KULTURË

E-ALBANICA / Koleksionet bibliotekare në mjedisin dixhital

09:45 - 16.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E përkohshmja “Shêjzat – Pleiades” e themeluar në Romë në vitin 1957, në vijim të nismës për vlerësimin e burimeve arkivore të historisë kombëtare, organizoi dje me mbështetjen Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrisë së Kulturës dhe me bashkëpunimin e ngushtë të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, konferencën shkencore “Drita e arkivave, dritë mbi arkivat”. Në konferencë kumtuan 14 studiues, si Lucia Nadin, Italo Sarro, Persida Asllani, Ardian Ndreca, Marenglen Kasmi, Andi Rembeci, David Hosaflock etj., për kërkimet e tyre në arkivat e Vatikanit, Venedikut, në Arkivin e Shtetit, në Arkivat Ushtarake gjermane dhe italiane, në Arkivin e MEPJ, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë etj. “GSH” sjell kumtesën për gjendjen e Bibliotekës Kombëtare.




 

Nga dr. Etleva Domi – Msc. Enilda Kola

 

Kjo është një panoramë të zhvillimeve dhe të risive teknologjike që kanë përfshirë institucionet e ruajtjes së kujtesës, tempujt e dijes, duke i shndërruar ato në “urëndërtues të informacionit” së shkuar dhe të së ardhmes, fokusuar te Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Konferenca mbahet në një kohë, kur në mbarë botën, flitet gjithnjë e më shumë për procese integrimesh, kur diskutohet për “revolucion digjital”, “përmbajtje digjitale”, “ruajtje afatgjatë digjitale”, qasje të lirë në koleksione dhe burime digjitale, kur bëhen përpjekje për krijime portalesh apo implementim të risive teknologjike në shërbimet bibliotekare, kur ndërmerren nisma e projekte për përfshirje në rrjetin global të informacionit jo vetëm të bibliotekave, por edhe të muzeve e arkivave. Në epokën e kibernetikës dhe të internetit, të lirisë së informimit, krijimit të “autostradës” informatike dhe hipertekseve dixhitale, impaktet e globalizimit në biblioteka bëhen më të dukshme e më të prekshme, pasi këto institucione që tradicionalisht kanë qenë të perceptuara si “fole” konservatore të kujtesës dhe trashëgimisë, po transformohen dita-ditës nga qendra të shpërndarjes vetëm të materialeve bibliotekare, në qendra fleksible informacioni, në ura komunikimi lidhëse ndërmes publikut e dijes. Parë në perspektivën e “Bibliotekës pa mure” është i qartë transformimi i tyre nga blerës të informacionit në prodhues të tij. Prandaj edhe Borges nënvizon se “dy sekretet e qytetërimit i gjen te burimi i bibliotekës dhe i kohës”, ndërsa specialistët e sotëm të bibliotekonomisë i pohojnë vetvetes pa pushim se i shërbejnë njerëzimit, respektojnë të gjitha format që mundësojnë komunikimin e dijes, përdorin teknologjitë në mënyrë inteligjente për të shtuar shërbimet, ruajnë qasjen e lirë në dije dhe respektojnë të shkuarën dhe krijojnë të ardhmen.


NGA BIBLIOTEKA TRADICIONALE NË BIBLIOTEKËN DIXHITALE
Ka kohë që për bibliotekat kombëtare kanë rënë kambanat për kalimin nga filozofia e mbledhjes në atë krijimit të qasjes dixhitale për përdorimin e materialeve të shtypura, rol që përmbushet vetëm në botën e web-it përmes dixhitimit të koleksioneve të tyre bibliotekare dhe zhvillimit të vijueshëm të koleksioneve dixhitale. Dixhitimi dhe biblioteka dixhitale janë bërë tanimë “fjalë çelës” e shumë manifesteve/deklaratave/nismave të Komisionit e Bashkimit Europian, forumeve apo organizatave profesionale botërore, konferencave, duke hapur një univers dijeje dhe informacion të larmishëm, çfarë ka marrë përparësi, duke përbërë madje sfidën e këtij fillimshekulli.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë udhëhoqi nismën për dixhitimin e koleksioneve bibliotekare albanologjike, pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare. Si qendër e ruajtjes së botimeve me karakter albano-balkanologjik ajo numëron në fondet e saj një numër të konsiderueshëm materialesh të çmuara/vyera, si për thesarin e kulturës shqiptare, ashtu edhe asaj europiane. Të ruajtura në fondin e arkivit të botimeve shqip, antikuarit, dorëshkrimeve, hartave, si dhe të albano-balkanologjisë, ato shërbejnë si burim informacioni dhe busull orientimi për studiuesit shqiptarë apo të huaj.
Fondi i arkivit i librit shqip përfshin botime me vlera të veçanta për thesarin e shkruar të shqiptarëve, duke filluar nga botimet e para në gjuhën shqipe (shek. XVI) dhe vijuar deri në ditët tona, botuar brenda apo jashtë vendit. Përmban: vepra të figurave të shquara/personaliteteve të kulturës shqiptare, autorëve të Rilindjes sonë Kombëtare, të autorëve e studiuesve shqiptarë nga fusha të ndryshme të dijes etj. Ndërsa, në fondin e arkivit të periodikut shqip ruhen koleksionet e gazetave dhe revistave duke nisur që nga numrat e parë të periodikëve shqip.
Fondi i Antikuarit përbën një fond shumë të rëndësishëm, ku 30 % e tij ka të dhëna për Shqipërinë. Në të ruhen botime të rralla dhe me shumë vlerë të shekujve XV-XVIII, si dhe 7 inkunabula. Libri më i vjetër i këtij koleksioni i përket vitit 1473, me të dhëna edhe për Shqipërinë. Në këtë fond ndodhen në origjinal veprat para në gjuhën shqipe, veprat e humanistëve shqiptarë të shek. XVI. Pjesë e këtij koleksioni janë edhe botimet e Voskopojës që i takojnë shek. XVII-XVIII, si dhe mjaft vepra të kronikanëve, historianëve bizantinë apo autorëve të njohur grekë, latinë, francezë, gjermanë, anglezë etj.
Koleksioni i dorëshkrimeve, që paraqet vlera jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe atë europiane e mesdhetare, i përket shekujve XV-XX, në të cilin 11 % e tij ka të dhëna për Shqipërinë. Ai përfshin dorëshkrime të zbukuruara me ar, me miniatura e dekoracione të mrekullueshme, kaligrafi të jashtëzakonshme, kryesisht në gjuhët orientale: arabisht, osmanisht dhe persisht, shumica e të cilave janë kopjuar nga kaligrafë të specializuar në Shkodër, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Spikatin traktate të dijetarëve e filozofëve botërorë, vepra letrare të dorëshkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab, sidomos divane, dorëshkrime me tematikë historike, një pjesë e të cilave me të dhëna për Shqipërinë. Koleksioni përmban një numër të vogël dorëshkrimesh shqip (me alfabet grek dhe alfabet arab), që u përkasin shekujve XVIII-XIX, si edhe dorëshkrime në gjuhët perëndimore, ku dallon ditari unikal në 6 vëllime i albanologut Franc Nopça.
Koleksioni i hartave me karakter albanologjik është fond burimor për studimet historike, etnografike, gjuhësore, gjeologjike etj. të Shqipërisë dhe, më gjerë, të Ballkanit. Dallohen hartat e përpiluara nga hartografë të shquar europianë, si: Coronelli, Rosacchio, Ortelio etj. që i përkasin shekujve XVI-XVIII.
Fondi i albano-balkanologjisë përmban botime prej vitit 1800 e deri në ditët tona dhe shërben si një literature bazë për studimet albanologjike. Në të ruhen botime në shqip dhe në gjuhë të huaj, të studiuesve shqiptarë apo të huaj, që flasin për historinë, gjuhën, gjeografinë, antropologjinë, folklorin, kulturën e shqiptarëve apo popujve të ndryshëm të Ballkanit, si: Pouqueville, Xylander, Hahn, Bopp, Meyer, Jokle, Sufflay, Thaloczy, Babinger, Iorga, Elsier etj. Duke çmuar këto thesare të kulturës sonë kombëtare, koleksionet albanologjike shërbyen si shtylla bazë/ kryesore në ngritjen e “Ndërtesës Dixhitale Kombëtare” të BKSh-së, që “urëndërtuesit” e pagëzuan me emrin E-Albanica, duke ofruar në 2009 për përdoruesit të parën Bibliotekë Albanologjike në Shqipëri.


E – ALBANICA
Fillimisht ajo u prezantua me një sasi modeste materialesh, e ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare të një biblioteke dixhitale dhe e pajisur me metadata duke ofruar si shfletimin, ashtu edhe kërkimin në tekst. Ajo mundëson tanimë organizimin e materialeve të dixhituara si në një bibliotekë fizike, ku ndryshimi kryesor është mjedisi (mediumi). E ndërtuar në pesë nëndarje/shtylla kryesore: antikuarë, dorëshkrime, harta, botime me karakter albanologjik dhe periodikë, synohet qasje në materiale dikur “të fshehura” dhe të vështira për t’iu ofruar studiuesve dhe përdoruesve të rinj nga kudo e në çdo kohë. Arkivi dixhital i BKSh përmban 495.640 faqe; numër i cili, me ngritjen e Qendrës Bibliotekare të Dixhitimit të Trashëgimisë së Shkruar në vitin 2014 rritet dita-ditës. Instalimi i programit të statistikave (Google Analytics) mundëson edhe monitorimin e vizitorëve internetistë që shfletojnë koleksionet albanologjike dixhitale, ku treguesit statistikorë flasin për rritje të kurbës së frekuentuesve online. Zbatimi i praktikave më të mira, si dhe ndjekja e udhëzuesve të vlerësuar nga Bashkimi Europian për ndërtimin e koleksioneve dixhitale mundësoi integrimin e E-Albanicës në portale europiane dhe botërore. BKSh gëzon statusin e partnerit me të drejta të plota në disa projekte ndërkombëtare, ku përmes rrjetit botëror të informacionit iu ofron përdoruesve qasje në portale europiane dhe botërore në trashëgiminë kulturore kombëtare dhe koleksionin albanologjik të BKSh. Përmendim bibliotekën dixhitale EUROPEANA, – një koleksion shumëgjuhësh online që përmban miliona njësi të dixhituara të bibliotekave, muzeve, arkivave nga të gjitha vendet europiane,- si dhe Bibliotekën Dixhitale Botërore, – një portal online që mundëson qasje në trashëgiminë kombëtare të dixhituar të kulturave të ndryshme.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.