KULTURË

Alketa Xhafa Mripa: Një zë për të pazëtë, Shqipëria ndriçohet me frazat e të internuarve

10:01 - 29.12.17 Fatmira NIKOLLI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka vite që emri i Alketa Xhafa-Mripës, gjendet në media të mëdha si “The Guardian”. Projektet e saj kanë mundur të marrin vëmendje ndërkombëtare. E ‘burgosur’ brenda identitetit shqiptar, brenda kujtimeve të luftës, të grave që u dhunuan e mandej u gjykuan, të atyre që ikin nga vendi nën kamionë, ajo ka sjellë vepra, që në shumë mënyra u kanë dhënë zë të pazëve.
“Nuk kam në dorë ligjin, as vendimin, unë mundem vetëm të veproj. Kam vetëm fjalën, kam vetëm artin pamor. Por përmes këtij vizualiteti mund të bëhet shumëçka. Sot, artistët kanë përgjegjësi për të ndihmuar shoqërinë. Për të bërë shoqërinë bashkëpunuese.




Kam parë se askush nuk i respektonte, as nuk po i mbështeste ato vajza, askush nuk u jepte zë atyre grave, e sidomos te femrat shqiptare, që janë prekur në moral e tani e gjithë barra i ka rënë shtëpisë, që në konceptin e shumëkujt kishin turpëruar edhe familjen. Atëherë, unë ndjeva se këto femra po e përjetojnë luftën dy herë: herën e parë përmes dhunës dhe së dyti prej shoqërisë që i gjykon, qeverisë e institucioneve që nuk i kanë përkrahur”, sqaron Xhafa-Mripa.

Në ONUFRI ka ardhur edhe përmes një videoje me të atin, Xhevdet Xhafajn edhe ai artist. Është një video ku e lan babain e moshuar. “Dikur duart e tij, të ashpra pak, më kujtohen kur më fërkonin, më lanin, ishte në to era e bojës, e penelit – e megjithëkëtë e ndjeja dashurinë e tij. Është një zakon që kur të vdes dikush në shtëpi, ishte familja që e lante dhe e bënte gati. Por në këtë video ka një rol ndryshe – nuk është babai që më lan mua të vogël, jam unë që e laj babain”, thotë Alketa.

Ndërsa mbi veprën e “thesit të artë”, rrëfen se kjo ishte mënyra si e ka përjetuar Shqipërinë kur ishte fëmijë, duke menduar se është thesar i artë, se flitej shqip, flamuri ishte kuqezi. “Këto mua më mungonin e më ndaloheshin. Por ne nuk dinim çfarë ndodhte brenda këtu. Kur kam marrë vesh çfarë ka ndodhur në komunizëm, kur kam marrë vesh për viktimat e të dënuarit, kam kuptuar që është fasadë, fals”, thotë ajo pasi është njohur me krimet e komunizmit.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Alketa Xhafa Mripa rrëfen marrëdhënien me vëllain Sislej e të atin Xhevdet – të tre janë artistë, me punë krejt të ndryshme nga njëri-tjetri.


-Pse vendose të marrësh pjesë në ekspozitën ONUFRI?
Unë shumëçka e kam të lidhur me nostalgjinë e me memorien. Për ONUFRI-n është folur gjithnjë në shtëpinë time në Kosovë. Ka qenë si një ngjarje që përmendej me endje, me dëshirë. Unë s’e kam ditur që ONUFRI është edhe çmim, e kam menduar si një ekspozitë kolektive gjithnjë.
-Nga kush e keni dëgjuar, nga babai apo nga vëllai?
Babai e ka përmendur. Tirana e Shqipëria ka qenë si ëndërr për ne. Babai im e ka idealizuar tepër. Kam dashur gjithnjë të jem pjesë e ONUFRI-t, e kur kuratori më tregoi temën-konceptin e tij mbi kujtesën, kuptova që puna ime shkon shumë mirë me këtë koncept.
-Përtej kujtesës kolektive, secili ka kujtesën e vet, disi më të vogël, pjesë të së madhes, por me detaje personale. Ke zgjedhur të vish me një punë që jep shumë ndjesi. Pse me babain?
Videon, “Në emër të babait”, e kam bërë në vitin 2015. Është një kujtim i fëmijërisë sime, kur babai më lante. Mamaja ishte më e zënë me punë, ndërsa babai ishte në shtëpi sepse duke qenë artist, nuk kishte orare. Më kujtohet kur isha e vogël, më fuste në vaskë dhe më lante. Duart e tij, qenë të ashpra pak, por më kujtohen kur më fërkonin, më lanin. Ishte në to era e bojës, e penelit – e megjithëkëtë e ndjeja dashurinë e tij. Është një zakon që kur të vdiste dikush në shtëpi, ishte familja që e lante dhe e bënte gati. Por në këtë video ka një rol ndryshe – nuk është babai që më lan mua të vogël, jam unë që e laj babain. Jam pak më e fuqishme dhe laj trupin e ndjeshëm të babait tim 85-vjeçar. Dua të kap atë moment të fëmijërisë sime, atë ushqim shpirtëror që ai më ka dhënë kur isha fëmijë, dua t’ia jap unë atij, tani që është në moshë. Nuk dua ta lë të vdesë, dua ta laj sa është gjallë, qoftë edhe për t’i treguar se sa shumë më ka dhënë mua ky njeri shpirtërisht. Dua në një farë mënyre t’ia kthej gjithë dashurinë që më ka dhënë.


-Ju keni një tjetër video me babain tuaj, “Dad and me”, mbi raportin me Serbinë pas luftës…
Para 7-8 vitesh, mua më kanë thirrur në një ekspozitë në Beograd, me një ftesë nga një kuratore berlineze. Ajo ekspozitë ka qenë një mundësi e artë për mua si artiste, do më kishte çuar shumë lart në skenën e artit. Nuk e kam përjetuar luftën, por e di që kam qenë e rrezikuar, sepse nuk kam mundur të mësoj gjuhën shqipe në shkollë, sepse nuk na kanë lënë. Na është mohuar e drejta. Në video unë i them babait: Dua të shkoj në Beograd për një ekspozitë. Ai më thotë jo, nuk do shkosh. Unë i them pse, çështja e luftës ka mbaruar. Babai më thotë jo, s’ka mbaruar akoma, sepse ende nuk mund të bëjmë shumë gjëra, sepse kemi pengesa nga Serbia. Nuk mora pjesë në atë ekspozitë, sepse babai më tha jo, edhe pse krijimtaria ime do kishte pasur tjetër hov. Sa larg do të shkosh – kjo është pyetja që i bën vetes.
-Vjen në Shqipëri pasi ke ekspozuar në disa vende të botës. Një prej punëve të tua që të mbetet në mendje shumë gjatë, është ajo me titull “Unë mendoj për ty”. Sa dhemb ai fenomen?
Është një vepër që është sa modeste, edhe e madhe. E kanë prekur shumë njerëz. Me të ka qenë një ndryshim shoqëror rreth të mbijetuarave të luftës. Ideja në fillim ishte e thjeshtë “dhuro një fustan” – janë bashkuar të gjithë për të dhuruar nga një fustan për të njëjtën kauzë.
-Ka shumë femra të dhunuara e përdhunuara gjatë luftës që ndihen fajtore për këtë, që kanë turp për këtë, e që i paragjykojnë për këtë. A ka ndryshuar diçka?
Kjo ka qenë ideja, të mposhtet gjykimi e paragjykimi ndaj tyre. Nuk kanë bërë asnjë krim. Unë frymëzohem prej jetës së përditshme. Është diçka që më pengon e që më shqetëson në jetën e përditshme. Atëherë mendoj se si mund të shprehem, si mund të veproj kundër kësaj. Unë nuk kam në dorë ligjin, as vendimin, unë mundem vetëm të veproj. Kam vetëm fjalën, kam vetëm artin pamor. Por, përmes këtij vizualiteti, mund të bëhet shumëçka. Sot, artistët kanë përgjegjësi për të ndihmuar shoqërinë. Për të bërë shoqërinë bashkëpunuese. Kam parë se askush nuk i respektonte as nuk po i mbështeste ato vajza, askush nuk u jepte zë atyre grave, e sidomos te femrat shqiptare, që janë prekur në moral e tani e gjithë barra i ka rënë shtëpisë, që në konceptin e shumëkujt kishin turpëruar edhe familjen. Atëherë, unë ndjeva se këto femra po e përjetojnë luftën dy herë: herën e parë përmes dhunës dhe së dyti prej shoqërisë që i gjykon, qeverisë e institucioneve që nuk i kanë përkrahur.


Mendova të bëj diçka, diçka globale. Unë nuk mendoj lokalisht, mendoj globalisht. Arti e gjuha e tij janë të përbotshme, kjo është qasja ime.
-A ka pasur gra që kanë ardhur për të të falënderuar, gra prej atyre që janë përdhunuar e dhunuar në luftë?
Ah, po. Shumë ka pasur. Të mbijetuarat kanë ardhur dhe më kanë takuar ose më kanë shkruar. Më pyesnin nëse më ka ndodhur diçka mua ose familjes, por jo. Pse njeriu duhet të mendojë vetëm kur i ndodh atij? S’ka nevojë të të ndodhë, duhet vetëm të mbathësh këpucët e atyre. Duhet t’u japësh zë, zë të pazëve. Mua ata më nxisin.
-Kaq vite më vonë, ende ka të papenduar. A mendon se ka ndikuar te dhunuesit apo tek ata që deri atëherë ishin indiferentë ndaj fenomenit?
Nuk e di. Atëherë kur kam bërë këtë vepër, më janë bashkuar qytetarë të ndryshëm. Nuk e di nëse kanë pasur turp, që për aq shumë vite nuk bënë asgjë. Ndërsa për dhunuesit, them se vepra është shpërndarë globalisht. Askush nuk ka mundur më t’i mbyllë sytë, teksa një fushë e madhe futbolli, qe mbushur me fustane për 20 mijë gratë që u dhunuan gjatë luftës së Kosovës. Qeveria e Serbisë s’ka kërkuar falje, sepse janë ata që duke pasur vende kyçe marrin vendime.
-Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre, vetëm kanë ikur nga vendi. Një tjetër punë juaja që bëri bujë sivjet, ishte ajo që u shfaq në Londër. Si lindi “Refugees, welcome”?
Isha duke u kthyer nga Franca, ku isha me pushime me familjen. Para meje shoh një kamion. Pashë 4-5 veta që hynin në të, njëri nën rrota. U shokova, sepse isha e pafuqishme për të ndihmuar. Kam shkuar në Londër vetë më 1997-ën. Kam shkuar të studioj art, jo si emigrante. Pastaj u bëra refugjate prej luftës, sepse nuk mund të kthehesha në Kosovë. Për mua, Britania e Madhe e ka dhënë një farë mirëseardhjeje, sepse isha një njeri në nevojë, një njeri i lënë jashtë vendit nga lufta. Por pesë vitet fundit, shumë gjëra kanë ndryshuar. Jo vetëm vizualisht, por edhe shpirtërisht. Përgjigja e tyre e vetme tani është: “Nuk kanë mbetur më dhoma”.
-Pavarësisht se krijimtaria juaj ka shtrirje përtej rajonit, duket prapë kaq e lidhur me rrënjët. Pse?
Rrënjët janë fillesa jonë. Jam shumë e pasur brenda pikërisht nga ajo rrënjë që kam. Në të njëjtën kohë, atë lirinë e fjalës ma ka dhënë të jetuarit jashtë, ma ka dhënë Londra. Është një kombinim mes të dyjave.
– Babai, Xhevdet Xhafa që ka ekspozuar sivjet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ka ndikuar shumë në mënyrën si je formuar, por jo në formën tënde shprehëse në art. A ka ndikuar ai apo vëllai juaj, Sislej Xhafaj në artin tuaj, në ndonjë mënyrë?
Jo, as babai, as Sisi. Me babain punojmë në mënyra krejt të ndryshme, por edhe me Sisin që është bashkëkohor, nuk e di në më beson, nuk konsultohem për vepra, kurrë, kurrë. Secili ka botën e vet. Unë nuk ndikoj tek ai kurrsesi, por as ai te unë, nuk ndikon sepse secili ka formën e vet, stilin e vet. Mendoj që babai na ka dhënë atë bazën, por secili ka gjetur rrugën e vet. Unë merrem me çështje sociale, me çështje humanitare.


-Ju keni nisur një bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Dosjeve. Si është kjo përballje me Shqipërinë tjetër dhe si do e shfaqësh?
Në ONUFËR kam vënë një thes me ngjyrë flori, vepër që quhet “Dhurata e Artë”, sepse jemi në atë kohë kur i çojmë dhurata njëri-tjetrit. Unë dhuratë Shqipërisë po i bëj një “thes flori” – është mënyra si unë e kam përjetuar Shqipërinë kur isha fëmijë, duke menduar se është thesar i artë, se flitet shqip, flamuri është kuqezi kur këto mua më mungonin e më ndaloheshin. Por, ne nuk dinim çfarë ndodhte brenda këtu. Kur kam marrë vesh çfarë ka ndodhur në komunizëm, kur kam marrë vesh për viktimat e të dënuarit, kam kuptuar që është fasadë, false; kam kuptuar që ne e kemi idealizuar. Ndaj thesi është i artë nga jashtë, si na dukej ne Shqipëria dhe brenda janë dosjet e Sigurimit, siç ishte Shqipëria nga brenda. Është dhuratë që në vitin 2018 dosjet janë të pahapura.
Kjo vepër nuk ka lidhje me bashkëpunimin me Autoritetin e Dosjeve, më të kam një projekt me titull “Edhe muret kanë veshë”. Një shoqja ime donte të bënte një libër për gjyshen e saj në anglisht. Donte që unë ta paraqisja vizualisht. Ajo më nxiti. Ndaj fillova të lexoja për komunizmit. Më kujtohet që familja ime erdhi më 1980 në Elbasan. Solli televizor e ushqime në një familje që kishin miq. Ata i mbajtën të gjitha, por ne më vonë mësuam se pasi kanë ikur familjarët e mi, familjes në Elbasan ua ka marrë Sigurimi i Shtetit të gjitha dhuratat tona. Këdo që kam pyetur për atë kohë, më kanë thënë edhe “muret kishin veshë”. Më mbeti në mendje fraza dhe tani dua që t’u jap mundësinë njerëzve të thjeshtë të flasin e të rrëfejnë. Unë dua që ata që nuk kanë mundur të flasin t’u marr rrëfimet e të nxjerr disa fraza e që do të vendosen në 7-8 qytete të Shqipërisë. Në fund të muajit maj e gjithë Shqipëria do të ndriçohet, vetëm për një natë me thëniet e tyre. Muret do të shërbejnë jo si subjekt i ikjes, por si objekt i rrëfimit.
– Rrëfim në gur?
Rrëfim në gur e në mure. Sepse do të përdoren monumente e ndërtesa domethënëse për të vënë fjalët e të përndjekurve e të pazëve. Mund të jetë si narrativë për vendet e tjera, ndaj do të jetë globale, se si Shqipëria përballet me të shkuarën.
-Rrëfimet do të hiqen apo do të mbeten, pra frazat që do jenë në mure?
Do jetë një platformë online ku do të lexohen. Dhe do të jenë edhe në muzeun e Tepelenës që do të ndërtohen.
-A duhet të jenë në qytetet ku do ekspozohen së pari, si një kujtesë për të shkuarën? A duhet që siç komunizmi ngriti “skulpturat e veta”, të ngrihen disa skulptura kundër tij?
Pse jo? Nuk e kam menduar ende, sepse e gjithë çështja ka qenë mbledhja e rrëfimeve. Ja po ju shpjegoj. Unë i kam fustanet në Kosovë dhe kur t’u jepet atyre grave një status si veterane, atëherë do të bëj një skulpturë në Prishtinë.
E njëjta gjë mund të bëhet me rrëfimet mbi komunizmit.


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Armando Lulaj Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.