Speciale

Zhabljaku e Kolashini, rrugët e reja të turistëve shqiptarë

09:50 - 05.01.18 Rezarta DELISULA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sa e sa herë e nisim një bisedë turizmi me fjalinë “Eh mirë, ku krahasohemi ne…”, duke iu referuar çdo vendi që rrethon Shqipërinë tonë të vogël. Kjo fjali më erdhi dhe mua ndër mend teksa ktheheshim nga Zhabljaku në Kolashin. Veriu i Malit të Zi e ka veshur gunën e bardhë, ndërsa rruga përmes kanionit fantastik të Moraçës gjarpëron drejt Kolashinit. Nga kufiri shqiptar deri në Kolashin duhen rreth 2 orë dhe nuk ka probleme të qarkullimit, pasi rruga ‘spërkatet’ vazhdimisht me kripë.





Kolashin
Qyteza është rreth 950 metra mbi nivelin e detit, në këmbë të masivit të Bjelasikës, Sinjavinës e Komovit të përfshirë në Parkun Nacional të Biogradska Gora. Në qendër ngrihet godina tipike e kohës së Titos, ngjyrë gri, e cila nga lart ka pamjen e yllit e që sot është vendosur administrata e komunës. Pak më tej, një rrugë pedonale e mbushur me kafene të vogla e dyqane. Një park aventurash në fillim të masivit pyjor në qendër qëndron hapur në 12 muajt e vitit e është një mundësi ndryshe argëtimi. Qendra e skive ndodhet në mal, në lartësinë 1450 metra dhe kryesisht për të shkuar atje hotelet ofrojnë transport, por ka edhe autobus linje. Anxhela Dugoviç, drejtoreshë e qendrës së skijimit thotë se kapaciteti maksimal i arritur deri më sot në 3 teleferikët që ngjisin malin ka qenë 5 mijë vetë në një orë, ndërsa përmend shqiptarët si turistët ndër më aktivë. Çmimet e skive për një ditë janë 15 euro të rriturit dhe 11 fëmijët, pajisjet 10 euro, ndërsa snowbordet 10 euro për të rriturit e 2 më pak për të vegjlit. Po shkuat në Kolashin, mos lini pa provuar rakinë vendëse të kumbullës, por dhe “Dunja”, rakinë e ftoit me aq shumë shije.


Çmimet
Kolashini ka oferta të shumta për sistemimin e turistëve, duke nisur që nga hotelet e mëdha deri te bujtinat, e kjo në varësi të xhepit e qejfit që keni. Tani në janar nis edhe ulja e çmimeve. Një dhomë dyshe në dy hotelet e mëdha me mëngjesin dhe darkën brenda e gjeni 80-120 euro çifti pa pije. Sigurisht që ofrojnë edhe pishinë, xhakuzi dhe sauna e banja turke. Disa vila jepen me qira siç janë për 100 euro në ditë e kanë disa dhoma gjumi, ndërsa apartamentet kushtojnë nga 12-15 euro në natë, disa edhe me mëngjesin e përfshirë, të cilat mund t’i mbyllni në internet fare lehtësisht.


Zhabljak
Edhe pse është më larg se Kolashini, Zhabljaku ky fshat i vendosur 1450 metra mbi nivelin e detit në një pllajë të jashtëzakonshme më tërhoqi pa masë. Lumi Tara është bashkëshoqërues i udhëtimit, vend i cili gjatë pranverës deri në vjeshtë shfrytëzohet për rafting. Parku Durmitori me pishat e errëta gati në të zezë rrethon si për ta mbrojtur fshatin, i cili është shumë i ngjashëm si nga ushqimi, edhe nga zakonet me veriun e Shqipërisë. Madje, edhe njerëzit duket sikur ngjasojnë në tipare me malësorët tanë. Savin Kuk është qendra më e madhe e skijimit në Zhabljak, por ka edhe një në qendër, më të vogël. Zoran Shivoviç, drejtori i qendrës së skive në Savin Kuk thotë se janë dy teleferikë, tri pista dhe një tjetër posaçërisht për fëmijë, duke shtuar se turizmi në këtë zonë është në rritje nga viti në vit. “Në Savik Kuk inauguruam edhe parkun e aventurave, që është shumë argëtues”, thotë Shivoviç. Për Vanja Saroviç, që një degë të sajën e ka shqiptare, drejtoreshë e turizmit në Zhabljak, parku i Durmitorit i përmbush të gjitha kushtet për turizëm malor dhe Zhabljak, zona që ajo menaxhon po gjallërohet nga dita në ditë, ndërkaq që edhe turizmi veror malor është shumë i preferuar. Në Zhabljak ka më pak shqiptarë se në Kolashin dhe ata përbëjnë rreth 3 për qind të totalit, edhe pse ky vend ka bukuri të jashtëzakonshme dhe çmime më të lira. Të akomodohesh në hotel me 3 ose 4 yje me dy vakte brenda kushton nga 24 në 35 euro për person, ndërsa dhomat e vilat nga 10-20 euro për person. Ushqimi në Zhabljak është i shijshëm, mishi ka aromë fantastike dhe të shkrihet në gojë, sidomos ai i tymosuri. Çmimet e një pjate variojnë nga 3 euro sallata, te 7 euro pjatat kryesore e kjo në restorantet karakteristike të zonës. Edhe pse jemi kufitarë me Malin e Zi, mënyra e servirjes së turizmit është thuajse perfekte e sigurisht që shteti investon shumë në këtë drejtim. Zhelka Rado, drejtoresha e Agjencisë shtetërore të Turizmit në Malin e Zi na e përforcon idenë, duke thënë se 22 për qind i buxhetit të shtetit shkon për turizmin, ndërsa ata pretendojnë që në vitet e ardhshme të kapë 32 për qind. “Të ardhurat më të mëdha vijnë nga energjia, bujqësia dhe turizmi, ndaj synimi ynë kryesor është të kemi turizëm 365 ditë në vit”, përfundon Zhelka Rado. Ndalesa e fundit në kthim ishte një drekë në “Hilton”, në qendër të Podgoricës, hotelin luksoz ku qëndroi dhe zv.presidenti amerikan… dhe ky jo i pakapshëm për ne, pasi nga janari një dhomë dyshe kushton 90 euro…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.