por a ndikohet drejtësia në Rumani nga politikanët?

Ka politikanë që pretendojnë se drejtësia nuk është e pavarur. Kryesisht ata pretendojnë se drejtësia në Rumani është në njëfarë mënyre e lidhur me shërbimet sekrete. Por nuk ka prova për këtë ndikim, të paktën në vendimet e gjykatës, ndaj ne duhet t’u drejtohem dispozitave të kushtetutës në të cilat përcaktohet qarte që sistemi gjyqësor është krejtësisht i pavarur. Përpara vitit 2003, sigurisht që politikanët u telefononin gjyqtarëve dhe u bënin propozime lidhur me vendimet gjyqësore.

Kjo ndodhte si me gjyqtarët ashtu edhe me prokurorët. Por pas ndryshimeve në kushtetutë në vitin 2003 dhe veçanërisht pas miratimit në parlament të tre ligjeve për organizimin e sistemit gjyqësor në vitin 2004, gjyqtarët dhe prokurorët filluan ta përforconin pavarësinë e tyre ndaj politikanëve. Ky ishte një proces i gjatë dhe u bë krejt i qartë që nga viti 2007 dhe në vazhdim.

D.R -Si u arrit reforma në drejtësi në Rumani, e ndikuar nga jashte, apo vetem me shtytje te brendshme?

Sigurisht që është ndjerë prania e trysnisë apo e ndikimit të Bashkimit Evropian. Me shumë gjasa kanë ndikuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por këtë ndikim duhet ta shohim në kontekstin e duhur historik. Në atë kohë Rumania synonte të bëhej anëtare si e NATO-s ashtu edhe e Bashkimit Evropian. Veçanërisht në periudhës midis viteve 2001 dhe 2004 pati një përpjekje të fuqishme të përbashkët të të gjitha institucioneve dhe organizatave dhe njerëzve të shtresave dhe profesioneve të ndryshme, e cila i dha rruga procesit të pranimit fillimisht në NATO dhe më pas në BE. Një nga parakushtet e NATO-s ishte kontrolli civil mbi ushtrinë. Kjo nënkupton edhe që duhet të kemi një sistem të fuqishëm dhe të pavarur gjyqësor që mund të mbikëqyrë vendimet ushtarake, nëse është e nevojshme.

Ndërsa kur flitet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kriteret e Kopenhagenit janë vendimtare për fillimin e negociatave, ndaj Rumanisë i duhej të ndërgjegjësohej dhe të bënte ndryshime në kushtetutë për të siguruar që sistemi gjyqësor të bëhej vërtet i pavarur. Pra, ishte një ndërthurje e përpjekjeve brenda vendit dhe jashtë tij, por në të mire të çdo shtetasi rumun.

D.R -Pati kundërshtime veçanërisht nga politikanët, apo nga gjyqtarët dhe prokurorët për kriteret e reformës?

Në atë periudhë, jo. Në vitin 2003, kur u propozuan amendimet në kushtetutë nuk pati kundërshtime nga gjyqtarët apo prokurorët, sepse ata i kuptuan përfitimet që sillnin ndryshimet. Si edhe nuk pati kundërshtim të mirëfilltë të politikës sepse që të gjithë ishin njëzëri dakord për çeljen e shtegut drejt anëtarësimit. Më vonë, veçanërisht pas vitit 2010 filluan debatet dhe polemikat për sistemin gjyqësor, kur Rumania miratoi kodet e reja. Ky miratim ishte pjesë e zotimit të Rumanisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe nënkuptonte ndryshimin e kodit civil, të kodit të procedurës civile të kodit penal dhe të kodit të procedurës penale, si edhe përditësimin e tyre në përputhje me ndryshimet e reja të kushtetutës. Kjo ishte një lëvizje që shkaktoi debate. U desh njëfarë kohe që kodet e reja të hynin plotësisht në fuqi vetëm në vitin 2014.

D.R -Dispozitat në kodet e reja filluan të kundërshtoheshin në gjykatën kushtetuese sepse në disa raste formulimi i tyre s’ishte shumë i qartë. Kjo shërbeu si temë e re diskutimi në debatet politike dhe shtroi pyetjen nëse sistemi gjyqësor me kodet e reja do të funksiononte me legjislacionin e vjetër, nëse ky kuadër ligjor ishte i mjaftueshëm apo kishte nevojë për ndryshime të mëtejshme?

Siç mund ta shohim, tashmë në parlamentin rumun mazhoranca e re që erdhi pas zgjedhjeve të fundit, vjet, në dhjetor, po mundohet të nxise ndryshime në sistemin gjyqësor, në strukturën ligjore të sistemit. Por këtë herë shoqëria dhe gjykatësit u kundërvihen këtyre ndryshimeve, sepse koncepti i këtij reformimi e rikthen sistemin gjyqësor në situatën që përjetuam përpara vitit 2003.

Ky ka qenë diskutimi i ndërlikuar i kohëve të fundit në parlamentin rumun. Kjo çështje nuk pritet të zgjidhet së afërmi, sepse legjislacioni i propozuar duhet t’i nënshtrohet rishikimit të gjykatës kushtetuese. Le të shohim se ç’rrjedhë do të marrë situata vitin e ardhshëm.

 D.R -Sa kohë zgjati procesi i reformimit të drejtësisë? Apo ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdon ende?

Kanë kaluar 14 vite dhe pritet të kalojnë të paktën një apo dy vite të tjera. Mendoj se është më se e natyrshme që reformimi i sistemit gjyqësor do të kërkojë njëfarë kohe. Nëse ky reformim vazhdon për 20 vite, ky hark kohor nuk është edhe aq i gjatë, pare në kuadrin historik. Ndoshta do të ketë një reformë të tillë dhe me organet ekzekutive dhe ato ligjvënëse. Por kjo nuk është për momentin pjesë e axhendës politike dhe nuk u përket politikanëve që ta ndërmarrin.

Ja si qëndron çështja. Meqë tashmë prokurorët janë edhe gjyqtarë dhe e kanë forcuar pavarësinë e tyre ndaj politikanëve, politikanët mendojnë se po përndiqen dhe jo thjesht po ndiqen penalisht.

Ky është një reagim mjaft i ashpër në planin politik, pasi politikanëve do t’u pëlqente të riktheheshin në situatën e dikurshme kur kishin më shumë kontroll. Por meqë tani gjyqtarët e kanë konfirmuar pavarësinë e tyre dhe meqë shoqëria civile mban anën e një sistemi gjyqësor të pavarur nisur nga parimi për ndarjen e pushtetit, politikanët zotërojnë mazhorancën në vendimmarrje, por janë në minorancë kundrejt pinionit publik. Ndaj do të ketë përplasje dhe ky proces do të kërkojë njëfarë kohe që të përfundojë si edhe për kryerjen e tij do të nevojitet bashkëpunimi i të gjithë pjesëmarrësve të përfshirë në të, qofshin politikanë ose jo.

D.R -Çfarë ndodh nëse një prokuror heton për kryeministrin apo një ministër të caktuar? Është ai i lirë të hetojë, apo ka pengesa brenda sistemit?

Kjo është një situatë komplekse. Duhet të rikthehemi te kushtetuta. Sipas kushtetutës presidenti i republikës gëzon imunitet, sigurisht për aq kohë sa zgjat mandati i tij. Anëtarët e parlamentit gëzojnë imunitet për dëshmitë e tyre politike ndërsa ministrat nuk gëzojnë imunitet të një shkalle të lartë. Ata mund të ndiqen penalisht në çdo kohë, thuajse si çdo individ tjetër. Por duhet bërë dallimi mes ministrave që janë edhe anëtarë të parlamentit dhe ministrave që nuk janë anëtarë të parlamentit.

Për rastin e dytë, atë të ministrave që s’janë anëtarë të parlamentit prokuroria nis hetimet dhe mund ta thërrasë ministrin të dëshmojë dhe ministri është i detyruar të paraqitet në prokurori. Nëse prokuroria vendos të ngrejë akuza kundër tij dhe ta çojë çështjen e tij në gjykatë, vendos presidenti i republikës, nëse do të anulohet mandate për ministrin në fjalë. Kjo gjë është e mundur. Por nëse ministri nën hetim dënohet, kushtetuta e detyron presidentin ta anulojë mandatin e atij ministri. Le të shohim variantin tjetër.

Nëse kemi të bëjmë me një minister që është edhe anëtar i parlamentit dhe prokuroria nis hetimet ndaj tij dhe i kërkon atij të paraqitet për të dhënë dëshminë dhe ministri e zbaton kërkesën.

Nëse prokuroria ngre akuza dhe e çon çështjen në gjykatë ajo duhet të kërkojë leje nga parlamenti. Më pas parlamenti duhet të marrë një vendim nëse dëshmia e këtij individi të veçantë ka apo jo rrjedhoja në planin politik, apo thjesht mund të gjykohe në kuadrin e kodit penal.

Vendimet e parlamentit në këto raste janë të shumëllojshme. Kemi një numër thuajse të barabartë rastesh kur parlamenti e ka lejuar prokurorinë të vijojë më tej punën e saj dhe rastesh kur parlamenti ka thënë “Jo, jo, jo. Për arsye politike nuk ju lejojmë të vijoni me këtë hetim.”

Megjithatë, pasi përfundon mandate parlamentar ekziston mundësia që prokuroria të ngrejë akuza ndaj një individi të caktuar pa lejen e parlamentit sepse ky individ nuk gëzon më imunitet.

E përsëris, mënyra e trajtimit të ministrave në raste të tilla është shumë e ndërlikuar dhe varet më së shumti nga formulimi i neneve kushtetutës dhe nga praktika ligjore si edhe nga qëndrimi politik i9 parlamentit.

D.R -Mund te tregojme disa raste?

Po ju kujtoj vetëm rastin e ish-kryeministrit Adrian Nastase, i cili ishte në krye të qeverisë në vitet 2001 -2004 dhe që i propozoi vetë këto ndryshime.

Ai ishte i pari që u dënua. Ai ishte i pari “peshk i madh “le të themi, që u dënua në dy raste me akuzën e korrupsionit.

Kemi edhe rastin e ish-zëvendës kryetarit të senatit, z.Dan Vojkulesku, i cili u dënua me dhjetë vite burg për korrupsion. Ai qëndroi në burg rreth 2 vjet e gjysmë dhe tani është në lirim me kusht. Një pjesë e pasurisë së tij u konfiskua me një vlerë prej rreth 13 milion eurosh. Gjithsej janë 20 ish-ministra që u dënuan me akuzën për korrupsion apo për abuzim me pushtetin në dhjetë apo 12 vitet e fundit.

D.R -Në Shqipëri askush nuk beson se reforma do të dënonte kryeministrin e tanishëm apo ndonjë nga ish kryeministrat e mëparshëm, ndoshta as ministra. Po në Rumani, në fillim të reformës, besonit se kjo mund të ndodhte?

Jo. Askush nuk e besonte se kjo mund të ndodhte. Por tashmë kjo dukuri është bërë realitet. Nuk mendoj se më e rëndësishmja është të dërgosh dikë në burg. Ky është një “mit” në luftën kundër korrupsionit. Ne duhet të bëjmë një ndarje të gjërave, sepse kur flasim për reformë të sistemit gjyqësor, reformimi i sistemit të burgjeve është një pjesë shumë e vogël në tërësinë e sistemit, ndoshta më pak se një e treta e tij.

Ky është një nga këndvështrimet. Është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë që lufta kundër korrupsionit nuk nënkupton vetëm t’i dërgosh njerëzit në burg apo t’u sekuestrosh pasuritë.

Nëse bën vetëm këtë, të tjerë njerëz do të veprojnë në të njëjtën mënyrë dhe pak nga pak do të arrish në pikën ku burgjet do të mbushen me njerëz të dënuar për korrupsion, por nuk do të ketë asnjë parandalim të kësaj sjelljeje në shoqëri.

Ndaj duhet të ndërhyjmë edhe me metoda të tjera për ta parandaluar korrupsionin, duke ndërgjegjësuar njerëzit, duke përdorur kontrollin e drejtuesve veçanërisht në institucionet publike, duke zbatuar masa të ngutshme për kontrollin administrative për të identifikuar sjelljen korruptive pikërisht në çastin kur ajo ndodh.

Pra, kur kalojmë nga sistemi gjyqësor te lufta kundër korrupsionit brenda vetë sistemit gjyqësor, vendi që ajo zë është vetëm tre për qind.

Por nëse kjo luftë kundër korrupsionit zbatohet edhe në anën tjetër të sistemit në sektorin e administrates ajo merr përmasa vigane, sepse lufta kundër korrupsionit është në të vërtetë administrim i mirë publik.

Prandaj, nëse flasim për mirëqeverisje, për administrim të mirë publik, dhe vendosim një kulturë organizimi që nxit etikën dhe zbatimin e rregullores në sektorin publik, pak nga pak rastet e korrupsionit që përfundojnë në sistemin gjyqësor, do të pakësohen akoma më shumë.

Mendoj se ky duhet të jetë synimi për përmbushjen e mirëqeverisjes dhe jo vetëm të përqendrohemi tek identifikimi i korrupsionit dhe lufta kundër tij, sepse tek ju do të ndodhë ajo që ngjau në Rumani ku brenda rreth 10 vitesh, do të shfaqen politikanë që do të ndihen të kanosur nga sistemi gjyqësor dhe do të mundohen të ndryshojnë përsëri ligjet për të “tretur” aftësinë e gjyqësorit për të ndjekur penalisht dhe për të dënuar politikanët. I gjithë ky proces duhet projektuar në mënyrë të tillë që të funksionojë në periudhë afatgjatë. Dhe me periudhë afatgjatë unë nënkuptoj të paktën 30 vite.

D.R -Cili ishte produkti përfundimtar i kësaj reforme në Rumani? Përfundimisht, çfarë arritët?

Mendoj se arritja më e rëndësishme është fakti që 7 mijë apo 8 mijë gjyqtarët e këtij vendi tani e kuptojnë që janë të pavarur, që nuk kanë pse t’i nënshtrohen vullnetit të politikës, që s’janë të detyruar të përgjigjen në telefon kur i telefonon një politikan.

Kjo u bë tepër e qartë veçanërisht këtë vit kur ndryshimet e propozuara për ligjet e tanishme hasën kundërshtimin e forte të rrethit të gjyqtarëve. Nga afro 7000 gjyqtarë dhe prokurorë në mbarë vendin, 4000 mijë prej tyre nënshkruan një peticion ku kërkonin që propozimet për ndryshimin e ligjeve të riktheheshin te grupi i punës që i përpiloi dhe të fshihej dispozita që do të cenonte pavarësinë e sistemit gjyqësor apo parimin e ndarjes së pushteteve.

Mendoj se kjo është arritja më e rëndësishme e reformës. Pas më se 15 vjetësh kemi një rreth gjyqtarësh dhe prokurorësh që e kuptojnë vlerë e pavarësisë institucionale përfshirë edhe përgjegjësinë që shoqëron këtë mëvetësi dhe që kanë guximin e duhur për të pohuar fuqimisht këtë pavarësi përballë politikanëve./Dritare.net

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.