EKONOMI

Ushtarakët, si mund të përfitojnë pension suplementar

13:30 - 08.01.18 Voltiza DURO
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjithë ata individë që kanë punuar si ushtarakë në disa prej disa institucioneve të përcaktuara në ligj kanë të drejtën e përfitimit të pensionit suplementar.




Në manualin e publikuar pak kohë më parë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore theksohet se kategoritë që mund të marrin këtë pagesë janë ushtarakët e Forcave të Armatosura në RSH, punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës së RSH, ata të Shërbimit Informativ të Shtetit e punonjësit e Policisë së Burgjeve. Gjithashtu, nga pensioni suplementar mund të përfitojnë edhe punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm si dhe punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

ISSH gjithashtu bën me dije se pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi kanë të drejtë ta marrin burrat mbi 47 vjeç, që kanë jo më pak se 15 vite shërbimi si dhe gratë mbi 42 vjeç, që kanë mbi 12 vite shërbim. Të gjitha kategoritë e sipërpërmendura mund të përfitojnë pension pleqërie sipas ligjit, ndërsa ajo pjesë e kategorive e deklaruar si invalide mund të marrë pension suplementar të invaliditetit të plotë apo të pjesshëm.

Ndërkaq, për të gjithë ata ushtarakë apo policë të rënë në krye të detyrës, familjet e të ndjerëve mund të përfitojnë pension suplementar familjar.


Dokumentacioni
Personat e interesuar duhet të paraqiten në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë vendbanimin dhe të pajisen me dy formate kërkese. “Një format kërkese i plotësuar paraqitet në strukturat nga ku keni ndërprerë karrierën ushtarake dhe keni dalë në rezervë/lirim apo pension pleqërie. Mbi bazë të kësaj kërkese, këto struktura dërgojnë në rrugë postare modelarin nr. 3 ‘Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese’ në strukturën rajonale të sigurimeve shoqërore, ku keni vendbanimin”, – citohet në manualin e ISSH-së. Ndërkaq, formatit tjetër të kërkesës, plotësuar në të gjitha rubrikat, i bashkëlidhet dokumentacioni përkatës dhe dorëzohet pranë ALSSH, ku individi ka vendbanimin.

Por, aplikantët duhet të bëjnë kujdes, pasi data e regjistrimit të kërkesës është tepër e rëndësishme. Personi që kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera, përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim. Përveç kërkesës, të interesuarit duhet të bashkëngjitin edhe dokumentacionin përkatës.

Kështu, për pension të parakohshëm, aplikanti duhet të dorëzojë edhe një fotokopje të kartës së identitetit, deklaratë për punësimin (e përvitshme), vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave, vërtetim nga zyrat e punës si punëkërkues, vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive. Ndërsa për pensionin suplementar të pleqërisë e atë të invaliditetit, kandidati duhet të dorëzojë edhe një fotokopje të kartës së identitetit.

Dokumentacioni

Për pensionin të parakohshëm:
– Fotokopje e kartës së identitetit.
– Deklaratë për punësimin (e përvitshme).
– Vërtetim nga zyra e Tatim-Taksave.
– Vërtetim nga zyrat e punës si punëkërkues.
– Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive.
Për pensionin suplementar të pleqërisë:
– Fotokopje e kartës identitetit.
Për pensionin suplementar të invaliditetit:
– Fotokopje e kartës identitetit.
Për pensionin suplementar familjar:
– Certifikatë familjare.
– Certifikatë e vdekjes së personit.
– Fotokopje e kartës identitetit së përfituesit.
– Vërtetim për vazhdimin e shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar.
– Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik.
Për pensionin suplementar familjar, kur ushtarakët humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj:
– Certifikatë familjare.
– Certifikatë e vdekjes së personit.
– Fotokopje e kartës identitetit së përfituesit.
– Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët.
– Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik.

Kategoritë përfituese

– Ushtarakët e Forcave të Armatosura në RSH.
– Punonjësit e Policisë së Shtetit.
– Punonjësit e Gardës së RSH.
– Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit.
– Punonjësit e Policisë së Burgjeve.
– Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit.
– Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.
– Punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.