OPINION

Babagjyshi i Vitit të Ri është një plehrë

13:38 - 12.01.18 Besnik Mustafaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Njëri nga filmat më të shquar në kinemanë bashkëkohore franceze ka për titull “Babagjyshi i Vitit të Ri është një plehrë” (Le père Noel est une ordure). Është një komedi shumë argëtuese, realizuar në fillim të viteve ’80, me një pëlqyeshmëri planetare dhe që, kuptohet, me përmbajtjen e saj thellësisht humaniste siç është gjithmonë humori i shëndetshëm, nuk ka asgjë të përbashkët me çfarë do të shkruaj unë më poshtë.




Vetëm titulli, i nxjerrë doemos nga konteksti i filmit për të cilin ka lindur, me semantikën e vet të ftohtë, më ndihmon për të përcaktuar ndjesitë e mia lidhur me një shfaqje që Kryeministri ynë na dha në një televizion kombëtar në prag të vitit të ri, ndjesi këto fort të trazuara si prind, si qytetar i këtij vendi dhe si një njeri që, keq e mirë, ia kam kushtuar politikës njëzet vitet më aktive të jetës sime.

Fjala është për shfaqjen kur Kryeministri ynë, i veshur me xhybe të kuqe, mjekër të bardhë prej pambuku dhe çallmën si zilkë e përmbysur, në mizanskenën e Ardit Gjebresë, na paraqitet si mishërimi i babagjyshit të Vitit të Ri, të cilit një djalë me probleme shëndetësore i ka shkruar një letër me kërkesa nga më të natyrshmet, më njerëzoret. Si prind, jam i lumtur që halli i atij djali kurajoz e plot me dashuri për jetën, u lehtësua disi. Të paktën, do besuar se ky hall u lehtësua, në qoftë se Kryeministri ynë do e mbajë fjalën, gjë që nuk është shumë në karakterin e tij. Kam për atë djalë gjithë urimet e zemrës që kam për dy djemtë e mi. Nuk është aspak faji i tij pse unë u ndjeva i trazuar nga kjo shfaqje.

Faji kryesor është i Kryeministrit, të cilit i ka hyrë kaq shumë vetja në qejf, sa tanimë që mori edhe timonin, edhe tepsinë, do t’i veshë vetes edhe petkun e shpëtimtarit mitologjik për tokësorët më të dobët. Janë me qindra e qindra nëpër Shqipëri fëmijët që fati nuk i ka përkëdhelur e ndaj të cilëve shoqëria jonë ka detyrime të posaçme për t’i ndihmuar. Kjo përfshirje në gjuhën e politikës quhet solidaritet, është detyrim kushtetues për qeverinë dhe përmbushet me kontributin e të gjithë taksapaguesve shqiptarë. Kontributi i Edi Ramës për solidaritetin është në proporcion me taksat që ai paguan. Roli i Kryeministrit është krejt tjetër.

Fëmijët me cene shëndetësore janë pjesa më e dhimbshme në trupin e kombit. Kryeministri ynë dhe qeveria e tij nuk bëjnë asgjë për ta. Sepse solidaritetin, Kryeministri ynë nuk e sheh si një detyrim të lidhur më funksionin që i është besuar, por si një rast për t’i shprehur dashuri vetes një herë në vit duke veshur xhyben e kuqe të babagjyshit të Vitit të Ri për të dorovitur si në përralla një hallexhi. Kjo që bën Kryeministri ynë nuk duhet t’i ngjajë madje as asaj që bën Presidenti i Amerikës një herë në vit, kur, si një traditë folklorike i fal jetën një gjeldeti me rastin e Ditës së Falënderimeve. Kryebabagjyshi ynë i Vitit të Ri del nga shpella e tij qiellore për t’i ndryshuar jetën një njeriu.

Para dy a tri ditësh dëgjova në radio kryetarin e Shoqatës së të Verbërve të ankohej ndaj qeverisë, e cila nuk përmbushte detyrimet minimale të parashikuara me ligj për mbështetje financiare të anëtarëve të kësaj shoqate. Punë e madhe për ta, dhe për paraplegjikët dhe për fëmijët e prekur nga autizmi! Në zemrën e madhe të Kryeministrit tonë ka vend për dhembshuri vetëm sa ç’zgjat një episod televiziv. Faj të madh ka edhe Ardit Gjebrea, i cili e lejoi veten të përdorej nga Kryeministri në një mënyrë fort poshtëruese për një njeri me përvojë të gjatë në ekran siç është ai.

Gjebrea kishte bërë dhe një mizanskenë mizerabël, fund e krye manipuluese, me gjysmën e ekranit të mbushur me kokën e Kryeministrit me fytyrën të përmbytur nga dhembja, nëpër syrin e të cilit rrjedh një kokërr loti tek dëgjon lutjen që ky fëmijë i dërgon me shkrim babagjyshit të Vitit të Ri, domethënë atij, mrekullibërësit, që ai të verë dorën në zemër jo duke i sjellë lodra e çokollata, por për ta ndihmuar që të ndjekë shkollën.

Fjala është për një mjet që ta marrë nga shtëpia çdo mëngjes për ta çuar në shkollë e ta kthejë në drekë. Në gjysmën tjetër të ekranit është ky fëmijë, me një fytyrë plot hutim të bukur që i shkon si fëmijë që është, duke u përpjekur të luajë pa gabime rolin që i ka caktuar Gjebrea. Sepse Gjebrea, i përdorur nga Kryeministri, përdor nga ana e vet pamëshirshëm këtë fëmijë duke e vënë të luajë një rol që, në fakt, nuk është më për moshën e tij. Ai është nëntë vjeç.

Gjebrea është vetë prind, ka rritur të vegjlit e vet dhe e di se një fëmijë nëntë vjeç, me një zhvillim mendor normal siç dukej fatmirësisht ta kishte protagonisti i këtij episodi, e ka kapërcyer tashmë moshën kur i beson verbërisht realitetit të përrallës. Është një mizanskenë spekulative, karikaturale, e pandershme, e pasinqertë, lënduese për ne që e shohim. Për t’i thënë gjërat siç janë, Kryeministri është treguar cinik me Gjebrenë dhe Gjebrea është treguar cinik me vogëlushin. Dua t’i them një fjalë si prindi-prindit edhe nënës së atij djali, e cila e kishte shoqëruar të birin në xhirimin e filmit.

Unë e kuptoj hallin e saj të madh dhe gëzohem për të që ky hall, me sa duket, iu lehtësua sadopak. Por ajo, me vetëdije ose pa vetëdije, ka treguar një egoizëm të pahijshëm, duke u bërë karshillëk qindra e qindra nënave të reja si ajo apo edhe më pak të reja, të cilat, të shkretat, kanë të njëjtën brengë në zemër si ajo, por fati nuk ua ka sjellë e nuk do t’ua sjellë ndoshta kurrë të bien në duart e një zhongleri të televizionit. Për herë të parë e kam gjetur vërtet me vend përcaktimin që po ky Kryeministër ka bërë për mediat si kazan. Por që brenda këtij kazani ishte tashmë ai vetë si autor dhe protagonist i versionit shqiptar të filmit me titullin “Babagjyshi i Vitit të Ri është një plehrë”.

Burimi: Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.