Intervista

Protesta, Tritan Shehu: Prej varfërimit mund të shpërthejnë spontanisht

12:00 - 13.01.18 Valentina Madani
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tritan Shehu, deputet i PD-së denoncon ashpër politikat e qeverisë “Rama” për shëndetësinë ndërsa e bën atë përgjegjës direkt për varfërimin e tejskajshëm të shqiptarëve. Nisur nga kjo, z.Shehu tregon për “Gazeta Shqiptare” arsyet se pse shqiptarët do të protestojnë më 27 janar. Sipas tij, ky shpirt proteste tani duhet të orientohet në kanalet e një lëvizjeje të madhe demokratike popullore, produktive, e cila vetëm kështu do të japë efektet thellësisht pozitive e ndryshuese të gjithanshme, të domosdoshme këto për vendin. “Vetëm kështu mund të evitohet rreziku real që kjo protestë të shpërthejë spontanisht dhe në mënyrë kaotike, me shumë dëme të paparashikuara”, shprehet z.Shehu.




Z.Shehu, shëndetësia po del në qendër të vëmendjes përsëri. Si e konsideroni ju gjendjen e këtij sistemi te ne?

Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Kjo, edhe sepse pa as më të voglin dyshim, sistemi i ynë shëndetësor pas 4,5 vite Rilindje po shkon drejt kolapsit të plotë. Shumë shpejt ai kështu do të krahasohet veçse me gjendjen e vendeve të Afrikës Qendrore, ku për shumicën e popullsisë nuk bëhet fjalë për shëndetësi. Dhe kjo duket qartësisht nga dy elementë. Së pari, nga të dhënat objektive të sotme dhe së dyti, nga mospasja e asnjë strategjie zhvilluese të sektorit.

Niveli aktual i shërbimit shëndetësor, kujdesi ndaj pacientit të një vendi matet nga disa indekse: nga niveli i financimeve për shëndetësinë, nga numri i mjekëve të përgjithshëm e specialistë, nga numri i shtretërve së bashku me numrin e specialiteteve të ngushta. Ndërsa, perspektiva nga fakti se sa reale e zhvilluese janë programet së paku afat mesme. Tek ne sot financimi publik për shëndetësinë është rreth 1,95% e GDP, ose ndryshe 85 euro për frymë popullsie në vit, shifër kjo 22 herë më e ulët se mesatarja europiane.

Edhe po t’i shtojmë kësaj 0,85% të GDP nga kontributet direkte, që nuk janë fonde publike, ose rreth 35 euro për frymë, vazhdojmë të jemi shumë larg asaj që duhet. Nga ana tjetër nuk ka asnjë strategji optimiste, nuk ka asnjë të dhënë nga buxheti, qoftë dhe ide nga qeverisja të shprehur se si do të tejkalohet kjo varfëri e skajshme e shëndetësisë.

Mbas harresës së termit shkatërrues “shëndetësi falas”, askush nga mazhoranca nuk po artikulon më qoftë edhe një propozim për politikat financiare të sistemit shëndetësisë. Po kështu, mjekët te ne po bëhen një “specie në zhdukje” duke arritur në 1,1 mjek për 1000 banorë, nga rreth 4,5 që është mesatarja europiane. Paralelisht me këto, numri i shtretërve spitalore ka arritur në 2,4 shtretër për 1000 banorë në rënie, kur duhet të jemi së paku në 4 e i specialiteteve të ngushta, te ne është rreth 10 herë më i vogël se në vendet europiane.

Që këtej deduksionet janë të qarta. Po largohet shërbimi shëndetësor nga popullsia, nga qytetarët, nga pacientët e zonat që janë bosh, pa mjekë familje e specialistë, po zgjerohen frikshëm. Si pasojë edhe spitalet po boshatisen dhe po koncentrohemi vetëm në Tiranë, ku edhe atje shërbimi lë shumë për të dëshiruar, qoftë edhe për shkak të mbingarkesës.

Dhe në këtë drejtim po e çojnë jo vetëm në degradim të pakontrolluar të gjendjes, por dhe në mungesa të plotë e vizioneve apo “strategjitë” e gabuara të shpallura nga ministria përkatëse. Në fakt, ai material “programatik” i shpallur si i tillë, vetëm strategji zhvilluese nuk është.

Me dy fjalë po shkohet “me hapa të sigurta” drejt modelit më të prapambetur shëndetësor, drejt atij afrikan, në të gjitha aspektet.

Megjithatë, kryeministri Rama ka folur së fundmi për masa rregulluese, emërime infermierësh, stazh mjekësh, riformatim spitalesh etj…

Po, është e vërtetë që ka folur, por nuk ka thënë asgjë nga ato që duhet të thotë. Në tërësi ai është përpjekur të lëshojë fishekzjarrë e të përsërisë atë “shfaqje” që bëri dikur me spekulimin “shëndetësi falas”. Ai nuk ka artikuluar më kryesoren, se si do të krijojë e cilat do të jenë kolonat e një sistemi, financimi stabël e autonom për shëndetësinë së paku për të kaluar varfërinë.

E vetmja risi në këtë pikë është se ai nuk përmend më “shëndetësinë falas”, ndërsa rithekson rritjen e shpenzimeve për “koncesionet” abuzive, ose më shumë pak rentabilitet klinik, që veçse e varfërojnë më tej sistemin. Po kështu, nuk ka paraqitur asnjë strategji se si do të përballohet ulja galopante e numrit të mjekëve, specialistëve etj., si do të rriten këto shifra në të ardhmen.

E vetmja gjë që është thënë në këtë kontekst është se do të organizohet një “stazh” apo “qarkullim” i mjekëve të qendrës drejt periferisë me zona “patronazhi”. Këto janë ide të tejkaluara na kujtojnë patronazhin e dikurshëm me “brigadat kulturore” apo të specialiteteve të tjera, që çoheshin në bazë gjatë diktaturës. Janë mekanizma anakronike, që vetëm regjimet e revolucionet si ai “kultural” i përdornin.

Po kështu, këto janë vendime të kundërligjshme, bien ndesh me Kodin e Punës, të drejtën, ligjet e tjera përkatëse, si dhe me kontratat që mjekët e spitaleve apo pedagogët kanë firmosur me institucionet e tyre. Në tërësi efekti i këtyre metodave “revolucionare” është veçse negativ, ato nuk përmbajnë asgjë vizionare e zhvilluese, qoftë dhe afat shkurtër apo mesëm, përdoren vetëm si propaganda banale. Improvizime të tilla jo vetëm nuk zhvillojnë periferinë, por shkatërrojnë edhe institucionet qendrore.

Gjithashtu, para pak ditësh dëgjova edhe për një ide tjetër, tejet centraliste e abuzive kjo, krijimin e një “portali qendror” për të gjitha emërimet e infermierëve në vend. Kjo, që ngjan me një drejtori kuadri në Tiranë me “drejtor” kryeministrin, ia kalon jo vetëm komunizmit, por edhe më kujtoi “portalin e mësuesve” të z.Rama, që tashmë askush nuk e përmend.

Ideja e tretë, që kam veçuar nga këto deklarime “strategjike” është dhe shndërrimi i spitaleve periferike të ashtuquajtura “bashkiake” në qendra shërbimesh, që do të thotë se maksimumi këta do të kenë vetëm shtretër ditor, pra nuk do të jenë me spitale, duke larguar më tej shërbimin nga qytetari. Këtu dua të theksoj se koncepti “spital bashkiak apo rajonal” është një koncept i vjetruar, i tejkaluar. Spitali është veçse spital kudo që është, duke ofruar te pacienti të njëjtën cilësi shërbimi dhe që funksionon autonom si një “ndërmarrje”.

Pra, të gjitha këto “teori” e deklarata qeveritare janë bosh, thuhen veçse për të krijuar iluzione, ngrihen mbi një mentalitet të rrezikshëm tejet centralist, pa asnjë premisë zhvillimi dhe që jo vetëm mbajnë sistemin tonë shëndetësor në nivelet tragjike ku është, por e shtyjnë më tej atë drejt kolapsit të plotë. Besoj se tani të gjithë biem dakord, kur për një sektor si shëndetësia, gjendja aktuale është tragjike dhe nuk ekziston nga qeveria asnjë vizion real zhvillues, perspektiva nuk mund të jetë tjetër veçse “e zezë”!

Çfarë propozoni ju për ndryshimin e situatës nga e “zezë” në të “bardhë”?

Unë mendimet e mia i kam publikuar qartë. Ne si PD kemi edhe një program të plotë të daljes nga katastrofa e për zhvillimin e sistemit tonë shëndetësor me masa e ndryshime radikale. Gjithsecili mund ta lexoje atë. Megjithatë, meqenëse ju më pyesni, po ju përmend shumë shkurt disa nga idetë që unë kam hedhur: a) Mbas dëmtimit të madh që krijoi iluzioni “shëndetësi falas”, duhet të flasim me realizëm për financimin e sistemit. Sistemi shëndetësor kushton shumë, kudo ku ai është i zhvilluar.

Prandaj duhet të rriten ndjeshëm financimet për këtë, mundësitë janë. Së pari, duhen konvertuar pagesat direkte të popullsisë (ato nga xhepi i secilit për ilaçet, shërbimet, pagesat e ndryshme, stomatologun etj., etj.) që arrijnë në rreth 135 euro për frymë në vit, në kontribute direkte (siguracione) të përdorshme nga individët e zhvilluese për sistemin dhe që sot janë shumë të ulëta.

Këto i japin soliditet e autonomi financimit të shëndetësisë. Pa asnjë dyshim kontributi i buxhetit duhet të kalojë nga 1,95 % në minimalisht 3,5% të GDP. Po kështu, duhen ndërprerë të gjitha shpenzimet abuzive ose pa rentabilitetin e nevojshëm, që sot kapin rreth 350 M Euro në 10 vit në formën e koncesioneve. Me dy fjalë, unë këmbëngul që është e domosdoshme ngritja i një sistemi financimi miks, të bazuar në një sistem sigurativ të diversifikuar e konkurrues.

Kjo kërkon që sa më shpejt të largohemi edhe nga koncepti monopolizues e jo stimulues tashmë, nga ai i një “blerësi të vetëm të shërbimit”, për të hapur kështu tregun e sistemeve sigurative, publike e private, konkurrencën.
b) Decentralizimi i spitaleve për të shkuar te “spitali ndërmarrje” është imperativ.

Kjo kërkon largim nga konceptet arkaike centraliste si “spitale bashkiake e rajonale”, financim të tyre në bazë të DRG për shërbimin që ofrojnë, konkurrencë e “treg shëndeti” real. c) Kujdesi parësor duhet t’i nënshtrohet jo vetëm decentralizimit, por duhet të ecë drejt bazimit të tij mbi “profesionistin e lirë”, mjek familje a specialist ky, i paguar nga sistemi sigurativ për shërbim. d)Një hapësirë tjetër e madhe dhe e pashfrytëzuar është privati në shëndetësi. Ai duhet të konsiderohet si pjesë integrale e sistemit, ku pacienti mund të shkojë lirshëm i paguar tërësisht nga sistemi sigurativ, apo fillimisht mbi bazën e bashkë pagesës, që duhet pranuar qartësisht si alternativë.

Trajtimi si një shtojcë e sektorit privat është një miopi e madhe. e) Për të realizuar këto është e domosdoshme të mbizotërojë koncepti thelbësor stimulues – pacienti është i lirë të zgjedhë ai vetë spitalin që dëshiron, mjekun e familjes apo specialistin ambulator.

Në fakt, kjo është një e drejtë universale e njeriut në demokraci. Ai jo vetëm zgjedh, por merr me vete në këtë zgjedhje dhe financimin nga sektori sigurativ, që e derdh aty ku ai shkon. Kjo do të plotësonte kushtin themeltar të krijimit të konkurrencës pozitive, “tregut të shëndetit” etj., si bazë e zhvillimit, rritjes së cilësisë së shërbimit e uljes së kostos.

Fatkeqësisht në të gjitha programet e qeverisë dominon ideja e bllokimit, e “getozimit” të popullsisë, pra e kundërta e këtij principi progresiv. f) Më tej janë shumë elementë të tjerë, që duhen ndryshuar. Psh., farmaceutika duhet të zgjidhë problemet gamës së pamjaftueshme, të sigurisë e cilësisë së dyshimtë të medikamenteve e materialeve në vend, që sot janë një problem madhor.

Së dyti, rritja disa herë e fuqisë rimbursuese në numër medikamentesh e përqindje vlere në tregun e hapur në dobi të qytetarëve, është një domosdoshmëri, etj. Po kështu, duhen zgjeruar procedurat e mbështetura nga skemat siguartive si psh., për stomatologjinë, fizioterapinë, mbulesat sociale në përgjithësi etj. h) Ndërsa rritja e numrit të mjekëve e specialistëve është një proces që kërkon një strategji të gjerë e afat gjatë. Ka ardhur koha për aktivizimin e së paku edhe të dy fakulteteve të tjera publike të mjekësisë.

Po kështu, duhet zgjeruar baza mësimore klinike për specializimet me qendra të tjera spitalore publike a private, jo vetëm në Tiranë këto, për të shtuar kështu ndjeshëm numrin e specialistëve, duke filluar që nga mjeku i familjes. E rëndësishme është që shoqëria e shteti të kuptojnë që mjekët nuk kanë nevojë vetëm për paga më të mira, por edhe për kushte të përshtatshme pune, zhvillim të vazhdueshëm teknik e profesional, aktivitet shkencor e mbi të gjitha respekt e dinjitet, që sot është nëpërkëmbur me keqdashje, pikërisht për t’i anatemuar ata në raport me nivelin katastrofal të sistemit.

Ka ardhur koha për të vendosur një raport të ri stimulues e të emancipuar midis shtetit e mjekëve, apo edhe specialistëve në tërësi.

Besoni se janë të realizueshme të gjitha këto që përmendët?
Jam optimist se kam besim te ndryshimet e mëdha në Shqipëri. Do të isha pesimist nëse nuk do të mendoja kështu. Kam besim pikërisht se ndërgjegjësimi i njerëzve për atë se ku po shkon vendi, jo vetëm shëndetësia, te reaksioni i qytetarëve për të ndaluar të keqen që po rritet e orientuar përpjekjet e përbashkëta drejt alternativave të tjera pozitive.

Pa dyshim, sistemi shëndetësor shqiptar nuk mund të hyjë në rrugën e normalitetit në qoftë se e gjithë Shqipëria nuk futet në këtë rrugë. Dhe për këtë duhen ndryshimet e mëdha politike në vend, që të sjellin vizione të ditura, pasione të guximshme, përgjegjësi e korrektësi qytetare në krye të shoqërisë sonë.

Prandaj Partia Demokratike po shkon drejt protestave?
Absolutisht po, në një sens. Por unë do të thosha se nuk është vetëm PD në protestë, është Shqipëria në protestë. Dhe kjo si pasojë e gjendjes së vështirë e në përkeqësim të vendit. Ne folëm për shëndetësinë më lart, por ashtu janë dhe sektorët e tjerë të vendit. Është niveli ekonomik, financiar, varfëria e thellë, papunësia e lartë etj., etj., që po e çojnë vendin në shpërthim.

Nga ana tjetër, situata është përkeqësuar së tepërmi përballë korrupsionit masiv e infiltrimit të krimit kudo. Ju vetë e patë çfarë ndodhi e po ndodh me drogën. PD-ja pa dyshim si forca kryesore opozitare e ka për detyrë e mision ta udhëheqë, ta drejtojë këtë protestë të madhe popullore, që po ndjehet kudo. Dhe kjo është në të mirën e vendit, njerëzve, stabilitetit.

Ndryshe gjërat mund të shkojnë në mënyrë kaotike e shkatërruese. Në të vërtetë kjo protestë masive tashmë e filluar në çdo shtëpi, familje, ambient shoqëror, në forma nga më të ndryshme, shpesh jo të qarta apo të dobishme, siç është fenomeni i azilit që ka marrë përmasat e një eksodi masiv së fundmi, i dëshirueshëm ky për qeverisjen, por jo për Shqipërinë. Prandaj, ky shpirt proteste tani duhet të orientohet në kanalet e një lëvizjeje të madhe demokratike popullore, produktive, e cila vetëm kështu do të japë efektet thellësisht pozitive e ndryshuese të gjithanshme të domosdoshme për vendin.

Vetëm kështu mund të evitohet rreziku real, që kjo protestë të shpërthejë spontanisht dhe në mënyrë kaotike, me shumë dëme të paparashikuara. Ndërkaq, unë e kuptoj që sfidat e kësaj lëvizjeje janë të shumta. Por së pari duhet të luftohet që të marrë fund dominimi i krimit, drogës, arbitraritetit etj., që kanë prekur të gjithë sektorët e jetës.

Janë këto të këqija që më tej shtyjnë edhe drejt shkeljeve kushtetuese, deformimit të demokracisë, ligjit, shkatërrojnë ekonominë etj. Sot kërkohet një ballafaqim i fuqishëm e demokratik me këto rreziqe, që t’i hapet rrugë progresit. Kush tjetër përveç PD-së mund të jetë në ballë të një lëvizjeje të tillë popullore? Askush tjetër. Pra, tashmë kjo është një detyrë imperative e PD-së, ndryshe gjërat do të përkeqësohen në mënyra të paparashikueshme e të pandreqshme.

Cilat janë pritshmëritë tuaja, a do t’ju ndjekin shqiptarët, a do t’ju besojnë?
Unë mendoj se po. Mjafton që ne të dimë të orientohemi drejt, të shpjegojmë qartë idetë tona, atë që propozojmë për të ardhmen etj.

Pra, ne duhet të jemi kritikë ndaj realitetit të errët që mbizotëron, por edhe alternativë, të qartë e konkretë për të ardhmen. Dhe besoj se ne i kemi kapacitetet njerëzore, politike, profesionale, të drejtën morale për ta bërë këtë gjë. Veprimtaritë që kemi filluar duhen zgjeruar, kontaktet duhen shumëfishuar, duhen shfrytëzuar të gjitha mundësitë direkte, mediatike grupesh, ambientesh të ndryshme, gjithçka. Diçka duhet të kuptojmë, gjërat nuk zgjidhen me një “deus ex machina”.

Ky është një proces demokratik, ku çdo element ka rëndësinë e tij e duhet shfrytëzuar me kujdes. Në këtë hapësirë, protestat kanë një rëndësi të madhe, veçanërisht për gjendjen aktuale, ku edhe kur qeverisja po përpiqet veçse të terrorizojë njerëzit me mjete e shkaqe nga më të ndryshme. Përpiqet ta bëjë këtë me çështjet më personale e familjare e deri te puna, me varfërinë, hallet me drogën e kultivuar e të fshehur, me presion psikologjik direkt, mediatik etj.

Dhe këtu protesta merr një rëndësi të madhe. Vetëm të qënit në protestë në grupe të mëdha të jep guxim, largon ndrojtjen e frikën e deri te mesazhi i forcës e ndryshimit që transmeton. Këto janë të domosdoshme për ndryshimet e kërkuara nga të gjithë, veçanërisht kjo për realitetin e shoqërisë sonë. Pra, larmishmëria e aktiviteteve është shumë e rëndësishme, midis të cilave forcimi i tonit e dimensioneve të protestave në këto situata është thelbësore. Pikërisht këto janë objektivat e punës dhe impenjimit të PD-së tashmë.

Në këtë betejë jeni bashkë me LSI-në, si influencon kjo?

Në ketë këtë betejë jemi së bashku me gjithkënd që është i vendosur t’i kundërvihet kësaj situate të rëndë në vend, me të gjithë ata që duan të bëjnë opozitë reale. Në opozitë nuk ka zakonisht koalicione (ai i tillë që kemi është ai parazgjedhori). Të tjerat janë bashkëpunime të gjera për çështjet ku përputhen idetë, alternativat, interesat.

Pa dyshim LSI-ja edhe për vetë dimensionet parlamentare të saj është nga më të rëndësishmet në këtë bashkëpunim të gjerë dhe kjo është krejt normale dhe e dobishme. Vendi ka nevojë për bashkim të të gjithë forcave politike, por jo vetëm edhe të grupimeve, individëve etj., që duan të pengojnë varfërinë, arbitraritetin, shkeljet e ligjit, të Kushtetutës, kolapsin ku po shkon ky vend, për të gjithë ata që aspirojnë në parimet e zhvillimit, demokracisë, Perëndimit e integrimit europian.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.