OPINION

Policia që meritojmë

07:30 - 13.01.18 Besnik Bakiu
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sot Policia e Shtetit ka datëlindjen, ajo bën 105 vjeç, një moshë kjo e denjë për nderim dhe respekt. Ka qenë 13 janari i vitit 1913, kur qeveria e burrit të madh, Ismail Qemali, vendosi krijimin e Forcave të Ruajtjes së Rendit, detyrë të cilën ia ngarkoi luftëtarëve të shquar S.Vranishti, A.Tragjasi, H.Toska, H. Hekali, etj.; kurse si drejtor të parë i policisë shqiptare nderi dhe përgjegjësia i takoi Halim Gostivarit.




Ky vendim u shoqërua me 2 akte të tjerë, me rregulloren “Për funksionimin e Milicisë Shqiptare’ dhe dekretin “Mbi formimin e Xhandarmërisë Shqiptare”. Rëndësia e këtyre akteve qëndron në faktin se për herë të parë u hodhën bazat institucionale të Forcave të Rendit, si dhe u mëtua për t’u shkëputur nga tradita e vjetër ligjore osmane drejt Perëndimit.

Në nderim të faktit dhe dokumentit historike duket përmendur se “Qeveria e Vlorës” i dha rendësi të veçantë konceptit të sigurisë, si një prej sfidave më të mëdha të ekzistencës si shtetit, kombit dhe vetë identitet kombëtar. Kjo vëmendje shfaqet dhe përcillet qartë edhe në telegramet e para dërguar prefekturave dhe nënprefekturave, ku Ismail Qemali, pasi njofton për shpalljen e Pavarësisë, porosiste: ”… Lutemi … përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik”, “Është e nevojshme të bëhet një reformim në çështjen… e qetësisë publike”.

13 janari është caktuar si dita e “Forcave të Ruajtjes së Rendit”, pasi kjo datë e shënuar lidhet me historikun e strukturave që u është ngarkuar kjo detyrë e cila, në periudha të ndryshme kohore ka cilësuar me emra të ndryshëm, në përkatësi termave të kohës, herë si milicia, herë si policia dhe herë xhandarmëria.

Duke studiuar arkivat për këtë shkrim, më bëri përshtypje moderniteti dhe finesa e legjislacionit e hershëm të policisë shqiptare, madje, për të qenë i sinqertë u ndjeva disi në faj për problematikën jo të vogël të legjislacionit policor “post-diktaturë”. Në “Rregulloren mbi detyrat e Policisë”, miratuar nga Kongresi i Lushnjës në vitin 1921, parashikohen norma të Kodit Etik dhe Sjelljes të zyrtarëve të policisë, ku mes të tjerave atyre punonjësve u ndalohej kategorikisht “konsumimi i pijeve alkoolike, futja pijetore, kafene e klube, vendet e kumarit ose lojërave publike”, për të mos përmendur këtu qëndrimin dhe etikën e uniformës në paraqitjen publike. Ky Kod i atëhershëm të bën të nderosh lidhjen etimologjike që fjala polic ka me fjalën qytet (nga greqishtja e vjetër polis), si një detyrim i tyre ndaj sjelljes qytetare.

Gjithashtu, u befasove kur vite më parë vura re se një ndër drejtuesit e policisë të asaj kohe ishte edhe veprimtari dhe përhapësi i çështjes kombëtare, letrari dhe politikani Hil Mosi, apo kur më vonë, gjatë hulumtimeve të mia, mësova se drejtor drejtorie në Ministrinë e Brendshme ka qenë edhe dramaturgu i shquar Et’hem Haxhiademi, i cili përfaqëson ndër të rrallët tragjedianë shqiptarë që solli antikitetin në shekullin XX dhe u arrestua e u dënua me vdekje në kohën e diktaturës.

Në këtë 105-vjetor të Policisë së Shtetit, nderimi dhe mirënjohja e parë shkon për të rënët, atyre njerëzve që dhanë jetën duke qenë në radhët e policisë. Bashkë me ta, nderimi shkon edhe për të plagosurit në krye të detyrës, të cilët, të gjithë së bashku, për fat të keq kalojnë në numër ata të një lufte. Emrat e atyre që dhanë jetën do të kujtohen në përjetësi, pasi asnjëri prej tyre nuk shkoi drejt vdekjes me dëshirë për t’u shpallur “Dëshmor”, por kur vdekja u erdhi pranë, ata nuk u frikuan, se nuk kishin kohë të mendonin as për të, duke e sfiduar atë.

Po të ndjekësh transformimin e policisë në vite, të bie në sy roli i qenësishëm, që ka luajtur faktori ndërkombëtar në forcimin e modernizimin saj. Ky kontribut ka qenë i pranishëm që në fillesat e saj me misionin holandez të kryesuar nga William de Veer dhe zëvendësi i tij Ludvig Thomson, vazhdoi me misionin britanik të kryesuar nga Gjenerali Sir Jocely Perscy dhe është i pranishëm edhe sot me programet e misionet ICITAP, PAMECA, FRONTEX, SEPCA, DCAF, SELEC,CEPOL, INTERFORZA dhe Guarda di Finanza, OSBE, SCPA, etj.

Prandaj në këtë ditë feste nuk mund të lëmë pa kujtuar e vlerësuar me nderim veprën e miqve tanë ndërkombëtarë, pasi mendoj se ende nuk e kemi tejkaluar gjestin nderues të Imzot Fan Nolit, që në poezinë “Tomsoni dhe Kuçedra” na e përkujton më bukur se çdo epitaf i munguar: “Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re / Kalorës i huaj që vdiqe për ne!”.

Në këtë përvjetor, nderimi shkon, gjithashtu, edhe për veteranët e policisë, të cilët me punën, kontributin dhe sakrificat e tyre, të imponojnë vetëm mirënjohje e respekt.

Por mosha 105-vjeçare dhe nderimi që të imponon kjo moshë, nuk do të thotë të kyç vesh e gojë dhe të mbyllësh sytë, qoftë edhe në ditë përkujtimore si kjo. Shkruaj kështu pasi sot, edhe në ditën e përvjetorit të saj të 105-të, Policia Shqiptare nuk është në ditët e saj të mira, madje përkundrazi ajo është e akuzuar, e përfolur dhe e anatemuar. Pa dashur të bëj avokatin mbrojtës të askujt, nuk mund të rri pa shprehur mendimin se me gjithë borxhet që mund të ketë Policia e Shtetit, përsëri punonjësit e saj janë nga më atdhetarët dhe më të përkushtuarit e shoqërisë shqiptare. Kjo nuk përjashton faktin se individë të veçantë të inkriminuar mund të ketë edhe në radhët e saj, por ju siguroj se ata nuk kanë asnjë lidhje shpirtërore e profesionale me policinë, përkundrazi, për mendimin tim, (dhe jo vetëm) ata me anë të lidhjeve dhe kontributeve të dyshimta “extra policore” i janë imponuar policisë dhe e kanë shfrytëzuar atë. “Hienat e ndjejnë shpejt erën e viktimës”.

Të habit fakti që të gjithë i janë vërsulur policisë dhe askush nuk kujtohet për kontrollin e munguar nga SHKB, e cila paguhet nga taksapaguesi për zbulimin dhe dokumentimit të veprimtarisë kriminale që kryhet nga punonjës të Policisë Shtetit. Unë si ish-drejtues i këtij shërbimi(i dorëhequr) dhe si i ndjekur abuzivisht nga ai, do të kërkoja që minimalisht të bëjnë një “mea culpa”.

Në këto vite post-diktature policia shqiptare është ndeshur me shumë të përpjeta e tatëpjeta dhe gjithmonë më ka ngelur pa përgjigje pyetja “Pse nuk i ka interesuar politikës shqiptare krijimi i një institucioni të fortë policie?” Do ta përdorë, apo ka frikë nga inkriminimi i vet? Apo të dyja bashkë? Siç duket, raporti frojdian i urrejtjes midis zbatuesit të ligjit dhe antiligjit ka qenë mbisundues. E them këtë për këto arsye:

Mungesa e një konsensusi politik për të krijuar një Polici Shteti të qëndrueshme, të aftë profesionalisht dhe të depolitizuar. Vetëm ligji për Policinë e Shteti, është ndryshuar 5 herë dhe votuar vetëm nga mazhorancat e radhës, madje në dy herët e fundit pjesë të tij janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.

Kësaj i shtohen edhe qasjet krejt të kundërta pozitë-opozitë për punën, rezultatet dhe profesionalizmin e drejtuesve të policisë. Opozita e radhës e vendos Policinë Shtetit në epiqendër të akuzave, sikur të ishte e keqja më e madhe e këtij vendi, kurse pozita e mbron me një retorikë bombastike, sikur Shqipëria është “ndër shtetet me treguesit më të mirë në luftën kundër kriminaliteti, jo vetëm në rajon, por më gjerë”.

– Keqpërdorimi politik i policisë, për këtë mjafton të shikosh paradat e ministrave apo zv/ministrave në konferenca shtypi edhe për aksione të veçanta policore, habitesh. Thua vërtetë nuk e dinë se funksioni i tyre është politik dhe jo operacional? Nuk mund ta besoj, që e bëjnë nga padija.

– Policia dhe të qenit polic, pavarësisht nga grada, ka ngelur i vetmi ndër profesionet, që është penguar artificialisht të krijojë elitën e saj. Në këtë “shtatore migjeniane” politikën e ndihmoi e kudondodhura në antiligj, gjykata, me vendimet e saj për dhënie grada policore.

Gjatë 27 viteve ka ndodhur jo rrallë që njerëz pa asnjë lloj kontributi janë bërë drejtues dhe e kundërta. Kanë ndodhur kërcime të tilla në karrierë (për merita jo policore), që do t’i kishte zili edhe rekordmeni i botës në kërcim me shkop Sergej Bubka.

– Mungesa e respektit dhe solemnitetit ndaj institucionit të policisë. Sipas rregullave, kur i komunikohet detyra Drejtorit të Përgjithshëm, bëhet edhe ceremonia e dorëzimit të flamurit të policisë. Nuk është nderuese, madje është e turpshme, që ky flamur deri tani është marrë për herë të parë nga zoti Bilbil Mema dhe nuk është dorëzuar më asnjëherë. Asnjë nga drejtorët e policisë nuk ka mundur të përfundoj mandatin e tij ligjor, madje gjatë periudhës postdiktoriale janë ndryshuar mbi 16 të tillë.

Po t’i shtosh kësaj faktin se janë të rralla rastet kur mund të kesh “fatin” të takosh ndonjë punonjës policie të dalë normalisht në pension. Imagjino kur në një institucion që përgjigjet për sigurimin e zbatimit të ligjit dhe kur dhunimin e ligjit nga një qytetar i thjeshtë e quan krim, dhunimin e ligjit nga titullarët e saj e quan reformë, madje edhe pa e kuptuar dhe interpretuar domethënien dhe jo më etimologjinë e fjalës reformë.

Në këtë kuadër më vjen në kujtesë një ngjarje të jetuar nga një miku im, ish-drejtues i Policisë Shtetit. Vetëm pak kohë pas realizimit të një operacioni të suksesshëm, ku u kap një sasie e madhe droge, me inskenime nga më banalet dhe në mënyrë të kundërligjshme, ai arrestohet dhe futet në të njëjtën qeli me trafikantin që kishte arrestuar disa ditë më parë. Trafikanti i thotë: “Shef më arrestove mua, ja ku erdhe edhe vet këtu. Ky është shteti, shef?”. Pra, e kuptoni çdo të thotë të humbasësh besimin te shteti yt, për të cilin ke sakrifikuar jo pak. Është dërrmues ky fakt dhe, të mos harrojmë se historia botërore ka jo pak precedentë kur ish-zbatuesit e ligjit, të zhgënjyer dhe tradhtuar nga shteti i tyre, janë bërë të vështirë për t’u kontrolluar.

– Reformimi dhe ristrukturimi non stop i Policisë, madje nga 2-3 në vit (korr e mos lidh). Sipas meje në pjesën më të madhe të tyre, në këto reforma janë konstatuar probleme të mëdha etike, metodike dhe teorike, si dhe janë karakterizuar nga nepotizmi, klientelizmi, krahinalizmi dhe antiligji. Mendoj se ka ardhur koha të heqim dorë nga ora “0” dhe të fillojmë të numërojmë në mënyrë demokratike. Pra, nëse paraardhësi e ka lënë te dyshi, pasardhësi duhet të fillojë të numërojë te treshi dhe jo më te njëshi. Duke ju përmbajtur sindromës ”kopsës së parë mbërthyer keq”, reforma e re, ka lindur një reformë të dytë dhe kjo e fundit ka pjellë një reformë të re, e kështu pambarim… “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë, do të jetë”.

Këtij reformimi nuk i kanë shpëtuar as uniformat dhe simbolet, të cilat janë ndryshuar 5 herë, në këto 27 vite.

– Mbivlerësimi i rolit të policisë në shoqëri. Në demokracitë perëndimore misioni ligjor i policisë është të ruajë rendin dhe sigurinë publike, të mbrojë jetën e njerëzve, sigurinë dhe pronën e tyre personale; por në Shqipëri, ky mision, në mënyrë të padrejtë, zgjerohet dhe policia barazohet me vetë shtetin, si dhe shërbimet e tjera publike. Por ka ardhur koha që gjithë secili të përgjigjet për detyrën për të cilën paguhet nga taksapaguesi.

Në këtë ditë feste do të dëshiroja modestish të bëja disa apele dhe jepja disa sugjerime:

-Shoqëria të ndjejë detyrimin moral të bashkëpunimit me policinë kundër krimit, pasi nëse shoqëria nuk vepron, ngjarje kriminale, mund të përsëriten çdo kohë; si dhe respektit për figurën e policit, duke mos harruar se dhe ai është njeri me problematikat dhe vështirësitë që ka jeta e gjithë secilit nga ne, se edhe ai ka të përditshmen e vet në këtë Shqipëri të lodhshme e të drobitur. Dhe pavarësisht të gjitha këto ai në punën e tij i takon të përplaset me kriminelë, hajdutë, dhunues, të droguar dhe me lloj-lloj natyrash të vështira njerëzish, të prirur për të kryer akte kriminale.

Duhet të sjell në vëmendje se policia e ushtron veprimtarinë e saj në një shoqëri ku kultura ligjzbatuese është e mangët dhe shkelësit e ligjit janë në mazhorancë. Kësaj i shtohet edhe një mjedisi politik shumë të ndotur dhe agresiv.

-Do t’u kërkoja miqve të mi punonjës policie të duam, respektojmë më shumë njeri –tjetrin dhe të kemi etikë në çdo komunikim. Punonjësi i policisë nuk është një punonjës i zakonshëm. Ai është një emblemë, një përfaqësim. Çdo organizatë në botë, sidomos ato policore kanë si parim bazë të ekzistencës tyre, vlerësimin dhe respektin ndaj anëtarëve të vet.

-Misioneve të huaja policore (duke qenë mirënjohës për ndihmën e dhënë), u sugjeroj, të jenë më aktivë dhe më konkret në ndihmën e dhënë, pasi në ndonjë rast ndonjëri më kujton Penelopën te filmi “Odisea”. Të flasin në kohën dhe momentin e duhur dhe jo të mjaftohen vetëm me evidentimin e gabimeve, për të plotësuar raportin vjetor të tyre, pasi, siç thotë poeti i madh, miku im Xhevahir Spahiu në poezinë “Fjala” “E ç’më duhet kur s’u thashë atëherë kur duhej?” U sugjeroj të jenë më të drejtpërdrejtë.

-Drejtueseve të Ministrisë Brendshëm, duke uruar suksese në detyrë, dhe besuar në kryerjen e një reforme të studiuar, qëndrueshme, afatgjatë dhe me standard, për një Polici Shteti dhe jo polici pushteti; u sugjeroj të bëhen avokat dhe jo prokuror i Policisë së Shtetit. Këtu dua të kujtoj thënien e shkrimtarit të madh Viktor Hugo: “Të jesh i mirë është e lehtë, vështirë është të jesh i drejtë…”!

Po ashtu të nxisin daljen e akteve për të drejtat e punonjësve të policisë, që ka 4 vjet që ia jep ligji, si të drejtat për përfitim kredie me interesa të butë, kompensimin për strehim, sigurimi i jetës, pension shërbimit etj. Personalisht mendoj se do të ishte imediat miratimi i ligjit për pensionin e shërbimit, i cili do të ndikonte në uljen e moshës mesatare të organizatës.

Gjithashtu, ka ardhur koha të hapin dyert për rekrutimin e kontingjenteve të diplomuar në shkencat juridike, sociale, ekonomike, kompjuterike, etj. dhe të riten investimet në pajisje dhe teknologji, pasi krimi është sofistikuar dhe ka rritur financat e veta.

Në përfundim, duke perifrazuar burrin e madh dhe të mençur Thomas Jefferson se: “Çdo popull meriton qeverinë që ka”, mendoj se “Çdo popull meriton edhe policinë që ka”.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.