Nostalgji

Isida Mollaymeri: Nuk mund të jetoj pa dashuri…

14:00 - 10.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Isida Mollaymeri: Nuk mund të jetoj pa dashuri…




E ka nisur baletin që në moshën 5-vjeçare, në Pallatin e Pionierëve ku më pas fitoi konkursin për të vazhduar Shkollën e Baletit. Kështu ka nisur rruga e bukur dhe e vështirë e një “historie dashurie” për skenën, e balerinës Isida Mollaymeri, pa të cilën nuk e di se si do të ndihej po të mos e kishte.

Prej shumë vitesh ka marrë pjesë në shumë aktivitete koncertore të shkollës, jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe ato të huaja. Ajo që e ka bërë të ndihet më mirë, ka qenë fakti i të qenit gjithmonë soliste dhe kjo sepse është përkushtuar dhe ka punuar shumë.

Duartrokitjet dhe spektatorët janë gjithmonë dhurata më e bukur dhe emocioni më i madh për të. Skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit e ka shkelur që në klasën e tetë. Është ndjerë e privilegjuar, sepse në ‘Liqenin e Mjellmave’ (viti 2001), i cili është dhe baleti i saj i preferuar, është zgjedhur në mes të 34 pretendenteve balerina si soliste nga artisti i Popullit Agron Aliaj. Përveç diplomimit, si të gjithë studentet e Akademisë së Dansit, në një shfaqje me prezencën e të gjithë diplomatëve po atë vit, Isida ka realizuar edhe një recital në TOB.

Me çfarë po merret këto kohë Isida? Angazhimet më të fundit.

Sapo kam përfunduar një film që është shfaqur dy ditë më parë në “Sheraton”, një bashkëpunim ky i Tirana Fest me Regione Puglia. Dy regjisorë shqiptarë kanë realizuar dy filma me aktorë italianë në Itali dhe dy regjisorë italianë kanë realizuar dy filma me artistë shqiptarë këtu. Pata fatin të jem e përzgjedhur dhe të jem pjesë e një grupimi serioz prodhues. Pata rolin kryesor në filmin “Tirana Sky”, me regjisor Beppe Sbrocchi. Ishte një eksperiencë e re, por mbresëlënëse, sepse munda të punoj në një zhanër tërësisht tjetër me baletin. Për sa i përket angazhimeve me TOB-in, tani jemi me pushime dhe unë po përpiqem të pushoj në breg të detit me miq, dhe pse jo, të argëtohem.

Çfarë do të thotë për ju të qenit një balerinë soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit?
Hyra në Teatrin e Operas dhe Baletit si soliste dhe kjo më ka bërë të mendoj se kam hyrë nga dera e madhe dhe me kokën lart. Kjo më bën të jem e përgjegjshme dhe të respektoj detyrat, detyrimet, eprorët, kolegët, duke pasur raporte të shkëlqyera me të gjithë. Mua më pëlqen gjithnjë që puna të jetë një vend ku të shkoj me kënaqësi, për më tepër që kemi të bëjmë me krijimtari artistike, është art baleti apo jo?! Kam marrë pjesë në shumë vepra artistike të vena në skenë, ku do të përmendja këtu “Liqenin e Mjellmave”, “Bajadera”, “Arrëthyesi”, “Silfida”, “Migjeniania”, “Lumi i Vdekur”, “Halili dhe Hajria”, etj. Kam qenë pjesë e të gjitha “music holleve” që janë shfaqur në teatër.


Si nis dhe përfundon një ditë e zakonshme për ty?
Zakonisht zgjohem herët, që në orën shtatë të mëngjesit, por tani jam bërë pak gjumashe. Më pëlqen që dita ime të nisë me njerëzit që dua me shumë, ata që ma bëjnë ditën më të bukur. Kam një qen që quhet Poku, është volpino, është shumë i këndshëm dhe është bërë një mik i mirë dhe çdo ditë e më tepër e kuptoj që është shumë i rëndësishëm për mua. (Qesh)

Keni qenë së fundmi pjesë e stafit të “Miss Shqipëria”. Si do ta cilësonit këtë eksperiencë?
Ishte vërtet një kënaqësi që kam qenë pjesë e atij stafi. Do të thotë që nuk isha thjesht balerinë, por pata mundësinë të marr një eksperiencë vërtet të vyer, pasi profesoresha ime, Kozeta Bakiu më besoi të jem as/koreografe. Por jo vetëm kaq, puna në grup me bëri të impenjohem edhe me gjëra që kanë të bëjnë me anën organizative… Ka qenë një eksperiencë vërtet shumë e këndshme dhe që më ka dhënë një sadisfaksion të madh.

Çfarë të ka pëlqyer më shumë nga eksperiencat e tua?
Unë jam njeri që përpiqem t’i jetoj dhe shijoj të gjitha momentet e bukura, të jetoj edhe me mënyrën e mrekullueshme, të adaptohem edhe me vështirësitë dhe të gjej gjithnjë edhe atje një gjë të bukur. Vjet kam qenë pjesë e një programi televiziv, “Anija e artistëve”, pata mundësinë të jem me një grup artistësh dhe të shijoj bregdetin e jugut të Shqipërisë, madje do ta konsideroja si një emocion të cilin do t’ua referoja të gjithëve ta provonin, por jo me makinë… me anije, nga deti.(qesh)


Ke pasion modën dhe sfilatat. Kjo është e trashëguar që në vogëli?
Në të vërtetë tani që mendohem, është një pasion që nis në familje. Nëna ime, gjithnjë është kujdesur që unë të kem të veshur gjëra të bukura, por të ndryshme nga ato që vishnin të gjitha vajzat e vogla, ajo rrinte me orë të tëra që të më bënte një fustan, një kordele, që të më trajtonte si një “kukull model”, kështu kjo mbeti dhe vazhdon të jetë brenda meje, unë gjithnjë kërkoj në veshjen time diçka që ta bëj më intriguese, më të rafinuar apo më trendy. Konsultohem me mamin, por sigurisht që vendimet tani i marr unë. Mua më pëlqen që të përdor kapele, shalle, lule, bizhu, ngjyrat më pëlqejnë shumë dhe i përdor. Kështu që edhe sikur të mos isha pjesë e pasarelave, moda është një hobi më vete brenda meje. Të them të vërtetën, kur më kanë bërë ftesë për të qenë, nuk kam nguruar të jem edhe në pasarela, është një botë e bukur. E di që tani po mendoj se mund të bëj dhe unë një sfilatë mode me ato që krijoj. Sa bukur do ishte….(bëj shaka).

Çfarë bën Isida për të mbajtur gjithmonë trupin në formë?
Në fakt, asgjë… Kam metabolizëm të mirë, jam nepsqare dhe dua të provoj çdo gjë që ma bën me sy (qesh). Duket ngaqë lodhem nga provat, kam nevojë për ëmbëlsira të cilat janë të preferuarat e mia.

Diçka rreth familjes tuaj. Sa e lidhur je me të?
Familja është pa diskutim për mua më e rëndësishmja. I kam pasur dhe vazhdoj t’i kem mbështetësit e mi në rrugën që kam zgjedhur dhe do ta quaja veten me fat që më kuptojnë dhe më japin gjithnjë energji pozitive. Në shtëpi tani jemi tre pjesëtarë: unë mami, babi, uuuu dhe Poku. Unë kam një motër e cila jeton në Itali. Gjithnjë kam dashur të kem një vëlla, kjo është një dëshirë e cila vazhdon të jetë brenda meje.
Me babin jam e lidhur më shumë. Me të flas dhe shkëmbej mendime, jemi miq të mirë dhe të them të vërtetën, unë nuk marr kurrë vendime pa u konsultuar me të më parë.

Është Isida e dashuruar? Çfarë mund te na zbulosh rreth jetës tënde private?
Të them se nuk jam e dashuruar, askush nuk do të besonte… sepse une jam e lindur nga dashuria, e rritur mes dashurisë dhe nuk mund të jetoj pa dashuri. Për mua të gjitha raportet, mes miqve, natyrës, kafshëve, madje edhe me këtë intervistë, krijohet një filing, një raport i cili është dashuri. Të duash është e vështirë, por jo e pamundur, sepse dashuri do të thotë sinqeritet dhe vërtetësi.

Jeni tolerante në një marrëdhënie?
Po, e tillë jam. Do të doja të ishte edhe ai ashtu, madje edhe më i përkushtuar. Me natyrën që kam, pa diskutim që do të më përkushtohej.

Projekti më i afërt në të cilin do të marrësh pjesë?
Pas pushimeve, projekti më i afërt është: “Miss Globe International”, besoj. Pavarësisht se tani është faza parapërgatitore, jam e sigurt që do të marr impenjime të tjera.

Ky shkrim u botua më 16 Gusht 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.