KULTURË

Libri i ilustruar “Dua të bëhem polic…” prezantohet në shkolla

09:30 - 18.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




 

Nëse ju pyes a ka dashur njeri nga ju të bëhet polic, nuk besoj se do më thotë dikush ‘po’, por nëse pyet fëmijët europianë, mbi 50% e tyre thonë ‘po’.
Gazetari Nolian Lole e nis kështu rrëfimin për botimin e tij më të ri, një tekst edukativ dhe i ilustruar për fëmijë, që mban titullin “Dua të bëhem polic se ai është miku ynë”. I ardhur pas një botimi të mëhershëm pothuaj të të njëjtit zhanër “Heronjtë e monumenteve” shkruar si përrallë, Lole përpiqet të mbushë një boshllëk sa i takon edukimit të fëmijëve mbi jetën, ato që na rrethojnë dhe vlerat që duhet të përcillen, përmes mënyrave sa më tërheqëse për të vegjlit.
Për t’u rikthyer tek pyetja e mësipërme, Nolian Lole thotë se në Shqipëri, fëmijët nuk duan të bëhen policë, sepse polici në Shqipëri është parë historikisht si element frikësues. “Nëse mbetet kështu, atëherë ku do shkojmë? Vetëm po të bëhen bashkë të gjitha palët, ambienti ku jetojmë do bëhet më i mirë. A do bëhet pas këtij projekti? Nuk e dimë, por një tullë në mur do jetë vënë”, thotë ai.
Pse një libër? Sepse e shkruara sipas tij mbetet dhe na shërben për të folur, për të marrë shkas dhe për të nisur një edukim me ligjin, me shtetin, a dhunën, duke parë pasojat dhe shkaqet e secilës prej tyre. Lole vëren se libra si ky na shërbejnë të provokojmë pyetje, që më pas u japin përgjigje policët. “Pas një topi është gjithmonë një fëmijë”, “Vizita në rajonin e policisë”, “Rruga për në park”, “Dhuna në shkollë”, “Rrugës për pushime”, “Chat-i me të panjohur”, “Hajduti në shtëpi”, “Një ngjarje e pazakontë”, “Bishat”, “Heroi im”, “Zjarri” dhe në fund “Këshilla për prindërit” janë historitë që rrëfehen në libër. Kuptohet edhe prej titujve që janë situata problematike, përmes të cilëve fëmijëve u mësohet si të sillen. Në të gjitha këto, imazhi i policit është heroi dhe miku, që gjendet në krahun e fëmijëve në raste problemesh. Libri jep edhe një informacion të përgjithshëm për mënyrës si funksionojnë rajonet e policisë, si të sillen fëmijët në rast se humbasin, në rast zjarri, në rast se në shtëpi vjen hajduti e jo vetëm.


Libri në fakt vjen në Shqipëri, pasi si metodë ka pasur sukses jashtë vendit, në edukimin e moshave të reja. Edhe pjesa “Këshilla për prindërit”, përshtatur nga gjermanishtja, është një lloj manuali orientues për marrëdhëniet prindër-fëmijë.
Me mjaft rëndësi është për kohën kur jetojmë pjesa “Chat-i me të panjohur”, duke qenë se në Shqipëri, prindërit nuk kanë filtra mbrojtës në internet për fëmijët, ata kanë akses në çdo gjë që ka të bëjë me botën virtuale, duke çuar kështu edhe në ekspozimin e tyre ndaj rreziqeve që vijnë nga të panjohurit ose shikimi i programeve që nuk janë për mosha të reja.
Synimi i parësor i Loles, duke qenë edhe prind, ka qenë nisja e nxitjes së një modeli të shkollës si qendër komunitare, jo vetëm për të kaluar kohën me lojëra, por edhe me një nisje të marrëdhënies mes familjes, shkollës dhe policisë për çështje si sjellja në rrugë, aktivizimi, mosqëndrimi indiferent ndaj shkeljes, krimit, dhunës, sjellja në internet, apo edhe përballja me krimin në shkollë. Përballja me fenomene si bulizmi, vjedhja, rrahja janë pjesë e problemeve të çdo shkolle, ndaj synohet dhënia e informacioneve bazë se si duhet të sillemi kur fëmija e ka humbur prindin ish-polic në luftë me keqbërësit.
Matës i kësaj bëhet shkarkimi i aplikacionit, sepse Lole thotë se kështu ne kuptojmë sa kemi arritur të afrohemi fëmijët. Nga ana tjetër, prania e policit të zonës së caktuar ku ndodhet shkolla në takimet me nxënësit bën që ai të njihet dhe fitojë besimin e familjes. Në këtë pikë, vihet në dukje se nëse arrijmë që këtë ta bëjmë në shkollë, atëherë kemi hedhur një hap të mirë drejt rritjes së qytetarëve më të mirë, që në këtë rast janë fëmijët, por edhe prindërit bëhen më përgjegjës në sjelljet e tyre, nëse kemi parasysh se në mosha të vogla fëmijët janë shpesh imitues të prindërve.
“Në fund, nëse arrijmë dhe bëjmë një konkurs mes atyre që kanë grumbulluar më shumë pikë, do të kemi edhe një kurorëzim perfekt”, – tha Lole.
Pas botimit të librit, Nolian Lole ka bërë edhe takim me nxënësit.
Projekti “Dua të bëhem polic, se ai është miku ynë” ka bërë bashkë në një aktivitet të madh nën kujdesin e qeverisë së nxënësve dhe me pjesëmarrjen e drejtoreshës arsimore Kamëz, Ermioni Cekanit, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, gazetarit dhe autorit të librit me të njëjtin titull, si dhe projektit të Nolian Loles, drejtorisë së shkollës, prindërve, mësuesve dhe nxënësve të klasave të gjashta.
Ka qenë shkolla “Jashar Hoxha” në Paskuqan, ku në orët e Veprimtarisë Jokurrikulare është mbajtur takimi “katërpalësh”. Në takimin me nxënësit për prezantimin e librit, në fillim ka qenë mësuesja e lëndës që ka shpërndarë librin dhe më pas është mbajtur bashkëbisedimi prindër, fëmijë, policë dhe mësues. Projekti është mbështetur nga “Lëviz Albania”, ndërsa ilustrimet për librin janë realizuar nga Endri Beqo. Libri është miratuar nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.