MILOSAO

Përshkrim / Për “Nëntorin”

12:30 - 17.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Agim JANINA*




 

Paraqitja pamore nuk bëhet e drejtpërdrejtë, por fshihet në tisin e misterit, të një bashkëbisedimi të thellë me shikuesin, ç’ka ndonjëherë kërkon edhe kulturën e nevojshme, në zbulimin e interpretimit të dukurive të kohës, mbështjellë me forcën e krijimit. E shpalosur si një mozaik stilesh cilësorë, mund të ndalesh në disa prej tyre, për të shpalosur problematikën, shqetësimin dhe qëndrimin artistik të krijuesve të ekspozitës.
Larmi formash, subjektesh, tematikash në koloristikë dhe mendim strukturor në konstruktivitetin e shprehjes artistike dallohen Bashkim Dervishi, Stafan Taçi, Adrian Devolli, Adi Hila, Brikena Bërdo, Ardit Boriçi, Eniela Veveçka, Dea Tili etj.
Për të dhënë një pasqyrim të ekspozitës janë zgjedhur gjashtë prej punëve të ekspozuara dhe artistëve pjesmarrës.

Studio e artistit
Syth
Artisti në studio është një temë e rrahur nga shumë artistë Rembrand, Velasguez, Vemer, Kurbe, Mane, Fantin – Latur, Sali Shijaku etj.
Piktori Gazmend Leka e rimer temën dhe i jep një përmasë me domethënie të re. Nuk mbart asgjë nga të tjerët, origjinal dhe shprehës krejt i veçantë. Nga titulli dhe kompozimi duket si trajtim kristian, por nuk është kështu.
Studio e piktorit dhe vetë piktori, në një përkulje veneracioni të plotë, shteruese, përmbyllese, i shtrirë në mes të studios, po “i falet” ikonës se artit: – një telajoje të bardhë, ku do të lindë kompozimi i ardhshëm. Ti je dhimbja dhe plaga ime.
Studio është mitra artistike, ku mbrunjtet dhe lind arti dhe për piktorin është edhe diç më shumë: – Tempulli i Artit, të cilit ai i falet, si të jetë në Tempullin e Zotit.
A nuk përafrohet Artisti me Perëndinë kur krijon ? Mëkat si blafsemi apo lutje për shprehje të qenies Njeri ?
Studio është Tempulli i Lirisë dhe i Forcës Krijuese, por edhe “burgosja” në fitimin e Vetmisë së Krijimit. Leka dhe studio janë në një lidhje të përditshme. Lindin ëndrrat dhe bëhet përmbushja e tyre. Orë e orë pune në vijueshmëri artistike…
Pranë nuk ka shenjtorë dhe personazhe biblikë, por kutitë e bojrave, penelat, telajot, që janë gjaku dhe mishi i tij.
Teknikish tabloja ndërtohet me linja të fortë grafike, në një ngritje monumentale, ku ndërsa trupi i piktorit shtrihet dhe ze qendrën, telajo lartësohet. Ngritja shtrihet në të gjithë kompozimin, ç’ka i shkon zgjidhjes së idesë lutje – falje. Vjen si një kërkesë ndaj frymëzimit për të krijuar dhe për të mos iu shuar flaka e frymëzimit.
Ballafaqimet e thukta koloristike në sipërfaqe të mëdha, japin ndjesinë e materialit të objekteve dhe venies së tyre sa më në dukje në zbërthimin e idesë kompozicionale dhe mesazhit të dhënë.
Piktori jo vetm po lutet, por me anë të dritës, po ngrihet në frymëzimin e krijimit, çka jepet nga drita e fortë mbi trup në ballafaqim me të errtat përreth, duke u ekuilibruar edhe me të bardhët e sfumuar të pëlhurës së telajos dhe të fortës së të pasmes, së një telajoje në krah.
Leka sapo ka dalë nga bota e së zezës mistike, ëndërruese dhe enigmatike, duke e “veshur” e populluar telajon me ngjyra, një ngjyrim, i cili nuk e largon nga qerthulli estetik, ideor dhe profesional, në mbajtjen e vlerave të veçanta, që sjell arti i tij. Tematikat janë një gërshetim i reales me të shkuarën, në kapjen e të qenësishmes dhe në pasqyrime e zbërthime me vlerë të përgjithshme, ku e kaluara vjen si e tashme dhe ku e tashmja nuk kuptohet pa të kaluarën.
Piktori ka krijuar “truallin e pushtimit artistik”, truall me emrin dhe fimën e personalitetit artistik.

Meditim
Syth
Një grup njerëzish të rastësishëm ndjekin me adhurim dhe përulësi shfaqjen zotëruese të Dikujt. Nuk ka rëndësi se kush është. Ai dihet, njihet, shfaqet në jetën tonë. Piktori kujdeset, që vështrimet të mos jenë qiellore mbi Perëndinë, por diku pranë tyre, diç më lart, ku është Dikush.
Ngjarja është njerëzore edhe pse ajo ç’ka përcjell nuk është e tillë. Kompozimi fillon nga jashtë kornizës së telajos, aty ku një grupim si i rastësishëm, por aspak i tillë, njerëz të personalizuar në shtresa të ndryshme shoqërore janë kthyer, shohin e drejtohen vështrimet, drejt “diçkaje”, e cila nuk duket, por ndihëet, mendohet. Zotëron diçka, që ti nuk e ke, mashtruesi, që të ze rrugën, politikani me pushtet, por pa aftësi, të ka në dorë, të mban peng për zgjidhjen e një të drejte dhe ajo është në dorë të tij etj, autoritete pa vlerë, por me pushtet, gjallues në jetë, zotërues të fateve të të tjerëve. Ai është aty, këtu, pranë kohës, si dukuri shqetëuese.
Kompozimi e ka ngasjen nga përralla e Andersenit “ Rrobat e reja të Mbretit”, por nuk është as ilustrues dhe as paqyrues i përrallës. Piktori e ka marrë fabulën, duke e riinterpretuar e sjellë të freskët e përditësuese në jetën e sotme, duke ngritur një problem: – goditjen e idolatrisë, si fenomen përsëritës, aq më shumë i vendeve të varfra, ku personaliteti i njeriut thyhet e bjeret nga forca dhunuese e njeriut me pushtet.
Edhe pse mban qëndrim dhe e ve gishtin në plagë, piktori nuk është pesimist. Në grumbullin e “rastësishëm” është një personazh i veçantë, fëmija, që ngjarjen dhe shfaqjen e shikon ndryshe, duke na dhënë emrin e vërtetë: – një maskaradë, e cila vazhdon edhe në kohën e sotme, të quajtur postmoderne. Është ky fëmijë krejt moskokëçarës si një shpresë.
Filipi artin e ka ndërtuar në nivele të larta ideore. Ai nuk kërkon të dëshmojë se sa bukur e ndërton një figurë, (duke qenë mjeshtër i ndërtimit të saj), por sa bukur figura di ta shprehë filozofinë dhe mesazhin e tij.
Vizatues i fortë ndërton silueta të forta në linja të sakta. Të grupuar tre e nga tre personazhet janë në një lidhje të përbashkët, nga se i bashkon ngjarja. Ata dalin me forcë në plan të parë dhe shikuesit i bëhet vetja pjesmarrës me ta. Ndonjë kërcitje njolle koloristike rrit dramacitetin. Piktura vjen si përjetim pamor emocional, ku gjen imazhe e figura të sendërzuar në atë mënyrë që ata të “flasin”, tregojnë, dëshmojnë e përcjellin mesazhe si problema të kohës.
Kompozimi kërkon të ngrejë shikuesin në nivelin e autorit dhe jo e kundërta. Ndaj piktura e Filipit kërkon një shikues të vëmendshëm, të kulturuar, njohës të jetës, për të arritur në të kuptuarit dhe të pëlqyerit e saj. Si art elitar kërkon elitën e vet ! Elita e shikuesit krijohet nga kultivimi me artin e vërtetë dhe të kohës.
Po të tjerët ? Le të “shijojnë” atë, që është thënë e stërthënë dhe kur të ngopen do kërkojnë Filipin…
Sot, Aleksandri është aty, në ekspozitën e pëvitshme “Nëntori”, ! Kompozimi grish për reflektim.

Aizberg
Syth
Piktori Besim Tula rikthen në vëmendje qëllimin e pikturës. Larg lojës artistke, si qëllim në vetvete, në thjesht pasqyrimin e jetës dhe brenda vetes si piktor me ndjeshmëri estetike dhe ideore, di të ndërtojë një portret “problematik”.
I vizatuar me besnikëri në ngjashmëri, ngjyra të veçanta, tone e gjysmë tone, raporte koloristike, të ngrohta – të ftohta, plastikë jetësore në nxerrje volumesh, lojë dritë – hije etj., etj., që kërkon një pikturë. Por këto i bëjnë të gjithë.
Tula nuk është piktor, që bën thjesht pikturë, por artist, që kërkon të tregojë, se pse bën pikturë.
Për ta dëshmuar, si një Sokrat i kohës, zgjedh të merret me vetveten. Bën autoportretin, si pjesë të një diptiku, në shpjegim të plotë të idesë. Mund të ishte çdokush tjetër, por jo Tula kërkon shprehjen e qëndrimit të artistit në përgjithësimin shoqërore.
Ka venë dorën mbi ballë për të parë “hatanë” e kohës: 95 për qind të varfër, në skamje, në errësirë… Vetëm pesë për qind të kamur, gëzojnë e sundojnë Botën.
Kërkojmë sytë në telajo. Atisti nuk na i tregon. Portret pa sy, që nuk duan të shohin. I ka pllakosur hija e rëndë e faktit të hidhur.
Rrënqethëse. E frikshme. Më e frikshme kur vjen nga ndjeshmëria e thekshme e një artisti.
Aizbergu i kohës në dukjen dhe fshehjen e vet. Piktori e ka stampuar si tatuazh në ballë, për të thënë edhe pse artisti krijon vlera edhe vetë, ai është në anën e gabuar, bashkë me të shumtët, te 95 për qindshi.
Linja grafike qarkon portretin duke lenë diku hijen e rëndë si pëerforcim të faktit artistic. Elementët pikturikë vihen në shërbim të zbërthimnit të mesazhit sa më këmbues dhe sa më i drejtpërdrejtë.
Tabloja qendron e varur në mur, shikuesi kalon dhe nga pas, si jehonë këmbane, i vjen përqindja e trishtë pesë… pesë… për qind e gëzojnë këtë jetë…
Revoltë ? Jo vetëm kaq. Aizbergu, edhe pse i fsheh tre të katërtat në ujë, është i tmerrshëm kur godet…

Akorde muzikore
Syth
Telajo e bardhë është ankthi i piktorit. Të “vret” apo të shtyn përpara ? Mëdyshje profesionale dhe estetike. Nuk vjen frika nga telajo e bardhë në kavalet, por nga telajo e bardhë në mendje.
Mesi i mori dhe i rradhiti një e nga një në kompozimin “Autopeisazh”, punuar në teknikë të pëzjerë. I ngjanë si tastierat e pianos. Kështu e mbrunjt veten artisti, si në një rritëm muzikor bluzi. Kuadrate të bardhë, në pritje të goditjes së artistit, për të marrë tingëllimin pamor.
Nuk nguroi. Përgatiti paletën, duke derdhur ngjyrat mbi të, mori në duar penelin dhe si vështro një çast, hodhi një linjë si gjurmë.
Ndaloi dhe mori një ngjyrë tjetër dhe e lëshoi butësisht mbi telajon e bardhë. Edhe një tjetër… një tjetër…
Kaq. Asnjë gjurmë tjetër. “Dëgjon” tingëllimën koloristike. Kaloi në telajon tjetër. I njëjti ritual. Një tingull tjetër… edhe një tjetër…
Nuk ishte kjo. Artisti kërkonte linjën muzikore, melodinë, si përmbyllje të emocionit të derdhur në telajo, por që bëjnë një.
Porta e madhe gjysëm e hapur, rrugica që humbet tutje, kulla apo këmbanorja e vjetër, arkitektura e qytetit, qoshku pranë si mall i këputur, tej gjalpërimi i rrugicës…
Sa mall dhe derdhje kujtime të kaluara si përshpirtje të thella kujtese.
Shikimi kalon nga njeri etyd tek tjetri dhe në fund gjithçka shkrihet dhe përmbledh tablonë e tërë.
Në dukje dhe shikim të parë gjetje e thjeshtë, por kërkon mjeshtëri në ekzekutim dhe në lidhjen në gërshetin kompozicional, nga copëtimi në bashkimin organik, si tingëllimet e notave muzikore në shtrimin e linjës melodike…
Kapriço të fatit në lojën e jetës.

Arti si shprehje
Syth
Të dy nisën të pikturonin. Ai mori penelat dhe shkiti ngjyrat në telajo. Ajo mori telajon dhe e vuri mbi kavalet. Zgjati dorën dhe mori cohën e mëndafshtë dhe e shtriu mbi telajo. Pastaj e mblodhi, duke krijuar disa draperi. E ngjiti me kujdes, mori gërshërët dhe preu dy fletë të mëdha të pikëluara me njolla të vogla të zeza, si të piktutuara.
Qëndroi një çast në mëdyshje krijuese. U ndryshoi vend dhe i la në qendër të kuadrit, si dy shtylla këmbë, të cilat do të mbanin peshën kompozicionale të kompozimit.
Tjetri vijonte të hidhte penelat mbi telajo, duke u dhënë jetë figurave.
Po kjo pse nuk pikturon ? – pyeti veten, dikush pranë, duke parë teksa pikturonin.
Piktorja mori kalemin dhe fillojë të ravijëzonte me majën e tij. Dora kalonte gjithë nerv. Qarkoi me linja të drejta, pastaj krijoi një gjysmë harku, duke krijuar tonalitete të buta.
– Pse nuk pikturon ? – përsëdyti.
Nuk ka rëndësi se me çfarë mjetesh pikturon, me ngjyra apo me cohë. Cdo gjë është mjet. Rëndësi ka se çfarë krijon. Dhe kjo është piktorja Merita Selimi, që di të japë ndjeshmërinë dhe butësinë e shtrirjes tonale të një të bardhe mbi një të bardhë, ku fantazia e shikuesit endet e lirë në krijime formash, në përplasjen e fantazisë me ëndërrimin abstrakt, plot ndjesi të brishta. Bashkëbisedimi artistik tablo – shikues krijon vlerën dhe fshehtësinë e kompozimit. Shikuesi bëhet “i gjallë” dhe “plotëson” me fantazinë e tij lojën kompozicionale duke i nxitur fantazinë, c’ka e bën të ndërmarrë një “udhëtim” artistik dhe joshës në plotësim linja, volume, figuracion etj.
Teknikat mësohen. Krijimi mbetet mister. Merita kërkon misterin dhe misterin e shpreh me mjetet që ajo do, i ndjen dhe i derdh në kompozimet që krijon… Arti është çudi, jo nga mjetet e përdorura, ato janë të pafundme, por për nga forca e përcjelljes së emocionit tek shikuesi. Piktorja e dëshmon. Merita Selimi “Kompozim” laps

Përkryerja e një sfere
Syth
Piktorja Denisa Brahimi në ekspozitën “Nëntori”, sjell kompozimin diptik “Pa titull”. Është aq pamore dhe e qartë, sa titulli është i panevojshëm. Është një lojë e bërë nga të gjithë, duke sjellë nostalgjinë e së kaluarës, por jo vetëm kaq.
Në një dysheme me pllaka rrokulliset një sferë e kuqe dhe befas ndalon…
Magjia e sferës të ngërthen vështrimin. Nuk ka fillim dhe fund. Trupi më i përkryer. Gjithësia e pakapshme. E pafundme. Enigmë e formimit. Përkryerja e lëvizjes në hapësirë – kohë…
Piktorja e rimer sferën dhe e vendos në njerën nga dy kuadrot, duke krijuar një diptik kompozicional, për të dhënë të qenësishmen në përgjigjen e pyetjes, pse kjo sferë.
Në kuadrin e parë monokromi i fortë, jep boshësinë dhe nevojën e kërkesës së mbushjes së hapësirës – kohë, ç’ka gjallohet e merr jetë në kuadrin e dytë, si në një lojë jetë – vdekje, në fitim të së parës, ku sfera e kuqe, shprehet në gjakimin e saj të bukur jetësor.
Dhe është thjesht një sferë me katër pika të bardha koloristike, të vëna me kujdes, si pasqyrime të një Drite, sa të jashtme, aq edhe të brendshme, duke shprehur vizualisht gjithë gjallërinë dhe ballafaqimin e duhur, në “turbullimin” e qetësisë pothuajse absolute, prishur lehtë nga vijat e pllakave të dyshemesë, si vijat e jetës, që shkojnë përtej tablosë, drejt pafundësisë…
E trajtuar me butësi, vizatim lakonik shumë të kujdesshëm, në kurimin e plotë të tablosë, shpreh njëherazi edhe dorën e brishtë të artistes, e cila ka kaluar sipër sipërfaqes së telajos, duke lenë gjurmën e bukur, si vlerë estetike emocionale…
Pra, një sferë e thjeshtë, sa një Botë !
*Studiues Arti


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.