OPINION

Libër për një mendjendritur

07:26 - 05.01.18 Nga MONIKA STAFA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me shkas nga libri “Herman Bernstein, ambasador i SHBA-së në Shqipëri (1930-1933), i M. Berishës




“Vendi mban një pozitë të rëndësishme në Adriatik. Në Shqipëri, edhe Lindja edhe Perëndimi i rrudhin krahët, si në pak vende të tjera…Mikpritja proverbiale dhe sensi i nderit nuk janë përkeqësuar në procesin e marshimit të shpejtë të nderit drejt modernizimit. Turistët, vëzhgues të skenave të habitshme dhe shumë të bukura të kostumeve të veçanta, të gjitha të ndryshme nga njëra–tjetra do të zbulojnë këtë tokë të panjohur europiane. Nëse ata e vonojnë vizitën e tyre në Shqipëri, atëherë do të jetë tepër vonë. Shumë prej gjërave më të magjishme të Shqipërisë janë në zhdukje…”

                                  Herman Bernstein, ambasador i SHBA-së, Tiranë, (1930-1933)

Kishte kohë që ‘dalldia e madhe mediatike’ e baltës që i hidhej vendit tim si rrallë herë më parë kaq publikisht, prej disa vitesh, nuk më bënte më përshtypje e që këtej gjithçka që vinte përmes kësi burimesh, e justifikonte indiferencën time dhe jo vetëm ndaj të tillë lukunie ujqërish që vetëm këtij vendi nuk i përkasin për gjak e shpirt. Jo se jam shumë e rezervuar në përshtypjet e mia ndaj ‘zërave’ të tillë, por, sepse ajo gjendje e neveritshme që të sjell në mendje këtë ndjesi është bërë e përditshme dhe tashmë mënyrë jetese. Në një vend ku mungon kultura e refuzimit të së keqes, nuk ka si ndodh ndryshe; në një vend ku njeriu nuk bën përpjekje më të provojë se nuk është mposhtur nga e keqja, madje kënaqet duke gjetur një provë se ka dhe të tjerë si ai; në një vend ku askush nuk guxon të shqiptojë se jo çdo refuzim është i keq, madje heshtje edhe atje ku ligësia përton të ngrejë sytë kur e sheh se kontrollon gjithçka. Askush nuk do ta kuptonte vërtet se shqiptarët janë një popull që nuk mund ta marrësh për budalla, si kemi dëgjuar kryeministrin e vendit ta cilësojë pothuaj në çdo dalje publike. Në të shumtën e herës, edhe vetë shqiptari nuk e beson këtë që i pari i vendit të tij, e përsërit në çdo ‘kuvend’. Dhe arsyet janë të shumta. E vërteta është se ajo që i huton ata në këtë pasthirrmë të çuditshme të liderit të kombit të vet, nuk ka rëndësi nëse është e sinqertë apo jo, është fakti që ata nuk besojnë më, në asgjë çfarë ndodh e çfarë flitet në mjedisin e tyre të vogël. Dhe që këtej u lind një e drejtë; e drejta për të menduar. Nuk kisha perceptim tjetër pas leximit me një frymë të librit me titull “Herman Bernstein, ambasador i SHBA-së në Mbretërinë Shqiptare 1930-1935” me autor Mal Berishën, teksa sillja ndër mend se prej çfarë thellësish të errëta të jetës, ku sundojnë vesi, krimi dhe mizerabiliteti i shtyn njerëzit e të njëjtit komb të hedhin baltë, baltë dhe baltë pangopësisht mbi vendin e tyre, kundërshtarin apo dhe të ngjashmin e tyre.

Si u njoha me Herman Bernstein?

Teksa studioja temën time të doktoraturës “Mbi hebrenjtë në Shqipëri, 1933- 1946” kisha ndeshur rrugës së kërkimit tim shkencor dhjetëra e qindra emra politikanësh dhe diplomatësh po aq dhe gazetarësh të huaj që kishin shkruar për Shqipërinë, e kjo jo si një detyrë ndaj një vendi që u ka ofruar një shërbim të caktuar, por thjesht nga ajo ndjesia që çdo njeri ka, kur dëshiron diçka ta rrëfejë e ta lërë si një pasuri kujtese më pas. Me shënimet e diplomatit amerikan në Shqipëri, Herman Bernstein, isha ndeshur vite më parë teksa bisedoja me një tjetër diplomat në Tiranë, idealistin e pandreqshëm në bindjet dhe mendimet e tij, mikun John Withers II, i cili më kish bërë të njohur pikërisht pasionin e tij të të shkruarit ku që këtej kisha mësuar edhe për punën e tij, si gazetar dhe diplomat (1930- 1933), në njohjen dhe promovimin e mbretërisë shqiptare në qarqet perëndimore të Europës, problemeve me të cilat ajo po përballej, por dhe çështjeve të ndryshme si mbrojtja e hebrenjve, promovimi i Shqipërisë si një vend turistik etj., si këto. Do më mjaftonte kaq për ta futur në agjendë kërkimesh emrin e tij të njohur ndërkombëtarisht, edhe si gazetar i shquar investigativ.

Kush është Herman Bernstein?

Herman Bernstein ka botuar 14 vepra e fatmirësisht të gjitha mund të gjenden të ribotuara edhe sot. Vetëm veprat e përkthyera nga ai, janë 17 e të gjitha kryevepra të autorëve të mëdhenj. Në këtë libër ambasadori Berisha nuk ka përfshirë vetëm periudhën e jetës së Herman Bernstein në Shqipëri, por aty duket se gjendet dhe densiteti i jetës së tij paraprirëse intelektuale. Diplomati amerikan Herman Bernstein, nuk ishte një njeri i zakonshëm, ai ishte një potencial mendimi kritik dhe dijetar i disa disiplinave të ndryshme filozofike e psikologjike, të cilat i njihte për shkak të dëshirës për informacion e dije. Në një moment të përshkrimit të jetës së tij ai i shpjegon kështu burimet e njohurive të tij për botën dhe universin: ‘..i kam përvetsuar teoritë shkencore më moderne nga Metchnikoff. Kam diskutuar për fenë dhe për artin me Leon Tolstoin. Principet e filozofisë moderne i përfitova nga Henri Bergson, diplomacinë botërore dhe çështjet ruse nga Konti Witte dhe Maksim Kovalovski, teorinë e artit e mësova nga August Rodin, shtetformimin nga Theodor Roosevelt dhe Woodrow Wilson, mbrojtjen e të drejtave të grave nga Havelock Ellis, imperializmin gjerman nga Hans Delbruck, literaturën dhe pacifizmin nga Georg Brandes, politikën e luftës dhe të paqes së Vatikanit nga Papa Bendedikti XV, sionizmin nga Weizmann dhe Anjshtajn, revolucionin rus nga Trocki, liberalizmin britanik nga Lordi Robert Cecil dhe gjithçka tjetër nga George Bernard Shaw’.

Bernstein dhe Shqipëria

Të vjen çudi se si një ambasador amerikan i atyre viteve, i ngarkuar me punë në një mision diplomatik, në një vend të vogël si Shqipëria, edhe pse nën masat e rrepta të një protokolli, vendos t’i thyejë ato duke e nisur ditën e parë të punës së tij, me përshkrimin mbi natyrën e magjishme në qiellin shqiptar dhe çuditë e saj të ngatërruara. Hulumtimet rreth Bernstein në çdo faqe të librit që rrëshqet duket se janë një lloj lundrimi në një oqean dijesh, që prek tërthorazi jo vetëm botën hebraike në të katër anët e saj, por dhe skajet e vetë kulturës dhe historisë së kohërave tona. Studimi i jetës së tij, në syrin e mprehtë të një diplomati si Mal Berisha, përbën në vetvete një sipërmarrje shumëplanëshe e tepër virtuoze. Kur lexon këtë libër kupton se i rrallë e po aq i admirueshëm mbetet fakti se sa shumë mund të bëjë njeriu gjatë një jete jo aq të gjatë, sa ajo e Bernstein. Mal Berisha ka hulumtuar në dhjetëra udhëtime të gjata ndërkontinentale të tij, në ato kushtet e lëvizjes së ngadalshme të kohës, duke kërkuar vullnetshëm dritën dhe ndriçimin që një studiues serioz dhe atdhedashës do të nxjerrë në pah tek bashkëkombësit e vet. Bernstein cilësohet si një mik i madh i kulturës shqiptare. Ai gëzoi respektin dhe simpatinë e intelektualëve shqiptarë të kohës, si At Gjergj Fishta, Aleksandër Moisiu, Lef Nosi, etj. Edhe pse Shqipëria paraqitej si një vend i vogël, emërimi i Herman Bernstein ishte një vlerësim shumë i madh politik që i jepej dikujt, pjesëtar i kësaj bashkësie në historinë e Amerikës. Se sa të afërta dhe konfidenciale ishin marrëdhëniet e Bernsteinit me mbretin A. Zog dëshmohet dhe në disa raporte dërguar Departamentit të Shtetit ku ndër të tjera A. Zogu i përcillte atij në një bisedë shqetësimin se Shqipëria është një vend i vogël. Nuk kam kohë për të humbur. Një prej problemeve më të mëdha që kam,-cilësonte mbreti shqiptar më tej, – është të gjej njerëz, të cilëve duhet t’u delegoj disa prej punëve të mia të rëndësishme. Ne vuajmë për njerëz të aftë dhe të përgjegjshëm,-pat mbyllur ai bashkëbisedimin me trishtim.

Si ka mundësi që një hebre lituanezo- amerikan, kaq i famshëm për polemikat e tij me njërin nga njerëzit më të fuqishëm të botës, industrialistin Henry Ford rreth çështjes hebraike dhe antisemitizmit do të caktohej në Shqipëri? Si është e mundur që në Shqipërinë e vogël dhe aq pa peshë në politikën globale do t’i shërbente Amerikës gazetari që mbuloi Revolucionin e Tetorit, e sa e sa ngjarje të mëdha që i kishin ndodhur njerëzimit në fillim të shek. të 20-të deri në vitin 1930 kur ai filloi punë si Ministër Fuqiplotë i SHBA-ve në Tiranë? E kjo ndoshta për të vetmen arsye; Shqipëria kish hyrë në agjendën diplomatike të SHBA-së, që nga momenti kur presidenti Wilson botoi deklaratën e tij në France Press, më 24.IV.1919 në të cilën i priste udhën copëtimit të Shqipërisë nga fuqitë europiane. Një personalitet i tillë, shkruan autori i librit në një kontekst shqiptar mbetet promovim i Shqipërisë, pasi ai përfaqëson dikë që ka përmasa universale. Ky është dhe qëllimi dhe misioni i veprës sime,- shpjegon më tej Mal Berisha: ‘…të zbulohet Shqipëria dhe shqiptarët siç e kanë parë njerëz të tillë të mëdhenj’. Ky quhet ndryshe dhe ‘pushteti i butë’ i kombeve të vegjël në marrëdhëniet ndërkombëtare, teoria moderne e njohjes së kombeve të vegjël nëpërmjet pafundësisë universale të vlerave shpirtërore, kulturore historike të njerëzimit dhe mjeti për promovimin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo teori e përpunuar prej Joseph Nay Jr, konfirmon se edhe kombe të vegjël, si Shqipëria nëse dinë të përdorin mirë trashëgiminë e tyre shpirtërore, kulturore dhe historike mund të bëhen interesante përpara kombeve të tjera dhe të arrijnë synimet e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo është dhe arsyeja përse presidenti amerikan Herbert Hoover, caktoi në Shqipëri si përfaqësues të tij një nga njerëzit me përvojën më të pasur me një emër të madh në gazetari, politikë, art e kulturë, një intelektual par excellence, një luftëtar të paepur të një çështjeje të madhe, jo vetëm për një komb, por për të gjithë njerëzimin: hebraizmin.

Bernstein dhe çështja e mbrojtjes së hebrenjve në Shqipëri.

Herman Bernstein kishte një ndikim të jashtëzakonshëm te lobi hebraik në SHBA, i cili ka luajtur përherë një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjen e presidentëve amerikanë të paktën prej asaj periudhe. Duhet thënë se Amerika e atëhershme nuk ishte aspak ajo e sotmja ku respektohen të drejtat e bashkësive të ndryshme. Gjurmët e antisemitizmit në Europë kishin filluar të shfaqeshin dukshëm. Edhe Amerika vetë, edhe pse vend i formuar nga emigrantët pati dhënë shembuj që nuk e bëjnë të ndihet mirë në raport me hebrenjtë e asaj kohe. Bernstein ishte i njohur si mbrojtës i paepur i çështjes së hebraizmit dhe ndërtimit të një shteti izraelit bashkë me njerëz të shquar nga fora hebraike, përfshirë dhe shkencëtarin e madh A. Anjshtain. Ai mendonte të hapte një korridor mbrojtës për hebrenjtë e Europës të kërcënuar nga nazizmi, duke i vendosur ata diku në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë. Herman Bernstein është i pari titullar i lartë hebre që shfrytëzoi rrugën e diplomacisë, si një mënyrë për të shpëtuar popullin e tij në rrezik dhe për t’i shërbyer me devotshmëri vendit që e mbështeste aq shumë këtë iniciativë. Diskutimet e Bernstein me Mbretin Zog në lidhje me mundësinë e vendosjes së një numri hebrenjsh nga Europa në Shqipëri, kanë pasur efektin e tyre në mbrojtjen e hebrenjve para dhe gjatë pushtimit italian dhe gjerman. Mbreti Zog u dha një porosi misioneve konsullore shqiptare në Europë, që të pajisnin me viza ata hebrenj të Europës, të cilët e shikonin Shqipërinë si mundësi shpëtimi. Kjo është dëshmia më e qartë e asaj vepre humane që arriti ambasadori Herman Bernstein me mbretin Zog në shpëtimin e hebrenjve, bazuar në ndjenja njerëzore të bashkëjetesës ndërfetare si një model unik e shprehës i vlerave universale njerëzore.

Arsyeja që e thellonte më shumë besimin e tij për të krijuar këtë korridor shpëtimi për kombin e tij duke u investuar madje edhe personalisht në marrëdhënie ndërpersonale me Mbretin Zog ishte pikërisht bashkëjetesa e shqiptarëve me hebrenjtë prej shekujsh. Duke qenë një kërkues ambicioz dhe me një vullnet të hekurt, ish gazetari i njohur kish grumbulluar nëpër qytetet e rëndësishme shqiptare mjaft të dhëna historike që vërtetonin këto gjurmë që në kristianizëm. Ja çfarë shkruan Apostol Kotani në librin e tij “Hebrenjtë në trojet shqiptare” mbi kërkimet e ambasadorit amerikan H. Bernstein; ‘…patriku i kishës ortodokse shqiptare, Visarioni, i kishte folur për një vendbanim të madh hebrenjsh shumë vite përpara, si dhe për një ndërtesë të madhe me yllin e Davidit që kish qenë sinagogë dhe më vonë u përdor nga turqit si han’. Kotani thekson më tej se Herman Bernstein shkruante se kjo pjesë e Elbasanit ish njohur si qendër banimi e hebrenjve dhe se ortodoksët që banonin aty mbanin emra biblikë si Abraham, Isak, Jakov, Moise, etj. H. Bernsteinit, Visarioni i kishte folur me entuziazëm për ndihmesën e dhënë prej hebrenjve në zhvillimin e qytetërimit duke denoncuar madje edhe persekutimet kundra tyre, në vendet e tjera. Ai përmendi dhe disa pjesë nga testamenti i vjetër hebraik duke hedhur idenë se Patriku Visarion mund të ishte me prejardhje hebraike, prej atij grupi që jetonin prej vitesh në Shqipëri. Sipas diplomatit amerikan, nënvizon A. Kotani, në arkivat e qytetit të Elbasanit u gjet një dokument i vjetër i shkruar me dorë mbajtur nga një turk, rreth 200 vjet përpara, i cili bënte fjalë për tregtarë të shumtë hebrenjsh që ishin përpjekur të shkelnin ligjet turke dhe ishin ndëshkuar prej tyre. Ndër të tjera, diplomati amerikan Herman Bernstein shkruante se kishte zbuluar në një botim të vitit 1611 në Gjermani se një bashkësi e madhe hebrenjsh ka ekzistuar në Shqipëri gjatë shekujve XV-XVI. Sipas tij në këtë libër shkruhej se mijëra hebrenj patën gjetur vendbanim në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë si Lezha, Durrësi, Vlora, Shkodra, Kruja, Berati, Dibra e Danja. Ata ishin hebrenj të ikur nga Ankona në kohën e Papa Palit IV, 1476. Dhe, për fatin e mirë të atyre, që u vendosën në Shqipëri edhe para apo pas pushtimit italian, u dëshmua se këto troje shërbyen si stacione shpëtimi në kohën e rrezikut të madh si shpallja e platformës Zgjidhja Përfundimtare.

Libri mban gjithaq mbi modelin modern të një ambasadori edhe në kohët e sotme, një model aspak i diplomatit në karrierë dhe po aq i atij që vihet nën presion të diplomacisë ekonomike, që, në fakt, nuk mund ta bëjë dot i vetëm pa shtetin e tij. Libri është një udhërrëfyes i disa sferave në dukjen dhe padukjen e tij se si një diplomat duhet të jetë, një model i vërtetë i pakohë dhe universal. Bernstein shfaqet aty më saktë se çdo përcaktim tjetër do të shkruante dikush; një lord anglez, një amerikan sportiv dhe një zotëri europian. Pjesëtar i një race të njohur për zgjuarsinë dhe idealet e larta, por e persekutuar dhe e torturuar prej fanatizmit të verbër dhe shovinizmit të egër të vendeve të çmendura. I rritur në qarqet më të larta intelektuale të kohës së tij, i ushqyer me parimet e dashurisë për lirinë e kombit të Linkolnit, ai e njeh botën nga të dyja anët, atë të errëtën dhe të shndritshmen. Ai është një prej pionierëve të botës së re.

Herman Bernstein e pat filluar jetën e tij intelektuale si poet e vazhdoi si përkthyes, si gazetar dhe analist, si polemist për ta përmbyllur si diplomat. Në jetën e mikut të shqiptarëve, si ai cilësohet prej gjithë atyre që e njohin në aureolat shkencore, ndikimi i gjithë aspekteve që plotësojnë njohjen e figurave të mëdha apo një periudhë historike, ka qenë jashtëzakonisht i madh. Kjo përcjellje informacioni, ky tejçim zërash prej lartësie të padiskutueshme mendimi, që autori ndan me lexuesin është pasioni që mban ndezur vullnetin e së nesërmes për të pritur me guxim dhe dashuri, të rejat e një bote tjetër, botën e dijes. Çfarë është kjo për autorin, vlen të mbetet një sekret mes tij dhe librit, siç, në fakt, çdo autor e ka një sekret kur nxjerr prodhimin e vet. Ajo që kuptojmë se çfarë ka ndodhur mes tij dhe personazhit karizmatik të diplomacisë amerikane, e që ka hyrë me aq dashuri në analet e historiografisë shqiptare, është ndjesia e një magjie, një magjie shpirtrash mes të dyve që vazhdimisht ka dëshirën për të kompozuar dhe çliruar mirësi.

Çdo herë që një libër botohet mbetet një dritare e bukur për botën, sepse po aq herë ai shfaqet, godet me romuz trupat e ‘heronjve’ shëmtarakë të ditës me të cilën është mbushur aureola jonë sociale, ekonomike dhe politike. Libri i Bernstein mbetet një libër për heronj të dashuruar pas lirisë dhe evolucionarizimit për të pushtuar të gjithë ata të cilët, të mësuar me një epokë të re promovimi të vetëkënaqurish të patrazuar, presin të rishkruajnë apo rilindin një kujtesë apo një vizion të ri vlerash, mbi skeletet e zverdhura të pa gjak e të pajetë të personazheve, kontributorët e zëshëm të shëmtimit që i shpalosin këtij vendi, në çdo betejë me të cilën ai përballet.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.