EKONOMI

Mbrëmje gala për 55-vjetorin e “Sami Frashërit”. Teuta Dobi: Arsyet pse ne krenohemi

09:04 - 18.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Voltiza DURO

 

Gjimnazi “Sami Fra-shëri” në kryeqytet ka kremtuar 55-vjetorin e rrugëtimit të tij në arsimimin e brezave. Në dy vitet e fundit ky institucion arsimor renditet i pari për rezultatet e Maturës Shtetërore, me mbi 50% të rezultateve nota 9 dhe 10, si dhe për të tretin vit resht zë vendin e parë sërish në Kartën e Performancës të gjimnazeve publike. Në kuadër të 55-vjetorit, gjimnazi ka organizuar aktivitete të shumta përgjatë gjithë muajit dhjetor, që kanë filluar me panairin e shkencës të kryesuar nga nxënësja Edma Gjata e më tej me Ditën e Teatrit nga Helios Shuli. Një tjetër aktivitet interesant ka qenë edhe ekspozita e pikturës dhe fotografive të vjetra, e organizuar nga Kristo Topi, pasuar me takimin mes brezave, drejtuar nga presidenti i shkollës, Aron Ligori e me ditën dedikuar artit, ku nxënësit Ersi Druga e Boris Hoxha ishin organizatorët kryesorë të eventit.

Në Panairin e Shkencës ishte e pranishme edhe zv.ministrja Besa Shahini, e cila vlerësoi maksimalisht punimet e nxënësve. I gjithë ky muaj u finalizua me mbrëmjen gala nën mbështetjen maksimale të drejtoreshës së këtij gjimnazi, Teuta Dobi. Në fjalën e saj, drejtoresha shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij aktiviteti. “55 vjet gjimnazi ‘Sami Frashëri’, 55 vjet rrugëtim, 55 vjet gjimnaz elitar, që ka nxjerrë nga gjiri i tij personalitete të njohura në art, shkencë politikë e sport. Vlerat e këtij gjimnazi janë shumë të mëdha e kjo tregohet tek arritjet e nxënësve që ai ka nxjerrë në vite. Ka shumë arsye për të cilat ne krenohemi”, – tha Dobi gjatë mbrëmjes gala. Ajo më tej theksoi se për rreth 10 vite në gjimnazin “Sami Frashëri” ekziston seksioni dygjuhësh shqiptaro-gjerman, sipas një memorandumi bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit Shqiptar dhe Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë, në kuadër të iniciativës “Shkollat, partnere të së ardhmes”. Ky projekt, sipas drejtoreshës, ka rezultuar i suksesshëm si dhe ka krijuar lehtësira të pranimit në universitetet gjermane të maturantëve shqiptarë, pa dhënë provime shtesë. “Nga ky gjimnaz kanë dalë njerëz të shquar në shkencë, art dhe sport, ekonomistë, politikanë e biznesmenë. Jemi gjimnazi që kemi nxjerrë shumë njerëz të talentuar në fusha të ndryshme president, ministra e shumë shkencëtarë, artistë e sportistë të njohur. Unë nuk po i rendis, pasi ata janë të shumtë e ju do njiheni me ta në insertet që kanë përgatitur nxënësit. Kam pasur shumë komunikime me ish-maturantë, të cilët i përshëndes të gjithë”, – shtoi më tej drejtoresha e “Sami Frashërit” në fjalën e saj. Ky gjimnaz është vlerësuar me certifikata të shumta e çmime të nxënësve në olimpiada dhe konkurse kombëtare e ndërkombëtare, e vetëm në dy javët e fundit nxënësit e kësaj shkolle fituan dy çmime të para. Vlen të përmendet fakti që këtë vit numri i nxënësve ekselentë që marrin bursë nga Bashkia e Tiranës është rritur 10%.

Teuta Dobi: Falënderoj nxënësit dhe prindërit

Drejtoresha e “Sami Frashërit”, Teuta Dobi falënderoi edhe të gjithë nxënësit për kontributin e dhënë. “Kuptohet që është e pamundur të përmendim të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë gjimnaz dhe që kanë qenë të njohur. Gjej rastin këtu të përshëndes presidentin e senatit, Aron Ligori si edhe grupet e nxënësve të talentuar, që bëjnë pjesë në klubet e talenteve të shkollës, të cilët bënë të mundur realizimin e këtij koncerti dhe të gjitha aktiviteteve në kuadrin e 55- vjetorit. Falënderoj në mënyrë të veçantë për mbështetjen Bordin e Prindërve dhe komunitetin për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Do ta mbyll me një shprehje të Sami Frashërit, emrin e të cilit mban shkolla jonë: Mendja e një kombi është arsimi”, – u shpreh Dobi gjatë në mbyllje të fjalimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.