KULTURË

EKSPOZITA ONUFRI/ Në fill të kohës – kujtesë kolektive, kujtime personale

10:23 - 15.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




 

Për mua, fundi simbolizon feminitet, bukuri, brishtësi… gruan, e thënë thjeshtë. Këto elemente gjithmonë lidhen me fundin. Gjithashtu, mënyra se si shoqëria i percepton të mbijetuarit e dhunës seksuale është si ‘ne’ dhe ‘ata’, dhe për mua duhet të jemi një. Prandaj u kërkova jo vetëm të mbijetuarve (të dhunës së kohës së luftës) që të japin funde, por çdo grua, dhe në mënyrë ideale edhe çdo burrë, për të kontribuar në këtë instalacion. Titulli është ‘Mendoj për Ty’, është për të na bërë të gjithëve që të mendojmë për ta”, – Alketa Xhafa-Mripa.

“Ekziston një apo shumë kujtime kolektive? Dhe kush i formon ato? Dhe sa kujtime personale preken nga ngjarjet e historisë? Është e panevojshme të mohohet se në këtë pjesë të botës ngjarjet historike kanë hyrë shumë në jetën e popujve”. Mbi këto pyetje ngrihet koncepti kuratorial i ekspozitës dhe konkursit të përvitshëm “ONUFRI XXIII” në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kuruar nga Gaetano Centrone, ekspozita titullohet “AU FIL DU TEMPS – Kujtesë kolektive, kujtime personale”.
Centrone vëren se për zgjedhjen e titullit është kërkuar një shprehje e mrekullueshme të gjuhës frënge: Au fil du temps. Në italisht, për shembull, mund të përkthehet me kalimin e kohës, por fjalë për fjalë ka bukurinë e saj në versionin origjinal: në fije të kohës. Një fije që ngjit historinë me histori personale, duke shtyrë nga lart me zërat e ndryshëm polifonikë të një tregimi. Aktualiteti i së tashmes, historia në sfond.
Galeria Kombëtare e Arteve njofton se ekspozita çelet më 20 dhjetor, ora 18:00.


EMRAT PJESËMARRËS
Ekspozita ofron një itinerar ekspozues, që zhvillohet në dhomat dhe ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Janë dhjetë artistë pjesëmarrës, që vijnë nga gjashtë vende; të gjithë të lindur në vitet ‘70 dhe ‘80 dhe me një CV të pasur ndërkombëtare: Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa, Fani Zguro.
Disa janë emra të njohur për publikun shqiptar, si Fani Zguro veçse artist i njohur, vitin e kaluar ka qenë kurator i ONUFRI-t, fitues i ONUFRI-t dhe vitin që shkoi ishte edhe fitues i çmimit “Muslim Mulliqi” në Kosovë.
Po prapë në zë edhe Ballazhi, vjen në këtë konkurs, pasi vetëm 2 javë më parë ekspozoi për Natën e Bardhë. Më herët ai fitoi në Shqipëri konkursin për logon e festimeve të 100-Vjetorit të Pavarësisë. Ka qenë kurator në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Leonard Qylafi është një artist i ri, që ka pasur sukses në skenën artistike. Me projektin e titulluar “Ndodhi në kohën e tashme”, ai përfaqësoi Shqipërinë ne Bienalen e Venecias këtë vit.
Për punët e artistes kosovare, Alketa Xhafa Mripa ka shkruar edhe “The Guardian”. E bija e artistit Xhevdet Xhafa dhe motra e artistit Sislej Xhafa, Alketa ka realizuar disa punë artistike, që kanë marrë vëmendje ndërkombëtare për thjeshtësinë e mesazhin e përcjellë mbi refugjatët e luftën, duke ekspozuar edhe në “London British Museum”. Një projekt i saji mbresëlënës ishte ai kushtuar grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Projektin “Mendoj për ty” me rreth 5 mijë fustane të mbledhura e të nderura në një fushë, si një homazh për gratë e dhunuara, ajo e pat shpjeguar kështu “Ende ka shumë gra që jetojnë me dhimbje që e mbajnë në vete, s’e kanë treguar ende përjetimin e tyre”. Pjesëmarrja e saj në këtë ekspozitë dhe angazhimi i saj në projekte që përfshijnë Shqipërinë është fat.
Jelena Tomasevic (Malazeze) ka përfaqësuar Serbinë dhe Malin e Zi në Bienalen e Venecias në vitin 2005 me projektin “The Eros of Slight Offence”, mes disa bienalesh rajonale.
Ndërkaq, hulumtimi artistik i Calixto Ramírez duket se përfshin më së miri arketipa të nomadizmit artistik dhe koincidencën e plotë midis jetës dhe procesit krijues. Pasi kaloi disa vjet duke udhëtuar mes Amerikës dhe Evropës, duke krijuar vepra që mund të futeshin në një valixhe, Ramírez qe vendosur në Romë njëfarë kohe.
Vangjush Vellahu (1987), sipas CV-së së publikuar prej vetë atij në uebsajtin e vet, ekspozon për herë të parë në Shqipëri që sikundër Adi Haxhiaj (1989) janë emra të rinj në skenën e artit pamor vendës.
Ndërsa për Koja – nuk gjen informacion, Perino & Vele (1973-1975) janë artistë që kanë ekspozuar në Itali prej 1997-ës.
Kuratori Centrone përpiqet, thotë njoftimi iu GKA-së, shpërndarë mediave – me aq sa është e mundur, për të gjetur një emërues të përbashkët që bashkon përvojën e shumicës mes artistëve shqiptarë, sepse filloi prej tyre në këtë hulumtim, që dëshiron të jetë aktual dhe ndërkombëtar. Pas shumë studimesh, ai doli në konkluzionin se historia mbizotëron në punën e tyre. Por, kuratori nuk ka qëllim të ndërtojë një ekspozitë politike (kjo nuk është në planet e tij) duke qenë se ka një dallim të madh mes elementit kulturor dhe atij socio-politik. Në këtë pikë faktori kohë bëhet një element qendror. Mënyra se si koha gërryen në kokat tona dhe çfarë mbetet e konsiderohet ex-post. Dallimi midis kujtesës kolektive dhe kujtesës personale është shumë i paqartë, më shumë se sa mund të mendohet. Dhe po ashtu, dallimi mes njëjësit dhe shumësit është më kompleks se sa mund të mendohet. Ekspozita qëndron hapur deri më 30 janar 2018.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.