EKONOMI

Zgjedhjet te Histori-Filologjia në “gjyq”, ende pa dekan fitues. Majlinda Keta: Konstatuam parregullsi gjatë procesit

11:10 - 12.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Voltiza DURO

 

Ende nuk ka një fitues zyrtar për pozicionin e dekanit në Fakultetin e Histori-Filologjisë, pas zgjedhjeve të zhvilluara 5 ditë më parë. Rezultati mes kandidatëve ka qenë i ngushtë dhe nxirrte para prof. Sabri Laçin kundrejt Aljula Jubanit me vetëm 0.14% më shumë vota. Pas kësaj, Komisioni Institucional Zgjedhor vendosi që të dërgojë për verifikim drejt Ministrisë së Arsimit këtë rezultat, duke mos shpallur një fitues zyrtar. Ndërkaq, MASR do të interpretojë nëse 0.14% mund të konsiderohet si një votë më shumë, duke e vendosur Laçin zyrtarisht në krye të FHF, apo mund të vendosë që rezultati i këtyre zgjedhjeve është një balotazh pa fitues. Procesi zgjedhor për postin e dekanit në këtë fakultet është shoqëruar me parregullsi e kontestime të shumta nga të dy kandidatët. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, kryetarja e Komisionit Institucional Zgjedhor, Majlinda Keta, bën me dije se zgjedhjet nuk janë realizuar në kushte normale dhe janë shoqëruar me parregullsi. Më tej, ajo bën me dije se administrata dhe autoriteti i këtij fakulteti nuk kanë përmbushur detyrimet e përcaktuara gjatë këtij procesi. Keta thekson se ka ardhur koha që zgjedhjet në universitete të paraprihen nga një kodifikim maksimal ligjor dhe etik.
Pas zhvillimit të zgjedhjeve për dekanin e Histori- Filologjisë ka pasur kontestime nga të dy kandidatët për tentativa për manipulim. A kanë ardhur ankesa drejt KIZ?
Ka një KIZ që brenda afateve ligjore të rregullores së ministres ka pritur ankesat dhe i ka dhënë përgjigje. Në asnjërën prej tyre nuk ka pretendime për manipulime, por për parregullsi.
Ku janë konstatuar këto parregullsi?
Edhe si kryetare e KIZ, por edhe nga raporti i dalë nga KZF e fakultetit (kërkuar nga ne për shqetësimet e deklaruara nga konkurrentët) vërtetohen parregullsi në procesin zgjedhor. Shkeljet janë kryesisht mospërmbushje e detyrimeve që administrata dhe autoriteti i FHF nuk ka përmbushur për dokumentacionin zgjedhor apo kushte normale të ditës së zgjedhjeve. Një tjetër shkelje është konstatuar edhe në zbatimin e detyrimeve që vendimi i KIZ i jepte kur ndërpremë në orën 2.30 të mëngjesit daljen e rezultatit si pasojë e një situate të tensionuar mes individëve që nuk ishin të akredituar nga KIZ me anëtarët e KZF që po punonin për rezultatin.
A u ofruan kushte sigurie për Komisionin Zgjedhor të Fakultetit gjatë procesit të zgjedhjeve?
Administrata dhe autoriteti drejtues në Fakultetin e Histori-Filologjisë nuk i krijuan kushte sigurie dhe normaliteti punës së KZF. Këtë e kanë raportuar edhe anëtarët e KIZ të stazhuar në ditën e zgjedhjeve në atë fakultet.
Kur do të shpallet rezultati final mbi fituesin e zgjedhjeve për postin e dekanit?
Rezultati do të dalë në afatin kohor. Sot, ligjërisht në 4 fakultete të tjera ka përgjegjës departamentesh të dala nga këto zgjedhje dhe nga një proces model i siguruar nga KZF, dekanët dhe administrata atje. Gjithashtu, kemi edhe një përgjegjës departamenti të Gjuhës Shqipe tek Fakulteti i Histori-Filologjisë, të ardhur me një proces me standarde.
Çfarë duhet të përmirësohet në procesin zgjedhor në universitete?
Ka ardhur koha që zgjedhjet në universitete të paraprihen nga një kodifikim maksimal ligjor dhe etik. Së pari, të respektohet maksimalisht parimi i konfliktit të interesit për të gjithë ato që vullnetarisht aplikojnë të jenë anëtarë të KZF, QV dhe KIZ. Së dyti, ato që vendosin të kandidojnë të zotërojnë ligjin e Arsimit të Lartë, rregulloren e zgjedhjeve me anë të cilave të vetëkodifikohen ligjërisht për atë që kërkojnë e shprehin ndaj votuesve dhe strukturave të menaxhimit të zgjedhjeve. Së treti, kandidatët konkurrentë kur janë autoritete drejtuese në periudhën zgjedhore të limitohen nga vendimmarrje pushteti, që bien ndesh me mundësinë e një vote të lirë.
Çfarë do të sillte ky limitim ndaj kandidatëve?
Ky limitim do të përjashtonte korruptimin e votës akademike dhe studentore dhe do të mundësonte që procesi zgjedhor të kishte standarde ligjore dhe etike. Kjo, edhe larg komunikimeve verbale dhe joverbale, institucionale dhe publike, në shkelje të rregullores së zgjedhjeve, pasi janë nën përgjegjësi të integritetit të Universitetit Publik, nën përgjegjësi të të qenurit akademik dhe edukator i demokracisë për brezat e rinj.

Sabri Laçi

U bënë përpjekje për manipulim të procesit
“Mund të them se procesi i votimit për dekanin e Fakultetit të Histori-Filologjisë ishte një proces i vështirë e me probleme të panevojshme. U bënë përpjekje për manipulim, për trysni ndaj stafit dhe vetë studentëve. Gjatë këtij procesi pati shkelje të herëpashershme të rregullores. Vlen të theksoj një tjetër shkelje të rëndë, që ishte mosdhënia në mënyrë të qëllimshme e fletës së saktë të votimit njërit prej zgjedhësve, me synim deformimin e rezultatit përfundimtar të votimeve. Dhe u insistua fort që kjo fletë votimi të konsiderohej e pavlefshme”, – u shpreh Sabri Laçi për “GSH”.

Aljula Jubani

“Presion ndaj studentëve e pedagogëve”
“Komisioni Zgjedhor i Fakultetit nuk shpall fitues, por shpall rezultate. Sipas rregullores, fituesi shpallet me një votë më shumë, por 0.14% nuk përbën një votë. Këto parregullsi kanë filluar që në fushatën zgjedhore e janë pasuar edhe në ditën e votimit. Ka pasur një imponim ndaj studentëve dhe presion nga pedagogët. Këto shkelje unë i kam përcjellë në Komisionin Zgjedhor Institucional dhe të presim që gjërat do të sqarohen. Unë mendoj që duhet të respektojmë procesin, të përfundojë dhe pastaj të mund të themi se si janë të gjitha detajet”, – tha Jubani për “GSH”.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.