EKONOMI

MASR: Tekste falas për 240 mijë nxënës të fillores. Albana Vokshi: Projekti të shtrihet deri në klasën e IX

10:21 - 12.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza DURO




 

Bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit, plot 240 mijë nxënës të arsimit fillor në vend do të përfitojnë tekste shkollore falas për vitin e ardhshëm mësimor 2018-2019. Për ta vënë në jetë këtë nismë, qeverisë do i duhen rreth 5 milionë euro, në një kohë që MASR parashikon disa ndryshime në ligjin parauniversitar në lidhje me këtë. Por nuk kanë munguar kontestimet nga radhët e PD që kërkojnë teste falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, ashtu siç e kishin parashikuar në amendamentin e tyre të dorëzuar në Kuvend disa kohë më parë. “Llogarisim 180 mijë familje, ku secila familje shqiptare ka 2-3 fëmijë. Mendoni se më shumë se 500 mijë fëmijë në vend të mund të sigurojnë librat dhe tekstet shkollore. Mundëson pra, një produkt pozitiv në arsimin parauniversitar, duke i ardhur në ndihmë familjeve shqiptare në një moment shumë të vështirë ekonomik në të cilin ndodhet vendi”, – u shpreh Albana Vokshi, deputete e PD. Më tej, edhe Shezai Rrokaj, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se dhënia e librave falas është një detyrim moral ndaj fëmijëve. “Ne duhet të dalim kryelartë si grup, të gjithë bashkë, pa dallim PS, PD apo LSI. Këta janë fëmijët tanë dhe kjo është një çështje morali dhe detyrimi. Është një çështje ligjore, pra ose do jemi me ligjin që e ka përcaktuar vetë PS dhe kemi qenë dhe ne bashkë me strategjinë, ose ne të themi që do bëjmë “sikur”. Unë nuk kam marrë mandatin për të bërë “sikur” këtu,”-u shpreh Rrokaj. Gjithashtu, LSI kërkoi nga Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë, një raport të plotë e të detajuar për gjendjen e shkollave pas përmbytjeve që përfshinë vendin disa ditë më parë, madje kërkuan që të lidheshin negociata me shtëpitë botuese për të siguruar libra falas për nxënësit që humbën tekstet mësimore.

Tekstet falas
Propozimi për tekstet shkollore falas, ka ardhur fillimisht në formën e një amendamenti të dorëzuar në Kuvend nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike disa kohë më parë. Më tej, Ministria e Arsimit e vuri në jetë këtë propozim, kur në buxhetin e saj përfshiu edhe dhënien e teksteve falas për nxënësit nga klasa e 1 deri në të 4-ët si dhe për kategoritë e veçanta. Por klasat e 5-ta janë lënë jashtë këtij projekti pasi sipas MASR po bëhet ndryshimi i kurrikulave. Ky vendim i Ministrisë së Arsimit mbi tekstet falas, shkaktoi debate të shumta nga radhët e PD-së që e konsideruan këtë program të prezantuar nga ministrja e MASR si një plagjiaturë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.