EKONOMI

Autoriteti i Konkurrencës, rritja e çmimit të ujit e pa argumentuar

10:13 - 07.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autoriteti i Konkurrencës gjen të pabazuar në kosto rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Në vendimin “Për dhënien e disa rekomandimeve Entit Rregullator të Ujit dhe UKT në lidhje me ndryshimin e tarifave të shërbimit të furnizimit me ujë dhe largimin e përpunimin e ujërave të ndotura”, Autoriteti i Konkurrencës analizon të gjithë vendimmarrjen për rritjen e tarifës së ujit për tri kategori dhe jep një sërë rekomandimesh. Autoriteti i rekomandon Entit Rregullator të Ujit se “rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë”.




Gjithashtu, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon entit që të zbatojë ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe të të rishikojë kostot në drejtim të rritjes së performancës së administrimit dhe i kërkon që të rishpërndajë burimet e të ardhurave të kërkuara për investime. “Në analizën e miratimit të tarifave, për vitet 2018 dhe 2019 nuk janë të evidentuara treguesit e performancës lidhur me “ujin pa të ardhura”, “Kohëzgjatjen e furnizimit” dhe “Eficiencën e stafit”, këto dy tregues paraqiten vetëm në kolonën e pritshmërive për vitin 2022 dhe parashikohen përkatësisht 24 orë/ditë dhe 2.45 punonjës/000/lidhje”-thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

RRITJA E TARIFËS

Në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës me nr. 492, të datës 28.12.2017, thuhet se “Bazuar në relacionin shpjegues të ERRU për miratimin e tarifave të reja për vitin 2018, nuk gjejmë të detajuar strukturën e kostos mbi bazën e së cilës është miratuar tarifa brenda së cilës përfshihen tri elemente: Tarifa e ujit për shitje sipas kategorive të konsumatorëve ; Tarifa për Shërbimin e Grumbullimit, Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura; Tarifa e shërbimit”. Sipas Autoritetit tarifat e furnizimit me ujë ndryshojnë vetëm për tri kategori: a) Klientët familjarë, për të cilët tarifa nga 45 lekë/m3 bëhet 65 lekë/m3, pra tarifa rritet me rreth 44%; b) Klientët publikë, për këtë kategori tarifa ndryshon nga 120 lekë/m3, në 140 lekë/m3, pra me një rritje rreth 17%; dhe kategoria e tretë c) Klientët privatë, për të cilët tarifa ndryshon nga 135 lekë/m3, në 155 lekë/m3, pra me një rritje rreth 15%. Duhet theksuar se për të tri këto kategori rritja parashikohet në masën 20 lekë. Në vendim theksohet fakti se përveç ndryshimeve në kategoritë e mësipërme, ERRU ka miratuar edhe ndryshimin e tarifës fikse mujore të shërbimit “Tarifë fikse” për të gjitha kategoritë duke e çuar në 200 lekë/muaj/klient, nga 100 lekë/muaj/klient që është aplikuar deri me datë 31 dhjetor 2017. Në këtë vendim të ERRU, sipas Autoritetit të Konkurrencës, enti ka paraqitur edhe treguesit kryesorë të performancës për vitet 2018, 2019 dhe pritshmërinë për vitin 2022, të cilët sipas metodologjisë së përcaktimit të tarifave të ERRU janë pjesë e objektivave për vlerë- simin e ndryshimit të tarifave. Sipas relacionit shpjegues teknik të ndërmarrjes vihet re një nivel i lartë i ujit pa të ardhura prej 67.6% për vitin 2017.

REKOMANDIMET

Autoriteti i Konkurrencës kërkon nga Enti Rregullator i Ujit që për çdo rast të rishikimit të tarifave të reja për ndërmarrjet e ujësjellës kanalizime, të përcaktohet qartë struktura e kostos mbi bazën e së cilës miratohen tarifat, bazuar në metodologjinë “Për vendosjen e tarifave për shërbimin e furnizimit me ujë dhe largim e përpunimin e ujërave të ndotura”, në të cilën përfshihen kostot e: Tarifës së ujit për shitje sipas kategorive të konsumatorëve; tarifës për shërbimin e grumbullimit, largimit e përpunimit të ujërave të ndotura ; tarifës së shërbimit. “Rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë. Të rishikohen kostot në drejtim të rritjes së performancës së administrimit dhe të rishpërndahen burimet e të ardhurave të kërkuara për investime edhe nga ulja e kostove të operimit dhe mirëmbajtjes pasi sipas vendimit të ardhurat do të vijnë në masën 96% nga rritja e tarifave, dhe vetëm 4% nga rritja e nivelit të faturimit”- thuhet në vendim.

TARIFAT

Tarifat e furnizimit me ujë ndryshuan vetëm për tri kategori:

a) Klientët familjarë, për të cilët tarifa nga 45 lekë/ m3 bëhet 65 lekë/m3, pra tarifa rritet me rreth 44%;

b) Klientët publikë, për këtë kategori tarifa ndryshon nga 120 lekë/m3, në 140 lekë/m3, pra me një rritje rreth 17%; dhe kategoria e tretë

c) Klientët privat, për të cilët tarifa ndryshon nga 135 lekë/m3, në 155 lekë/m3, pra me një rritje rreth 15%. Duhet theksuar se për të tri këto kategori rritja është në masën 20 lekë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.