MILOSAO

Koment/ Për Nëntorin dhe të tjerat…

12:40 - 17.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Shpëtim ÇUÇKA




 

Në kohën e sotme nëntori nuk është ndonjë muaj kushedi sa i veçantë. Është muaji i dy festave kombëtare, që janë të rëndësishme sidomos për pushimin që marrin nëpunësit e shtetit. Është panairi i përvitshëm i librit në Tiranë. Dhe kaq. Hëm, po! Deri para pak vitesh ishte edhe muaji i netëve të bardha në kryeqytet, pra, i netëve, kur banorët e Tiranës ftoheshin e nxiteshin ta kalonin natën zgjuar nëpër veprimtari, të cilat nuk spikatnin për ndonjë përmbajtje kushedi çfarë. Dhe pastaj: përse duhej që këto veprimtari të zhvilloheshin domosdo gjatë natës??
Krejt tjetër temë këndon poema e D. Agollit:
S’ka ndodhur që mua agimi i Nëntorit, zbritur prej shpatit,
Dikur të ma gjejë fletoren pa varg e poemë.
Do ngrihesha edhe sikur të dergjesha shtratit
Me age serumi të ngulura thellë në venë…

Se dua të flasë poema për muskujt, ëndrrat dhe mendjen e artë
Të popullit tim, që shkundi shekujt e rëndë…
………………………………………………..
E nesërmja i bart me vete dhe vitet që shkuan,
I bart në themelet e saj të patundur;
Si gurë kalaje ëndrrat kthyer në jetë i ruan
Në shekuj kristal pa myk, pa ndryshk e pa pluhur.
Koha e sotme e mbetur pa ëndrra kolektive, por vetëm me ëndrra individësh (nëse individët ende vazhdojnë të ëndërrojnë!) nuk mund ta përfytyrojë historinë si një stafetë ëndrrash. Te “Nëntoriada” pikërisht kjo traditë, kjo përcjellje brez pas brezi e ëndrrave, përbën thelbin e historisë së popullit:
Po vinte ëndrra në gjysmën e udhës dhe kthente kurrizë,
Po vinte liria në gjysmën e udhës e mbetej në udhë,
Nga dhjami rëndonin princër, bejlerë e vezirë,
Nga dhjami ënjteshin mbretër, hajdutë, përtacë e kukudhë.

Sërishmi të rënët nga varret kokën e përgjakur e çonin
Nën qiellin me tym, mbi tokën me breshër
Dhe grykat e lashta me plagë rënkonin:
A erdhi ëndrra e madhe që pritëm, vëllezër?
Këto ëndrra brezash ndaj edhe quhen të mëdha, se nuk janë ëndrra individësh, sado të pastra e të dëlira këto të fundit qofshin. Ëndrrat e mëdha vijnë nga forca të mëdha shoqërore, nga masa të mëdha njerëzish, jo nga dy-tre heronj kordhëtarë:
Fshatari që dinte ta mbante parmendën në brazdat,
Punëtori që dinte të bënte drapinj e çekanë në kudhër,
Mësuan t’i hidhnin në sulm e përleshje brigadat,
Mësuan pa harta t’u presin hordhive grykat e udhët…
Ëndrrat e mëdha nuk janë ëndrra luge dhe piruni të madh, pjatash të mëdha dhe dyshekësh me pupla, ëndrra qejfesh e pushimesh mes një periudhe të stërzgjatur papunësie.
Ne kishim hesape pa mbyllur me botën gërmuqe:
S’harrohen dot vezët e nxehta nën sqetull në bimca,
S’harrohen dot vijat mavi të prangës në burgje,
S’harrohen dot thonjtë të mbushur me spica…

S’harrohen surretrit fodullë dhe trupat e dhjamur të zotërve,
S’harrohen kasollet pa bukë në netët e gjata të dimrit,
S’harrohen bastisjet dhe lotët e nënave, grave e motrave,
Internimet, uria, etja, torturat dhe dhembjet e shpirtit…

Pikërisht shoqëria e punës së madhe ndërtimtare, kjo ishte edhe ëndrra e madhe. Ëndrra e madhe e një historie të gjatë, shumëshekullore:

Ndaj gjumi s’e zë Nëntorin, po djersa i vete si çezme,
Në frontin e madh për dijen, naftën, çelikun dhe bukën,
Barutin e mban të thatë në xhep e në vezme
Dhe kurrë s’i ndan nga dora kazmën dhe pushkën.
Kjo vetëdije shoqërore e ëndrrës së madhe, një vetëdije jo e falur por e fituar në luftën e jetës, ishte pikërisht për këtë arsye edhe vetëdija e krenarisë së madhe përpara të tjerëve, përpara cilitdoqoftë:
Na thënkan pastaj se qënkemi konservatorë,
Na thënkan pastaj se paskemi mbetur të egër…!
Zotërinj, a s’vete më mirë në qafën tuaj kjo palo këmborë,
Që shpesh na mërzit me avazin e vjetër?

Kur flisni dhe ju për novatorizmin, na vjen për të qeshur,
………………………………………………
Ju urën e zjarrit e mbani në duar të ndezur;
Ju bomba lëshoni në sofra dhe mprehni hanxharë;
……………………………………………………
Na thënkan pastaj se qenkemi konservatorë,
Se s’paskemi sheshe pornografike e striptiza…!
Në tokën tonë ne s’kemi ngritur laboratorë
Të rrisim si ju insekte dhe miza…
E tillë është në thelb poema “Nëntoriada”: një këngë për shoqërinë e punës. E tillë është gjithë krijimtaria e madhe e Dritëro Agollit: një himn kushtuar punës. Kjo edhe ka qenë ëndrra e madhe e shqiptarëve: një jetë me punë dhe falë punës, një jetë për të punuar në liri e jo si shërbëtorë të të huajve në vatrat tona. Një fjalë e urtë e popullit thotë: Në dëshiron ta mallkosh dikë, i thuaj “Të pafsha pa punë!”
Por edhe këtë fjalë-kod të jetës së popullit tonë në shekuj koha e sotme e ka shndërruar duke i dhënë tjetër kuptim, praktikisht e ka përbaltur duke e hequr nga përdorimi. Një tjetër shenjë e ndërrimit të kohërave, sigurisht e pa diskutim jo për mirë.
Në mënyrë kur të vetëdijshme dhe kur të pavetëdijshme ka zënë vend në kuptimin tonë të jetës një ftohtësi ndaj punës, pothuaj një neveri. Dikur në objektet që ndërtoheshin, lexoheshin tabela me parrullën “Puna është nder dhe lavdi”. Sot nuk është më kështu. Sot i nderuar është ai që di të fitojë para, madje me shumicë.
Dhe fjala “punë” nuk përmban historikisht asnjë nuancë pozitive. Arvanitasi Aristidh Kola ka shprehur në një rast mendimin se fjala jonë ka familjaritet me fjalën e vjetër greke “ponos”, e cila dëshmohet që në poemat e Homerit dhe do të thotë “lodhje, mundim; punë”. Këto kuptime ka edhe fjala latine “labor”, edhe fjala frënge “travail”, edhe fjalët ruse “trud” e “rabota”. Asnjëherë në historinë e popujve klasat sunduese nuk e kanë vlerësuar punën, as në emërtim!
Ndërkaq vlen të sillen këtu mendimet e një dijetari gjerman pikërisht për punën, pikërisht për atë se çfarë përfaqëson ajo në thelb në jetën e njerëzimit. Dijetari e sheh punën jo nga këndvështrimi i atij që përvetëson produktin e punës, por nga këndvështrimi i punëtorit:
“Te tjetërsimi i objektit të punës përmblidhet thjesht tjetërsimi, shpronësimi, i vetë veprimtarisë së punës…
…Pra, punëtori ndihet vetvetja vetëm jashtë punës, ndërsa kur punon nuk ndihet i tillë. Puna e tij nuk është e vullnetshme, por e detyruar, është një punë e detyruar. Pra, puna nuk është të kënaqurit e një nevoje, por vetëm një mjet për të kënaqur nevoja jashtë punës…Me të pushuar së ekzistuari një detyrim fizik a i një lloji tjetër, njeriu i shmanget punës ashtu si i shmanget murtajës…Si përfundim njeriu (punëtori) ndihet tanimë i lirë vetëm në funksionet e tij shtazore, në në ngrënët, të pirët dhe të riprodhuarit, e shumta në të pasurit një shtëpi, në të kujdesurit për trupin etj., ndërsa në funksionet e tij njerëzore ndihet thjesht e vetëm një kafshë. Shtazorja kthehet në njerëzore dhe njerëzorja kthehet në shtazore.”

“…Jeta prodhuese është jeta e gjinisë <njerëzore – Sh. Ç.>. Është jeta që krijon jetën. Në mënyrën e veprimtarisë jetësore qëndron i gjithë karakteri i një lloji, karakteri specifik i tij. Dhe jeta e lirë e vetëdijshme është karakteri specifik i njeriut. Por vetë jeta shfaqet, në punën e tjetërsuar, vetëm si mjet jetese…”

A i ka qëlluar lexuesit të dëgjojë ndonjë bashkëbisedues duke thënë: ‘“Për besë, po nuk e pata banjon si duhet, nuk më hyn në sy pjesa tjetër e shtëpisë. Banjon e kam pikë të dobët, e kam më merak se gjithë të tjerat”?
Ku D. Agolli, këngëtari i punës, dhe ku shoqëria jonë e sotme!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.