BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Devis Xherahu: Kënga me Lefteris Pantazis, detyrim ndaj shqiptarëve

16:00 - 17.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Devis Xherahu: Kënga me Lefteris Pantazis, detyrim ndaj shqiptarëve




Po jeton ditët e tij të suksesit në tokën ku lindi, Devis Xherahu, këngëtari i cili mundësoi ardhjen në gjuhën shqipe të një prej zërave më të njohur të muzikës greke, Lefteris Pantazis. Djali nga Korça, i cili e shoqëron Pantazis edhe në koncertet e tij në të gjithë botën, na tregon në këtë intervistë për “Bluetooth” detyrimin që këngëtari i njohur kishte ndaj shqiptarëve dhe hapat e karrierës së tij artistike.
Si e keni filluar karrierën tuaj?
Mendoj se karriera ime ka lidhje me qytetin tim të lindjes, Korçën, si dhe me traditën time familjare. Gjyshi im Vask Xherahu, ishte një ndër dymbëdhjetë themeluesit e parë të korit karakteristik “Lira”, të Korçës. Dihet së në këtë qytet, ndër katër vetë, pesë luajnë në kitarë dhe këndojnë. Kështu që rrugët korçare, kalldrëmi korçar dhe serenatat korçarë kanë qenë fillimet e mia. Më pas kam vazhduar studimet për 16 vjet si flautist në Korçë dhe në Tiranë, në Akademinë e Lartë të Arteve. Dalja e parë në skenë ka qenë në moshën 14-vjeçare, në operetën e parë në Shqipëri “Gjithmonë bashkë”. Më pas kam vazhduar me festivalin e parë të serenatës korçare, që është zhvilluar në Korçë, ka jam vlerësuar me çmimin e parë. Më pas jam aktivizuar në shumë aktivitete, si në “Miss Albania 95”, “Rreth fatit për 12 javë”, deri në koncertin “Kur vjen pranvera”, në vitin 2000.
Po si u gjendët në Greqi?
Rastësisht jam ndodhur në Greqi tek një miku im, ku kam parë një emision që titullohej “Pa mikrofon” dhe që organizohej nga “Star Channnel”, në të cilin mora pjesë mes 30 konkurrentëve me talente të reja. Në këtë emision arrita të marr çmimin e parë. Pas përfundimit të tij, i kisha rënë në sy një këngëtari të njohur, Samati Gomidhis. Kështu që për një javë e gjysmë si pushues, unë u ngjita në skenën greke si këngëtar, kur dija fare pak greqisht.


Keni bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës greke, mund të na thoni disa prej tyre?
Kam pasur bashkëpunime të frytshme gjatë vijimit të karrierës në Greqi, me këngëtarë të mëdhenj si Vasilis Karas, Anxhela Dhimitriu, etj.
Në 2006-ën, ju merrni pjesë në një format televiziv reality show, që titullohej “Fame Story”, na tregoni diçka më shumë?
Ai është një format shumë i suksesshëm në Greqi, që organizohet për herë të katërt. Është i ngjashëm me formatin e “American Idol” dhe ku 14 këngëtarë qëndrojnë për 4 muaj në një shtëpi. Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Për mua ishte dhe një nder i madh, sepse në seleksionime morën pjesë rreth 20.000 vetë dhe fati donte që unë të isha ndër 14 fituesit. Në këtë edicion që u transmetua nga televizioni “Antena”, si brenda Greqisë dhe jashtë saj me anë të satelitit, arrita të marr çmimin si “Interpretuesi më i mirë”.
Pas suksesit në këtë format keni njohur dhe këngëtarin e njohur, Lefteri Pantazis?
Me atë jam njohur rastësisht pas përfundimit të emisionit. Mbaj mend që kur jam prezantuar me të, ai më ka thënë që “unë të njoh dhe se të kam ndjekur gjatë nga televizioni” dhe filloi të më tregonte çfarë kisha bërë unë brenda në shtëpi. Më ftoi të këndoja bashkë me të në sezonin e ardhshëm. Që nga viti 2006, ne këndojmë së bashku. Gjithashtu, ai është dhe producenti i diskut tim që kam nxjerrë në Greqi, rreth 8-9 muaj më parë, ku kanë shkruar shumë artistë të mëdhenj grekë; mund të them, pesha e “pentagrami i muzikës greke”, si Nikos Kordelas, Jorgos Kacaros, Samatis Gomidhis, por edhe Lefteri Pantazis.
Po si lindi ideja e këndimit të këngës “Papagalos”, gjysmë shqip dhe gjysmë greqisht?
Kur unë vija në Shqipëri për të kënduar në evenimente nëpër klube, rastësisht dëgjova këngën “Papagalos”, një këngë e Lefteris Pantazis, e cila është kënduar rreth 20 vjet më parë. Dhe më bënte çudi se të gjithë shqiptarët e dinin. Më bëri shumë përshtypje, sepse është një këngë shumë e vjetër dhe se sot, një “hit” qëndron për një ose dy vjet në treg. Sapo mbarova këtë koncert, kthehem në Athinë dhe i tregoj Pantazis, që kënga jote para 20 vjetësh këndohet ende si “hit” në Shqipëri, kështu që në njëfarë mënyre iu detyrohesh shqiptarëve. Kontaktova mikun tim Pandi Laço dhe i tregova që Lefteri do ta ndajë suksesin e “Papagalos” dhe me shqiptarët, sepse ajo ka 20 vjet që dëgjohet në Shqipëri. Kështu lindi dhe bashkëpunimi për “Papagalos” në dy gjuhë.
Kënga ka hasur një sukses të vërtetë, e keni ndjerë këtë nga publiku?
Unë po marr pjesë në “Maratonën e Këngës Popullore”, nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe e shikoj që sapo vendoset kjo këngë, mirëpritet vërtet me shumë entuziazëm nga njerëzit, gjë që më bën të ndihem shumë mirë. Gjithashtu, më vjen mirë që dhe një emër si Lefteris Pantazis, një emër i madh i pentagramit grek, vjen në gjuhën shqipe dhe që unë jam ndërmjetësi i tij.
Për momentin, cilat janë planet për të ardhmen?
Unë kam një mik shumë të mirë, Gazmend Pajën dhe me të kemi një plan surprizë së bashku, që do të jetë një ndërthurje mes aktrimit dhe këngës. Gjithashtu dëshiroj që në një të ardhme të vij së bashku me Pantazis në Shqipëri për një koncert, si dhe një pjesë të albumit tim në greqisht ta përkthej edhe në shqip.

Ky shkrim u botua më 19 korrik 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.