KULTURË

“DAFINA TË THARA”/ Romani i jetës sime, biografia e letrarizuar si kujtesë e Trebeshinës

09:26 - 18.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Anila MULLAHI




Shkrimtarët të cilët kanë lëvruar pothuaj të gjitha llojet letrare, në periudhën e vonë të jetës së tyre vendosin të lëvrojnë edhe një zhanër të ndërmjetëm, siç është autobiografia. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Trebeshina, në krijimtarinë e të cilit ndërmjet romaneve, novelave, tregimeve, përmbledhjeve me drama dhe poezi është edhe një roman me shenja të dukshme autobiografike “Dafina të thara. Romani i jetës sime”. Përdorimi i emërtimit roman që në titull i drejton lexuesit dhe studiuesit drejt trillimit, letërsisë, ndërsa pjesa e dytë “e jetës sime” shënon atribut vërtetësie që të çon tek dokumenti, konkretësia. Pranëvënia e dy emërtimeve, që duket se kundërshtojnë njëra-tjetrën do të thotë se lexuesi vihet përpara një fakti për bashkëpunim. Para një kontrate zhanrore, ku bashkohen në një shënjuesi fiksional me shënjuesin funksional.
Teksti ka si titull “Dafina të thara” që të çon drejt figurës, ndërsa ‘romani i jetës sime’, që është pjesa e dytë e titullit përcakton zhanrin, duke ofruar një paratekst për një marrëveshje referenciale, në atë mënyrë që duke mohuar, pohon, duke refuzuar, pranon kodin zhanror. Autori me personazhin sa dëshiron identifikim, krijon edhe një distancë.
Përcaktuesi “roman i jetës sime” e përforcon tezën se kemi të bëjmë me një tekst fiksion sui generis, një autofiksion, parë me status interteksti duke iu referuar edhe përcaktimeve teorike të Jefferson.
Rrëfimi realizohet në vetën e parë, është rrëfim retrospektiv, në kohën e kryer të thjeshtë, me një distancë të madhe prej kohës së ndodhjes, elementë këto të cilat të bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë me një autobiografi.
Teksti shfaq shenjat e autobiografisë sepse ai është i lidhur ngushtë me gjendjen personale, ndjesore e psikike të individit, por edhe shenjat e kujtimeve, sepse ngjarjet e jashtme kanë hapësirë të madhe. Tekstet që përmbajnë brenda tyre shenja të autobiografisë janë tekste të kujtesës. Duke qenë se paraqiten kujtime që vijnë nga e kaluara janë të dhëna me një tis të fiksionalitetit që vjen si harresë e qëllimshme.
“Dafina të thara”, romani i jetës sime është fakticitet nëse brenda saj kërkojmë faktin, është fiksion, nëse lexohet si letërsi. Në romanin e Trebeshinës, fakticiteti është dhënë përmes fiksionit, ndaj dhe kërkon lexim të dyfishtë.
Qëllimi i teksteve autobiografike nuk është thjesht mundësia apo gjasa, por ngjashmëria me të vërtetën. Pra, jo efekti i së vërtetës, por pasqyrimi i të vërtetës shkruan Philippe Lejeune . Ndërkohë që teksti i Trebeshinës kërkon edhe të vërtetën e verifikueshme, por të ofron edhe atë artistike.
Proza ka shenjat e dukshme të referencialitetin në strukturën e saj, që në fillim shfaq shenja tipike për një prozë autobiografike, duke dhënë me shumë saktësi kohën objektive dhe vendin ku zhvillohen ngjarjet.
“Në spitalin partizan hyra më 18 prill 1944 dhe ika që aty më 3 maj 1944. Kisha qëndruar aty për dy javë, që nuk dinin të mbaronin. Më kishin rrethuar dhe plagosur më 16 prill 1944!”.
Por menjëherë pas saj, gjuha bëhet e stilizuar dhe gjithçka i lihet në dorë fiksionit. Që në nismë të tij teksti ka natyrë letrar, madje me një lirizëm të theksuar.
“Nuk e di se çfarë më detyroi të lija spitalin!… Ndoshta lulet e majit… apo dëshira për të shkuar në shtëpi, apo dëshira për të ndryshuar horizontet!…
Shtigjet në ngjitje të maleve ishin të lodhshëm, por lulet dhe valët e gjelbërta të gjetheve, qielli blu i pastër më bënin të ikja me vrap. E kështu ëndërrova ëndrrën më të lumtur që mundja…”

“Dafina të thara”, përfshin brenda tij një periudhë jetësore nga viti 1926 deri në 1955, të shkruara gjatë kohës së komunizmit dhe i përfunduar në 1988. Kasem Trebeshina do ta botojë librin e tij në italisht duke na kujtuar këtu De Radën, i cili gjithashtu e ka botuar autobiografinë e tij në italisht. Si De Rada, edhe Trebeshina bën autobiografinë e një pjese të jetës së tij. De Rada nga lindja në moshën 34-vjeçare, ndërsa Trebeshina nga lindja në moshën 29-vjeçare.
Proza autobiografike e Trebeshinës pretendon dëshminë për veten dhe shoqërinë. Sipas Lejeune-it, autori autobiografik klasifikohet si një person real, shoqëror, si një krijues i një ligjërimi. Po sipas tij është pikërisht personaliteti i autorit, që përfaqëson lidhjen në mes dy hapësirave tekstuale: brenda dhe jashtë tekstit në mënyrë të barabartë. Kjo barazi, bashkëvendosje dhe ndarje brenda dhe jashtë tekstit është gjakim i çdo autori që shkruan jetën e vet.
“Dafina të thara” është një rrëfim autodiegjetik retrospektiv. Trebeshina do ta përfundojë atë në moshën 62-vjeçare, atëherë kur ai kishte përvojë jetësore dhe krijuese të gjatë. Në autobiografitë e këtij lloji, ndonëse tentohet që rrëfimi të ndërtohen mbi fakte të verifikueshme, objektiviteti i dëshiruar është iluzion. Autori autobiografik përfaqësohet nga personazhi ose narratori personazh.
Romani është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë me titull “Djali nga Vinokashi” përbëhet nga 23 kapituj. Kjo pjesë fillon me kapitullin “Plagë dhe lule” dhe nuk fillon me fëmijërinë, por me një moment kritik, siç është plagosja në luftë. Ngjarjet fillojnë kur rrëfimtari-autor ishte 17-vjeç, i plagosur, i shtirë në një spital të improvizuar partizan. Është kapitulli i dytë “Ardhja ime në jetë” që do të rrëfejë momentin e lindjes.
Proza me elementë autobiografike, shpesh nis nga një pikë retrospektive jo ekzistente, siç është momenti para ardhjes së autorit në jetë.
Ky moment ravijëzohet në tekst me fakte reale, por edhe me fakte fiktive, të pavërtetueshme p.sh. “Natën e 8 gushtit 1926 në familjen Vinokashi, që gjendej në qendër të lagjes ‘Murat Çelebi’ në qytetin e Beratit ishte një rrëmujë e madhe. Gratë ngjiteshin e zbrisnin nga katit i parë në të dytin, nga kuzhina në dhoma e ktheheshin pas”.


Nga ky tekst mësojmë se mbiemri i prindërve të tij është Vinokashi, por kur u regjistrua në Shkollë Normale në Elbasan, ia vunë mbiemrin Trebeshina sepse refuzuan ta regjistrojnë me emrin e një fshati.
Në këtë libër kemi të bëjmë me një rrëfimtar që hamendëson, ndërton një fakt, një situatë të ndodhur, por me elemente fiktive. Përcaktimi “roman” që në titull, është një ftesë që i bëhet lexuesit, që faktet të lexohen si fiksione, pa pasur ngarkesën e objektivitetin dhe njohjen reale të autorit. Ai që di të trillojë me fakte në mënyrë të besueshme në një prozë: roman ose tregim thuhet se është shkrimtar i mirëfilltë. Trebeshina i shikon faktet si pjesë nxitëse e fiksionit. Ai prezanton të vërtetën e vetes, që zbulohet nga prezantimi i fiksionit të jetës së tij. Në pjesën e parë, autori duke kërkuar gjenezën e familjes shkon përtej kujtimeve të tij, rikonstrukton trungun familjar, së këndejmi për të evokuar historinë e familjes së tij ndër shekuj, rininë e tij, shkollimin.
Ndërsa pjesa e dytë, që titullohet “Errësira e shekujve” ka njëzet e një kapituj dhe fillon me një kapitull që ka një titull që të largon shumë nga faktikja. “Hardhucat në diell” për të mbaruar me kapitullin me titull “Rruga e kthimit tek vendi i Zanave”.
Në këto kapituj, referenca në histori ose më saktë e autorit në ngjarje historike, e përjetimeve të tij për situata historike është më e dukshme. Në këto kapituj rrëfehet për Luftën e Dytë Botërore, për atë që bënë bashkëkombësit e tij, për atë që gjatë viteve të luftës ata vrarë njëri-tjetrin. Rrëfen për mënyrën sesi xhelozia dhe egoizmi për pushtet bëri që të vriteshin njerëzit më me vlera dhe me kalimin e kohës fituan vetëm mashtruesit. Për të vërtetuar këtë që ai thotë, Trebeshina merret me figurën e Enver Hoxhës si dhe me figurën e disa komunistëve të tjerë si Qemal Stafa, Vasil Shanto, Zef Mala. Ai kërkon të shpjegojë mënyrën sesi disa njerëz mediokër, mashtrues dhe antishqiptarë arritën të drejtonin lëvizjen çlirimtare dhe më vonë vendin. Ai flet edhe për rolin që luajtën Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha në krijimin e Partisë Komuniste. Në këtë prozë, për këtë çështje Trebeshina do të shkruajë: “Vetëm njerëz si ata, që digjeshin nga dëshira që të njiheshin nga Kominterni mund të pranonin Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën si Baballarët e Shenjtë dhe mund t’i shndërronin në padronë të shumë pushtetshëm në shtëpinë e tyre. Kjo është përgjigja e pyetjeve që bëmë e këto ishin kushtet në të cilat politikanë mediokër nga Jugosllavia si Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, morën në duart e tyre çelësat e Shqipërisë”.
Në këtë tekst ai tenton edhe të sqarojë situata delikate gjatë luftës si raporti me ballistët dhe vrasjet e tyre, sa ia del ta bëjë këtë është e dyshimtë. Edhe në tekstet ku pranohet në mënyrë eksplicide përcaktimi autobiografik, autorët, sado që tentojnë të jenë objektiv dhe synojnë misionin e hedhjes dritë mbi periudha historike, të cilat i kanë jetuar vetë, shpesh në mënyrë të pakthyeshme rrëfejnë për veten, për atë që ata kanë bërë, për reagimet, sjelljet e tyre, ndonjëherë edhe me mbivlerësim për veten, nga një gjë e tillë nuk shpëton as Trebeshina.
Rrëfimtari rrëfen duke u nisur nga kujtesa, e cila në disa raste, në mënyrë të qëllimshme mjegullohet dhe atëherë rrëfimi i lihet në dorë fantazisë. Në këtë mënyrë kujtesa ose mungesa e saj prodhon diskurse, shpik arsye, sajon histori, transformon situata jetësore në përputhje me besimin. Trebeshina i referohet kujtesës së tij, ndonëse me një periudhë kohë ndarëse të gjatë (autori ishte 62 vjeç kur e shkroi) ai bën një retrospektivën letrare personale.
Një prozë e tillë autobiografike paraqet një panoramë të gjerë dhe intriguese të jetës. Ajo nuk prezanton thjesht jetën e shkrimtarit të saj; një tekst i këtij lloji shpesh përball jetën e shkrimtarit dhe atë që rrëfen rrëfimtari i saj.
Në prozën bashkëkohore autobiografike shqipe ekziston një divergjencë në pikë shikimin ndërmjet autorit të pasionit dhe atij të misionit: i pari e kthen botën nga vetja, tekstin autobiografik e shndërron në ligjërim të pasionit (Kadare, Shehu, R. Dibra), përderisa i dyti, e kthen veten nga bota (Marko, Zhiti e deri diku, edhe Kongoli). -Trebeshina duket sikur ka një pozicion të ndërmjetëm, vendos të tregojë për veten, por edhe për mënyrën sesi e sheh botën.
Shkrimi autobiografik vihet përballë diskursit ideologjik, politik. Kështu, diskursi letrar herë-herë mbetet nën hijen e diskursit historik dhe socio-politik për t’i dhënë forcë komentit dhe informatës. Gërshetimi i formave letrare me ato joletrare, shndërrimi i diskursit nga ai personal në atë politik, duket se çon në ikje nga subjektiviteti për hir të objektivitetit. Teksti i largohet vetvetes, për të folur për të tjerët, por edhe ata përshkruhen prej pozitës subjektive, ndaj subjektivizmi edhe këtu thuhet se është i pashmangshëm.
Ndodh shpesh që shkrimtarët me krijimtari të gjerë letrare ndërtojnë me tërësinë e krijimtarisë së tyre një projeksion autobiografik të larmishëm, të njëjtën gjë bën dhe Trebeshina në krijimtarinë e tij.
Ky projeksion ndryshon nga vepra në vepër, sidomos kur proza autobiografike thuret brenda formës fiksionale, kur diskursi autobiografik konsiderohet si instancë e dytë e ligjërimit referuar Barthes, apo merr statusin e intertekstit referuar termave të Jefferson . Shenjat autobiografike për periudhën e kohës që rrëfehet tek “Dafina të thara” i gjejmë edhe në romanin “Kënga shqiptare”, ku sërish vihet në lojë teoria e zhanreve e titullon këngë dhe realizon një roman.
Romani “Kënga shqiptare” është një roman që brenda tij shfaq elementë autobiografikë, por shenjat autoreferenciale janë me status interteksti. Trebeshina, nuk flet për autobiografi, por as për kujtime në mënyrë eksplicide, por i shkrin ato në veprën e tij.
Në prozën “Dafina të thara”… Trebeshina projekton jetën e tij si pjesë të një epoke historike. Jep shpjegime për ato ngjarje në të cilat mori pjesë, por me një gjuhë të letrarizuar dhe stilizuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.