Speciale

Nga jetesa në stan dhe ‘kodi’ me delet, historia e Ramazanit dhe mesazhi që përcjell

14:43 - 04.01.18 Fatmir POPJA

“Mëso sa më shumë në shkollë, që të mos bëhesh bari me dele”. Mund të jetë një shprehje e dëgjuar rëndom në zonat rurale, teksa ky profesion nuk preferohet shumë, sidomos në kohët e sotme…



E ndërsa nuk numërohen më shumë 20 barinj në zonën e Malit të Dardhës, Njësinë Administrative Hotolisht të Bashkisë së Librazhdit, Ramazan Alliu duket se i ka rezistuar kohës, duke mos hequr dorë nga profesioni i tij. Dikur me shumë miq, sot vetëm me të birin dhe qenin e tij Ziko, Ramazan Alliu është një i moshuar që i ka kaluar të 85 vitet. Historia e jetës së tij është e pazakontë. Prej më shumë se 80 vitesh ai kujdeset për bagëtinë në Malësinë e Librazhdit. Verë apo dimër, çfarëdo lloj stine qoftë, 85-vjeçari ushtron profesionin e blegtorit në një prej zonave rurale, më të bukura të kësaj ane, jo shumë larg qytetit te Librazhdit.

Dita për të nis që në mëngjes me delet. Me bastun në dorë, ai nuk i ndahet punës… Madje nuk rresht edhe së gatuari ushqimin e tij në zjarrin që ndez te stani buzë një rezervuari mes pyjeve piktoreske të Dardhës. Te jetosh në stan nuk është e lehtë, ndërsa pak kohë më parë është lidhur dhe energjia elektrike. “Në luftë për mbijetesë”, – ka treguar bariu 85-vjeçar.

Alliu nuk ka kohë të merret me ushqimin dhe as të ngopet me gjumë sepse bagëtia e kërkon të jetë aty orar pa orar.  Mundi i bariut gjendet në shkopin e tij. “Jo kushdo mund të jetë bari. Që nga mosha 5-vjeçare, jeta ime ka kaluar në kullota dhe vathë”, – thekson 85-vjeçari, ndërsa shton se ka dashuri të madhe për kafshët, porse për shkak të moshës së thyer, kohë pas kohe ndien vështirësi.

“Bariu nuk ka orë. Një herë ngop barkun e kafshëve, pastaj të vetin”, shprehet 85-vjeçari, teksa në torbën e tij gjendet çajniku dhe ushqimi. Ai thotë se në natyrë çdo gjë është e shijshme dhe e bukur, por jep dhe një mesazh të qartë: “Nëse bën punën duke e dashur është e shijshme”. Ramazan Alliu ndonëse 85 vjeç edhe ai ka pasur dëshira të shijojë jetën. “Nuk kam mundur të shijojnë rininë. Bagëtia të do natë e ditë këtu në Mal. Ky mall do të qëndrojë brenda meje gjithmonë”, – ka thënë me zë të dridhur dhe i brengosur bariu.

Po si është situata me barinjtë? 85-vjeçari gjykon se interesi për këtë punë, veçanërisht tek të rinjtë pothuajse nuk ekziston.

“Në qoftë se dikush fillon të punojë bari ose blegtor, do të punojë për një kohë dhe pastaj i largohet këtij profesioni. Kjo pasi ai të privon nga qejfet, luksi etj. Rinia e sotme e ka mendjen te qyteti dhe ahengu. Por kjo është koha, ky është brezi i ri. Ne u lindëm dhe u rritëm me këtë profesion. Madje ia kemi mësuar gjuhën dhe huqet bagëtisë. Duket si çudi për rininë e sotme, por një çoban i mirë ‘komunikon’ me bagëtitë e tij”. Bastuni dhe qeni janë dy miqtë më të afërt të çobanit 85-vjeçar, i cili që prej moshës 5 vjeç i “qepej” nga pas babait të tij. Tingujt e fishkëllimave shfrytëzohen prej tij si mjet apo sinjal komunikimi në distancë. Ramazani duket se po ia kalon këtë profesion edhe të birit, i cili ka provuar edhe emigracionin.

JETESA NË STAN

Jeta në stan është jashtëzakonisht e vështirë, pasi mungojnë kushtet minimale të jetesës.  “Na është dashur të shpenzojmë vetëm për ndriçim në mbrëmje 500-600 litra benzinë dhe vetëm pak kohë më parë kemi lidhur energjinë elektrike. Duhet të kesh durim të pazakontë të jetosh në stan.

Gjithsesi ia vlen kjo lloj sakrifice”, – është shprehur, Fatos, i biri i bariut 85-vjeç, i cili më tej shton: “Familja jone ka një tufë prej më shumë se 200 krerë dele, të cilën do ta shtojme edhe më tepër në të ardhmen. Vitet e fundit kemi mbjellë sipërfaqe të shumta me jonxhë për të siguruar zajhiren e dimrit”.

Barinjtë këtyre zonave nga brezi në brez, i kanë përçuar njëri-tjetrit eksperiencë me vlerë lidhur me rritjen e mbarështimin e blegtorisë të imët.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *