KULTURË

Eljan Tanini: Do protestoj gjithmonë për mjedisin dhe artin

13:55 - 09.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Elsa Doda – Mallin dhe dashurinë që ka për fëmijërinë ai e sjell përmes artit që bën. Piktura që flasin, lojcake që të lenë hapësirën për t’i interpretuar, siç ti do, Eljan Tanini i sjell në ekspozitën “Detyrë shtëpie”. Autori ka si qëllim të kthehet në fëmijëri, duke provokuar me pastërtinë e dëshirave njerëzore. Përveçse si artist atë e njohim dhe si aktivist të shoqërisë civile. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” Eljani shprehet se është atraktivist dhe se do protestojë gjithmonë vetëm për mjedisin dhe artin.




Nga data 1 prill ti ke hapur ekspozitën personale të quajtur “Detyrë shtëpie”, ku fton fëmijët ta vizitojnë me prindërit, cili është qëllimi i kësaj ekspozite?
Kështu është thirrja e ekspozitës për t’iu thënë fëmijëve që të vijnë me prindërit këtë herë, sepse është një ekspozitë që i kushtohet totalisht fëmijërisë dhe fëmijëve. Ka ndodhur që kanë ardhur dhe janë totalisht më të lumtur, dikush erdhi e pa ekspozitën me biçikletë për shembull. Është një thirrje shumë e thjeshtë për t’u kthyer gjithmonë te fëmijëria, sepse atje janë simbolikat e para të jetës. Personalisht çdo gjë që e bëj sot, e kam të ndjere nga ajo kohë, nga ato ndjesitë e para që provon.

Çfarë ka të veçantë nga ekspozita “detyrë klase”?
Përveçse këtu janë 200 punime, janë punë me këndvështrime të tjera dhe kanë fabul, ngjyra të tjera, janë më lojcake se “detyrat e klasës”, më të shumta në numër dhe kanë një tallje tjetër me kushtet që ne jetojmë. Këtë herë ka më shumë krijesa që vrasin mjedisin, krijesa që hanë dallëndyshet që s’vijnë më, ka më shumë shpendë, zogj dhe fabula groteske.

Prej sa kohësh je përgatitur për këtë ekspozite?
E kam menduar prej kohësh, kam skicuar goxha gjatë, kam ndjekur fëmijët nga afër se si vizatojnë nëpër kopshte, por është e pamundur të kopjosh stilin e tyre teksa vizatojnë, sepse kanë një lirshmëri tjetër. Është bërë prej nëntorit të vitit 2017 deri në 30 mars 2018, edhe kam qëndruar mbyllur për një kohë të gjatë, nuk kam dale nga studio apo shtëpia. Është diçka që e nis dhe duhet ta mbarosh, pasi ke dhe një kohë të caktuar që duhet të hapësh ekspozitën. Dhe i ve një qëllim vetes se në cilën datë duhet të mbarosh pikturat.

Ekspozitat e tua janë të lidhura kryesisht me fëmijërinë, si e kujton ti atë?
E kujtoj shumë të qetë, me të njëjtat ngjyra. Gjithmonë punoja pafund nëpër letra, lapustila, fletore, libra te ndryshëm, shkallet e pallatit, nëpër letrat që mbështillnim librat madje kështu kam mësuar dhe të shkruaj. Kur më thërrisnin shokët në lagje për të luajtur, unë nuk dilja kurrë pasi preferoja më shumë të pikturoja.

Si ka nisur dashuria për artin që bën?
Siç e përmenda më lart ka lindur që në fëmijëri, pa e kuptuar, por më vonë unë fillova studimet në Liceun Artistik ku fitova konkursin. Familjarët gjithmonë më jepnin trysni qe nuk do e fitoja, por ia dola, pasi besoja shumë tek vetja. Konkursi ishte 6 orë, unë e kam mbaruar pikturën për 4 orë. Ishte një shkollë që e doja. Jam lumturuar kur fitova konkursin dhe mund të them se kam atë ditë kam bërtitur më shumë se tek protestat që kam qenë pjesëmarrës (qesh). Ndryshe nga shoqëria ime unë e urreja gjimnazin, doja diçka ndryshe për kënaqësinë time. Kur isha i vogël, gjithmonë kur kaloja pranë liceut u thosha prindërve që kjo do jetë shkolla ime edhe pse nuk isha futur akoma në pikturë.

A ke një mesazh për të përcjelle me pikturat e tua?
Të gjitha pikturat kanë mesazhe të thjeshta dhe të vështira. Po të vini re tek kjo ekspozitë asnjë nga pikturat nuk ka poshtë titullin e veprës ose një shpjegim për punën. Këtë herë nuk dua të them çfarë ka dashur të thotë autori. Njësoj si tek ekspozita “Detyrë klase” i kam lënë njerëzit të bëjnë vetë ç’të duan me ekspozitën, ta shohin, kush ka pyetje mund të m’i bëjë, por nuk dua t’i josh ata me titujt e punëve të mia në këto ekspozita. Unë dua të provokoj shumë pasi edhe vendosja e tyre nuk është në një sens normal, por me hipje ngritje ndryshe, apo me hapësirë nga njëra- tjetra. Janë vendosur në këtë mënyrë për të krijuar zhurmën e brendshme dhe kënaqësinë personale qe ka në këtë rast autori.

Eljan, ti ke spikatur si protagonist i shoqërisë civile dhe pjesëmarrës në protesta të ndryshme, por tani duket sikur ke hequr dorë, sa e vërtetë është kjo?
Nuk kam hequr dorë, nuk e di se kur do heq dorë thjesht jam shkëputur. Është e pamundur t’i bësh të gjitha dhe unë si Eljan dua të plotësoj dhe kënaqësitë e mia personale. Nëse merresh me aktivizmin, është e pamundur të gjesh kohë për të punuar. Nuk jam tërhequr, por edhe të dal të bërtas për shqiptarët apo institucione që nuk ta dëgjojnë të mirën e asaj që kërkojnë unë nuk do sakrifikohem për shoqërinë ashtu siç u sakrifikova me përpara. Unë dhe shokët e mi e bëmë zhurmën tonë, e çuam deri në fund atë që donim, por njeriu ka dhe limite të veta personale. Mbi të gjitha është një sakrificë nervore dhe shëndetësore të merresh me gjëra që shqiptarët nuk reagojnë, dhe institucione të veçanta nuk bëjnë atë që duhet bërë.

U shpalle një ndër fituesit nga Bashkia e Tiranës për skulpturat dekorative për parqet e qytetit, a ishte ky një pajtim me kryetarin e bashkisë dhe arsyeja e tërheqjes nga protestat?
Unë i dhashë dorën kryetarit të Bashkisë, njeriu i parë i qytetit dhe këtë gjë e bëra për respekt ndaj institucionit. Në fund të fundit ishte një konkurs, por edhe nëse s’do ishte i tillë unë çoj në vend gjërat që dua të bëj. Ashtu siç e ka thënë dhe kryetari Bashkisë kjo nuk na pengon ne të dyve të punojmë apo të bëjmë gjëra të mira për Tiranën. Unë kam zgjedhur një rrugë tjetër, që të bej një herë në ca kohë sipas planeve të mia personale disa gjera të bukura për qytetin, flasim për vepra publike jo ekspozita që është personale apo botime të miat. Edhe kur bëra skoden, një instalacion që është vendosur te ambasada gjermane, te muri i pasmë i ambasadës ( skoda e famshme e 2 korrikut 1990) filluan njerëzit duke thënë që ja Eljani bashkëpunoi me kryetarin e bashkisë. Dhe gjithçka që dua të them është pse s’e bëri dikush tjetër para meje? Unë jam një brez gjatë viteve të fundit të diktaturës dhe e kishte në dorë ta bënte kushdo me përpara, e bëra unë, mos u anko të paktën. Domethënë ne duke kritikuar vandalizojmë atë diçka të bukur që bëhet.

Çfarë mendimi ke për protestën në lidhje me taksen e Rrugës se Kombit nga qeveria shqiptare? A duhet protestuar?
Sigurisht që duhet protestuar, nuk duhet protestuar kur të vijnë në shtëpi problemet, duhet çdo ditë në disa forma të ndryshme. Taksa është shume shqetësuese dhe uroj që edhe njerëzit nga qytete të tjera të çohen ashtu siç bënë kuksianët. Nuk ka kohë për të thënë a ishte e bukur ajo protestë apo jo. Ajo që më shqetëson mua në atë protestë është që nuk më shqetëson asgjë. Ata njerëz kanë të drejtën e tyre të reagojnë në atë mënyrë madje edhe me keq. Ajo lloj proteste bëhet në çdo vend të botës. Ajo që me shqetëson mua te protesta e Kukësit është se çohen kuksianët se u vjen në shtëpi problemi dhe nuk çohen ata që jetojnë në Valbonë për betonizimin e saj, apo ata në Vjosë apo Lagunën e Divjakës. Unë solidarizohem me ta dhe me shumë miq të mitë që janë proceduar penalisht tashmë, disa prej tyre janë njerëz të rëndësishëm si nga profesioni apo jeta e aktivizmit.

A do t’ju shohim më si aktivist të shoqërisë civile apo vetëm brenda artit?
Do më shihni prap në protesta gjithmonë alla eljance. Unë nuk jam aktivist, por atraktivist dhe çdo lloj gjëje që bëj ka një lloj rëndësie të veçantë për të gjithë ne. Unë nuk do të protestoj për gjëra të tjera që janë jashtë natyrës sime. Mund të jem kundër taksës së rrugës, por do e bëja atë që bënë kuksianët vetëm për mjedisin. Nëse do vendosej një taksë që nuk duhet për mjedisin unë do dilja i pari të luftoja. Unë do i bëj protestat e mia në formën time vetëm për mjedisin dhe për artin. Kjo është natyra ime. Tani po krijoj një grup shumë të mirë që do reagoj përmes formave të ndryshme dhe shumë interesante që nuk janë parë kurrë në Shqipëri, protesta të llojit ndërkombëtar. Është shumë e rëndësishme që kur ti proteston, protesta të ketë zgjidhje interesante dhe të kesh grupin e fortë.

Cila është kauza që ty po të shqetëson kohët e fundit?
Gjithmonë jam i shqetësuar ndaj mjedisit, mënyrës si sillemi ne me ambientin që na rrethon, me pemët, parqet natyrore, ajri tmerrësisht i ndotur, indiferenca e tepërt e njerëzve të lidhur me individualizmin e theksuar. Për më tepër më shqetëson më shumë një brez i ri i 20 vjeçarëve që nuk ju intereson fare se çfarë ndodh me botën përreth dhe, nëse vazhdon kjo lloj gjendje, siç janë ata, vendi më keq ka për t’u bërë.

Cilat janë projektet e tua pas ekspozitës?
Që pas protestave të liqenit u bëra gati 2 vjet që jam pa punë. Është e vështirë ta hapë derën dikush. Por jam marrë dhe me pasionet e mia, ekspozitat dhe punët që kam bërë. Për sa u përket planeve artistike kam menduar diçka të bukur për 1 qershorin dhuratë për fëmijët e Tiranës. Bëhet fjalë për disa skica, instalacione që dua t’i vendos nëpër Tiranë ose diku tjetër. Gjithashtu, jam duke punuar për një ekspozitë tjetër ndërkohë, që do t’i kushtohet të verdhës së fasadave të Tiranës dhe njëherësh jam duke shkruar një poemë tjetër që i kushtohet përgjithësisht baballarëve. Kam shumë plane dhe projekte në mendje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.