EKONOMI

Migena Kika: Rritet numri i të prekurve nga autizmi, djemtë më të predispozuar

11:00 - 08.01.18 Voltiza DURO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Numri i të prekurve nga autizmi apo sëmundja e “heshtur” ka pësuar një rritje vitet e fundit, kjo pasi ka evoluar edhe teknologjia e mënyrat e diagnostikimit. Shenjat e para të këtij çrregullimi shfaqen midis moshës 1-2 vjeç dhe diagnostikimi final bëhet mes moshës 2-4 vjeç. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja pediatre, njëkohësisht drejtoreshë në Qendrën për Mirërritjen, Zhvillimin dhe Rehabilitimin e Fëmijëve, Migena Kika tregon se djemtë preken rreth 5 herë më shumë sesa vajzat nga autizmi. Kjo i fundit, sipas mjekes është një sëmundje që zgjat gjatë gjithë jetës, edhe pse simptomat mund të përmirësohen me kalimin e kohës.




Çfarë është autizmi?
Autizmi është një çrregullim i neuro-zhvillimit, i përcaktuar nga marrëdhëniet sociale të limituara apo të dëmtuara, përdorim jonormal i gjuhës dhe sjellje, interes dhe aktivitete stereotipike. Shenjat e para shfaqen midis moshës 1-2 vjeçare dhe diagnostikimi final zakonisht bëhet midis moshës 2-4 vjeçare.
Cilat janë llojet kryesore të kësaj sëmundjeje?
Sipas klasifikimit të DSM-V (Manualit Statistikor Diagnostik të Sëmundjeve) kemi 3 lloje kryesore të çrregullimit të autizmit: ÇSA formë e lehtë, e mesme dhe e rëndë. Sipas DSM-4, kemi autizmin klasik (Kanner), sindromi Rett, Asperger, çrregullimi disintegrativ i fëmijërisë dhe çrregullimet pervasive të zhvillimit jo të specifikuara diku tjetër. ÇSA prekin njëlloj të gjitha grupet socio-ekonomike, raciale apo etnike, ku djemtë preken rreth 5 herë më shumë se vajzat.
Në cilën moshë shfaqet kjo sëmundje?
Autizmi është një çrregullim që shfaqet përpara moshës 3 vjeç, por shenjat e para mund të vihen re që kur fëmija është 18 muajsh dhe ndoshta edhe më i vogël. Disa fëmijë që diagnostikohen me ÇSA mund të shfaqin shenjat e para të sëmundjes që muajt e parë të jetës, kur janë akoma bebe. Te disa të tjerë shenjat nuk shfaqen deri kur ata bëhen dy vjeç ose më vonë. Diagnoza vihet që nga mosha 18 muajsh ose 2 vjeç nëpërmjet testeve specifike si ADOS dhe ADI-R. ÇSA zgjasin gjatë gjithë jetës së fëmijës, megjithëse simptomat mund të përmirësohen me kohë.
Si paraqiten shifrat e të prekurve nga autizmi?
Shifrat e fundit flasin për një rritje të rasteve me autizëm rreth 78% në pesë vitet e fundit. Ndërsa, po të krahasohet me numrin e rasteve para 40 vjetësh, kemi një rritje me 1000% krahasuar me katër dekada më parë. Një numër i madh studimesh po ndërmerren për të gjetur shkaqet e kësaj rritjeje drastike në prevalencën e autizmit. Studimet më të fundit tregojnë që vetëm një pjesë e vogël e rasteve mund të justifikohet me ndryshimet në mënyrën e diagnostikimit, rritjes së ndërgjegjes mbi këtë sëmundje, apo moshës së madhe në momentin e lindjes së bebit të nënës apo babait.
Cilat janë simptomat që shfaqin fëmijët e spektrit të autizmit?
Të gjithë fëmijët që futen në spektrumin e çrregullimeve të autizmit shfaqin deficite në ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, me sjellje përsëritëse e interesa të ngushta. Megjithatë, duke qenë se bëhet fjalë për një çrregullim që etiketohet spektrum, kemi të bëjnë me një variabilitet simptomash duke filluar nga forma të lehta deri në ato më të rënda. Kështu, në spektrum mund të kemi fëmijë që variojnë për nga konjicioni nga paaftësi intelektuale e rëndë deri në atë të lehtë apo dhe me koeficient inteligjence mbi normë. Nga 50% deri 70% e fëmijëve që vuajnë nga ÇSA kanë paaftësi intelektuale. Individët me funksion të lartë shpesh janë të vetëdijshëm që janë ndryshe nga të tjerët.
Cilat janë disa prej sjelljeve që mund të demonstrojë një fëmijë me autizëm?
Përbëhet nga një triadë dëmtimesh në socializim, komunikim dhe lojë imagjinare. Fëmijët paraqesin sjellje, interesa dhe aktivitete stereotipa, përsëritëse, restrictive dhe loja imagjinare është zakonisht e dëmtuar. Ndër-veprimi social i dëmtuar mund të shfaqet si pamundësi për të krijuar marrëdhënie sociale të përshtatshme për moshën, si dhe mungesë reciprociteti social dhe emocional. Disa fëmijë injorojnë fëmijët e tjerë, ose sillen me ta jo në mënyrën e duhur. Dëmtimi i komunikimit social mund të përfshijë vështirësi me format e komunikimit verbal dhe joverbal.
Si reagojnë ata ndaj stimu-jve të jashtëm?
Pacientët mund të paraqesin përgjigje anormale ndaj stimu-jve të ndryshëm psh., mund të kenë hypersensivitet ose hiposensivitet ndaj tingujve, materialeve të ndryshme duke përfshirë dhe rrobat që veshin ose dhe ndaj ushqimeve të caktuara. Mund të preken dhe shumë sisteme apo aparate të tjera, si ai gastrointestinal, imunitar etj.
Fëmijët mund të vuajnë nga shumë komorbiditete të tjera, si: epilepsia, sindroma të ndryshme genetike, dëmtim i shqisave, skleroza tuberoze etj. Komorbiditetet psikiatrike përfshijnë ankthin social, depresionin, çrregullimin e vëmendjes së pamjaftueshme me hiperaktivitet.
A ka raste kur fëmijët me autizëm shfaqin aftësi të veçanta?
Rreth 10 % e fëmijëve me autizëm mund të kenë aftësi të veçanta mbi nivelin e aftësive të tyre të përgjithshme, si psh., në muzikë, art apo kalkulime numerike, e cila quhet ndryshe dhe sindroma Savant.

Dëmtimet sociale që mund të ketë fëmija me ÇSA:

  • Nuk përgjigjet duke kthyer kokën apo duke reaguar kur e thërresin në emër duke filluar nga mosha 12 muajsh.
  • Shmang kontaktin me sy.
  • Preferon të luajë vetëm.
  • Nuk tregon interes dhe nuk ndan interesa me fëmijë të tjerë.
  • Bashkëvepron vetëm për të arritur një qëllim të caktuar.
  • Nuk ka shprehje fytyre, ose i ka të papërshtatshme për situatën ku ndodhet.
  • Nuk kupton kufijtë socialë personalë.
  • Shmang ose i reziston kontaktit fizik.
  • Nuk qetësohet nga të tjerët gjatë stresit apo shqetësimeve.
  • Ka vështirësi në të kuptuarit e ndjenjave të personave të tjerë, apo të flasë rreth ndjenjave të veta (CDC).
  • E ka shumë të vështirë të mësojë të ndërveprojë me të tjerët.

Shenjat

  • Hiperaktivitet
  • Impulsivitet
  • Vëmendje dhe përqendrim i shkurtër
  • Agresion
  • Vetëdëmtim
  • Temper tantrums (shpërthime zemërimi)
  • Zakone të çuditshme në të ngrënë dhe gjumë
  • Reagime të pazakonta emocionale dhe humori
  • Mungesë frike apo frikë më shumë se ç’duhet
  • Reagime të pazakonta ndaj tingujve, erës, shijes, të prekurit ose të parit

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.