POLITIKË

Opozita greke vlerëson “surprizën” e Ilir Metës për Janullatosin

20:51 - 25.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lajmi lidhur me vendimin e Presidentit të RSh-së, Ilir Meta për dhënien e shtetësisë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos është pasqyruar gjerësisht në mediat zyrtare greke, si në atë të shkruar ashtu edhe në atë viziv.




Pjesa më e madhe e tyre, si agjencia zyrtare e lajmeve AMNA, ashtu edhe gazetat më të njohura greke si Kathimerini, Gazeta e Redaktorëve, ProtoThema etj, kanë botuar të plota: mesazhin e Presidentit Meta në faqen e tij në Facebook; Letrën e Presidentit drejtuar Kryepeshkopit Janullatos, si edhe Dekretin Presidentcial për dhënien e shtetësisë. Gjithashtu, mediat kanë përcjellë edhe mesazhet e Ministrit të Jashtëm Kotzias në Twitter, si dhe të deputetit dhe të ngarkuarit me marrëdhëniet me jashtë pranë Partisë Demokracia e Re, Giorgos Koumoutsakos. Edhe pse pa komente nga ana e gazetarëve, është evidentuar se “Dekreti Presidencial që mori fuqi menjëherë, mban datën 22 Dhjetor 2017 dhe u publikua në prag të Krishlindjeve”.

Më konkretisht Agjencia Zyrtare e Lajmeve AMNA[1], ka publikuar artikullin me titull “Presidenti shqiptar i dha shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Anastasios”. Artikulli pasi njofton lajmin se “Presidenti shqiptar Ilir Meta i dha shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastasios” komenton se “Dekreti i Presidentit, i cili hyri në fuqi menjëherë, daton më 22 dhjetor 2017 dhe u botua sot, në prag të Krishtlindjeve”. Më pas vijojnë të plota mesazhi i Presidentit Meta në faqen e tij zyrtare në Facebook, Letra e Presidentit Meta drejtuar Janullatos, si dhe Dekreti Presidencial për dhënien e shtetësisë.

Gazeta Kathimerini[2] në një artikull me titull “Kotzias: Masa e ndërtimit të besimit shtetësia shqiptare ndaj Kryepeshkopit Anastasios” i është referuar kryesisht mesazhit të përcjellë nga Ministri i Punëve të Jashtme greke duke evidentuar simbolikën e këtij veprimi. Për më tepër shkruhet se Ministri Kotzias e ka komentuar si një mënyrë njohjeje të punës së thellë humanitare të Kryepeshkopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, z. Anastasios, si edhe një masë për të forcuar besimin mes dy popujve dhënien e shtetësisë shqiptare nga Presidenti Ilir Meta te prifti greko-ortodoks.

“Përshëndes” shkruan ministri Kotzias në një tweet të tij “dhënien sot të shtetësisë shqiptare te Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastasios, një njeri i mençur, nga Presidenti i vendit zoti Meta. Një masë kjo e njohjes së punës së tij të thellë humanitare dhe e forcimit të besimit midis popujve tanë”. Në vijim artikulli komenton se “Presidenti i Republikës Ilir Meta, sipas shumicës së stacioneve televizive shqiptare dhe uebsajteve të tyre, i dërgoi një letër sot Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastasios, duke e informuar atë për vendimin e tij për dhënien e shtetësisë shqiptare”. Artikulli përfundon duke dhënë të plotë përmbajtjen e letrës së Presidentit Meta drejtuar Kryepeshkopit Janullatos.

Gazeta Iiefimerida[3] në një shkrim me titull: “Presidenti i Shqipërisë i dha shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Anastasio”, pasi komunikon lajmin, shënon gjithashtu se “Dekreti Presidencial që mori fuqi menjëherë, mban datën 22 Dhjetor 2017 dhe u publikua sot, në prag të Krishlindjeve”.

Në vijim citohet një pjesë e mesazhit të Presidentit Meta në Facebook: “Të dashur miq, në vigjilje të Krishtlindjeve, kam kënaqësinë të bëj publik vendimin tim për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos” duke shtuar se “Meta i referohet gjithashtu kontributit 25 vjecar të Kryepeshkopit për ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, kontributin e tij në bashkëjetesën fetare në vend etj”.

Në vijim jepen të plota Letra e Presidentit drejtuar Janullatos dhe Dekreti Presidencial për dhënien e shtetësisë shqiptare.

Po me të njejtën përmbajtje kanë komunikuar lajmin edhe gazetat dhe forumet e tjera të lajmeve, si gazeta ProtoThema[4] nën titullin: “Ilir Meta i jep shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Anastasio”, forumi mignatiu.com[5] nën titullin “Surprizë nga Shqiptarët: i dhanë shtetësinë shqiptare Kryepeshkopit Anastasio”, blogu i lajmeve news247.gr[6] nën titullin “Shtetësi shqiptare Kryepeshkopit Janullatos – Përshëndet Kotzias” etj. Ky i fundit, në një tjetër shkrim[7] me titull: “Koumoutsakos për Kryepeshkopin Anastasio: Njohja e merituar e shtetit shqiptar ndaj një personaliteti të vecantë” ka përcjellë gjithashtu edhe mesazhin e deputetit dhe të ngarkuarit me marrëdhëniet me jashtë pranë partisë Demokracia e Re, Giorgos Koumoutsakos, i cili shkruan në llogarinë e tij në Twitter:

“Dhënia e shtetësisë shqiptare te kryepeshkopi Anastasios përbën një akt pozitiv, një detyrim, si dhe minimumin e njohjes nga ana e shtetit shqiptar të një personaliteti me rrezatim unik, ndërkombëtar të ortodoksisë. Fjala dhe puna e tij kanë kontribuar fuqishëm në përmirësimin e vendit fqinj”.

Lajmi i dhënies së shtetësisë shqiptare te Janullatos nga Presidenti Meta është përcjellë edhe në mediat vizive. Më konkretisht stacioni televiziv Alpha në një reportazh dedikuar lajmit të dhënies së shtetësisë i referohet vendimit të Presidentit Meta duke cituar pjesë të mesazhit të tij në rrjetet sociale, si dhe dy mesazhet e përcjella në Twitter nga MPJ Kotzias dhe deputeti i parties Demokracia e Re, Koumoutsakos. Nga komentet që shoqërojnë këtë reportazh vlen të theksohet lidhja e këtij vendimi me takimin e para një muaji në Kretë midis dy Ministrave të Jashtëm, “me iniciativë të MPJ grek”, duke e parë atë si një meszh të vullnetit të mirë midis dy qeverive. Për më tepër është vënë në dukje vendimi për fillimin e punimeve në varrezat e të rënëve grekë në Shqipëri.

Reportazhi iu referua shkurtimisht edhe veprimtarisë së Janullatos, si dhe fjalës Tij në Kishën Ortodokse në Tiranë, duke e cilësuar këtë vendim si një pritshmëri ndër vite të besimtarëve ortodoksë në Shqipëri.

[1] Burimi: http://www.amna.gr/home/articl…

[2] Burimi: http://www.kathimerini.gr/9407…

[3]Burimi: http://www.iefimerida.gr/news/385076/o-proedros-tis-alvanias-edose-tin-alvaniki-ithageneia-ston-arhiepiskopo-anastasio

[4] Burimi: http://www.protothema.gr/greec…

[5] Burimi: http://mignatiou.com/2017/12/e…

[6] Burimi: http://news247.gr/eidiseis/pol…

[7] Burimi: http://news247.gr/eidiseis/pol…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.