POLITIKË

“Ja pse Shqipëria është gati për hapjen e negociatave me BE-në”

10:35 - 12.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ambasadori i Austrisë në Shqipëri Johan Sattler, i ftuar në emisionin PASSPORT flet për raportet politike ekonomike mes 2 vendeve dhe procesin integrues në BE.




Ambasadori Sattler thotë se ka ardhur moment që Shqipëria të hedh hapin tjetër që lidhet me hapjen e negociatave me BE në 2018, por e rëndësishme është të vijohet me zbatimin e reformës në drejtësi.

Reforma në drejtësi për diplomatin austriak, do të sjellë një ndryshim rrënjësor për njerëzit e thjesht por edhe biznesit.

Ambasadori Austriak ndalet edhe te klima e të bërit biznes duke e vlerësuar si problematike për shkak të korrupsionit që është i lidhur me mungesën e një sistemi gjyqësor të pavarur,  fenomen i përhapur gjerësisht edhe në rajon.

Viti tjetër, 2018-ta, do të jetë mjaft i rëndësishëm për sa i përket rrugës së Shqipërisë drejt BE-së, mendoni se do të hapen negociatat e pranimit me EU dhe a do ta mbështesë Austria Shqipërinë?

“Përgjithësisht jam një person mjaft optimist, prandaj përgjigja ime është po, ne mund të hedhim hapin tjetër, 28 vendet do të vlerësojnë progresin, Shqipëria e di se do të vlerësohen puna dhe performanca në sektorë të ndryshëm si sundimin e ligjit, në luftën kundër krimit të organizuar, si edhe në disa sektorë të tjerë, dhe atëherë mendoj se do të ketë një mundësi të  mirë për të hedhur hapin tjetër.

Duke qenë se kam pasur kënaqësinë të punoj për një periudhë kohe edhe në shtete të tjera të rajonit, avantazhi i Shqipërisë në krahasim me shtete të tjera të rajonit është se nuk ka probleme me strukturën shtetërore, nuk ka probleme mes etnive të ndryshme dhe me e rëndësishmja, Shqipëria nuk ka problemin e dilemës Lindje- Perëndim.

Shqipëria ka një orientim të qartë drejt perëndimit. Mendoj se ky është një avantazh i madh, i cili unë mendoj se gjithashtu do ta ndihmojë Shqipërinë. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, mendoj se keni mjaft njerëz energjikë, pra ka mjaft njerëz energjikë të cilët dëshirojnë ndryshimin, që dëshirojnë që vendi të zhvillohet për hir të fëmijëve të tyre, dhe ky është një vend që ka potencialin të zhvillohet”.

Kam një pyetje tjetër që është e lidhur me pjesën e fundit të përgjigjes, si e vlerësoni klimën e të bërit biznes për kompanitë e huaja? A ka të bëje kjo me atë që ju përmendët, se këtu nuk kanë investuar firma të  mëdha, sidomos për sa i përket bregdetit?

“Përmes studimit te tregut, ju mund të lexoni në lidhje me këtë  studime të tregut që bëhen nga organizata perëndimore të biznesit, duke  pyetur anëtarët, si është, si ju duket klima e biznesit, cilat janë avantazhet dhe disavantazhet. Panorama e paraqitur, për të qenë të ndershëm, nuk është aq e mirë. Ajo tregon se është e vështirë, sidomos për bizneset e vogla apo mesatare, për të futur këmbët në tregun shqiptar, është problemi i korrupsionit, por ky problem nuk është vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Ajo që i vështirëson gjërat më shumë është një lloj paparashikueshmërie dhe kjo ia vështirëson gjërat sidomos bizneseve më të vogla. Dhe këtu është e rëndësishme nëse flasim për sektorin e drejtësisë, pasi me reformën në drejtësi do të ketë më shumë besueshmëri, në mënyrë që këto kompani të kenë një mundësi, që nëse  shkojnë në gjykatë do të kenë një proces gjyqësor të ndershëm, gjë që për fat të keq sot në shumë raste nuk ndodh”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.