EKONOMI

Sokol Gjoni: Janë bërë emërime politike, jashtë portalit. 92% e mësuesve në Pukë e Fushë – Arrëz i bashkohen lëvizjes sindikale

11:00 - 15.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza DURO

 

Plot 92% e mësuesve në shkollat e Pukës e Fushë-Arrëzit kanë firmosur shkresën nëpërmjet të cilës i bashkohen lëvizjes sindikale deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Ata ngrenë zërin së bashku për nënshkrimin e kontratës kolektive, marrjen e shpërblimit të fundvitit dhe pagesën për orët shtesë. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Sokol Gjoni, kreu i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, dega Pukë, njëkohësisht edhe mësues, tregon se nuk po respektohet partneriteti social nga institucionet lokale arsimore dhe kërkesat e tyre prej vitesh nuk merren në konsideratë, madje ka raste kur injorohen. Mësuesi ngre alarmin duke theksuar se janë evidentuar raste kur emërimet e mësuesve, veçanërisht në arsimin parashkollor e klasat kolektive, janë bërë jashtë portalit e kanë qenë tërësisht politike.
Prej sa vitesh punoni si mësues në këtë shkollë?
Unë jam emëruar këtë vit shkollor mësues pranë shkollës 9 vjeçare “Pjeter Arbnori”, Fushë-Arrëz, pasi më parë kam punuar në gjimnazin e këtij qyteti, por për arsye të rënies së numrit të nxënësve u zhvendosa në ciklin 9-vjeçar. Unë jam që nga janari i viti 2016 kryetar i sindikatës së arsimit të Pukës.
Sa anëtarë ka dega e Sindikatës së Pavarur të Arsimit në Pukë? dhe cilat janë disa nga problematikat kryesore?
Dega e SPASH-it Pukë ka një numër mbi 200 anëtarë, me të cilët ne komunikojmë periodikisht, duke parashtruar diskutime dhe njohje mbi zhvillimet e ndryshme që ndodhin në sektorin e arsimit. Kemi krijuar një traditë mjaft të mirë të debatit të shëndoshë, ku secili anëtar i organizatës sonë jep ide dhe bën propozime për çështje konkrete, por e veçanta mbetet të qenit një organizatë aktive, e fokusuar në mbrojtjen e interesave të komunitetit të arsimtarëve.
Cilat janë disa nga problematikat kryesore që ngrini ju si sindikatë?
Disa nga problematikat që ngremë ne si SPASH, në Pukë janë: Mosrespektimi i partneritetit nga institucionet lokale arsimore, mosdhënia e shpërblimit vjetor, mospagesa e orëve të provimeve të lirimit dhe të maturës shtetërore, si dhe emërimet politike të mësuesve.
Ku bazoheni kur pretendoni se janë bërë emërime politike të mësuesve?
E them këtë me bindje të plotë, sepse janë bërë emërime jashtë portalit, duke anashkaluar dhe duke shkelur rëndë dispozitat ligjore. Nga ana e jonë janë evidentuar raste të emërimeve politike nëpër shkolla, por kryesisht kjo dukuri shfaqet në arsimin parashkollor dhe në shkollat me klasa kolektive.
A keni kërkuar zgjidhje nga instancat përkatëse në lidhje me këto problematika?
Vazhdimisht! Ne nuk reshtim së qeni kërkues ndaj instancave përgjegjëse, por duhet nënvizuar fakti se ndeshim vështirësi të shumta, të karakterit prepotent, e deri tek moskonsiderimi apo dhe injorimi i vazhdueshëm që i bëhet kërkesave tona.
Sa për qind e mësuesve në Pukë e Fushë Arrëz kanë firmosur shkresën për t’iu bashkuar lëvizjes sindikale?
Japim lajmin e mirë se 92 % e mësuesve të bashkive Pukë dhe Fushë-Arrëz i janë bashkuar nismës së aleancës sindikale në mbështetje të aksionit për realizimin e kërkesave të parashtruara. Çdo përpjekje vjen përmes sakrificave dhe ne jemi të vendosur deri në përmbushje të qëllimit final.
Në shkollën ku ju punoni a ka klasa kolektive?
Në shkollën time jo, sepse është shkollë qyteti. Por përjashto shkollat e dy qyteteve Pukë dhe Fushë- Arrëz, në të gjitha shkollat e tjera punohet me klasa kolektive.
A janë të përshtatshme kushtet për zhvillimin e orëve mësimore, përfshirë këtu edhe ato infrastrukturore?
Për fatin e mirë shkolla ku unë punoj është rikonstruktuar, dhe mund të pohoj se aktualisht kushtet janë optimale, por, theksoj se në disa shkolla të njësive administrative Fierzë, Iballë, Qelëz apo dhe ndonjë tjetër, ka probleme të mëdha infrastrukturore, kryesisht në gjendjen alarmante në të cilën ndodhen objektet shkollore.
Sa të kënaqur jeni me pagat?
Asnjëherë puna e mësuesit, nuk paguhet sa duhet. Ndiejmë keqardhje për mashtrimet që na bëhen vazhdimisht, duke filluar me premtimet për rritje rrogash e deri tek mosdhënia e shpërblimit vjetor.
Prej sa vitesh nuk e merrni shpërblimin vjetor?
Shpërblimi i fundvitit mbetet një nga temat e nxehta në raportet e sindikatës me dikasterin e arsimit. Çuditërisht, ky shpërblim u mohohet mësuesve prej 5 vitesh, pa ndonjë shpjegim racional, por thjeshtë përmes metodave të injorimit që mesa duket është filozofi e titullarëve të Ministrisë së Arsimit e injektuar në të gjithë zinxhirin e saj.
A do të vazhdojë beteja juaj për nënshkrimin e kontratës kolektive nga MASR?
Sa i takon kontratës kolektive, pohoj me forcë se kjo do të jetë beteja jonë e pakthimtë deri në arritjen e qëllimit final. Përtej praktikës injoruese, mosnënshkrimi dhe zvarritja e procesit të nënshkrimit të kontratës kolektive, kompromenton rëndë titullarët e Ministrisë së Arsimit në politizimin që i kanë bërë shkollës dhe arsimit në tërësi. Por do të veçoja se aleanca sindikale me kërkesat e nënshkrimit të sa mëparshëm të kontratës kolektive, si dhe të dhënies së shpërblimit vjetor për të gjithë mësuesit, si një e drejtë që iu është mohuar padrejtësisht, është në një moment deçiziv, pasi janë në lojë pikërisht interesat e mbi 35 mijë arsimtarëve në të gjithë vendin. Mendoj dhe jam i bindur se në fund do ia arrijmë qëllimit.
Cila është thirrja juaj si kreu i SPASH në Pukë, ndaj Ministrisë së Arsimit?
Do apeloja, titullarët e Ministrisë së Arsimit, për më shumë vetëdije kombëtare, pasi me politikat e ndjekura, me strategjitë implementuese, me vizionin e proklamuar mbi arsimin, po rrënojnë edukimin dhe arsimin e gjeneratave, duke formësuar një karikaturë të pashoqe të sistemit arsimor bashkëkohor. Gjithashtu, do të doja t’i kujtoja ministres së Arsimit faktin e trishtë, deri në absurd, se mbi 35 mijë arsimtarëve prej 6 muajsh punojnë në të zezë, pa kontrata pune.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. ky i zgjuari ka qe ne kohen e pd qe nuk paguan leket e artistave te pallatit te kultures puke..tani dashka edhe shperblim… njeri i paburre dhe injorant

    Përgjigju ↓