KULTURË

Marsela Lena/ Kur artistët shqiptarë shkëlqejnë në skenën greke

10:27 - 12.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Miho GJINI




 

Në tablonë e trishtuar të artistëve shqiptarë që sot shkëlqejnë në skenat e botës, është edhe aktorja jonë Marsela Lena, që sjell krenari me talentin dhe performancën e saj përpara një publiku të huaj. U mësuam tashmë me këtë realitet paksa të hidhur, duke u mburrur vetëm me faktin se janë pikërisht artistët tanë që kanë vajtur në Europë më përpara se të vejë shteti i tyre, bile më përtej kontinentit të vjetër, deri në atë më të largëtin e më të lakmueshmin që ka bota!
Një prej tyre është edhe aktorja Marsela Lena, e cila u përgatit në shkollën e skenën shqiptare, që shkoi në Greqi pas të shumtëve, bashkë me familjen, duke u shkolluar edhe aty e paralelisht, pa e harruar pasionin për skenën, derisa të evidentohej rishtazi. Dhe e rrëmben menjëherë Teatri Kombëtar i shtetit fqinj për aftësitë e potencialin e vet artistik, si edhe për tingëllimin e pastër të gjuhës të fqinjëve shekullor, me të cilët e gjejmë dhe nuk e gjejmë dot gjuhën e përbashkët!
I kam ndjekur me admirim të shtatë rolet e saj në teatrot e shumta të rrugicave të Athinës e deri në teatrot e mëdha të kryeqytetit dhe kam parë i ngazëllyer që publiku grek e ka duartrokitur dhe është ngritur në këmbë me veneracion e me brohoritma përpara talentit sugjestiv të Marsela Lenës nga “guri i thatë” i Leskovikut. Dhe ata, e quajnë tani “të tyren” Marselën, studenten e Birçe Haskos, i cili 40 e ca vite të shkuara qe studenti im në shkollën e lartë shqiptare të aktrimit.


Ja që ndodh edhe kështu!
Së fundmi, s’ka pak mbrëmje që ajo më ftoi të shikoj rolin e saj të ri ne Teatrin “Diana”, që ndodhet në zemrën e Athinës, në afërsi të sheshit të Kushtetutës (Sintagma), ku ngrihet edhe parlamenti grek, i ndërtuar nga Zhapajt e Lunxhërisë, pak më tej parkut të tyre të madhërishëm (Zapjo). Dhe këtu do të shkëlqejë me një rol jo protagonist (!), me personazhin e shërbëtores Luçie, në dramën-satirë të Eduardo de Filipos “Filomena Marturano”. Marsela evidentohet këtu midis një trupe aktorësh me përvojë të madhe, e barabartë me ta, por në fundin e spektaklit, kur ajo doli në avanskenë për të përshëndetur publikun, do të fitonte zjarrin e duartrokitjeve (!), pa e ditur askush në sallë se aktorja në fjalë ishte shqiptarja Marsela Lena, një vajzë e thjeshtë, me tipare tepër të zakonshme, e cila as që ta mbush syrin e mendjen për aktore e të të tërheq vëmendjen!
Çfarë po ndodh kështu?!
Përpos të vërtetës së madhe se, atë që nuk e bëjnë dot menjëherë politikanët e diplomatët, e arrijnë artistët me talentin e tyre të padiskutueshëm. Krijohet kështu ajo që quhet “ura shpirtërore” dhe që ka të bëjë me logjikën e gjërave e me rrëmbimin e zemrave. Si dikur fenomeni Aleksandër Moisi, që i bëri italianët ta quajnë “të tyre”, gjermanët e rusët po ashtu, kur një mbret si ai i yni, në shkëmbim të shtetësisë që kërkoi shqiptari e aktori më i madh i botës, s’kishte çfarë t’i ofronte veç ceremonialistin e oborrit! Po ja se si vjen edhe paradoksi i radhës: regjisori i famshëm grek Niko Mastoraqi, i njohur si i tillë në skenat e Europës, i thotë atit të Marsela Lenës kështu: “Bija juaj, këndej e tutje do të jetë edhe bija ime!”. Regjisori tjetër grek Stamatis Fasulis vëren me kënaqësi se si Marsela e krijon rolin e vet me lehtësi, duke ndërtuar një figure artistike që “kërcet” mbi ansamblin e aktorëve të tjerë, për nga transparenca e magjishme e aktrimit. Gjithashtu, interpretuesja e rolit të Filomenës, Eleni Randu, e cila sot ne Greqi ka pushtuar serialin më të gjatë televiziv të vendit të vet, njëherësh edhe pronare e teatrit “Diana”, e quan si një privilegj që e ka thirrur në teatrin e vet Marselën tonë dhe që interpreton përbri saj.
Po ku qëndron vlera, forca interpretuese dhe rrezatimi i performancës së aktores Marsela Lena?
Mendoj se ajo është një nga ato artiste që di të krijojë edhe nga hiçi, edhe nga një rol i heshtur e pa fjalë, edhe nga një personazh episodik e kalimtar, sikundër di të realizojë edhe rolin e madh. Në spektaklin e mëparshëm “Të huajt”, ajo interpreton dy role në të njëjtën shfaqje, që ishin krejt të kundërt me njeri-tjetrin. Këtu, tek “Filomena Marturano” interpretoi përsëri dy role, që ishin, po ashtu, dy karaktere krejt të kundërt: shërbëtoren Luçie dhe prostitutën pa emër, që ishte një krijim regjisorial. Realisht, edhe Luçia nuk zë shumë vend në veprën e Eduardo de Filipos dhe shfaqet në sheshin skenik sa herë që e thërresin të zotët e shtëpisë për të kryer ndonjë punë. Po ama është prezente tek një banesë e kamur, tek një zotëri të pasur napolitan si Domeniko, hokatar e kurvar i “orës së parë”, që mbetet më së shumti nëpër bordellot e vendit të tij të pasluftës, i cili ndërkohë do të dashurohet me putanën kryesore, me Filomenën dhe që më pastaj do të bëhet edhe bashkëshorte e tij!
Po detyra jonë, ajo e kritikut, nuk është që të merremi me subjektin e kësaj vepre tepër të njohur të Eduardo de Filipos, e cila sfidon aq bukur, me mjeshtri të rrallë, prostitucionin në vendin e tij, po edhe kurvërimin e njerëzve të ligjit e atyre të kishës, po të ndalemi tek aktorja Marsela, që loz një shërbëtore të mençur, hokatare e fort të zhdërvjellët, gati të huajtur nga “Comedia del Arte” e teatrit të rrugës, së Rilindjes Italiane. Luçia e Marselës, aq e ngjashme me Pulçinelën, është figura tipike e shërbëtoreve gazmore të kësaj plejade, sikundër ishte Arlekini, Kolumbina dhe të gjithë personazhet e vulgut në veprat e Shekspirit, me gaztorët e lolot e pafund, apo te Molieri frëng e Goldoni italian, për të ardhur deri tek De Filipos e Dario Fo. Nuk është puna që Luçia-Lena shfaqet këtu e plotë si personazh karakteri, me tiparet e një shërbëtoreje të varfër, që s’ia ha “qeni shkopin”, po ajo do t’i veshë asaj edhe tiparet e gruas revolucionare, e cila sjell këtu revoltën e rrugës, të miletit, duke i sfiduar këta njerëz që s’dinë si ta “prishin paranë”. Marsela, me një portret komik e plastikë tepër të zhdërvjellët, rrëshqet nëpër skenë, herë duke kënduar “bandjera rosa”, herë duke i tallur me radhë bukëshkalurit, herë duke kërcyer tarantelën si një napolitane e thekur.
Ja se si do të dalësh nga një shfaqje, sikundër i themi ne: “i ngopur”, në një dramë-satirë, prej një interpretimi fort të pasur, që denoncon artistikisht, ashpër e me lezet, borgjezinë e re, që regjia e Fasulis e afron me realitetin bashkëkohës dhe publiku nuk do të ndjente më se është në teatër (fal edhe një skenografie të shkëlqyer, në funksion të veprimit të pandërprerë të aktorëve interpretues), po në rrugën e madhe të jetës reale, në krijimin e radhës të aktores tonë Marsela Lena, e cila do të na lerë në fytyrë edhe gjurmët e lotëve, pas atyre të qeshurave që na dhanë me bollëk përmes skenës së Teatrit “Diana”.
* * *
E megjithatë se ç’kemi një ndjesi të hidhur që edhe kjo artiste e talentuar, ka ikur nga Shqipëria, për ta zhvilluar me tej ëndrrën e saj krijuese. Në bisedat që bëhen zakonisht pas shfaqjeve nuk kam mundur të mos ia them Marselës tonë se këto performanca dinjitoze në vendin fqinjë, i takojnë së pari përgatitjeve në shkollën e aktrimit e të interpretimeve në skenën shqiptare. Ajo përlotet dhe më thotë, jo pa i dhembur shpirti se, nuk është kaq e lehtë të jetosh, të kërkosh veten tënde e të debutosh në skenën greke, kur nuk njihja askënd. Me teatrin shqiptar kam kujtimet e mia, role te rëndësishme dhe vlerësimet e ngrohta që më janë bërë, çmime të para nëpër festivale dhe një çmim të parë nga revista KULT, në një kohë me Robert Ndrenikën e madh. Por më tej, e ndjeva veten si në një cikël të mbyllur. Më duhej të prisja gjatë, pranë një teatri qendror që kishte vetëm 36 vende pune e më duhej të “vrisja kohën” nëpër stolat e kafenetë e pedonales, bashkë me dhjetëra aktorë të pashpresë që prisnin t’u vijë radha të dilnin në skenë në ato dy-tre teatro që ka kryeqyteti ynë i dashur! Apo që të duronim sa të vinte ndonjë regjisor i huaj, të kujtohej ndonjë kompani private që duken fort rrallë, a të behej papritur ndonjë film, që dukeshin sikur binin nga qielli! Dhe ëndrra ime nuk e kalonte cakun e ëndrrës. Nga të përplaset i gjori aktor, kur edhe shkolla e lartë e aktrimit, nxjerr pa reshtur mijëra të tillë, pa asnjë studim në perspektivë! Edhe ato shfaqje të bukura që bëhen i mbyll sipari i një planifikimi po kaq absurd, që s’di se kush e ka vendosur! Nuk mund të pranohet ky realitet tepër i ngushtë, kur edhe në ato pak shfaqje teatrore që bëhen jepen shpesh të njëjtat shfaqje, ku edhe ata dy-tre kritikë profesionist që kemi ne, as që i ftojnë e as i paguajnë, edhe pse e dinë, që pa kritikë nuk mundet të mendohet një teatër serioz, duke bërë vazhdimisht shfaqje e duke i lëvduar ato nëpër gazeta po ata administratorë teatrosh që i realizojnë! A nuk eshtë mjerim?! Prandaj, i dashur profesor, vazhdon të më shohësh ende këtu në Greqi, ku edhe pse kaloi një krizë të thellë, teatrot e saj nuk i mbylli. Ato mbijetuan e gëlojnë më qindra, edhe nëpër rrugicat e pafundme, pranë njerëzve që e duan këtë institucion human, që nga lashtësia e njerëzimit. Kështu që më duhej të ikja e të hapja këtu një cikël të ri për krijimtarinë time, për ëndrrat e mia të ndërprera, po pa ia ndërprerë vetes edhe ëndrrën e rikthimit në vendin tim.
Dhe paskëtaj, Marselës nuk i duhet më që të presë e as të vrapojë më për të gjetur teatrin e rolin e saj të ri, por u takojnë regjisorëve ta kërkojnë Marselën tonë e t’i luten që ajo të interpretojë në teatrot e tyre e ta quajnë edhe artisten “e tyre”! Kaq…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.