KULTURË

Liceu kombëtar i Korçës, përkujtohet në 100-vjetorin e tij

09:56 - 13.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ata që u diplomuan në liceun francez të Korçës, e më tej se kaq, do të krijonin një oaz të intelektualizmit shqiptar dhe të vetë kulturës franceze në Shqipërinë e viteve ’30”. I këtij mendimi është drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, i cili referoi një kumtesë në përkujtim të 100-vjetorit të themelimit të liceut francez. Sipas tij, arsimi e gjuha ishin një nga shtyllat themeltare të ndërgjegjes kombëtare e në këtë drejtim, padyshim që Liceu Kombëtar i Korçës, që përndryshe njihej dhe si “liceu francez” dha një kontribut të çmuar. Në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar u organizua veprimtaria “Një pasdite në muze” me temë: “Liceu Kombëtar i Korçës dhe roli i tij në shoqërinë e kohës – 100-vjetori i hapjes së Liceut Kombëtar të Korçës”. Kjo veprimtari u shoqërua edhe nga kumtesa të tjera, ajo e prof. as. dr. Ermal Baze, pedagog në fakultetin e Histori-Filologjisë dhe e Spiro Nikës, specialist pranë Sektorit të Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar. Prof. as. dr. Ermal Baze në kumtesën e tij u përqendrua më shumë në situatën politike të viteve të Luftës së Parë Botërore, kohë kur Shqipëria ishte me probleme të mëdha, por kohë gjithashtu kur u gjet mundësia që të niste dhe funksiononte edhe një shkollë e mesme e përgjithshme. U quajt “liceu francez”, pikërisht sepse treva e Korçës e më gjerë ndodheshin nën ndikimin e ushtrisë franceze të dislokuar gjatë atyre viteve edhe në territorin e jugut të Shqipërisë. Ekspozeja e përgjithshme e situatës politike dhe kulturore në vitet e Luftës së Parë Botërore deri në vitin 1939 kur Liceu Kombëtar i Korçës përfundoi së ekzistuari, u bë nëpërmjet tri kumtesave, ajo e dr. Dorian Koçit, prof. as. dr. Ermal Bazes dhe specialistit Spiro Nika. Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në Muzeun Historik Kombëtar në bashkëpunim me sektorë të tjerë organizon këto takime periodike, me qëllim sensibilizimin e shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze” ka për qëllim ngjizjen e një debati profesional në disiplina të ndryshme.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.